Doping apo smarting?

Fuqizimi, dopimi, smartingu, etika dhe shoqëria

Debatet mes titanëve të etikës, dhe interepretimit të saj, nuk kanë patur ndonjëherë të rreshtur; aq më tepër në ditët e sotme kur jemi futur dhe eksplorojmë gjithnjë e më shumë hulli të tjera, të trupit dhe derivateve të tij, morale dhe etike.

Ndër disa grupime, të cilat për lehtësi mund t’i identifikojmë si konservatore ndaj risisë, ka njëfarë frike dhe ndrojtjeje ndaj praktikave “dopuese”. Dikush do të ngrinte një pyetje mbi cilat janë praktika dopuese dhe cilat nuk janë të tilla; mbi këtë pikë do të përmend diçka interesante më pas…

Skull with a burning cigarette - V.Van Gogh 1885

Skull with a burning cigarette – V.Van Gogh 1885

Shqetësimi i këtyre grupimeve apo individëve, me të drejtë, duhet thënë, rrotullohet rreth çështjes të përdorimit, së pari të drogërave për të “fuqizuar” aftësitë mendore, funksionet konjtive dhe më pas të një sërë elementësh të tjerë, në pjesën më të madhe derivate të bioteknologjisë, që po ashtu do të rrisnin në mënyrë arbitrare, jo natyrore – thonë – aftësitë individuale në zhvillimin e një aktiviteti të caktuar…

Këtu, një njeri me sens kritik do t’i bënte vetes një pyetje: po cili është kufiri? Cilat janë praktika dopuese dhe cilat jo? Kujt i mbetet roli i gjykatësit për të vendosur? Natyrisht të gjithë e dimë përgjigjen: shoqërisë. Shoqëria ndërton vlerat mbi bazën e nevojave dhe firkërave të veta.
Ndërsa një pjesë e mirë e shoqërisë, me avancimet shkencore, teknike dhe bioteknologjike i ka lënë pas fantazmat e veta, një pjesë tjetër, ende konsistente, qëndron akoma e kapur nga pabazueshmëria e disa mënyrave të të parit të njeriut dhe trupit të tij – të ushqyera për shekuj të tërë nga letërsia, metafizika e humanistëve dhe filozofëve të një lloji caktuar.

Kjo pikë, kjo ndarje mes njerëzve me prirje humaniste, që i refuzojnë në mënyrë hipokrite zbulimet shkencore, dhe atyre që dinë t’i përshtasin dhe modifikojnë vlerat dhe qëndrimet personale (si rrjedhojë edhe totale të grupit) ndaj problemeve, në varësi të zbulimeve shkencore, prodhon sot shumë probleme të tjera (kujtoj për shembull debatin shterpë mbi ndarjen tru-mendje), ndër të cilët edhe ky i mësipërmi.

Dola pak nga rruga, por ishte e nevojshme të përshkruaja problemin dhe konfliktin që lind nga qëndrimi, anti-shkencor, i këtij grupimi, që mund ta quajmë nëse doni, humanist, fetar, obskurantist apo qoftë edhe vetëm konservator, ndaj risisë.

Këto grupe (ideologjike), shohin vërdallë për të gjetur “argumente” dhe liane mbi të cilat mund të kacavirren për të mbrojtur qëndrimin dhe interesat e tyre, të keqbazuara. Në këtë mënyrë veçse shprehet një pa-dëshirë për të parë realitetin, duke u përpjekur të influenconë dhe ndryshojnë realitetin e ashpër, stoik dhe arrogant… sipas ëndërrave të veta.

Janë ata që rezufojnë dhe shprehen kundër fuqizuesve konjitivë, kundër integratorëve ushqimorë, kundër gjithçkaje që sipas tyre nuk është natyrore e gjendjes njerëzore.
Por gjendja njerëzore është aq e papërkufizuar saqë këta, me një atropocentrizëm të pashoq, identifikojnë me arrogancë gjendjen e tanishme si gjendjen përfundimtare të procesit evolutiv – për më tepër duke vazhduar paturpësisht të mistifikojnë mbi kuptimin e evolucionit, që nuk është aspak ai i një procesi përmirësues por thjeshtë e vetëm stokastik, rastësor.

Paul Wolpe – një neuroeticist mjaft i njohur – na vë në dukje se si njerëzimi, se si ne, qeniet njerëzore, kanë (kemi) patur prej kohësh dhe kanë (kemi) ende në përdorim mënyra të ndryshme për të “fuqizuar”, përmirësuar aftësitë e veta (tona).

Për shembull, na kujton se ne dërgojmë fëmijët nëpër shkolla, mësojmë mbi tekste. Lexojmë romane e poezi, libra teknikë, zhvillojmë programe mësimi dhe stërvitjeje, kurojmë dhe pasurojmë aftësitë tona gjuhësore. Lista vazhdon me faktin se: ne përqiqemi të flemë mirë natën përpara një provimi apo detyre të veçantë që duhet ta bëjmë të nesërmen, hamë ushqime “inteligjente” si peshku etj.
Të gjitha këto veprime dhe sjellje, por edhe shumë të tjera, në mënyrat e veta dhe në masat e veta, udhëhiqen nga synimi për të krijuar ambiente, gjendje dhe mekanizma sa më funksionalë, që stimulojnë dhe mbështesin nivelin e kërkuar të “aftësisë” neurologjike dhe fizike. (Wolpe 2002)

Sipas Wolpe-s, problemi dhe refuzimi i sotëm vjen nga shkëndija direkte që vihet mbi përbërësit neurokimikë, strukturorë apo elektrikë të trurit, ndërhyrje  që e përdallon nga të mëparshmet, të cilat kemi shumë më shumë kohë që i vëmë në praktikë dhe janë bërë, medoemos, në mënyrë të pandërgjegjshme pjese e normalitetit tonë.

Sfidat e sotme mbi dopingun, mbi fuqizimin konjitiv, dhe risitë bioteknologjike lindin dhe janë të zjarrta sepse kanë një ritëm mjaft të lartë; për ta thënë ndryshe, refuzohen nga ata që ne i quajmë konservatorë sepse janë ndryshime të vrullshme që përmbysin, totalisht dhe jogradulaisht, botëkuptimin e tyre.
Në këtë mënyrë nuk mund të mbash as një pozicion hipokrit, sepse pozicioni rezulton totalisht i tjetërsuar sa hap e mbyll sytë; ndryshimet bioteknologjike janë të jashtëzakonshme.

Këtë botëkuptim, mos-ndryshim, staticitet, sado hipokrit dhe i pabazë të jetë në vetvete, duan t’ua imponojnë të tjerëve, duke apeluar për humanizmin e njeriut, për tjetërsimin e tij, për rrezikun e hybris-it tonë etj.

Rikujtoj Wolpe-n; sidosi, mundësia për të përmirësuar vetveten është një çështje personale; një çështje lirie personale; në fund të fundit një çështje lirie, thjeshtë e vetëm lirie.

Personat duhet të kenë të drejtën dhe të jenë të lirë të zgjedhin që të jenë më “të mirë”, dhe të mos pengohen apo stigmatizohen në rrugëtimin e tyre për të mbërritur atje ku dëshirojnë.

Të pëlqeu postimi?
Vendos një “Like” tek Faqja e Blogut në Facebook

Reklama

Jacques Lacan dhe postmodernizmi në përgjithësi

Mbi teoritë psikanalitike të Jacques Lacan dhe postmodernizmin në përgjithësi

[Koment i lënë në një bashkëbisedim me komentuesin Read Me tek blogu PTF: nyje]

Realisht Read Me është pikërisht ashtu, siç thua ti. Por jam pak i habitur të themi, se ku e ke gjetur këtë informacion, disi të detajuar, duke supozuar se jeton në SHBA, meqë aty Lacanin e njohin fare pak. Jo se imperializmi amerikan është i pa-kulturë, përkundrazi ka prodhuar e prodhon me tonelata, por sepse nuk vlen.

Nuk vlen së pari në terma të teorisë shkencore, meqë një teori që të fillojë të konsiderohet shkencore duhet me pasë një bazë shkencore, faktuale. Për shembull, sot dihet se natyra njerëzore nuk është e tillë sikundër ajo që ka postuluar Freudi e të cilën mëpastaj Lacani duke futur ca konjektura prej sharlatani të mirëfilltë (me topologjinë etj) e tjetërsoi edhe më natyrën e veprës origjinale, e cila edhe ajo kishte mangësi të mëdha – tek e fundit duhet kuptuar, ajo ishte koha, Darvini nuk njihej mirë, edhe për shkak të shtrembërimeve letraro-filozifike të konceptit “evolucion”.

Nuk vlen, së dyti, në terma të psikanalizës, apo psikoterapisë, pra terapisë së të sëmurëve (meqë CBT e lë në klasë)*. E kjo, gjykoj, është pjesa më kritike, meqë duket se Ndonjë një gjysmë ide, për aplikime praktike e ka patur, përndryshe nuk do të llapej kaq shumë, në media vizive e më gjerë.
Shqipëria në këtë aspekt është totalisht e pambrojtur, meqënëse metabolizmi i lexuesit nuk arrin të mbijetojë ndaj një mësymjeje të organizuar të pseudoshkencës Lacaniane.
(*Nuk vlen, sepse nuk jep rezultate. E vetjma mënyrë për të futur këtë pseudo-terapi në sistemin shëndetësor është ose nëpërmjet tarafeve ose nëpërmjet keqinformimit të publikut. Që të dyja plotësisht të realizueshme në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë, thjeshtë për një “teori”, ë! të kuptohemi… Flitet për mirëmenaxhim, për të kryer disa zgjidhje racionale, të arsyetuara, për të shërbyer me sa më shumë efektshmëri dhe më pak shpenzime. :) )

Së treti, nuk vlen as në terma të filozofisë, meqënëse të bësh filozofi duhet, edhe këtu, të nisesh nga një bazë reale, nga ku mëpastaj edhe të spekulosh, sipas një mënyre racionale, në gjykimin tim.
Nga kjo pikë do të dilte një diskutim më i gjerë, psh mbi ata që vet-quhen postmodernistë, e të cilin grupim në Shqipëri e keqkuptojnë. Janë të ashpra vërtet kritikat ndaj postmodernistëve, të cilët tentojnë hera herës të bëjnë edhe kritika konstuktive ndaj modernizmit – të cilat nga leximet e mia, kam parë: janë të mirëpritura – por që në pjesën më të madhe të tyre veprat, që nga Lacani, Deleuze e tek më i patëkeqi nga këta Derrida, janë të përcipta, të mbushura me fjalë të mëdha (pordhë thotë populli), lojra fjalësh. Jo më kot, në pjesën më të madhe të vet (përjashto Derridën) janë të pakuptueshëm; sepse nuk thonë asgjë. Ajnshtajni thonë se ka thën(perifrazim), se nëse një gjë e ke kuptuar, atëherë duhet të jesh në gjendje t’ia shpjegosh edhe gjyshes.
Postmodernistët, e kot të them, reagojnë duke thënë se modernizmi, alias shkanca dhe metoda shkencore, është e keqe, dhe injorante, e nuk e kupton post-in, dmth avantgardën (modestia në kulm lol). Pale kur avancojnë disa ide se shkenca qenka edhe kapitaliste (kur në të vërtetë, edhe pse kërkon para, është një konstrukt shoqëror. Tek e fundit si vetë kapitalizmi, çdonjë fenomen tjetër, përfshirë shkencën, është një pasuri e njerëzimit dhe përfaqëson motorin e zhvillimit dhe të avancimit, jo vetëm ekonomik por edhe të dijeve, meqë konkurrencën e ka përvetësuar edhe procesi i evolucionit).

Pastaj, se sa vlen e sa mund të influencojë në terma të letërsisë, nuk më intereson edhe aq shumë, deri në pikën kur thotë se njeriu mund të trajtohet si tekst. (Sepse, dreqi ta marrë, mezi po merremi me racizmin dhe tabula rasën… nuk na duhet një tjetër. :D )

 

Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Të gjithë lexuesit e mi do të kenë në shtëpitë e tyre nga një nga ato pajisjet në ekranin e të cilave shfaqen pamje. Flas për televizorin; edhe pse kur flitet për televizionin, rrallë herë flitet për pajisjen që emeton imazhe duke dekodifikuar një mesazh elektronik i cili vjen nga emetitori i zonës.

Kryesisht, me televizion kihet parasysh një lloj forme komunikimi e realizuar përmes pamjeve vizive, të organizuara sipas një programi të caktuar. Pra mund ta kuptojmë televizionin si një institucion të jetës moderne. Për më tepër disa e konsiderojnë edhe si një formë pushteti.

Sot do të jap disa informacione mbi disa efekte jo edhe aq të dëshirueshme që televizioni ka mbi njeriun. Po, po! Efekte negative. Sepse sot dihet, dhe është pra e vërtetuar, se televizioni ka një efekt të dëmshëm mbi fëmijët e vegjël dhe adoleshentët. Pra pyetjen, nëse dhe sa efekt negativ ka TV mbi të rinjtë mund ta kapërcejmë e të shkojmë drejtëpërdrejtë në thelpin e problemit.

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Shqetësimet mbi efektet negative të shikimit të zgjatur të televizionit filluan “të dilnin mbi ujë” menjëherë pasi filluan transmetimet e para, diku nga viti 1946. ndërsa në vitin 1972 njerëzimi kishte mjaftueshëm prova dhe fakte sa për të thënë se “…dhuna televizive ka një efekt anësor të padëshirueshëm mbi disa anëtarë të shoqërisë sonë” [1].

Pavarësisht provave shkencore njerëzit e thjeshtë, profanët, nuk duket se e kuptojnë mesazhin. Mesazhi është i qartë, televizioni jep një kontribut të madh për ta kthyer shoqërinë në një shoqëri të dhunshme. (Ndonjë do të vë re se herë përdoret termi televizion e herë ai më specifik, dhunë televizive. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, meqë statistikisht 60% e pamjeve televizive janë pamje të dhunshme [2].)

Po ndodh praktikisht e njëta gjë, i njëti fenomen pervers si edhe me cigaret dhe tymin e duhanit dhe kancerin e mushkërive; edhe pse ekzistojnë prova të pakundërshtueshme për lidhjen shkak pasojë kjo nuk raportohet siç duhet te popullata e gjerë, duke dhënë kështu si përfundim vetëm një mesazh kontroversal. E kjo së pari i detyrohet herë ligësisë e instrumentalizmit të mediave, jo vetëm televizive, dhe herë paaftësisë së njerëzve mirëfilli të medias për të përçuar mesazhe të tilla që nëse nuk përdoret një regjistër specifik i humbasin nuancat e veta, ato që duhet të godasin në veshët e prindërve.

Një nga studimet shkencore më të cituar, e pse jo të përgojuar, është ai i Johnson et al. i botuar në vitin 2002 [3].

Johnson et al. gjetën se shikimi për një kohë të zgjatur i televizionit gjatë adoleshencës dhe pjekurisë së hershme ishte i bashkëlidhur me sjellje agresive të mëpastajme (pra që ndjek shikimin e zgjatur të televizionit).

Të dhënat e studimit të Johnson & co. u mblodhën nga 707 familje që kishin nga një fëmijë mes moshës 1 dhe 10 vjeç, duke i intervistuar për një periudhë 17 vjeçare.

Rritja e agresionit u vëzhgua dhe dokumentua në djelmosha 14 vjeçarë të cilët kishin parë nga 1 në 3 orë televizion çdo ditë, krahasuar me ata që kishin parë më pak se 1 orë televizion në ditë.

Studimi i Johnson dhe co. është një studim i tipit gjatësor (longitudinal). Studimi është i pari i tipit gjatësor që studion(te) bashkëlidhjen mes ekspozimit ndaj TV gjatë adoleshencës dhe dhunës së mëpastajme. Kjo lidhje u tregua jo vetëm tek adoleshentët por edhe tek të pjekurt e rinj, pra individët në post-adoleshencë, duke hedhur poshtë mendimin se dhuna televizive ndikonte vetëm tek fëmijët.

Ndër të tjera studimi i Johnson et al. ka ushtruar kontrolle edhe ndaj disa ndryshoreve të tjera që mendohet se ndikojnë mbi shprehjen e veprimeve të dhunshme. Këto ndryshore ishin: neglixhenca në fëmijëri, dhuna në lagjen e banimit apo edukimi prindëror dhe të ardhurat familjare; studimi i njëkohshëm edhe i këtyre ndryshoreve përjashtoi menjëherë shumë shpjegime të tjera alternative.

Së fundi, studimi i Johnson et al. Është një studim shkencor mjaft i gjerë, që siç e përmenda në fillim përfshinte 707 familje të pyetura mbi zakonet e veta në një periudhë kohore 17 vjeçare, që është një fakt shumë domethënës.

[1] Surgeon General’s Scientific Advisory Committee on Television and Social Behavior, Television and Growing Up: The Impact of Televised Violence U.S. Government Printing Office, Washington, DC, (1972).
[2] National Television Violence Study Center for Communication and Social Policy, University of California, Santa Barbara, CA, (1998).
[3] J. G.Johnson et al.

Jeffrey G. Johnson, Patricia Cohen, Elizabeth M. Smailes, Stephanie Kasen, Judith S. Brook (2002). Television Viewing and Aggressive Behavior During Adolescence and Adulthood Science DOI: 10.1126/science.1062929

Edhe gorrillat përdorin mjete

Tek shkrimi Përsiatje mbi të qenit Njeri, përmendja faktin se edhe specie të tjera ishin të afta të përdornin mjete për qëllimet e tyre. Gjë që nuk është vetëm karakteristikë njerëzore.

Gorrillat përdorin mjete

Ky fenomen ishte i njohur prej kohësh për shimpanzetë, të cilat janë vëzhguar e dokumentuar duke përzënë nëpërmjet mjeteve të veta shipmanze të tjera. Po ashtu janë vëzhguar duke shtypur arra e duke gërmuar në kërkim të rrënjëve të bimebe apo barishteve. Pa harruar një fenomen emblematik, do të thoja, atë të përdorimit të shkopinjve të lyerë me pështymë për të “nxjerrë” mizat e dheut nga foletë e tyre.

Tek gorrillat, përdorimi i mjeteve ishte më pak i vëzhguar. Gjithsesi, sot në arsenalin e mjeteve të përdorura nga gorrillat futet edhe një tjetër, i vëzhguar së fundmi.

Ka të bëjë me përdorimin si shkallë të një trungu(kërcelli) bambuje nga ana e një gorrille femër. Femra e gorrillës u vëzhgua duke e përdorur bambunë si shkallë, ndërsa vinte re se i vogli i vet nuk arrinte të kalonte një shkurre që gjendej aty pranë. Pra nëna nuk përfitonte drejtëpërdrejtë nga ky përdorim. Episodi nuk mund të jetë një rastësi sepse nëna gorrillë e përdori bambunë si shkallë për të voglin e saj vetëm pasi e dëgjoi të qante.

Nuk mund të thuhet, gjtihsesi nëse ky përdorim është sistematik.

Rinstinkt, nëntor 2013

—————————————————————–

Përsiatje mbi të qenit Njeri

Përsiatje mbi të qenit Njeri

Ndokush ende thotë, e të mjaftë kanë qenë edhe ata që kanë thënë se, lloji njeri mund të kuptohet vetëm duke studiuar njeriun. Shumë të tjerë nuk janë aspak dakord me këtë thënie, apo më mirë të them përqasje, përfshirë të nënshkruarin. Kjo sepse ata që pretendojnë ta studiojnë njeriun, në të gjithë qenësinë e tij, fizike apo jo fizike, harrojnë se shumë nga karakteristkat që më parë pranoheshin si vetëm njerëzore tanimë dihet se zotërohen edhe nga shumë lloje të tjera, disa mjaft të afërta me llojin Njeri e disa të tjera relativisht të largëta.

Harrohet, për shembull, se edhe shimpanzetë përdorin mejte për qëllimet e tyre, ndërsa orangutangët mund të njohin vetveten; provë kjo e njëfarë ndërgjegjeje të ekzistencës së vetes.

Po ashtu, kur kërkohet të studiohet njerëzimi, fizik apo kulturor, vetëm e vetëm duke u bazuar mbi shfaqjet e të sotmit njeri, harrohen hominidët e zhdukur, artefaktet Paleolitike, domethënia e gjendrave të djersës, qimeve, domethënia e bipedalizmit dhe pasojave që solli drejtëqëndrimi në migrimin e hominidëve të hershëm nga Afrika.

***

...Unë apo Ti?

…Unë dhe Ti?

Të shumta kanë qenë karakteristikat që u (na) janë atribuar (neve) njerëzve, si unike, vetëm tonat, sikur mbi to të na kishin dhënë një patentë.

Mbase një nga karakteristikat tona themelore, një nga ato që mund të quhen me të drejtë njerëzore është aftësia për të imagjinuar, për të marrë diçka diku e për ta bashkuar me diçka tjetër tjetërkund, për të kompozuar pra.

Për të kompozuar skenarë e për t’i përzierë këta njëri me tjetrin, për tu futur në brendësi të këtyre skenarëve: Për tu brendapersonalizuar në këta skenarë imagjinarë të tanishëm apo të kaluar, e kjo falë neuroneve pasqyrë.

Përveç imagjinatës, përveç aftësisë për të kompozuar skenarë, kemi edhe aftësinë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Komunikimi gjithsesi është, le të themi, si pothuaj gjithëçka tjetër, një mbistrukturë e përbërë nga disa elementë më të vegjël si të paturit e një sistemi nervor mjaftueshëm të zhvilluar, aftësia për të artikuluar tinguj, etj.

Por edhe kafshë të tjera komunikojnë, bashkëveprojnë, japin e marrin sinjale alarmi, e shkëmbejnë informacione… Ajo që na jep njëfarë specificiteti është, siç e permenda më sipër, aftësia për të lidhur mendjet tona, për tu futur në rrobat e tjetrit, për të udhëtuar në kohë, për të treguar histori të cilat ngadonjëherë shërbejnë si kolona morale, për të tejçuar emocione, për të bërë pyetje që janë një jashtëpërfaqësim i një qenieje kurioze etj etj…

***

Natyrisht, për t’i dhënë një përgjigje pyetjes të shtruar në fillim të këtyre mendimeve të shkruara, duhet të sqarojmë në mos më parë, njëkohësisht, se si arritëm këtu ku jemi?

Ishte vetëm bipedalizmi? Mbase! Bipedalizmi (të ecurit mbi dy gjymtyrë) është konceptuar tradicionalisht si themeli i fillimit të llojit njerëzor, ose për tu shprehur më mirë, fillesa e rrugëtimit të gjatë të njeriut, fillimi i transformimit nga pre në predator, fillimi i kalimit nga majët e pemëve në savanat e gjëra, e së “fundmi” fillimi i migrimit nga mëma Afrikë…

Gjithsesi përkrah disa avantazheve evolutive, bipedalizmi na ka sjellë edhe disa probleme, jo të papërfillshme. Ndër to janë efektet kolaterale të dhimbjes së mezit dhe të hemorroideve.

(Gjithsesi, sot jemi në dijeni se bipedalizmi ishte vetëm një nga shumë ndryshimet që ndodhën asokohe.)

Një tjetër element interesant mbi të cilin debatohet, miqësisht në qarqet intelektuale, rreth ndikimit të ushtruar në evoluimin e species njerëzore është edhe truri apo sistemi nervor. Unë vetë, jam i ndërgjegjshëm se jo pak herë në të shkuarën bëja konfizion mbi trurin; në kuptimin që: është jo vetëm jo-korrekte por shpesh edhe e rrezikshme të thuhet se evolucioni njerëzor ishte vetëm një triumf i trurit mbi muskujt (apo forcën). Tregohet padije e thellë, duke harruar se, ishte fiziku i fortë dhe i ashpër i njeriut të lashtë mbledhës vegjatacioni e njëkohësisht gjahtar që na solli këtu ku jemi.

E këtë fakt e dëshomjnë kokëfortësish një sërë sëmundjesh moderne si obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare që i detyrohen metabolizmit të lipideve, kanceri, dhëmbët e prishur apo osteoporoza. Të gjitha kanë sot një frekuencë të rritur, sepse ne hamë shumë më shumë nga sa hanin njerëzit e parë dhe nga ana tjetër, punojnë e shpenzojmë shumë më pak energji…

***

Për të bërë të qartë se kush jemi, duhen mëparë eliminuar disa keqkuptime të thella të idesë evolutive të Darvinit. Nuk janë të pakët individët që me evolucion kuptojnë një kalim nga një stad më i ulët në një më të lartë.

Këtë keqkuptim të thellë të Darvinit e tregon edhe një përkufizim mediokër i FESH-it (Fjalori Elektronik Shqiptar – i bazuar mbi një version të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të botuar gjatë Diktaturës Komuniste Shqiptare) i cili thotë:

EVOLUCION m. sh.

1. filoz. Një nga format e lëvizjes në natyrë dhe në shoqëri, zhvillimi i një sendi a dukurie nga një gjendje me e ulët në një gjendje me të lartë nëpërmjet kalimeve a ndryshimeve sasiore të ngadalshme e shkallë-shkallë, të cilat bëjnë të mundshme edhe ndryshimet cilësore.

2. biol. Zhvillim shkallë-shkallë dhe i ngadaltë i bimëve e i kafshëve nga një lloj në tjetrin ose nga format me të hershme e me të thjeshta tek ato me të ndërlikuara e me të përsosura. …

Pavarësisht faktit se shumë nga gjallesat me të cilat ne ndërveprojmë sot janë disi më të ndërlikuara krahasuar me disa nga ato që kanë banuar Tokën qinda mijëra vite më parë kjo nuk na jep “të drejtën” për të cilësuar aktualen si “më të përsosur”. Kjo më se shumti flet për njëfarë egoizmi, për njëfarë antropocentrizmi, njëfarë ndjenjë vetëlavdëruese, e cila kam frikë se do të ishte karakteristike e cdonjë grupimi i cile vetë-quhet qytetërim, e që nuk është gjë tjetër veçse një nga shumë format, kalimtare, të jetës që Toka ka parë.

Evolucioni, nuk ka një qëllim apo orientim. Procesi i evolucionit sidosi është stokastik, dhe cilësia apo rezultatet e prodhuara janë rastësore, e duhen gjykuar në raport me kushtet ambientale e faktorë të tjerë rrethanorë.

***

Rinstinkt, nëntor 2013

————————————————————————