Psikologjia Evolutive

Një hyrje e shkurtër rreth Psikologjisë Evolutive, dhe më tej një listë apo koleksion me shkrime rreth temave të ndërlidhura me të.

* * *          * *    *    * *          * * *

Debati se sa i madh është ndikimi i gjeneve, trashëgimisë, natyrës në sjelljen dhe psikologjinë e njeriut dhe sa është ndikimi i ambientit ekziston prej kohësh. Disa psikologë konjitivë argumentojë se ne, njerëzit, jo vetëm që trashëgojmë disa karakteristika dhe trakte psikologjike, por edhe se këto karakteristika psikologjike janë subjekt i seleksionit natyror dhe seksual sikundër janë karakteristikat tona fizike (çka është një fakt i gjithëpranuar). Këta shkencëtarë argumentojë se mendja është një produkt i trurit, dhe se truri është si çdo organ tjetër i formësuar prej gjenetikës (trashëgimisë).

Psikologjia evolutive është përqasje teorike dhe esperimentale që përpiqet të ekzaminojë strukturën psikologjike të njeriut, dhe jo vetëm, nga një perspektivë evolutive/evolucionare; pra të aplikojë principet evolucionare mbi sjelljen dhe natyrën njerëzore.

Qëllimi është që të paraqitet një kuadro e proceseve psikologjike, emocioneve dhe konstrukteve shoqërore ku baza të jetë apo të informohet prej seleksionit natyror, në të njëjtën mënyrë sikundër seleksioni natyror dhe teoria evolutive qëndron sot si baza që informon gjithë njohuritë në fushën e biologjisë, morfologjisë, antropologjisë etj. Pra, qëllimi është që teoria evolutive të funksionojë si një bazë dhe si kornizë metateorike që e integron të gjithë fushën e psikologjisë dhe të neuroshkencës në të njëjtën mënyrë sikundër evoluconi bëri për biologjinë dhe nëndegët e saj.

* * *

Pika bazë mbi të cilat bazohet Psikologjia Evolutive:
1. Mendja njerëzore konsiston në “qindra mijëra” module të evoluara.
2. Këto “qindra mijëra” module janë adaptime/përshtatje – që do të thotë, se ato janë formësuar nga seleksioni natyror për funksionet e veta specifike të procesimit të informacionit.
3. Këto adaptime/përshtatje janë dizenjuar për të zgjidhur probleme të mbijetesës dhe të riprodhimit me të cilat përballeshin popullatat gjuetare-mbledhëse të epokës së Pleistocenit.
4. Duke qenë se zakonisht seleksioni natyror i bën përshtatjet/adaptimet në një specie universale, psikologjia njerëzore e evoluar konsiston në një “dezajn të vetëm universal pan-njerëzor”, që është natyra njerëzore.
5. Si pasojë, diferencat mes indivdëve dhe mes kulturave nuk janë prodhuar nga adaptime/përshtatje psikologjike të ndryshme, por nga një psikologji universale që i përgjigjet rrethanave të ndryshme.

 * * * 

Fusha e psikologjisë evolutive që prej lindjes ka hasur në kritika konstruktive, por më shpesh në kritika jo konstruktive, këto të fundit shpesh të nxitura nga pikëpamje politike apo ideologjike radikale e shpesh utopike, kryesisht të majta, por edhe të djathta.

Psikologu i famshëm kanadez Steven Pinker identifikon katër frikëra kryesore që nxisin “kritikat” dhe dyshimin ndaj psikologjisë evolutive pavarësisht provave empirike. Këto katër frikëra janë:
1. Frika e pabarazisë: nëse mendja është një “pllakë e bardhë”(blank slate) që prej lindjes, atëherë të gjithë njerëzit janë lindur të barabartë. Por nëse njerëzit i trashëgojnë karakteristikat mendore/psikologjike, disa njerëz doemos do të mund të kenë një avantazh natyror.
2. Frika e dytë ka të bëjë me cenet. Nëse disa cene janë të bashkëlindura ato nuk mund t’i nënshtrohen ndryshimit, e kështu reformat shoqërore për të ndihmuar të disavantazhuarit janë të kota, apo me gjasa do të dështojnë.
3. Nëse sjellja jonë përcaktohet nga gjenet, ekziston frika se ne mund të abdikojmë, pra heqim dorë, prej përgjegjësisë së veprimeve tona, dhe kështu t’ia hedhim fajin trashëgimisë tonë gjenetike.
4. Frika e katërt sipas S. Pinker është ajo më kryesorja… Frika është se nëse ne pranojmë se jemi formësuar prej psikologjisë evolutive, ndjenjat tona, perceptimet, arsyet dhe emocionet, do të katandisen në procese të thjeshta të evolucionit gjenetiik, dhe kështu biologjia do të “përgënjeshtrojë gjithçka të shenjtë që kemi”.

* * *          * *    *    * *          * * *

Disa fragmente nga artikuj të rëndësishëm. Lexo të plotë artikujt duke klikuar mbi tilullin sipër çdo citati/fragmenti. Lista e mëposhtme azhurnohet herë pas here.

Mekanizmat evolutivë veprojnë mbi individin, jo specien

“Speciet janë rezultat i evolucionit, si me thënë janë një artefakt (një pasojë, për të bërë një karakterizim ekstrem), por ato nuk janë entiteti mbi të cilat “vepron” seleksioni natyror. Entiteti themelor apo njëzia bazë është individi, i cili përmban, ruan, dhe eventualisht transmeton ato gjene tek pasardhësit e vet.”

 

Përqasja evolutive mbi fenomenin e vrasjes dhe fëmivrasjes (Daly dhe Wilson)

Përqasja evolutive (psikologjia evolutive) ndihmon në “bërjen dritë” mbi fenomenin e vrasjes dhe fëmivrasjes

 

Diferencat në emocione mes sekseve

“Nga një perspektivë evolucionare/evolutive ka shumë gjasa që të ekzistojnë diferenca ndër-seksuale (pra mes dy sekseve) në emocione. Gjasat që meshkujt dhe femrat të kenë evoluar të njëjtën psikologji emocionale janë në themel zero.Që meshkujt dhe femrat të kenë evoluar pikërisht të njëjtin dezajn emocional do të ishte një mrekulli Darwiniane – në kuptimin, e pamundur – sepse forcat evolutive që kanë vepruar mbi speciet e planetit tonë, përfshirë njeriun, pra meshkujt dhe femrat, do të të duhej të eliminonin të gjitha diferencat e mëparshme emocionale që derivojnë nga trashëgimia jonë si gjitarë dhe primatë; për më tepër do të duhej që organizmat të ishin selektuar në kundërshti me disa apo të gjitha përshtatjet emocionale seks-specifike të cilat janë zhvilluar gjatë qindra-mijëra viteve kur njeriu jetonte si gjuetar-mbledhës. Për më tepër do të duhej që gjatë gjithë historisë evolutive të njeriut, të ruhej një psikologji njerëzore unike, e njëjtë, për mashkullin dhe femrën, pra një psikologjie hermafrodite, pra e përzierë (gjë që nuk është aspak e vërtetë). “

 

A është inteligjenca e trashëgueshme? 

“Diferencat mes njerëzve në testet e inteligjencës janë substancialisht rezultat i dallimeve/diferencave gjenetike.”

 

Çfarë duan femrat nga/tek meshkujt, në afatgjatë?

“Psikologët evolucionistë kanë hipotizuar dhe mëpastaj konfirmuar se femrat e species tonë zotërojnë preferenca specifikisht të dizenjuara nga forcat evolutive për zgjedhjen e partnerëve në afatgjatë, në mënyrë që të maksimalizojnë pjellorinë dhe suksesin e tyre riprodhues. Këto preferenca i bëjnë femrat të hetojnë për sinjale rreth aftësisë dhe dëshirës/vullnetit të mashkullit për të kushtuar resurset e tija për femrën dhe pasardhësit e tyre.

Këto shenja apo sinjale përfshijnë statusin që ka mashkulli, prestigjin e tij në kulturën lokale, sikundër edhe ambicionin e tij, etikën e punës, inteligjencën, dominancën shoqërore, maturitetin dhe një moshë më të madhe se të femrës.”

 

Çfarë roli luajnë thashethemet (gosipi) mes femrave?

Thashethemet (gosipi) shërbejnë si një armë që femrat përdorin kundër njera-tjetrës në kompeticionin strategjik për meshkujt.