Përqasja evolutive mbi fenomenin e vrasjes dhe fëmivrasjes (Daly dhe Wilson)

Përqasja evolutive ndihmon në “bërjen dritë” mbi fenomenin e vrasjes dhe fëmivrasjes

Kur studiuesit Daly dhe Wilson në vitin 1988 hetuan motivet e vrasjeve dhe i vunë ato nën dritën e psikologjisë evolutive rezultatet e tyre shkundën botën akademike amerikane.

Vrasja është një fenomen i rëndësishëm shoqëror dhe është e rëndësishme të kuptohet mirë sepse vetëm ashtu mund të arrihet të kontrollohet; dhe kështu shumë studiues të tjerë ishin përpjekur edhe mëpara që të studiunin fenomenin e vrasjes por pa arritur rezultate të kënaqshme.

Përpara punës seminale të studiuesve Daly dhe Wilson, tema e vrasjes ishte kuptuar shumë pak. Shumë fakte të imëta (parashikues të vrasjes) njiheshin por sidosi qëndronin të izoluar njëri prej tjetrit. Deri para momentit që kësaj sfere të aktivitetit njerëzor iu aplikua një pëqasje evolucionare, për të nuk ekzistonte një hartë. Nuk kishte një set principesh udhëzuese. Nuk kishte një set linjë guidash gjithëpërfshirëse që të ndihmonin me kërkimin.

Kur Daly dhe Wilson e hetuan temën e vrasjes nga një perspektivë evolucionare/ evolutive u duk sikur dikush ndezi dritën.
Këta dy shkencëtarë prisnin që struktura e fenomenit vrasje të kishte kuptim nga pikëpamja evolutive.

Në një prej seteve të studimeve që realizuan, ata u përqëndruan tek përgjigjet apo reagimet mashkullore ndaj pabesisë në çift (infidelity).
Në specien tonë, sikundër në specie të tjera gjitarësh (ku femra ka ovulim të brendshëm), meshkujt nuk mund të jenë kurrë të sigurt për atësinë, dhe ky fakt biologjik duhet të ketë shpurë në lindjen e adaptimeve të ndryshme për të ndihmuar meshkujt të reduktojnë gjasat që partnerja e tyre të ketë beben e ndonjë mashkulli tjetër. Kjo lloj qasje ka disa anë jo të këndshme.
Në një studim të mijëra vrasjeve në Amerikën e Veriut, Daly dhe Wilson gjetën se afërsisht një e treta (1/3) e tyre kishin të bënin me xhelozinë seksuale mashkullore (meshkujt që vrisnin parneren e tyre, apo ndërhyrësin, pra mashkullin tjetër, apo që përfundonin edhe duke vrarë veten në proces.)

Gjatë një tjetër studimi, Daly dhe Wilson ekzaminuan fëmivrasjen (filicide), pra prindërit që vrisnin fëmijët e vet. Natyrisht që kjo është shqetësuese.
Kërkime të mëparshme kishin zbuluar disa aspekte të këtij fenomeni, por Daly dhe Wilson “ndezën dritën” duke përdorur një përqasje evolucionare për ta kuptuar akoma më mirë.
Ata gjetën se, në mënyrë konsistente me parashikimet e tyre, se njerkët kishin 100 herë më shumë gjasa që të kryenin fëmivrasje nëse krahasoheshin me prindërit biologjikë. Faktori i vetëm kryesor parashikues për fëmivrasjen është statusi si njerk. Ky fakt nuk u kap nga asnjë prej studiuesve të mëparshëm që kishin ekzaminuar fëmivrasjen përpara Dalyt dhe Wilsonit.

Qeniet njerëzore janë rezultat i evolucionit. Sjellja jonë është një pjesë e rëndësishme e asaj çka jemi. Psikologjia evolutive është një përqasje për të kuptuar sjelljen njerëzore duke kuptuar të shkuarën tonë evolutive. Psikologjia evolutive nuk është gjë tjetër veçse nocioni radikal se sjellja njerëzore është pjesë e botës natyrore.

Në këtë pikë është e rëndësishme të kujtohet studiues si Daly dhe Wilson nuk po falin apo justifikojnë vrasjen apo fëmivrasjen. Asnjë nuk pohon se vetëm pse një diçka ndodh në natyrë apo ka një shpjegim apo influencë natyrore ajo është e justifikuar. Madje, në këtë rast, në të kundërt… Këta studiues dhe të tjerë si ta, po përdorin një qasje ndaj sjelljes njerëzore që informohet nga teoria evolutive në mënyrë që t’i kuptojmë më mirë këto fenomene shoqërore. Të kuptosh vrasjen dhe fëmivrasjen, është një diçka krejt e ndryshme prej justifikimit të saj.

 

 

Rinstinkt blog

Për më shumë rreth kësaj teme: Homicide: Foundations of Human Behavior (Martin Daly, Margo Wilson) 

 

 

 

Masa që bima krijon vjen prej ajrit

Masa që bima krijon vjen prej ajrit.

Në vitet 1770të shkencëtari Jan Ingenhousz ishte ndër të parët që u përpoq dhe në njëfarë mënyre arriti të kuptojë se si bimët arrijnë të rrisin masën e vet. Ai shkoi në Angli dhe e kreu kërkimin e vet në Bowood House – në të njëjtin vend ku një tjetër shkencëtar me emin Joseph Priestley zbuloi oksigjenin në vitin 1774. Atje ai u përpoq të zbulonte dhe kuptonte atë proces të rëndësishëm që sot ne njohim me emrin fotosintezë… sikundër edhe elementet themelorë që marrin pjesë në këtë proces, që janë drita e diellit, dioksidi i karbonit dhe oksigjeni.

Ingenhousz kishte lexuar se si bimët e gjendura në ujë prodhojnë flluska gazi, megjithëse përbërja e saktë e këtyre fluskave ishte ende e paqartë. Në një seri eskperimentesh ai vuri re gjethet e gjendura nën dritën e diellit krijojnë më shumë fluska ajri se sa ato që gjendeshin në errësirë. Ai e mblodhi këtë gaz të prodhuar nga gjethet në prani të dritës së diellit dhe gjeti se ai ishte oksigjen.

fotosinteza baza

Ilustrim i thjeshtë i fotosintezë

Ingenhousz e dinte se bimët e rrisin masën e vet duke shkaktuar fare pak ndryshim në masën e terrenit ku ato rriten. Në vitin 1779 ai argumentoi në mënyrë të saktë se shkëmbimi i gazeve me atmosferën, veçanërisht thithja e dioksidit të karbonit, ishte të paktën pjesërisht burimi i rritjes së massës organike të bimëve – që dmth se bimët e shfrytëzojnë këtë dioksid karboni për të rritur masën e vet.

Sot ne dimë shumë mirë se bimët e krijojnë ushiqmin e vet nëpërmjet procesit të fotosintezës, duke shfrytëzuar energjinë e diellit – duke përdorur edhe ujë – për të kthyer molekulat e dioksidit të karbonit në molekula glukozi dhe duke lëshuar oksigjen. Si rezultat bimët janë burimi i oksigjenit që është jetësor për pjesën më të madhe të gjallesave; por bimët janë edhe burim parësor për shumë gjallesa të tjera, ndër të cilat barëngrënësit (herbivorët) dhe gjithëçkangrënësit (omnivorët).

Rinstinkt Book Review (1)

Rinstinkt Book Review/ Libra që mund të lexoni (1)

The Logic of Scientific Discovery Karl Popper

Një ndër librat e parë dhe më të mirë që kam lexuar deri më sot për logjikën, dhe filozofinë e shkencës.

The Logic of Scientific Discovery - Karl Popper

The Logic of Scientific Discovery – Karl Popper

Popperi e nis trajtimin e temës nga një kritikë për procedimin induktiv: është logjikisht e pamundur të jstifikohet një përfundim universal duke u nisur nga analiza e një shume rastesh të veçanta, domosdo të fundëm. Qinda e mijëra konfirmime nuk vlejnë për të vlerësuar një teori shkencore, meqë është e nevojshme, ose më mirë të thuhet se mjafton një shembull i vetëm i kundërt për ta falsifikuar (kuptuar si, treguar të gabuar).

Kështu është e pamundur që pohimet shkencore të vërtetohen tërësisht, apo në terma absolutë. Karakteristika kryesore e teorive shkenccore është falisifikueshmëria dhe jo verifikueshmëria. Pra, ligjet shkencoore janë gjithnjë hipotetike. Nuk duhet të lëvizim nga faktet në ndërtimin e teorive, por nga teoritë drejtë kontrollit të tyre nëpërmjet fakteve. Pra me një metodë hipotetike-deduktive.

Edhe nëse një teori është në dakordësi me një verifikim empirik, ajo teori merret si e vërtetë vetëm përkohësisht, pra vetvetiu ka gjithnjë një karakter konjektural, meqë mund gjithnjë të përgënjeshtrohet nga kontrolle të ardhshme.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

Histori e mjekësisë / Elektrokardiografia e parë

Histori e mjekësisë – Lindja e elektrokardiografisë

Doktorët Augustus Waller dhe Symes, Londër, 1884-1903

Doktorët Augustus Waller dhe Symes, Londër, 1884-1903 (Credit © Science Museum / Science & Society Picture Library)

Fotografi e bërë në një dhomë të vjetër të leksioneve të fiziologjisë në St Mary’s Hospital Medical School, Londër.
Mes viteve 1884 dhe 1903, fiziologu Augustus Waller (1856-1922) vazhdonte kërkimet në fushën e kardiologjisë duke publikuar, në vitin 1887, të parin elektrokardiogram njerëzor. Elektrokardiogrami i parë i realizuar mbi njeriun u regjistrua nga Thomas Goswell, një teknik laboratori. Më vonë fiziologu Willem Einthoven (1860-1927) vazhdoi punën e Waller-it duke e përmirësuar dhe zhvilluar edhe më elektrokardiografinë.
Një elektrokardiograf kap dhe regjistron sinjalet e vogla elektrike që janë përgjegjëse për të rrahurat e zemrës. Këto sinjale elektrike mund të kenë çrregullime, të cilat shfaqen në EKG.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————–

Alternativa e mashtrimit

Disa përsiatje mbi shkrimin: Gabimi fatal ndodhi… shkruhet mbi varrin e Steve Jobes-it

Beware - The cancer quack

The cancer quack

Dua të sinjalizoj, për lexuesit e rregullt të kësaj faqeje, një shkrim shum interesant dhe tellallisës të doktor Myftar Barbullushit, të botuar tek Gazeta Panorama më 26 shkurt 2014, dhe të lexueshëm në këtë nyje.

Shkrimin e vet doktor Barbullushi e fillon me një përshkrim të një ndodhie interesante, që i përket jo vetëm fushës mjekësore, epidemiologjisë por edhe fushës së përftimit të dijeve dhe më tej mënyrës racionale të të menduarit. Ka të bëjë me atë që quhet triali i parë klinik, që mëpastaj rezultoi në gjetjen e “kurës” për sëmundjen e skorbutit.

Për ata që nuk e dinë, sëmundja e skorbutit ka të bëjë me një deficencë vitamine C, thënë ndryshe acidit askorbik.Vitamina C është e rëndësishme në atë që unë, për thjeshtësi po e quaj, transformimi post-sintezë i kolagjenit. Që ka të bëjë me oksidrilimin e prolinës dhe lizinës në molekulën e kolagjenit. – duke i bërëvargjet e kolagjenit të përfitojnë funksionin e vetë të plotë, pra rezistencë të plotë.

[Lexo: Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit]

Doktor Barbullushi, mendoj, e fillon pikërisht në këtë mënyrë shkrimin e vet për të vënë në dukje se, ka një mënyrë racionale dhe shkencore se si përftohet dija. Një dhe vetëm një. Dhe dijet dhe metodat që pretendojnë të kurojnë pacientët dhe patologjitë e tyre, duhet të jenë përftuar sipas një mënyre dhe metode të çertifkuar dhe të përsëritshme; asaj shkencore.

Rasti i D.C. Lind-it është emblematik, meqënëse ai, me mjetet dhe njohuritë e pakta të zotëruara askokohe, qe në gjendje që të përshkruante sëmundjen e skorbutit në mënyrë racionale, të dallonte zhvillimin e sëmundjes në raport me kushtet ambientale dhe ushqimore, e të demonstrojë se si ishte e mundur kurimi i skorbutit me shtimin në dietë të portokalleve dhe limonave. Lind-i tregoi, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se, ngrënia e protokalleve dhe limonave kuronte apo më mirë të themi i jepte trupit të njeriut (me skorbut) një element i cili më parë, në gjendjen skorbutike, i mungonte. Natyrisht shkencëtari Lind, në kohën kur jetonte, nuk kishte dijeni dhe mjete për të njohur strukturën e vitaminës C apo më tej, mekanizmin e saj të funksionimit mbi molekulën kolagjenore. Megjithatë, kjo nuk e bën zbulimin e tij më pak të vlefshëm; thjeshtë zbulimi se agrumet parandalonin, apo kuronin skorbutin, ishte në vetvete një revolucion në mënyrën e të menduarit dhe të përqasurit ndaj problemeve.

Natyrisht që bashkëkohës dhe paraprirës të Lind-it kishin tentuar ta kuronin skorbutin, dhe jo vetëm këtë, në mënyra “alternative”, siç i quajnë në gjuhën popullore. Natyrisht pa ndonjë sukses. (Duhet thënë gjithashtu, se në fillimet e veta mjekësia nuk i kishte kufijtë mjaftë të ndarë me praktika të tjera jo edhe aq shkencore.)
Pa sukses pikërisht sepse kjo mënyrë alternative nuk ekziston.

Ata që zakonisht pretendojnë të kurojnë me mënyra “alternative”sëmundje me mekanizma etiopatogjenetik të njohur, janë në më të mirën e rasteve disa budallenjë. Në rastet më të kqija budallenjtë janë ata që bien në grackën e këtyre sharlatanëve, e këta të fundit janë disa individë meskinë që përfitojnë nga padituria e njerzve, shpesh duke krijuar edhe një pasuri të konsiderueshme mbi jetët dhe dëshpërimin e të tjerëve.

[Për shembull, sharlatanët që pretendojnë të kurojnë diabetin pa insulinë.]

Lexuesi, duhet të kuptojë se nuk ekziston një alternativë ndaj mjekësisë. Mjekësia, ajo zyrtare, është e vetmja që mund të kurojë, dhe kjo meqënëse është e vetmja që bazohet mbi të dhëna të faktuara dhe mbi një mënyrë racionale të përftimit të dijeve.
Praktikat e tjera, të reja ose të vjetra, të cilat kanë treguar apo kanë qenë në gjendje t’i nënshtrohen skrupolozitetit të metodës shkencore, janë integruar apo integrohen vazhdimisht në praktikën mjekësore rutinore.

Të gjitha praktikat e tjera, të cilat pretendojë të kurojnë/shërojnë duke apeluar për entitete, mekanizma apo gjëra të tjera të çuditshme e të pakuptueshme nga “mjekët e zakonshëm” apo të fshehura pas një gjuhe dhe një “aure” misterioziteti, janë mashtrime ose më shpesh disa sharlatanizma të kota.
Dhe jo vetëm që nuk kurojnë, por shpesh edhe shkaktojë dëme, sëmundje, apo deri edhe vdekje të pacientëve/individëve të drejtohen për tek këto praktika të quajtura skuthërisht “alternative”, por që alternative nuk janë, meqë nuk ofrojnë asgjë alternative përveç mashtrimit dhe gënjeshtrës.

[Lexo: Kura me sodë buke, merret i pandehur “onkologu” italian – Panorama.com.al]

[Lexo: Burgim për guru-n alternativ]

Por mbi këto probleme do të kemi rast të flasim edhe në të ardhmen.

Rinstinkt, 2014

———————————————————————————