Natyra, evolucioni, morali, shoqëria…

Mbi etikën, moralin, moralin evolutiv dhe atë shoqëror

morali, etika, evolucioni, natyra, njeriuIdeja se ne mund të ekstrapolojmë (shkëpusim, pra nxjerrim jashtë kontekstit) moralitetin objektiv nga ligjet e natyrës dhe evolucioni – kur në fakt nuk mund ta bëjmë, dhe nuk duhet ta bëjmë – është një pabazueshmëri naturalistike.

Kjo sepse, në këtë mënyrë, pra duke derivuar etikën nga natyra, ne rrezikojmë të krjojmë një sistem vlerash i cili është i keq, mizor, brutal dhe injoron shumë nga tendencat e larta të natyrës njerëzore, të kultivura në qindra mijëra vite të humanitetit.

Por natyrisht, kjo nuk duhet të na pengojë që të njohim dhe të eksplorojmë mënyrën se si evolucioni ka influencuar dhe  influencon moralitetin tonë.
Kështu, ne përpiqemi të përshkruajnë nevojat tona, mënryën dhe mekanizmat me anë të të cilëve kanë evoluar dhe kanë marrë formën e sotme. Theksoj se, kjo nuk duhet të ngatërrohet me atë që nevojat tona evolutive, instinktive, duhen ndjekur dhe kënaqur (vetëm) sepse vijnë nga natyra.

Me fjalë të tjera, të përshkruash se si apo çfarë është nuk do të thotë se si apo çfarë duhet të jetë.

Pra, edhe pse ne mund të kuptojmë dhe punojmë për të kuptuar forcat “e brendshme” që nga drejtojnë dhe influencojnë, kjo nuk e përjashton përgjegjësinë personale individuale.

Në këtë mënyrë askush nuk ka të drejtë të stigmatizojë apo përçmojë një grupim tjetër, qoftë edhe vetëm kulturor, duke i atribuar këtij vlera inferioriteti, sepse i ndryshëm nga self-i, pra in ndryshëm nga vetja, nga vlerat apo sjelljet e veta dhe grupimit të vet.

Me të njëjtën linjë mendimi, hidhen poshtë edhe dënglat e disa letrarucëve mbi Darvinizimin Social. Pra ideja se ligjet e shoqërisë duhet të imitojnë ato të natyrës, duke e lënë empatinë – edhe kjo si çdo gjë tjetër krijesë e evolucionit – mënjanë. Ndërsa darvinizmi social ngre lartë kompeticionin, garën dhe mbijetesën e më “të mirit”, ai injoron plotësisht strategji apo më mirë të them mjete evolutive si altruizmi dhe bashkëveprimi, tashmë gjerësisht të përvetësuara edhe si mekanizma të ndërveprimit shoqëror.
Evolucioni është deskriptiv, përshkrues, dhe jo perskriptiv apo udhëzues.

Për ta mbyllur, nuk ka kuptim të thuash se diçka që të jetë e mirë duhet të jetë natyrore… Sepse, ndonjëherë, edhe nga natyra, që në vetevete është mjaft e pasur, nuk ka shembuj apo përgjigje të gatshme.

Rinstinkt 2013

————————————————————————————-

Barbarizmi animalist i datës 20 prill 2013 në Milano, Itali

Barbarizmi i aktivistëve për të drejtat e kafshëve – animalistë (kafshistë) – i datës 20 prill 2013 në Milano, Itali

Të shtunën paradite disa aktivistë për të drejtat e kafshëve në Itali, futen në një nga laboratorët e farmakologjisë të Unversitetit të Milanos dhe bëjnë kërdinë me gjithë çka gjejnë brenda…

Sulmi, i huliganëve duhet thënë, u realizua nga një grup aktivistësh për të drejtat e kafshëve që vetquhet Fermare Green Hill (Ndalo Green Hill-in), duke iu referuar Green Hill-it një qëndër ku rriteshin varietete të ndryshme qensh të paracaktuar për eksperimentimin shkencor biomjekësor.

(Kujtoj se, qëndra Green Hill kishte qenë para disa muajsh në shënjeshtër të të njëjtëve ekstremistë, të cilët hynë dhe rrëmbyen në mënyrë të jashtë ligjshme disa qenë të racës Bigëll.)

Pesë aktivistë hynë në laboratoret e departamentit të farmakologjisë duke liruar minjë të tipave të ndryshëm, duke përzierë kartelat dhe dokumentet përkatese (të protokolleve) dhe duke bërë kështu të pamundur përdorimin e tyre të mëpasshëm.

Shkatërrimi i stabularëve të departamentit të farmakologjisë së uni Milano. Pamja përpara dhe pas kalimit të aktivist-huliganëve animalistë

Shkatërrimi i stabularëve të departamentit të farmakologjisë së uni Milano. Pamja përpara dhe pas kalimit të aktivist-huliganëve animalistë

Në gjithë këtë mesele të ekstremistëve, nuk duhet harruar shkatërrimi i kafazeve dhe dëmi monetar i shkaktuar, ndaj Universitetit të Milanos, më saktë ndaj departamentit të farmakologjisë, indirekt edhe ndaj donatorëve.

Nuk duhet harruar edhe një gjë tjetër e rëndësishme: se u hodh poshtë, në disa orë ekstremizëm huliganësh, puna kërkimore shkencore e shumë viteve.

Në stabularët e departamentit të farmakologjisë gjendeshin rreth 800 kafshë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin minjë të modifikuar gjenetikisht, dhe ndonjë lepur.

Disa nga minjtë, ishin të veçantë; të ashtuquajtur “nudo” sepse kanë mungesë qimesh, ruajtës mutacionesh gjenetike, dhe me sistem imunitar të dobësuar. Pra kafshë pa mbrojtje imuntare që vdesin në mënyrë të shpejtë kur ekspozohen ndaj ambienteve të pakontrolluara. Me ambient të pakontrolluar kihet parasysh edhe kutia e kartonit me të cilën huligan-aktivistët transportuan disa nga minjtë jashtë laboratorit…

Kërkuesit nga departamenti thonë se, do të duhen muaj të tërë për të rindërtuar linjat e minjve të modifikuar gjentikisht. Po, po, sepse ishin minjë të modifikuar gjenetikisht, që përdoren si modele për të studiuar sëmundje të ndryshme të sistemit nervor, si autizmi, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimerit, skleroza e shumëfishtë, sindroma Prader-Willi etj. Për këto e shumë sëmundje të tjera të sistemit nervor, sikundër edhe për çrregullimet psikiatrike, ka nevojë urgjente për kura.

Akti vandal u dënua nga kërkuesit e departamentit të farmakologjisë të Universitetit të Milanos, dhe më gjerë nga i gjithë komuniteti shkencor italian dhe botëror.[1] [2]

Edhe prefesor Silvio Garattini, drejtori i Institutit Mario Negri, reagoi ashpër:

Agresiviteti i një pjese të lëvizjes animaliste (kafshiste) bën të nevojshme marrjen e një qëndrimi të fortë të institucioneve shkencore që operojnë në fushën biomjeksore. Nuk është e tolerueshme që puna jonë të hidhet poshtë nga persona që veprojnë sikur të mos ekzistonin ligjet, dhe kryejnë vepra penale që rrezikojnë të mbeten të padënuara […] Eksperimentimi me kafshët është akoma i nevojshëm nëse dëshirohet të realizohen progrese në terapinë e sëmundjeve […] Nuk mund të pranojmë që kush shkel të drejtën për kërkim shkencor të lihet në qarkullim të lirë, dhe urojmë që organizatat që merren me mirëqenien e kafshëve të mos jenë bashkëfajtorë dhe të dëgjohet zëri i tyre kundër dhunës. (përkthimi im)

*****

Në disa orë ekstremizmi të huliganëve të vitit 2013, u hodh poshtë, për disa momente, edhe shpresa e shumë njerëzve dhe familjeve me të afërm që vuajnë nga sëmundje të sistemit nervor.

Por shpresa nuk u la të binte përtokë… menjëherë ditën më pas, një grup studentësh dhe kërkuesish të Milanos – rreth 50 – dolën në shesh dhe demonstruan paqësisht, veshur me këmishat e bardha, të esëllt përballë hordhive dhe dizinformimit të grupimeve të shastisura animaliste.


Rinstinkt, prill 2013

——————————————————————————————————–

Sterilizimi dhe pseudombrojtësit e kafshëve

Ekziston një faqe në rrjetin social Facebook, me emrin PAPA (People for Animal Protection in Albania), që deklarohet nga administratorët e vet si në mbrojtje të të drejtave të kafshëve.

Citoj nga faqja e tyre, nëfaqja About apo Rreth Nesh (ekuivalenti shqip).

Qellimi i kesaj faqeje eshte te ndryshoje fatin e kafsheve ne Shqiperi. Ne e respektojme jeten dhe besojme qe njerezit, si qenie superiore, kane detyrimin te mbeshtesin dhe mbrojne jeten e kafsheve. Ne e denojme abuzimin me kafshet dhe torturen ndaj tyre dhe do te luftojme per te permiresuar dhe zbatuar ne menyre korrekte ligjet per mbrojtjen e kafsheve. Ky grup mirepret pervojen tuaj ne shpetimin e kafsheve, deshmite tuaja ne rastet e abuzimit ndaj kafsheve, idete tuaja per te prodhuar ndryshimin e nevojshem, propozimet tuaja per veprimtari dhe aktivitete ne mbrojtje te kafsheve, te cilat ju deshironi t’i ndani me te gjithe anetaret e ketij grupi. Ky nuk eshte thjesht nje grup per dashamiresit e kafsheve te shoqerimit: ne jemi te shqetesuar per te gjitha kafshet dhe vecanerisht ato qe vuajne nga braktisja dhe abuzimi i shkaktuar nga njeriu. P.A.P.A eshte ti dhe une, dhe ai dhe ajo, dhe ne besojme se se bashku ne mund te sjellim nje ndryshim ne jeten e kafsheve ne Shqiperi. 

Ndryshimi i fatit të kafshëve të Shqipërisë – fjalia e parë – është një mision i lavdërueshëm.

Le të merremi njëçik me fjalinë e dyte. PAPAt besojnë se, njerëzit si qenie superiore… Pra as që e vënë në dyshim superioritetin e njeriut. Po nejse kjo mund edhe të interpretohet jo si supersioritet hyjnor, por si superioritet kulturor dhe epërsi në manipulimin e ambientit që e rrethon sipas dëshirave të veta, ndaj nuk po ndalem (edhe sepse do të më duhej të shkruaja mjaft për t’u shqaruar).

Por ajo që të lë shije të keqe është besimi se njeriu ka detyrimin të mbrojë dhe mbështesi jetën e kafshëve. Edhe këtu mund t’i bihet shkurt e të thuhet se është besimi i tyre personal. Por ky besim nuk mund të lihet pa u kritikuar kur kthehet në besim për të “shpëtuar” kafshët, më saktë kaviet, që janë paracaktuar dhe rritur apostafat për t’iu nënshktuar kërkimeve shkencore.

Lëvizjet simotra të PAPAs në Europë e SHBA, fatkeqësisht kanë kaluar me kohë nga llogoret e internetit në llogoret e jetës publike, edhe duke ndërmarrë aksione (kriminale) për të ndalur kërkimin shkencor. Veprimet e tyre janë përqëndruar kryesisht në sulme ndaj qëndrave të rritjes së kavieve e kafshëve për kërkimin shkencor – kjo sepse kaviet rriten në kushte specifike, standard dhe me norma të mirë përcaktuara, pra nuk janë të “ndotura” nga ambienti i jashtëm.

Problemi i vetëm që kam unë, si person privat, por edhe si anëtar i një kategorie të caktuar që është e shqetësuar nga lëvizje apo grupime të tilla shoqërore që rrezikojnë të kthehen në një fe të re, është ai që ka të bëjë së pari me keqinforminim, me shtrembërimin, me hipokrizinë dhe jokoherencën e deklaratave, pa harruar nxitjen e dhunës ndaj grupimeve të caktuara shoqërore.

Nxitja për këtë shkrim? Një postim i ditëve të kaluara të PAPAs. Postimi kishte si objekt një karikaturë (pamje) ku tregohej se përse duhet të sterilizohen kafshët shtëpiake – qeni, macja etj.

PAPA sterilizon

Arsyet për sterilizim mund t’i jap edhe unë, mjaft thjeshtë: pamundësia për të kontrolluar aktivitetin seksual të kafshës që mund të shpie në riprodhimin e tyre të pakontrolluar që eventualisht do t’i detyronte pronarët që shtazët e reja t’i dhuronin apo më keq siç ndodh mjaft shpesh në Shqipëri t’i braktisnin në trotuar, t’i hidhnin në ndonjë ferrë apo edhe t’i sakatonin në tentativë për t’i vrarë. Nga këtu lind natyrshën nevoja për t’i sterilizuar kafshët shtëpiake…për t’u ardhur në ndihmë nevojave të njerëzve. Që janë ato të shfrytëzimit të kafshëve për qejfin e vet dhe të mos lejimit të riprodhimit të tyre.

Mesazhi i PAPAs është i qartë. Mbani kafshë për nevojat tuaja, për shoqëri, për ledhatim, për argëtim por për të mos patur kokëçarje sterilizojini.

Aktiviteti seksual i kafshës nëse kjo nuk do të ishte nën kontrollin e njeriut do të ishte tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Njeriu pra, ndërhyn, për të marrë nga kafsha përkëdheljet dhe ngrohtësinë e pellushit duke i hequr asaj një të drejtë themelore, nëse mund ta quaj kështu, atë të lënies së pasadhësve, të trashëgimisë së gjeneve.

Pra, shkurt, edhe PAPAt shqiptarë si ata të huajë – që venë e ngrihen nëpër protesta gjoja për mbrojtjen e kafshëve (edhe të atyre që janë të destinuara për kërkimin shkencor, që njerëzimit, por edhe vetë kafshëve, u sjell veç të mira) – kanë në mendjen e tyre (në mënyrë ë paraprogramuar, mbase!) dy standarde gjykimi. Nga njëra anë thonë e deklarojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve nga ana tjetër për qejfin dhe rehatinë e vet janë gati edhe t’i sterilizojnë për të mos patur kokëçarje të mëtejshme.
Të paktën të mos pretendojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve dhe të të drejtave të tyre të pretenduara (Për thellim, shiko:Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve”). PAPAt shqiptarë janë thjesht një grup njerëzish që mbrojnë kafshët dhe “të drejtat” e kafshëve deri në atë pikë sa u intereson. Si të gjithë xhanëm.

[Lexo dhe: Shfarosje po, eksperimentim jo – irracionaliteti animalist]

P.S. Kjo që kam shkruar nuk duhet të merret si një kritikë vetëm për PAPAn. Unë u nisa nga ai postim, për të marrë spunto. Kërkoj ndjesë nëse ndonjë përgjithësim imi fyen ndokën. Korrigjime mund të bëhen.

© Rinstinkt

—————————————————————————————————–

Të gjitha gratë (femrat) janë të sëmura

Të gjitha gratë janë të sëmura

Lexova para pak kohësh në një faqe në gjuhë të huaj, që ndër të tjera citohej shumë nga guru-t alternativë, se menstruacionet (pra, humbjet hematike ciklike të femrës) na qenkëshin patoligjike. Pra, kjo faqe i përcaktonte femrat që kishin menstruacione si të sëmura, si patologjike. Të kuptohemi, faqja duke gjykuar nga ato që mund të lexoheshin, nuk mbahej nga një mjek; në të kundërt dukej se personi që mbante faqen ishte komplet injorant(e) mbi tematikat që trajtonte.

Do të thoni, po tallet ky?

S’ka fare tallje, postimi që lexoja ishte shkruar me seriozitet. Ishte rezultat i një përzierjeje injorance idiotllëku dhe keqdashjeje.

Në artikull citohej edhe Arnold Ehret, një “guru” i sukseshëm i  “mjekësisë” alternative.

Autori(a) gjenial(e) i(e) tekstit në fjalë sillte si “provë” në arsyetimin e vet diabolik, faktin se gra të ndryshme që ndjekin një dietë rreptësisht “higjenike” (vetëm me perime të gjalla!) janë pa menstruacione, pra menstruacionet janë rezultat i një diete të gabuar. Pra, më drejtëpërdrejtë, gratë që nuk ndjekin një dietë vetëm barishtore janë të sëmura meqë kanë menstruacione…

Citoj, (përkthimi im):

Menstruacionet janë patoligjike dhe jo të natyrshme. Asgjë nuk  ndikon më shumë sesa dieta në fluksin mujor të gruas. Ndonjëherë ajo që grua që ka menstruacione të bollshme mund të kurohet plotësisht duke reduktuar dietën në vetëm ushqime të gjalla. Shpesh, kur kalohet nga ushqimi i pjekur në atë të gjallë, cikli i femrës kapërcehet për një ose dy muaj, por nuk duhet të shqetësohet.

Gjeniu autor i artikullit, nuk e pyet veten nëse problemi mund të jetë tamam e kundërta e arsyetimit të vet idiot.

Një grua e kequshqyer, që zvogëlon në mënyrë drastike peshën e vet trupore, që nuk merr substancat e nevojshme për funksionimin korrekt të organizmit të vet, shfaq ndër shumë simptoma të tjera edhe atë të amenorresë (pra, mungesa e ciklit menstrual).

Një nga shkaqet e amenorresë është, pra, kequshqyerja. Jo rastësisht, kush vuan nga anoreksia apo nga shqetësime të tjera që kanë të bëjnë me ushqyerjen, shpesh konstaton zhdukjen e ciklit të vet menstrual. Për më tepër, gratë që bëjnë aktivitet sportiv të rreptë (me stërvitje dhe kontroll të ushqyerjes dhe peshës) shfaqin të njëjtin problem, që është tipik edhe për figura të tjera profesionale, tek të cilat kontrolli i ushqyerjes shkon deri në kequshqyerje (modelet, baleriant e kërcimit klasik etj.).

Deliri i autorit të këtij artikulli debil, për të cilin po marr mundimin të shkruaj, shkon edhe më tej, duke deklaruar se: gratë që e teprojnë me seksin rrezikojnë të bëhen pak budallaçka.

Citoj:

Dihet se teprimet seksuale kufizojnë aktivitetin intelektual. Për të arritur zhvillimin e plotë, inteligjenca duket se kërkon një zhvillim të mirë të gjëndrae seksuale dhe represionin (shtypjen) e dëshirës seksuale.

Budallëqe me okë. Rrini të qeta, shpreheni seksualitetin tuaj siç ju teket. Vetë kam një dyshim të madh se personi që ka shkruar fjalët e cituara, është (pak) xheloz për performancën e grave të tjera.

Nuk e di nëse ia vlen që të shpejgoj (sërisht) mekanizmat që qëndrojnë në thelb të menstruacioneve. Se përse ato ndodhin etj etj. Për tani do të mjaftohem me vendosjen e nja dy lidhjeve tek artikuj, tashmë, të botuar këtu në këtë blog.

Sistemi riprodhues femëror

Cikli menstrual

——————————————–

Antiviviseksionistë si Kreacionistë

Antiviviseksionistë si Kreacionistë

Kushti paraprak për një gjykim korrekt është njohja autentike (e saktë). Njohja është autentike vetëm nëse është objektive, e pa kushtëzuar nga përqasjet ideologjike.

Personalisht, para se të rreshtohesha në mbrojtje të eksperimentimit mbi (me) kafshët, isha asnjëanës, as pro as kundër. Vetëm pasi pata studiuar dhe kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ajo ka, mora pozicionin tim.

Por, a mund të thuhet e njëjta gjë për ata që kundërshtojnë dhe pengojnë eksperimentimin me kafshët, ndër të cilët të parët “animalistët” (kafshistët)?

Nëse një person zgjedh a priori, mbi baza emocionale, se eksperimentimi mbi kafshët është i gabuar dhe është një e keqe, atëherë nuk do të kërkojë informacione në mënyrë objektive, në të kundërt do të priret që të mënjanojë gjithëçka që nuk konkordon (përputhet) me pozicionin e vet a priori-st (mbase duke etiketuar si “shkencë e korruptuar apo arkaike”) ndërsa do t’i jap evidencë të madhe çdo gjëje që në dukje kënaq pozicionin e tij, dhe kur nuk do të mund të gjejë asgjë të vlefshme në mbështetje të tezave të veta, nuk do të vonojë së shtrembëruari faktet për ti përshtatur sipas qejfit të vet.

“Animalistët” (kafshistët) kërkojnë dhe vënë në dukje vetëm dhe vetëm ato çka janë të nevojshme për të ngritur një ide të shtrembëruar mbi eksperimentimin mbi kafshët, duke lënë veçan triumfet e panumërta mjekësore dhe shkencore që kanë ardhur nga një praktikë e tillë. Për më tepër, ndryshojnë faktet duke i përshkruar ashtu siç iu intereson, për shembull rasti Talidomide që “animalistët” (kafshistët) ia mveshin (atribuojnë) kredibilitetit të modelit kafshëror (së kafshës), kur në realitet gabimi i detyrohej një hetimi eksperimental të pamjaftueshëm.

Një “animalist” (kafshist) që “argumenton” mbi eksperimentimin me kafshët është po aq objektiv sa edhe një kreacionist që “argumenton” dhe diskuton mbi evolucionin.

Për t’u marrë me një argument shkencor duhet para së gjithash të zhvishesh nga kushtëzimet ideologjike apo fetare.

Metoda Shkencore bazohet në të treguarit (demonstruarit) me anë të provave vlefshmërinë e asaj çka thuhet apo deklarohet. Çdo gjë që nuk kalon nga kriteret e metodës shkencore, nuk konsiderohet shkencë (për shembull homeopatia!).

Antiviviseksionizmi nuk është shkencë por fe: feja e të besuarit në ekzistencën e metodave zëvendësuese edhe në mungesë të provave.

Unë, duke mos patur një diplomë në inxhinieri, nuk do të guxoja kurrë të shkoja tek një inxhenier dhe t’i thoja se si  duhet  t’i pozicionoi këmbët e urës që po projekton, afërmendsh! Atëherë përse “animalistët” (kafshistët), të cilët nuk kanë as kompetencën më minimale, pretendojnë t’u mësojnë punën kërkuesve shkencorë?!

Edhe nëse do të kishte një diskutim akademik mbi vlefshmërinë e metodës eksperimentale (që nuk ka, sepse vlefshmëria e eksperimentimit me kafshët është e pa kontestueshme dhe pseudo-teoritë e antiviviseksionistëve nuk kanë asnjë kredit mes ekspertëve), përse mos të lejohet që me të të merren personat kompetentë? Çfarë kuptimi do të kishte futja e hundëve në një diatribë mes inhinierësh rreth pozicionimit më të mirë të këmbëve të një ure?

Është e qartë se diferenca mes urave dhe kafshëve qëndron në përfshirjen emocionale të njerëzve përkundrejt argumentit… dhe është pikërisht kjo përfshirje emocionale që (e) paragjykon arsyetimin!

Sigurisht asnjë nuk do të donte të përdorte kafshë në eksperimentimet, por nëse duam që të gjejmë kura për sëmundjet që godasin njerëzimin, nuk ka zgjidhje tjetër, ky është realiteti! Por, jo të gjithë janë të aftë ta pranojnë realitetin kur është i hidhur, shumë njerëz preferojnë të strehohen në iluzione komode dhe të besojnë se ekzistojnë metoda zëvendësuese.

Ata që i gënjen mendja, do të gjejnë gjithnjë dikë që është i gatshëm për të ushqyer iluzionet e veta.

Antiviviseksionistët janë të bindur se ka “shkencëtarë” që mohojnë vlefshmërinë e eskperimentimit me kashët, dhe kjo ushqen iluzionet e tyre.

Në këtë aspekt antiviviseksionistët janë të njëjtë me kreacionistët. Këta të fundit refuzojnë Evolucionin Biologjik dhe janë të bindur se ai është shkencërisht i gabuar (i pasaktë).

Nëse i flisni një kreacionisti ai do t’ju përgjigjet në të njëjtën mënyrë si një aniviviseksionist, duke përdorur të njëjtat fjalë, mjaft që të zëvendësohet “evolucion” dhe “viviseksion” (pra termi i pahijshëm që përdorin dinakërisht për të etiketuar eksperimentimin me kafshët) dhe pjesa e mbetur do të përputhhet perfektësisht:

  • Evolucioni është pseudoshkencë.
  • Viviseksioni është pseudoshkencë.
  • Më parë besohej se Evolucioni ishte i vlefshëm por tani, në dritën e zbulimeve të reja, është obsolet dhe i prapambetur.
  • Më parë besohej se Viviseksioni ishte i vlefshëm por tani, në dritën e zbulimeve të reja, është obsolet dhe i prapambetur.
  • Shkencëtarët e vërtetë refuzojnë vlefshmërinë e Evoluciionit.
  • Shkencëtarët e vërtetë refuzojnë vlefshmërinë e Viviseksionit.
  • Është demonstruar se Evolucioni është shkencërisht jo i vlefshëm.
  • Është demonstruar se Viiviseksioni është shkencërisht jo i vlefshëm.
  • Nëse Evolucioni studiohet ende nëpër universitete kjo ndodh për shkak të masonerisë ateiste.
  • Nëse Viviseksioni studiohet ende në universitete kjo ndodh për shkak të korrupsionit të industrive farmaceutike.
  • Vet docentët që japin mësim janë të ndërgjegjegjshëm për pavlefshmërinë e Evolucionit.
  • Vet docentët që japin mësim janë të ndërgjegjshëm për pavlefshmërinë e Viviseksionit.

E kështu me radhë.

Si përfundim, janë qëndrime foshnjarake, janë persona të refuzojnë të pranojnë realitetin, duke ndërtuar një botë fantazie. Do të ngjallnin dhembshuri apo mëshirë, po të mos ishte se lëvizja “animaliste” (kafshiste), në demokraci, ka shanse të mira për t’i tërhequr të gjithë në një mesjetë të re.

Propaganda “animaliste” (kafshiste) bazohet në slogane (parulla) thjeshtacake që fiksohen mirë në mendjen e turmave, është një indoktrinim i mirëfilltë fideistik i cili ndiqet nga prozelitizmi fetar. Në të kundërt, të përhapësh informacion shkencor të vërtetë, përtej të qenit një detyrë më e vështirë se ajo e të përhapurit fallsitete, ka më pak sukses sepse masat priren të refuzojnë kompleksitetin e argumenteve.

Feja e Krishterë e konsideron embrionin në të njëjtin nivel me një qenie njerëzore, dhe si i tillë duhet mbrojtur (tuteluar) me të njëjtat të drejta.

Feja Antispec(ie)iste i konsideron kafshët në të njëjtin nivle me qeniet njerëzore, dhe si të tilla duhet mbrojtur nga të njëjtat të drejta.

Futja e hundëve të Kishës Katolike hoqi (suprimoi) studimin e qelizave staminale embrionale.

Sektet antispec(ie)iste duan të bëjnë diçka edhe më të rëndë, të frenojnë përfundimisht progresin biomjekësor.

© MV, In Difesa della Sperimentazione Animale

© Rinstinkt,2012, për përkthimin në shqip