Barbarizmi animalist i datës 20 prill 2013 në Milano, Itali

Barbarizmi i aktivistëve për të drejtat e kafshëve – animalistë (kafshistë) – i datës 20 prill 2013 në Milano, Itali

Të shtunën paradite disa aktivistë për të drejtat e kafshëve në Itali, futen në një nga laboratorët e farmakologjisë të Unversitetit të Milanos dhe bëjnë kërdinë me gjithë çka gjejnë brenda…

Sulmi, i huliganëve duhet thënë, u realizua nga një grup aktivistësh për të drejtat e kafshëve që vetquhet Fermare Green Hill (Ndalo Green Hill-in), duke iu referuar Green Hill-it një qëndër ku rriteshin varietete të ndryshme qensh të paracaktuar për eksperimentimin shkencor biomjekësor.

(Kujtoj se, qëndra Green Hill kishte qenë para disa muajsh në shënjeshtër të të njëjtëve ekstremistë, të cilët hynë dhe rrëmbyen në mënyrë të jashtë ligjshme disa qenë të racës Bigëll.)

Pesë aktivistë hynë në laboratoret e departamentit të farmakologjisë duke liruar minjë të tipave të ndryshëm, duke përzierë kartelat dhe dokumentet përkatese (të protokolleve) dhe duke bërë kështu të pamundur përdorimin e tyre të mëpasshëm.

Shkatërrimi i stabularëve të departamentit të farmakologjisë së uni Milano. Pamja përpara dhe pas kalimit të aktivist-huliganëve animalistë

Shkatërrimi i stabularëve të departamentit të farmakologjisë së uni Milano. Pamja përpara dhe pas kalimit të aktivist-huliganëve animalistë

Në gjithë këtë mesele të ekstremistëve, nuk duhet harruar shkatërrimi i kafazeve dhe dëmi monetar i shkaktuar, ndaj Universitetit të Milanos, më saktë ndaj departamentit të farmakologjisë, indirekt edhe ndaj donatorëve.

Nuk duhet harruar edhe një gjë tjetër e rëndësishme: se u hodh poshtë, në disa orë ekstremizëm huliganësh, puna kërkimore shkencore e shumë viteve.

Në stabularët e departamentit të farmakologjisë gjendeshin rreth 800 kafshë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin minjë të modifikuar gjenetikisht, dhe ndonjë lepur.

Disa nga minjtë, ishin të veçantë; të ashtuquajtur “nudo” sepse kanë mungesë qimesh, ruajtës mutacionesh gjenetike, dhe me sistem imunitar të dobësuar. Pra kafshë pa mbrojtje imuntare që vdesin në mënyrë të shpejtë kur ekspozohen ndaj ambienteve të pakontrolluara. Me ambient të pakontrolluar kihet parasysh edhe kutia e kartonit me të cilën huligan-aktivistët transportuan disa nga minjtë jashtë laboratorit…

Kërkuesit nga departamenti thonë se, do të duhen muaj të tërë për të rindërtuar linjat e minjve të modifikuar gjentikisht. Po, po, sepse ishin minjë të modifikuar gjenetikisht, që përdoren si modele për të studiuar sëmundje të ndryshme të sistemit nervor, si autizmi, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimerit, skleroza e shumëfishtë, sindroma Prader-Willi etj. Për këto e shumë sëmundje të tjera të sistemit nervor, sikundër edhe për çrregullimet psikiatrike, ka nevojë urgjente për kura.

Akti vandal u dënua nga kërkuesit e departamentit të farmakologjisë të Universitetit të Milanos, dhe më gjerë nga i gjithë komuniteti shkencor italian dhe botëror.[1] [2]

Edhe prefesor Silvio Garattini, drejtori i Institutit Mario Negri, reagoi ashpër:

Agresiviteti i një pjese të lëvizjes animaliste (kafshiste) bën të nevojshme marrjen e një qëndrimi të fortë të institucioneve shkencore që operojnë në fushën biomjeksore. Nuk është e tolerueshme që puna jonë të hidhet poshtë nga persona që veprojnë sikur të mos ekzistonin ligjet, dhe kryejnë vepra penale që rrezikojnë të mbeten të padënuara […] Eksperimentimi me kafshët është akoma i nevojshëm nëse dëshirohet të realizohen progrese në terapinë e sëmundjeve […] Nuk mund të pranojmë që kush shkel të drejtën për kërkim shkencor të lihet në qarkullim të lirë, dhe urojmë që organizatat që merren me mirëqenien e kafshëve të mos jenë bashkëfajtorë dhe të dëgjohet zëri i tyre kundër dhunës. (përkthimi im)

*****

Në disa orë ekstremizmi të huliganëve të vitit 2013, u hodh poshtë, për disa momente, edhe shpresa e shumë njerëzve dhe familjeve me të afërm që vuajnë nga sëmundje të sistemit nervor.

Por shpresa nuk u la të binte përtokë… menjëherë ditën më pas, një grup studentësh dhe kërkuesish të Milanos – rreth 50 – dolën në shesh dhe demonstruan paqësisht, veshur me këmishat e bardha, të esëllt përballë hordhive dhe dizinformimit të grupimeve të shastisura animaliste.


Rinstinkt, prill 2013

——————————————————————————————————–

Indiferentë diferentë

Indiferentë diferentë

Të gjithë flasin për interesat e lloj-llojshme që qëndrojnë e lëvizin fijet mbi shoun e madh të eksperimentimit me/mbi kafshët.
E kanë gjithnjë gojën plot. “Interesa të shtëpive farmaceutike”, “interesa lobish” etj. Kjo  është prova më e dukshme, më elementare e mungesës së llogjikës dhe shpirtit kritik, për të mos thënë se, është provë e budallallëkut.

Shtëpitë farmaceutike, vallë, kanë interes të shpenzojnë miliarda euro për të testuar ilaçe të reja mbi kafshët (sipas llogjikës së masave kafshiste)?… Apo, kanë interes të kursejnë miliarda euro duke shmangur hapa, stade e procedura testimi mbi/me kafshët në mënyrë të tillë që të përshpejtojnë tregtimin dhe të rrisin përfitimet e veta? Si thoni? Shtrydheni çik trurin! 🙂

Shtëpitë farmaceutike, nëse duan, e kanë të thjeshtë fare të mbrojnë eksperimentimin me/mbi kafshët, thjesht duke iu drejtuar njerëzve që janë (ende) gjallë falë ilaçeve. Një grumbullim i vogël, nja ca deklarata dhe hop, puna mbaron…

Por!

A keni parë ndonjëherë shtëpi farmaceutike që të sponsorizojnë duke shkruar mbi konfeksionet e ilaçeve të tregtuara, si për shembull të atyre të zemrës: ”Është falë eksperimentimit me/mbi kafshët që je (ende) gjallë”?

A keni parë ndonjëfarë forme minimale publiciteti në mbrojtje të eksperimentimit me/mbi kafshët?

Jo! Nuk ndodh.

Të vetmit, deri më sot, që luftojnë për eksperimentimin mbi/me kafshët, janë gjithnjë doktora, shkencëtarë, kërkues dhe studentë të disiplinave mjekësore e farmakologjike; persona që investojnë energji e kohë të tyre pa marrë asgjë për vete si këmbim.

Le ta pyesim edhe një herë veten. Mbase, edhe ata (ne) që mbrojn(m)ë eksperimentimin me/mbi kafshët.

Rinstinkt 2013

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Kamë vënë re se shumë herë bëhet konfuzion mes realiteti të fakteve dhe legjendave urbane sipas të cilave laboratorët kërkimorë janë dhoma torture.

Gënjeshtra më e akredituar është ajo sipas të cilës brenda laboratorëve nuk përdoret anestezia sepse është tepër e shtrenjtë. Gënjeshtra qëndron tek togfjalëshi “tepër e shtrenjtë”.

Anestetikët blihen me vështirësi; kërkojnë në fakt, disa formalizma dhe rrugëtime me dredha në relacion me faktin se i gjithë rrugëtimi i blerjes duhet të jetë i gjurmueshëm duke qenë se bëhet fjalë për substanca narkotike (drogëra). Gjithsesi, kostot e anestetikëve nuk janë edhe aq të larta; fillohet nga 1,50 euro për qetësuesit e thjeshtë për të shkuar në çmime relativisht më të larta për opioidët. Them relativisht sepse në të gjithë eksperimentimin/studimin kanë një peshë (monetare) minimale; kështu do të ishte budallallëk që për pak “qindarka” të rezikoheshin sanksione të kripura, për respektimin e munguar të një ligji që i ka themelet në një normativë europiane mbi eksperimentim. Pastaj, anestetikët ndihmojnë në lehtësimin e punës së eksperimentuesit. Po ashtu, sepse një njeri që punon në këto ambiente, nuk ka aspak dëshirë të shikojë një qenie të gjallë të vuajë për shkak të punës së vet.

Atëherë përse disa herë anestetikët nuk përdoren?

Përgjigjia është e thjeshtë: sepse mund të ndërhyjnë në vlefshmërinë e eksperimentin.

Në çfarë mënyre?

Duke mos lejuar një vlerësim të reaksioneve të kafshës (të reksioneve që ka kafsha për shkak të substancës të testuar) sepse e droguar, apo sepse anestetikët ndërhyjnë me rrugën që substanca e përdorur në test do të kryente në mungesë të anestetikut (për shembull: mund të shkaktojë një ndryshim të dozës së substancës që është realisht e nevojshme, mund të shkaktojë rritjen e shpejtësisë së eliminimit, mund të ndërhyjë me thithjen e substancëa po me receptorët me të cilet ajo lidhet etj.).

Disa shembuj të tjerë, që ndihmojnë në sqarimin e çështjes. Le të mendojmë për një eksperimentues që po studion një anestetik të ri. Nëse kafsha do të drogohej (me një anestetik) si do të arrijë studiuesi të kuptojë nëse substanca që po testohet vepron apo jo, pra nëse ka apo jo efekte qetësuese, anestetizuese? Apo si mundet të testohet një substancë kundra dhimbjes, nëse refleksi i dhimbjes është shuar, nga anestetiku?

Po kur kryhen studime mbi epilepsinë, që bazohen mbi analizën e sjelljes së miut (komportamentale), nëse miu është i anestetizuar (droguar), si mund ta marr vesh eksperimentuesi sjelljen e modifikuar të miut?

Si ia bëhet në këto raste?

Mbi të gjithave, para se të fillojë një eksperimentim duhet që dokumentacioni dhe protokolli që mendohet të ndiqet t’i prezantohet një komiteti etik. Komiteti etik, edhe mbi bazën e motivimeve që i shtyjnë eksperimentuesit të ndërrmarin një kërkim të tillë, nëse i konsideron të panevojshme disa eksperimente mund të sugjerojë (disa) ndryshime ndaj protokollit ose edhe të mohojë dhënien e lejes për fillimin e studimit. Për më tepër në rastet kur është ngushtësisht e nevojshme eksperimentimi pa ndihmën e anestezisë atëherë duhet të merren masat që vuajtjet të jenë sa më të pakta.

Ligji imponon, ndër të tjera, që eksperimenti mbi një individ të kryhet vetëm një herë të vetme. Pra, për shembull, nëse protokolli kërkon shkaktimin e një krize epileptike, të gjitha kafshët do t’i nënshtrohen këtij eksprimenti vetëm një herë të vetme gjatë jetës së tyre.

Të gjitha këto me shpresën se do të kuptohet që, laboratorët kërkimorë nuk janë dhoma torture në të cilat veprojnë sadistë, por janë vendi ku punohet për të mirën e të gjithëve (edhe të kafshëve) dhe është ky ndërgjegjësim që e lejon shkencëtarin që të kapërcej vuajtjen e shkaktuar nga fakti se shpesh duhet të sakrifikojë kafshë.

Rinstinkt 2012

———————————————————————————

Antiviviseksionistë si Kreacionistë

Antiviviseksionistë si Kreacionistë

Kushti paraprak për një gjykim korrekt është njohja autentike (e saktë). Njohja është autentike vetëm nëse është objektive, e pa kushtëzuar nga përqasjet ideologjike.

Personalisht, para se të rreshtohesha në mbrojtje të eksperimentimit mbi (me) kafshët, isha asnjëanës, as pro as kundër. Vetëm pasi pata studiuar dhe kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ajo ka, mora pozicionin tim.

Por, a mund të thuhet e njëjta gjë për ata që kundërshtojnë dhe pengojnë eksperimentimin me kafshët, ndër të cilët të parët “animalistët” (kafshistët)?

Nëse një person zgjedh a priori, mbi baza emocionale, se eksperimentimi mbi kafshët është i gabuar dhe është një e keqe, atëherë nuk do të kërkojë informacione në mënyrë objektive, në të kundërt do të priret që të mënjanojë gjithëçka që nuk konkordon (përputhet) me pozicionin e vet a priori-st (mbase duke etiketuar si “shkencë e korruptuar apo arkaike”) ndërsa do t’i jap evidencë të madhe çdo gjëje që në dukje kënaq pozicionin e tij, dhe kur nuk do të mund të gjejë asgjë të vlefshme në mbështetje të tezave të veta, nuk do të vonojë së shtrembëruari faktet për ti përshtatur sipas qejfit të vet.

“Animalistët” (kafshistët) kërkojnë dhe vënë në dukje vetëm dhe vetëm ato çka janë të nevojshme për të ngritur një ide të shtrembëruar mbi eksperimentimin mbi kafshët, duke lënë veçan triumfet e panumërta mjekësore dhe shkencore që kanë ardhur nga një praktikë e tillë. Për më tepër, ndryshojnë faktet duke i përshkruar ashtu siç iu intereson, për shembull rasti Talidomide që “animalistët” (kafshistët) ia mveshin (atribuojnë) kredibilitetit të modelit kafshëror (së kafshës), kur në realitet gabimi i detyrohej një hetimi eksperimental të pamjaftueshëm.

Një “animalist” (kafshist) që “argumenton” mbi eksperimentimin me kafshët është po aq objektiv sa edhe një kreacionist që “argumenton” dhe diskuton mbi evolucionin.

Për t’u marrë me një argument shkencor duhet para së gjithash të zhvishesh nga kushtëzimet ideologjike apo fetare.

Metoda Shkencore bazohet në të treguarit (demonstruarit) me anë të provave vlefshmërinë e asaj çka thuhet apo deklarohet. Çdo gjë që nuk kalon nga kriteret e metodës shkencore, nuk konsiderohet shkencë (për shembull homeopatia!).

Antiviviseksionizmi nuk është shkencë por fe: feja e të besuarit në ekzistencën e metodave zëvendësuese edhe në mungesë të provave.

Unë, duke mos patur një diplomë në inxhinieri, nuk do të guxoja kurrë të shkoja tek një inxhenier dhe t’i thoja se si  duhet  t’i pozicionoi këmbët e urës që po projekton, afërmendsh! Atëherë përse “animalistët” (kafshistët), të cilët nuk kanë as kompetencën më minimale, pretendojnë t’u mësojnë punën kërkuesve shkencorë?!

Edhe nëse do të kishte një diskutim akademik mbi vlefshmërinë e metodës eksperimentale (që nuk ka, sepse vlefshmëria e eksperimentimit me kafshët është e pa kontestueshme dhe pseudo-teoritë e antiviviseksionistëve nuk kanë asnjë kredit mes ekspertëve), përse mos të lejohet që me të të merren personat kompetentë? Çfarë kuptimi do të kishte futja e hundëve në një diatribë mes inhinierësh rreth pozicionimit më të mirë të këmbëve të një ure?

Është e qartë se diferenca mes urave dhe kafshëve qëndron në përfshirjen emocionale të njerëzve përkundrejt argumentit… dhe është pikërisht kjo përfshirje emocionale që (e) paragjykon arsyetimin!

Sigurisht asnjë nuk do të donte të përdorte kafshë në eksperimentimet, por nëse duam që të gjejmë kura për sëmundjet që godasin njerëzimin, nuk ka zgjidhje tjetër, ky është realiteti! Por, jo të gjithë janë të aftë ta pranojnë realitetin kur është i hidhur, shumë njerëz preferojnë të strehohen në iluzione komode dhe të besojnë se ekzistojnë metoda zëvendësuese.

Ata që i gënjen mendja, do të gjejnë gjithnjë dikë që është i gatshëm për të ushqyer iluzionet e veta.

Antiviviseksionistët janë të bindur se ka “shkencëtarë” që mohojnë vlefshmërinë e eskperimentimit me kashët, dhe kjo ushqen iluzionet e tyre.

Në këtë aspekt antiviviseksionistët janë të njëjtë me kreacionistët. Këta të fundit refuzojnë Evolucionin Biologjik dhe janë të bindur se ai është shkencërisht i gabuar (i pasaktë).

Nëse i flisni një kreacionisti ai do t’ju përgjigjet në të njëjtën mënyrë si një aniviviseksionist, duke përdorur të njëjtat fjalë, mjaft që të zëvendësohet “evolucion” dhe “viviseksion” (pra termi i pahijshëm që përdorin dinakërisht për të etiketuar eksperimentimin me kafshët) dhe pjesa e mbetur do të përputhhet perfektësisht:

  • Evolucioni është pseudoshkencë.
  • Viviseksioni është pseudoshkencë.
  • Më parë besohej se Evolucioni ishte i vlefshëm por tani, në dritën e zbulimeve të reja, është obsolet dhe i prapambetur.
  • Më parë besohej se Viviseksioni ishte i vlefshëm por tani, në dritën e zbulimeve të reja, është obsolet dhe i prapambetur.
  • Shkencëtarët e vërtetë refuzojnë vlefshmërinë e Evoluciionit.
  • Shkencëtarët e vërtetë refuzojnë vlefshmërinë e Viviseksionit.
  • Është demonstruar se Evolucioni është shkencërisht jo i vlefshëm.
  • Është demonstruar se Viiviseksioni është shkencërisht jo i vlefshëm.
  • Nëse Evolucioni studiohet ende nëpër universitete kjo ndodh për shkak të masonerisë ateiste.
  • Nëse Viviseksioni studiohet ende në universitete kjo ndodh për shkak të korrupsionit të industrive farmaceutike.
  • Vet docentët që japin mësim janë të ndërgjegjegjshëm për pavlefshmërinë e Evolucionit.
  • Vet docentët që japin mësim janë të ndërgjegjshëm për pavlefshmërinë e Viviseksionit.

E kështu me radhë.

Si përfundim, janë qëndrime foshnjarake, janë persona të refuzojnë të pranojnë realitetin, duke ndërtuar një botë fantazie. Do të ngjallnin dhembshuri apo mëshirë, po të mos ishte se lëvizja “animaliste” (kafshiste), në demokraci, ka shanse të mira për t’i tërhequr të gjithë në një mesjetë të re.

Propaganda “animaliste” (kafshiste) bazohet në slogane (parulla) thjeshtacake që fiksohen mirë në mendjen e turmave, është një indoktrinim i mirëfilltë fideistik i cili ndiqet nga prozelitizmi fetar. Në të kundërt, të përhapësh informacion shkencor të vërtetë, përtej të qenit një detyrë më e vështirë se ajo e të përhapurit fallsitete, ka më pak sukses sepse masat priren të refuzojnë kompleksitetin e argumenteve.

Feja e Krishterë e konsideron embrionin në të njëjtin nivel me një qenie njerëzore, dhe si i tillë duhet mbrojtur (tuteluar) me të njëjtat të drejta.

Feja Antispec(ie)iste i konsideron kafshët në të njëjtin nivle me qeniet njerëzore, dhe si të tilla duhet mbrojtur nga të njëjtat të drejta.

Futja e hundëve të Kishës Katolike hoqi (suprimoi) studimin e qelizave staminale embrionale.

Sektet antispec(ie)iste duan të bëjnë diçka edhe më të rëndë, të frenojnë përfundimisht progresin biomjekësor.

© MV, In Difesa della Sperimentazione Animale

© Rinstinkt,2012, për përkthimin në shqip

Fëlliqësi apo idiotësi?

Fëlliqësi apo idiotësi?*

Keqinformimi “animalist” (kafshist) që po përhapet gjithnjë e më shumë, pretendon se ilaçet gjenerale (apo ekuivalente) nuk janë testuar (apo nuk testohen) mbi kafshët.

Qartësisht, të thuash se ekzistojnë ilaçe të pa testuara, është një tentativë për të zhvlerësuar vlefshmërinë dhe nevojën e Eksperimentimit mbi Kafshët duke qenë se indukton në mendimin: “ ja shiko, ekzistojnë edhe ilaçe të pa testuar, pra eksperimentimi tek kafshët nuk i shërben askujt (për asgjë)”.

Një keqinformim i tillë ngrihet mbi një ekuivok që “animalistët” (kafshistët) nuk duan ta shpjegojnë (qartësojnë), pra: fakti se firma të caktuara farmaceutike prodhojnë ilaçe pa i testuar, nuk do të thotë se formula e atyre ilaçeve nuk është testuar më parë (në precedencë). Bëhet fjalë për përbërje të testuara nga një tjetër firmë farmaceutike, për të cilat patenta (e shpikjes, e krijimit etj.) ka skaduar dhe, natyrisht, mund të prodhohen lirisht edhe nga firma të tjera farmaceutike. Janë formula kimike të njohura, pra nuk ka asnjë arsye për të përsëritur të njëjtat teste.

Ilaçi është një substancë e testuar për antonomazi. Nuk ekziston ilaç i pa testuar. Nëse nuk është (i) testuar, nuk është një ilaç.

Mos u gënjeni, çdo herë që përdorni një ilaç, jeni duke përdorur dhe shfrytëzuar disa avantazhe që vijnë nga eksperimentimi me kafshët.

Ka pastaj “animalistë” (kafshistë) që janë plotësisht të ndërgjegjshëm për ato çka thonë, por që, sidoqoftë, të nxisin që të zgjedhësh ilaçet ekuivalente si formë bojkoti, me qëllim heqjen (zvogëlimin) e fitimit të industrive kryesore farmaceutike që praktikojnë eksperimentimin me kafshët për të zbuluar kura të reja (për sëmundje që sot janë të pashërueshme, p.sh.).

Me premisën se patologjitë e pa kurueshme të së shkuarës, janë aktualisht të kurueshme falë eksperimentimit, së shkuar, mbi kafshët, mund ta përkthejmë motivimin e këtyre “animalistëve” (kafshistëve) me këto fjalë: ne, që kemi fatin të mos kemi sëmundje të pa kurueshme, përfitojmë nga avantazhet që vijnë nga eksperimentimi i bërë mbi kafshët në të shkuarën, ndërsa ata që sot vuajnë nga sëmundje të pa kurueshme, mund edhe të vdesin!

Ky lloj mendimi është aq shumë përçmues (apo nënvlerësues) saqë të ndjell neveri, ndot deri edhe revoltë.

Që të jetë e qartë, për të shmangur keqkuptime, saktësojmë se nuk po kundërshtojmë (kritikojmë) aspak zgjedhjen (përdorimin) e ilaçeve ekuivalentë!! Ajo që konsiderojmë si të neveritshme është motivimi i sapo ilustruar (që qëndron pas).

Mëpastaj, çfarë mund të pritej tjetër nga të njëjtët njerëz që organizohem për të bojkotuar mbledhjen e fondeve për  kërkimin shkencor kundër kancerit dhe sëmundjeve të tjera të rralla?!

Fillimisht çdokush do të ishte i prirur që t’i cilësonte këta persona si të neveritshëm. Por le të marrim parasysh shkrimin e Carlo M. Cipolla, mbi budallallëkun, Allegro Ma Non Troppo, dhe në veçanti dallimin  mes njerëzve të këqinj dhe njerëzve budallenj:

  • Një person i keq (që Cipolla e quan “bandito”) është një person që për të patur një avantazh për veten i sjell një dëm (humbje, të keqe) një tjetri.
  • Një person budalla është një person që i provokon një dëm (humbje, të keqe) tjetrit pa e kuptuar, dhe pa asnjë përfitim për veten, në të kundërt, i sjell (provokon) dëm (humbje) edhe vetes.

Mund të thuhet se ata që bojkotojnë fushatat për mbledhjen e fondeve kundër kancerit futen në përshkrimin e dytë, duke qenë se i shkaktojnë një dëm të tjerëve (të sëmurëve me kancer) dhe me shumë mundësi edhe vetes së vet duke qenë se të gjithë jemi pak a shumë vulnerabël (“të dobët”) ndaj një sëmundjeje të tillë.

© In Difesa della Sperimentazione Animale

© Rinstinkt, 2012, për përkthimin në shqip

*Titulli është disi i përshtatur