Kërcimi së gjati, njerëzit, bretkosat dhe pleshtat.

Rekordi botëror për kërcimin së gjati i përket Mike Powell-it, i vendosur në vitin 1991 në një gjatësi prej 8.95m. Ai femërori i përket Galina Chistyakova-s së vitit 1988 në një gjatësi prej 7.52m.

Një tjetër rekord botëror është vendosur edhe nga Rosie the Ribeter, e cila kërceu 6.5 metra. Rosie ishte një bretkosë që mori pjesë në një konkurs kërcimi bretkosash të organizuar në Kalaveras të Kalifornisë.

Kërcimi i bretkosës Rosie është më interesant, sepse ndërsa kërcimi për së gjati i atletëve që përmendëm më sipër është rreth 5 herë sa gjatësia e trupit të tyre, kërcimi i bretkosës Rosie është rreth 20 herë sa gjatësia e trupit të saj.

Si kërcimi i njeriut ashtu edhe ai i bretkosës fuqizohen nga muskujt skeletikë. Indi muskulor skeletik është nën kontroll dhe i përgjigjet komandave të sistemit nervor qëndror.

Mekanizmat qelizorë të tkurrjes muskulore janë në thelp të njëjtë si tek bretkosat ashtu edhe tek njerëzit, por ajo që ndryshon është koncepti i levës që ka të bëjë me ndërveprimin mes muskulit dhe kockës.

Që muskujt të ushtrojnë një spostim ata duhet të fiksohen në kocka. Nëse muskuli nuk është i fiksuar në kockë lëvizja është e pamundur – këtu mund të keni parë individë që për arsye të ndryshme kanë një shkëputje të muskujve (tendinave) nga kocka me efekt të menjëhershëm pamundësinë për të lëvizur.

Le të rikthehemi tek mekanika e lëvizjes dhe kërcimit. Si bretkosat ashtu edhe njerëzit i kanë muskujt të fiksuar në kockat e veta, duke formuar leva (koncept fizik). Një levë na mundëson që me të njëjtën forcë të lëvizim një masë të madhe në një distancë të shkurtër, ose një masë të vogël në një distancë të gjatë.

Raporti mes gjatësisë së këmbës së bretkosës dhe masës së saj trupore është shumë më i madh se tek njeriu. Kështu bretkosa dhe këmbët e saj janë më të efektshme në lëvizjen e një mase të vogël në një distancë të gjatë.

Njerëzit dhe bretkosat nuk janë gjallesat e vetme që dinë të kërcejnë. Kangurët janë edhe më të famshëm. Po ashtu edhe pleshtat.
Pleshti, për shembull, mund të kërcejë një distancë 200 herë më të madhe se gjatësia e trupit të vet.

Plesht duke kërcyer

Performanca e pleshtit i detyrohet një mekanizmi të ndryshëm që nuk ka të bëjë drejtëpërdrejtë me muskujt dhe levat. Në bazën e këmbëve të pleshtit gjendet një material elastik që komprimohet/shtypet nga muskujt ndërsa pleshti është duke pushuar. Kur lëshohet mekanizmi shkrepës ky material elastik shpërdridhet dhe si të thuash e “shkrep” pleshtin në ajër.

© Rinstinkt Blog / Rizvan Myrtaj 2020

Përse aziatikët nuk e tolerojnë dot alkolin?

Përse aziatikët nuk e tolerojnë dot alkolin?

Për ata që kanë njëfarë kurioziteti për kulturat dhe shoqëritë lindore/orientale me siguri që është i çuditshëm raporti që kanë aziatikët me alkolin. Nuk janë në gjendje t’i durojnë pijet alkolike fare fare. Çka manifestohet me një skuqje të menjëhershme në të gjithë fytyrën.

Haruhi Suzumiya e dehur.

Por cila është arsyeja që aziatikët, pra japonezët, kinezët de koreanët nuk e tolerojnë dot alkolin? Ndokush do të sugjeronte një shkak kulturor, siç bëhet rëndom me vend e pavend. Por jo, si në çdo rast tjetër, kultura lind prej një substrati fizik, prej një baze biologjike. Në këtë rast mos-toleranca e alkolit është një gjendje e mirëfilltë klinike që ka baza të forta gjenetike.

Mjafton një gjysmë gote alkol dhe aziatikët skuqen menjëherë. Kjo skuqje nuk është gjë tjetër veçse një reaksion ndaj alkolit, që zhvillohet edhe me marrjen e sasive të moderuara të pijeve alkolike, dhe që konsiston në skuqje dhe eritema të përhapura në të gjithë fytyrën, qafën dhe në disa raste edhe në të gjithë trupin.

Në aglisht merr emrin “Alcohol Flush Reaction, AFR” – por duke qenë se kjo gjendje klinike është mjaft e përhapur në popullatat aziatike, mbi të gjitha tek japonezët, kinezët dhe koreanët, shpesh quhet edhe ‘Sindroma nga skuqja aziatike’. Simptoma të tjera të kësaj gjendje klinike me substrat gjenetik përfshijnë: një shpejtim të rahjeve të zemrës, nausea dhe një ndjesi të përhapur pafuqie. Pra, si të thuash, simptomat e një dehjeje por që vjen nga doza tepër të ulëta alkoli.

Shkaqet e kësaj sindrome qëndrojnë në trashëgiminë gjenetike të popullatave me prejardhje aziatike. Kanë të bëjnë me 2 (dy) variante të enzimave të përfshira në metabolizmin e alkolit.

Ja se si metabolizohet alkoli i gëlltitur në organizmin tonë.

Skemë e thjeshtë e metabolizmit të alkolit

Pasi alkoli (apo etanoli) hyn në trupin tonë, ai mbërrin në mëlçi ku shndërrohet në acetaldehid prej një enzime të quajtur alkol-dehidrogjenaza (ADH). Acetaldehidi kapet nga një enzimë e dytë e pranishme në mitokondritë e qelizave tona me emrin acetaldehid-dehidrogjenaza. Kjo enzima e dytë e shndërron acetaldehidin në acid acetik i cili mëpastaj do të dekompozohet në ujë dhe në dioksid karboni.

Në këtë zinxhir metabolik përbërja më toksike/helmuese është acetaldehidi, por rrezikshmëria e kësaj përbërje zbutet nga veprimi i menjëhershëm i acetaldehid-dehidrogjenazës.

Tani, dalim prap tek aziatikët. Shumë prej tyre kanë disa variacione të alkol-dehidrogjenazës dhe të acetaldehid-dehidrogjenazës që pengojnë funksionimin e duhur të rrugës metabolike që përshkruam më sipër.

Më saktësisht, rreth 80% e aziatikëve zotëron një variant shumë më efiçient të dehidrogjenazës alkolike (ADH), variant ky që është në gjendje ta kthejë etanolin në acetaldehid me një frekuencë shumë më të madhe sesa norma (tek popullatat e tjera). Për më tepër, 50% e popullatës orientale/lindore shfaq një variant më pak efiçient të enzimës së dytë, pra acetaldehid-dehidrogjenazës që e shndërron acetaldehidin në acid acetik me një shpejtësi më të ngadaltë.

Pra, nga një anë prodhimi i acetaldehidit, që është toksik/helmues, rritet, ndërsa nga ana tjetër shkatërrimi i tij është i reduktuar. Kështu rezultati përfundimtar nuk mundet veçse të jetë grumbullimi në gjak i kësaj përbërje.
Kështu për popullatat aziatike, ky predispozicion ndaj intoksikimit/helmimit me acetaldehid, ka ndikuar në formimin e një kulture që i qëndron larg alkolit, duke reduktuar incidencën e alkolizmit, duke qenë se të pirit e pijeve alkolike kthehet menjëherë në një praktikë shumë pak të kënaqëshme (për shkak të helmimit nga acetaldehidi).

© Rinstinkt blog
PDF: Përse aziatikët nuk e tolerojnë dot alkolin?

Kur dëgjon rrahjet të thundrave, mendo për kuajtë, jo për zebrat.

Kur dëgjon rrahjet të thundrave, mendo për kuajtë, jo për zebrat.

Në fushën mjekësore termi “zebra” nuk është një term formal, zyrtar si me thënë, por ai gjithsesi përdoret, sidomos në SHBA, për të treguar probabilitetin e vogël për një diagnozë të caktuar. Kur thonë “zebra” shpesh duan të thonë “sëmundje apo gjendje e rrallë”, apo në mënyrë më të detajuar: një gjendje mjekësore, shfaqja e së cilës në një kohë dhe vend të caktuar, në një person të caktuar, është e papritur dhe surprizuese.

Termi vjen prej një thënie të vjetër të viteve 1940të nga Theodore Woodward, profesor në University of Maryland School of Medicine, që përdorej për t’u mësuar studentëve të mjekësisë se si të arsyetonin me logjikë në lidhje me diagnozën diferenciale. Pra si të mendonin kur një seri shenjash apo simptomash mund të shpjegohej nga 2 ose më shumë shkaqe/patologji të ndryshme.

“Kur dëgjon rrahjet të thundrave, mendo për kuajtë, jo për zebrat.”

(Në Maryland, kuajtë janë relativisht të përhapur, ndërsa zebrat janë tejet të rralla, dhe logjikish nëse dëgjon thundra që rrahin në shesh, duhet të mendosh se kafsha është një kal dhe jo një zebër. Natyrisht që ndonjëherë këto rrahje thundrash do të jenë prej zebrave, ekzotike, të rralla, por këto janë raste të veçanta, që gjithsesi duhen mbajtur “shënim” në një cep të mendjes.)

Me fjalë të tjera shikoni për diagnozën më të shpeshtë dhe të zakonshme, dhe jo për diagnozën me ekzotike apo surprizuese e të rrallë. Për shembull, kur një pacient zhvillon një kollë, shkaku më me gjasa dhe më logjik që duhet menduar është një infeksion viral, dhe jo një tuberkulozë. Natyrisht tuberkuloza duhet mbajtur në mendje dhe i duhet hequr vizë vetëm pasi të jetë konfirmuar plotësisht diagnoza tjetër ose të kemi të dhëna për të mos menduar më për tuberkulozën, pra që e kontraditktojnë atë arsyetim.


© Rinstinkt blog

PDF: Kur dëgjon rrahjet e thundrave mendo për kuajtë jo për zebrat

Zhurma nga kërcitja e gishtave; tribonukleacioni

Kërcitja e gishtave

Të gjithëve na ka ndodhur që të kërcasim gishtat e duarve tona, apo më shpesh që të shikojmë dikë tjetër që kërcet gishtat e vetë. Por askush nuk e dinte se çfarë e shkaktonte saktësisht zhurmën; natyrisht dihej që vinte prej artikulacioneve, por vetëm kaq.

Dyshimi rreth origjinës së këtij fenomeni akustik interesant qëndroji i gjallë deri kur Kawchuk et al. botuan rezultatet e punës së tyre nën titullin ‘Real-Time Visualization of Joint Cavitation’ në vitin 2015.

Në studimin e tyre autorët tregojnë se mekanizmi akustik, apo mekanizmi i ‘plasaritjes’ së artikulacionit/kyçit ka të bëjë me formimin e një flluske dhe jo me kolapsimin e saj siç mendonin disa më përpara.

Pamje me rezonancë magentike e një artikulacioni në momentin e kërcitjes. Mund të vini re se midis dy skajeve të kockave të veshura me kërc (sipërfaqet e e qarta në qendër), kur ato largohen, fillon e formohet një flluskë gazi (hapësira me e errët, e zezë).

Pamje me rezonancë magentike e një artikulacioni në momentin e kërcitjes. Mund të vini re se midis dy skajeve të kockave të veshura me kërc (sipërfaqet e e qarta në qendër), kur ato largohen, fillon e formohet një flluskë gazi (hapësira me e errët, e zezë).

Rezultatet e studimit ofrojnë prova të drejtëpërdrejta se plasaritja e kyçeve ka të bëjë me zanafillën dhe jo me kolapsin e një flluske paraekzistuese. Studiuesit thonë se këto gjetje janë konsistente me ‘tribonukleacionin’ që përkufizohet si një proces në të cilin, në vijim të një ndarje të menjëhershme të dy sipërfaqeve të zhytura në një lëng, krijohen flluska gazi. Natyrisht në rastin e kërcitjes së kyçeve të gishtave këto sipërfaqe, të ngurta, përfaqësohen nga dy skajet e kockave të veshura me kërc artikular, dhe që ballafaqohen njëra me tjetrën nëpërmjet një lëngu viskoz të quajtur lëng sinovial (brenda zgavrës artikulare). Funksioni i lëngut sinovial është mbi të gjtiha ai i lubrifikimit të artikulacionit por edhe i furnizimit të saj me lëndë ushqyese.

Studiuesit e zbuluan origjinën e saktë të fenomenti akustik nëpërmjet hetimit me rizonancë magentike në kohë reale ndërsa ndodhte kërcitja e gishtave. Në momentin që mbi artikulacionin aplikohej një forcë dy sipërfaqet artikulare fillimisht ushtrojnë një rezistencë ndaj tërheqjes dhe mëpastaj ndahen në mënyrë të menjëhershme. Është pikërisht kjo ndarje e menjëhershme që shkakton një rënie të presionit në brendësi të lëngut sinovial dhe që iu shtyn gazrat e tretura në të që të formojnë flluska të vogla.Formimi trastave të gazit është pikërisht shkaktari i fenomenit akustik të kërcitjes së gishtave.

 


Studimi shkencor: Kawchuk, Gregory N et al. “Real-time visualization of joint cavitation.” PloS one vol. 10,4 e0119470. 15 Apr. 2015, doi:10.1371/journal.pone.0119470a


© mbi tekstin, Rinstinkt blog

 

Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre.

Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre. Duket e çuditshme? Po, nëse vihen në dukje vetëm ndryshimet që janë më se evidente. Duket sikur njerëzit dhe babanet nuk kanë asgjë të përbashkët…

Ndryshimet mund t’i shikojmë të gjithë. Bananet janë bimë që prodhojnë frutin e bananes, ndërsa njerëzit janë kafshë. Si bimët e tjera bananat e përftojnë energjinë e vetë nga fotosinteza ndërsa njerëzit sikundër gjithë kafshët e tjera e përftojnë energjinë duke ngrënë gjallesa të tjera.

Por cilat janë këto të përbashkëta?

Të përbashkëtat mes bananes dhe njeriut, janë po të njëjtat të përbashkëta që lidhin bananen, dhe njeriun, me pjesën tjetër të gjallesave shumë qelizore.

bananeTë gjitha gjallesa shumëqelizore kanë nevojë për energji për të furnizuar dhe bërë të mundur realizimin e proceseve të jetës. Që prej ndarjes qelizore, prodhimit të pjesëve pra organeleve qelizore, mbajtjes së qelizave të ngjitura njëra me tjetrën, kominikimit mes qelizave etj etj. Të gjitha këto, dhe shumë të tjera procese, kanë nevojë për energji. Pra ngjashmëria në metabolizmin qelizor është e para gjë që duhet përmendur.
Të gjitha gjallesat kanë mekanizma që bëjnë të mundur thyerjen e molekulave organike të glukozit në mënyrë që të lëshojnë/përftojnë energji për të qëndruar në jetë. Transferimi i energjisë prej molekulave organike tek proceset e organizmit kërkon procese si glikoliza, ciklin e acidit citrik (pra Ciklin e Krebsit), zinxhirin e transportit të elektroneve, dhe/apo fermentimin. Këto procese bazike të jetës, janë ruajtur shumë mirë në terma evolutivë në të gjitha gjallesat.

Një gjë e rëndësishme që duhet theksuar është se, nga e gjithë ADNja jonë, e njerëzve, dhe nga e gjithë ADNja e bimëve, vetëm një përqindje e vogël e materialit gjenetik është “funksionale”. Pjesa më e madhe e materialit gjenetik të gjallesave duket se nuk ka ndonjë funksion të dukshëm, ndaj me njohuritë që kemi sot është quajtur “jo funksionale” në kuptimin që nuk kodifikon për proteina.
Ndërsa vetëm rreth 1-2% e materialit gjenetik kodifikon për proteina. Pra kur themi se 50% e materialit tonë gjenetik është e ngjashme me të bananeve, apo të ndonjë bime tjetër, i referohemi kësaj pjese të vogël, funksionale, kodifikuese, që nevojitet për të marrë informacionin për prodhimin e proteinave.

Ky fraksion i vogël i materialit gjenetik, pra fraksioni protein-kodifikues është, siç e përmenda më sipër, tejet i konservuar mes specieve, pra shumica e organizmave kanë qeliza që mbështeten mbi të njëjtat procese. Pra mes bimëve dhe njerëzve rreth 50% e sekuencave të ADN-së protein-kodifikuese janë të konservuara, sepse pavarësisht diferencave makroskopike, në nivelin qelizor ne kemi të ngjashme shumë reaksione biokimike dhe komponente qelizore.

Kuriozitet: Njerëzit dhe majmunët kanë të përbashkët 98% të sekuencës së materialit gjenetik protein-kodifikues. Kjo do të thotë se filogjenetikisht njerëzit janë shumë shumë më të afërt me majmunët sesa me bimët.

© Rinstinkt Blog 2018