Elektrokardiogrami (EKG)

Elektrokardiogrami (EKG)

Elektrokardiogrami dokumenton efektet elektrike që ndodhin në zemër gjatë fazave të aktivitetit të saj.

Ndryshimet patologjike që godasin muskulin kardiak shkaktojnë ndryshime edhe në aktivitetin elektrik të zemrës, të cilat ndryshime janë specifike për sëmundjen që i ka shkaktuar.

Themelet e funksionimit të elektrokardiogramit

Gjurmë elektrokardiografke normale.

Siç dikush mund të jetë në dijeni, ekziston një deferencë potenciali midis pjesës së jashtme dhe asaj të brendshme të membranës qelizore kardiake, që i detyrohet akumulimit të ngarkesave negative në faqen e brendshme të membranës plazmatike dhe të ngarkesave pozitive në faqen e jashtme të saj (potenciali i qetësisë).

Për efekt të ndonjë stimuli elektrik krijohet një inversion i shpërndarjes  së këtyre ngarkesave (depolarizimi), i cili pasohet, në përfundim të stimulit, nga rivendosja e gjëndjes së qetësisë (ripolarizimi).

Shuma e aktivitetit elektrik të të gjitha qelizave kardiake përshkruhet nga një “vektor”, që fiziologjikisht është i orientuar nga lartë poshtë dhe nga e djathta në të majtë. Boshti elektrik që përputhet me boshtin imagjinar të zemrës.

Aktiviteti elektrik i zemrës regjistrohet në mënyra të ndryshme nga elektrodat e regjistrimit, në varësi të pozicionit të vendosjes së tyre në raport me vektorin elektrik.

Në mënyrë të thjeshtuar, aktiviteti elektrik do të regjistrohet mbi letrën e elektrokardiografit si në përthyerje pozitive në rast se elektroda pozicionohet përballë vektorit elektrik; ndërsa do të regjistrohet (vizatohet) si një përthyrje negative në rast se elektorda e elektrokardiografit pozicionohet në mënyrë të kundërt me drejtimin e vektorit elektrik. Pozicionet e ndërmjetme do të regjistrojnë përthyerje më pozitive ose më negative në varësi të pozicionit të tyre përkundrejt drejtimit të vektorit elektrik të zemrës.

Derivacionet periferike të elektrokardiogramit

Derivacionet periferike të gjymtyrëve emërtohen: I, II, III, AVR, AVL, AVF.

Këto derivacione përftohen duke i pozicionuar elektrodat mbi krahun e djathtë, krahun e majtë dhe këmbën e majtë. Këmba e djathtë konsiderohet elektrikisht neutrale.

Këto derivacione përshkruajnë gjashtë linja imagjinare që intersekohen mes tyre në qendër të gjysmëkraharorit të majtë.

Çdonjë nga derivacionet eksploron, në planin ballor, një krah të ndryshëm të zemrës.

Derivacionet periferike të elektrokardiogramit (EKG)

Derivacionet periferike të elektrokardiogramit (EKG)

Nga figura dhe nga sa u tha më sipër mbi vektorin kardiak, rezulton qartë se aktiviteti elektrik i regjistruar nga III, AVF, II, I dhe AVL do të “vizatohet” si një përthyerje pozitive apo të priret për nga pozitiviteti. Ndërsa në elektrodën AVR, duke qenë e kundërt me aksin elektrik, do të duket një përthyerje negative.

Derivacionet e kraharorit të elektrokardiogramit

Derivacionet e kraharorit janë gjashtë dhe emërtohen V1, V2, V3, V4, V5, V6. Ato e eksplorojnë zemrën në një plan horizontal, imagjinar, që e pret trupin në dy pjesë.

“Valët” elektrike të elektrokardiogramit

Siç u tha, aktiviteti elektrik i zemrës regjistrohet në EKG nën formën e valëve; çdo valë përket me një fazë të mirëpërcaktuar të aktivitetit mekanik të muskulit kardiak.

Aktiviteti elektrik i zemrës lind ritmikisht në (nga) një organel i pozicionuar në veshoren (atriumin) e djathtë (pace-maker-i fiziologjik).

Valët fiziologjike që regjistrohen nga EKG-ja emërtohen: P, Q, R, S, T.

Elektrokardiogrami - Gjurmë normale.

Elektrokardiogrami – Gjurmë normale.

Vala P përfaqëson aktivitetin elektrik që lidhet me tkurrjen e të dy atriumeve; valët Q, R dhe S përshkruajnë një kompleks që përket me sistolën ventrikulare; vala T përket me ripolarizimin e ventrikujve (barkusheve).

Vala Q zakonisht është shumë e vogël, pothuajse pikë; prania e një vale Q të dukshme (thellimi i valës) është shenjë e një episodi të mëparshëm nekroze.

Letra e milimetruar e elektrokardiografit

Përgjithësisht, elektrokardiografi regjistron aktivitetin elektrik kardiak mbi letër të milimetruar. Letra e milimetruar e elektrokardiografit përbëhet nga një seri kuadratësh çdonjë brinjë e të cilëve është 5 mm.

Çdo krah i nja kuadrati, nga ana e vetë, është i ndarë nga linja të njëpasnjëshme, me një interval prej 1mm.

Një ndarje e tillë milimetrike mundëson matjen e dy aspekteve themelore të gjurmës elektrokardiografike: kohëzgjatjen (kohën) e valëve, sipas boshtit horizontal, dhe voltazhin e tyre sipas boshtit vertikal.

Koha varet nga shpejtësia me të cilën letra rrëshket normalisht mbi elektrokardiograf. Me shpejtësi standard, çdo krah i kuadratëve më të mëdhenj përket me një interval kohor prej 0.2 sek. Ndërsa çdo ndarje milimetrike e letrës së EKG-së përket me një kohë prej 0.04 sek.

Çdo kompleks elektrik ka një kohëzgjatje të vetën, fiziologjike. Normalisht intervali P-R nuk duhet të jetë më i madh se 5mm, pra 0.20 sek., ndërsa kompleksi QRS nuk duhet të kaloj të 3 mm, pra 0.12 sek.

Koncepte për të vlerësuar gjurmën elektrokardiografike

Parametrat themelorë që duhen vlerësuar në një EKG janë: Frekuenca, Ritmi dhe Aksi (boshti).

Frekuenca – vlerësohet si cikle/minutë. Në kushte fiziologjike frekuenca kardiake, siç u tha më lartë, përcaktohet nga nyja seno-atriale, me një frekuencë pre 75 rahjesh/min. Rritja e frekuencës quhet takikardi, ndërsa zvogëlimi i frekuencës së rahjeve të zemrës bradikardi.

Ritmi – shpreh vijimin e rregullt (rregullshmërinë) e impulsit elektrik , i cili transmetohet nëpër muskulin kardiak. Impulsi i gjeneruar nga nyja seno-atriale përhapet në të dy atriumet si valë depolarizimi (vala P). Stimuli përçohet mëpastaj tek nyja atrio-ventrikulare ku ndalet për 1/10 e sekondit (intervali P-Q). Më pas impulsi kalon në dy degëzimet e tufës së Hisit, të majtën dhe të djathën duke shkaktuar depolarizimin e barkusheve (ventrikujve) – kompleksi QRS. Pason vala e ripolarizimit ventrikular T.

Aksi (boshti) – boshti përket me drejtimin e valës depolarizuese. Boshti elektrik është shuma e të gjithë vektorëve të pjesshëm të depolarizimit të muskulit kardiak (vektor mesatar), dhe është i orientuar poshtë dhe në të majtë të pacientit.

Ndryshime të orientimit të boshtit elektrik të zemrës, japin informacione të rëndësishme mbi gjendjen e muskulit kardiak. Për shembull, në rast hipertrofie boshti do të spostohet drejt krahut të hipertrofizuar. Në rast nekroze boshti elektrik do të jetë spostuar në krah të kundërt me zonën nekrotike.

Duke patur parasysh sa u tha më lartë mbi drejtimin e vektorit të depolarizimit dhe pozicionimin e derivacioneve prekordiale, kuptohet se në kushte normale, pra me bosht të orientuar normalisht, vala e depolarizimit ventrikular (QRS) do të rezultojë pozitive në derivacionin I. Përndryshe nëse rezulton negative, do të thotë se aksi kardiak ka devijuar në të djathtë.

I njëjti arsyetim vlen edhe për derivacion AVF. Në prani të kompleksit QRS pozitiv vektori është orientuar normalisht. Në prani të një kompleksi QRS negativ vektori kardiak është i devijuar djathtas lartë ose majtas lartë.

Pra, entiteti i saktë i devijimit të boshtit kardiak përftohet nga vështrimi i njëkohësishëm i kompleksit QRS në derivacionin I dhe AVF.

Alteracione të elektrokardiogramit në rast infarkti të miokardit

Infarkti miokardiak ndodh kur një arterie koronare fillon të bbllokohet duke privuar ng afurnizimi me gjakk një pjesë të indit kardiak.

Pjesa e infarktuar, e privuar nga gjaku, është elektrikisht neutrale dhe nuk mund të përcjellë impulse elektrike. Ndryshimet elektrokardiografike që verifikohen gjatë një infarkti, janë pra të ndërlidhura pazgjidhshmërisht me ndryshimet e përcjelljes dhe progresionit të vektorit elektrik.

Triada klasike në rast infarkti është e përbërë nga: Iskemia, Dëmtimi, Nekroza. Çdonjërës prej tre ngjarjeve të mësipërme i përket një ndryshim specifik i gjurmës së EKG-së.

Iskemia, pra zvogëlimi i fluksit të gjakut, karakterizohet nga inversioni i valës T me krahë simetrikë.  Ky fenomen patologjik prek pothuajse gjithnjë ventrikujt, kështu që këto ndryshime janë veçanërisht të dukshme tek derivacionet e kraharorit, të cilat “shikojnë” ventrikujt (barkushet).

Elektrokarddiogrami (EKG) - Valë iskemike, inversion i valës T

Elektrokarddiogrami (EKG) – Valë iskemike, inversion i valës T

Nëse ngjarja iskemike nuk zgjidhet, vetvetisht apo farmakologjikisht, mbërrihet në një Dëmtim të muskulit kardiak. Ndryshimi elektrokardiografik në rast dëmtimi të miokardit karakterizohet nga mbiçnivelimi mbikonveks i traktit ST.

Elektrokardiogrami (EKG) Vala në rast dëmtimi.

Elektrokardiogrami (EKG) Vala në rast dëmtimi.

Nekroza, pra vdekja e indit të interesuar nga ngjarja infarktuale, karakterizoheet nga shfaqja e valëve Q. Të cilat valë janë zakonisht të padukshme, shumë të vogla, pothuajse pikë-ngjashme. Valla Q, që të jetë patologjike duhet të prezantoj një gjerësi prej 1mm ose të jetë sa 1/3 e kompleksit QRS.

Elektrokardiogrami - Valë në rast nekroze të muskulit kardiak

Elektrokardiogrami – Valë në rast nekroze të muskulit kardiak

© Rinstinkt, mbi tekstin.

———————————————————————————————————-

Mikroskopi optike e eritrociteve me ngyjrosje Giemsa

Mikroskopi optike e eritrociteve me ngyjrosje Giemsa

Mikroskopi optike e eritrociteve (rruazave te kuqe te gjakut) te ngjyrosur me giemsa

Eritrocite me ngjyrosje Giemsa

Fotografia tregon aspektin karakteristk të eritrociteve një preparat të gjakut periferik. Qelizat janë ngjyrë rozë (eozinofili/acidofili) për shkak të përmbajtjes së tyre të lartë me hemoglobinë, që është një proteinë bazike.

Ndërsa për ngjyrosjen më të dobët në pjesën qëndrore është shkaktar struktura trepërmasore e eritrocitëve, me formëne vet bikonkave, pra të dylugët.

—————————————————————————————————————

Barbarizmi animalist i datës 20 prill 2013 në Milano, Itali

Barbarizmi i aktivistëve për të drejtat e kafshëve – animalistë (kafshistë) – i datës 20 prill 2013 në Milano, Itali

Të shtunën paradite disa aktivistë për të drejtat e kafshëve në Itali, futen në një nga laboratorët e farmakologjisë të Unversitetit të Milanos dhe bëjnë kërdinë me gjithë çka gjejnë brenda…

Sulmi, i huliganëve duhet thënë, u realizua nga një grup aktivistësh për të drejtat e kafshëve që vetquhet Fermare Green Hill (Ndalo Green Hill-in), duke iu referuar Green Hill-it një qëndër ku rriteshin varietete të ndryshme qensh të paracaktuar për eksperimentimin shkencor biomjekësor.

(Kujtoj se, qëndra Green Hill kishte qenë para disa muajsh në shënjeshtër të të njëjtëve ekstremistë, të cilët hynë dhe rrëmbyen në mënyrë të jashtë ligjshme disa qenë të racës Bigëll.)

Pesë aktivistë hynë në laboratoret e departamentit të farmakologjisë duke liruar minjë të tipave të ndryshëm, duke përzierë kartelat dhe dokumentet përkatese (të protokolleve) dhe duke bërë kështu të pamundur përdorimin e tyre të mëpasshëm.

Shkatërrimi i stabularëve të departamentit të farmakologjisë së uni Milano. Pamja përpara dhe pas kalimit të aktivist-huliganëve animalistë

Shkatërrimi i stabularëve të departamentit të farmakologjisë së uni Milano. Pamja përpara dhe pas kalimit të aktivist-huliganëve animalistë

Në gjithë këtë mesele të ekstremistëve, nuk duhet harruar shkatërrimi i kafazeve dhe dëmi monetar i shkaktuar, ndaj Universitetit të Milanos, më saktë ndaj departamentit të farmakologjisë, indirekt edhe ndaj donatorëve.

Nuk duhet harruar edhe një gjë tjetër e rëndësishme: se u hodh poshtë, në disa orë ekstremizëm huliganësh, puna kërkimore shkencore e shumë viteve.

Në stabularët e departamentit të farmakologjisë gjendeshin rreth 800 kafshë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin minjë të modifikuar gjenetikisht, dhe ndonjë lepur.

Disa nga minjtë, ishin të veçantë; të ashtuquajtur “nudo” sepse kanë mungesë qimesh, ruajtës mutacionesh gjenetike, dhe me sistem imunitar të dobësuar. Pra kafshë pa mbrojtje imuntare që vdesin në mënyrë të shpejtë kur ekspozohen ndaj ambienteve të pakontrolluara. Me ambient të pakontrolluar kihet parasysh edhe kutia e kartonit me të cilën huligan-aktivistët transportuan disa nga minjtë jashtë laboratorit…

Kërkuesit nga departamenti thonë se, do të duhen muaj të tërë për të rindërtuar linjat e minjve të modifikuar gjentikisht. Po, po, sepse ishin minjë të modifikuar gjenetikisht, që përdoren si modele për të studiuar sëmundje të ndryshme të sistemit nervor, si autizmi, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimerit, skleroza e shumëfishtë, sindroma Prader-Willi etj. Për këto e shumë sëmundje të tjera të sistemit nervor, sikundër edhe për çrregullimet psikiatrike, ka nevojë urgjente për kura.

Akti vandal u dënua nga kërkuesit e departamentit të farmakologjisë të Universitetit të Milanos, dhe më gjerë nga i gjithë komuniteti shkencor italian dhe botëror.[1] [2]

Edhe prefesor Silvio Garattini, drejtori i Institutit Mario Negri, reagoi ashpër:

Agresiviteti i një pjese të lëvizjes animaliste (kafshiste) bën të nevojshme marrjen e një qëndrimi të fortë të institucioneve shkencore që operojnë në fushën biomjeksore. Nuk është e tolerueshme që puna jonë të hidhet poshtë nga persona që veprojnë sikur të mos ekzistonin ligjet, dhe kryejnë vepra penale që rrezikojnë të mbeten të padënuara […] Eksperimentimi me kafshët është akoma i nevojshëm nëse dëshirohet të realizohen progrese në terapinë e sëmundjeve […] Nuk mund të pranojmë që kush shkel të drejtën për kërkim shkencor të lihet në qarkullim të lirë, dhe urojmë që organizatat që merren me mirëqenien e kafshëve të mos jenë bashkëfajtorë dhe të dëgjohet zëri i tyre kundër dhunës. (përkthimi im)

*****

Në disa orë ekstremizmi të huliganëve të vitit 2013, u hodh poshtë, për disa momente, edhe shpresa e shumë njerëzve dhe familjeve me të afërm që vuajnë nga sëmundje të sistemit nervor.

Por shpresa nuk u la të binte përtokë… menjëherë ditën më pas, një grup studentësh dhe kërkuesish të Milanos – rreth 50 – dolën në shesh dhe demonstruan paqësisht, veshur me këmishat e bardha, të esëllt përballë hordhive dhe dizinformimit të grupimeve të shastisura animaliste.


Rinstinkt, prill 2013

——————————————————————————————————–

Pse disa sëmundje si ato mendore degjenerative studiohen tek brejtësit?

Përse sëmundjet kronike dhe degjenerative studiohen tek brejtësit që jetojnë vetëm 2-3 vite?

Natyrisht sepse edhe proceset degjenerative (zvetënuese) janë të përshpejtuara tek kafshët me jetë-gjatësi të shkurtër. Përpara futjes së transgjenezës modelet kafshë të parapëlqyera për të studiuar sëmundjet degjenerative ishin kafshët e plakura. (Hollander and Mos, 1986; Dewachter et al., 2000b; Dewachter et al., 2000a)

Përse sëmundjet e mendjes studiohen tek kafshët që nuk dinë të flasin?

Modelet kafshë të sëmundjeve psikiatrike nuk e riprodhojnë asnjëherë të gjithë kuadrin simptomatologjik të sëmundjes origjinale (siç ndodh tek njeriu) – nuk është ai funksioni i modelit kafshë. Kërkimet dhe vëzhgimet përqëndrohen mbi simptomatologji të shkëputura, singolare, që mund të studiohen edhe pa i kërkuar brejtësit biografinë e vet (që tek e fundit e dimë, duke qenë se kafshët që përdoren për eksperimentim rriten apostafat për këtë arsye). Parametrat e sjelljes së kafshës që mund të studiohen për të matur simptomat psikiatrike janë të shumta, për detaje mund/duhet të shihet leteratura e specializuar e fushës.

Për sa u përket kritikave të atyre që thonë se modelet në fjalë krijohen nëpërmjet substancave psikoaktive apo dëmtimeve trunore, dhe kjo i shvlerëson, duhet thënë se: 1- Ka modele që nuk shfrytëzojnë asnjë nga të dy metodologjitë, si ato të bazuara mbi stresin dhe deprivimin ambiental (Millstein and Holmes, 2007; George et al., 2010; Monje et al., 2011; Farooq et al., 2012; Kim et al., 2012); 2- Në trurin tonë ka mjaftueshëm substanca psikoaktive, dhe është tek rivendosja e riekuilibrit të funksionimit të tyre që bazohet mekanizmi i veprimit të shumicës së psikoilaçeve, pra në rastin e kësaj metodologjie, ajo që i jepet kafshës nga jashtë bëhet për të riprodhuar artificialisht kushtet për simptomën që nga intereson të studiojmë.

Sterilizimi dhe pseudombrojtësit e kafshëve

Ekziston një faqe në rrjetin social Facebook, me emrin PAPA (People for Animal Protection in Albania), që deklarohet nga administratorët e vet si në mbrojtje të të drejtave të kafshëve.

Citoj nga faqja e tyre, nëfaqja About apo Rreth Nesh (ekuivalenti shqip).

Qellimi i kesaj faqeje eshte te ndryshoje fatin e kafsheve ne Shqiperi. Ne e respektojme jeten dhe besojme qe njerezit, si qenie superiore, kane detyrimin te mbeshtesin dhe mbrojne jeten e kafsheve. Ne e denojme abuzimin me kafshet dhe torturen ndaj tyre dhe do te luftojme per te permiresuar dhe zbatuar ne menyre korrekte ligjet per mbrojtjen e kafsheve. Ky grup mirepret pervojen tuaj ne shpetimin e kafsheve, deshmite tuaja ne rastet e abuzimit ndaj kafsheve, idete tuaja per te prodhuar ndryshimin e nevojshem, propozimet tuaja per veprimtari dhe aktivitete ne mbrojtje te kafsheve, te cilat ju deshironi t’i ndani me te gjithe anetaret e ketij grupi. Ky nuk eshte thjesht nje grup per dashamiresit e kafsheve te shoqerimit: ne jemi te shqetesuar per te gjitha kafshet dhe vecanerisht ato qe vuajne nga braktisja dhe abuzimi i shkaktuar nga njeriu. P.A.P.A eshte ti dhe une, dhe ai dhe ajo, dhe ne besojme se se bashku ne mund te sjellim nje ndryshim ne jeten e kafsheve ne Shqiperi. 

Ndryshimi i fatit të kafshëve të Shqipërisë – fjalia e parë – është një mision i lavdërueshëm.

Le të merremi njëçik me fjalinë e dyte. PAPAt besojnë se, njerëzit si qenie superiore… Pra as që e vënë në dyshim superioritetin e njeriut. Po nejse kjo mund edhe të interpretohet jo si supersioritet hyjnor, por si superioritet kulturor dhe epërsi në manipulimin e ambientit që e rrethon sipas dëshirave të veta, ndaj nuk po ndalem (edhe sepse do të më duhej të shkruaja mjaft për t’u shqaruar).

Por ajo që të lë shije të keqe është besimi se njeriu ka detyrimin të mbrojë dhe mbështesi jetën e kafshëve. Edhe këtu mund t’i bihet shkurt e të thuhet se është besimi i tyre personal. Por ky besim nuk mund të lihet pa u kritikuar kur kthehet në besim për të “shpëtuar” kafshët, më saktë kaviet, që janë paracaktuar dhe rritur apostafat për t’iu nënshktuar kërkimeve shkencore.

Lëvizjet simotra të PAPAs në Europë e SHBA, fatkeqësisht kanë kaluar me kohë nga llogoret e internetit në llogoret e jetës publike, edhe duke ndërmarrë aksione (kriminale) për të ndalur kërkimin shkencor. Veprimet e tyre janë përqëndruar kryesisht në sulme ndaj qëndrave të rritjes së kavieve e kafshëve për kërkimin shkencor – kjo sepse kaviet rriten në kushte specifike, standard dhe me norma të mirë përcaktuara, pra nuk janë të “ndotura” nga ambienti i jashtëm.

Problemi i vetëm që kam unë, si person privat, por edhe si anëtar i një kategorie të caktuar që është e shqetësuar nga lëvizje apo grupime të tilla shoqërore që rrezikojnë të kthehen në një fe të re, është ai që ka të bëjë së pari me keqinforminim, me shtrembërimin, me hipokrizinë dhe jokoherencën e deklaratave, pa harruar nxitjen e dhunës ndaj grupimeve të caktuara shoqërore.

Nxitja për këtë shkrim? Një postim i ditëve të kaluara të PAPAs. Postimi kishte si objekt një karikaturë (pamje) ku tregohej se përse duhet të sterilizohen kafshët shtëpiake – qeni, macja etj.

PAPA sterilizon

Arsyet për sterilizim mund t’i jap edhe unë, mjaft thjeshtë: pamundësia për të kontrolluar aktivitetin seksual të kafshës që mund të shpie në riprodhimin e tyre të pakontrolluar që eventualisht do t’i detyronte pronarët që shtazët e reja t’i dhuronin apo më keq siç ndodh mjaft shpesh në Shqipëri t’i braktisnin në trotuar, t’i hidhnin në ndonjë ferrë apo edhe t’i sakatonin në tentativë për t’i vrarë. Nga këtu lind natyrshën nevoja për t’i sterilizuar kafshët shtëpiake…për t’u ardhur në ndihmë nevojave të njerëzve. Që janë ato të shfrytëzimit të kafshëve për qejfin e vet dhe të mos lejimit të riprodhimit të tyre.

Mesazhi i PAPAs është i qartë. Mbani kafshë për nevojat tuaja, për shoqëri, për ledhatim, për argëtim por për të mos patur kokëçarje sterilizojini.

Aktiviteti seksual i kafshës nëse kjo nuk do të ishte nën kontrollin e njeriut do të ishte tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Njeriu pra, ndërhyn, për të marrë nga kafsha përkëdheljet dhe ngrohtësinë e pellushit duke i hequr asaj një të drejtë themelore, nëse mund ta quaj kështu, atë të lënies së pasadhësve, të trashëgimisë së gjeneve.

Pra, shkurt, edhe PAPAt shqiptarë si ata të huajë – që venë e ngrihen nëpër protesta gjoja për mbrojtjen e kafshëve (edhe të atyre që janë të destinuara për kërkimin shkencor, që njerëzimit, por edhe vetë kafshëve, u sjell veç të mira) – kanë në mendjen e tyre (në mënyrë ë paraprogramuar, mbase!) dy standarde gjykimi. Nga njëra anë thonë e deklarojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve nga ana tjetër për qejfin dhe rehatinë e vet janë gati edhe t’i sterilizojnë për të mos patur kokëçarje të mëtejshme.
Të paktën të mos pretendojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve dhe të të drejtave të tyre të pretenduara (Për thellim, shiko:Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve”). PAPAt shqiptarë janë thjesht një grup njerëzish që mbrojnë kafshët dhe “të drejtat” e kafshëve deri në atë pikë sa u intereson. Si të gjithë xhanëm.

[Lexo dhe: Shfarosje po, eksperimentim jo – irracionaliteti animalist]

P.S. Kjo që kam shkruar nuk duhet të merret si një kritikë vetëm për PAPAn. Unë u nisa nga ai postim, për të marrë spunto. Kërkoj ndjesë nëse ndonjë përgjithësim imi fyen ndokën. Korrigjime mund të bëhen.

© Rinstinkt

—————————————————————————————————–