Pickimi i mushkonjës

Pickimi i mushkonjës

Evolucioni i pickimit të mushkonjës

Personalisht i urrej mushkonjat. Vetëm për faktin se edhe kur gjendem i shoqëruar me njerëz të tjerë, unë jam gjithnjë preja e parapëlqyer. Shpesh më ka ndodhur të mendoj se përse mushkonjat pickojnë pikërisht mua… por pa gjetur ndonjë përgjigje të kënaqshme. Megjithatë…

Mushkonja e llojit Aedes aegypti (Wikipedia)

Mushkonja e llojit Aedes aegypti (Wikipedia)

Sipas një studimi të ri shkencor mushkonjat e zgjedhin prenë e vet, nga ku thihin gjakun, sipas një skeme mjaft të ndërlikuar, të formësuar nga koha e gjatë evolutive.

Kjo skemë zgjedhjeje kërkon që mushkonjat të vlerësojnë një sërë elementësh si, dioksidi i karbonit (CO2), nxehtësia trupore apo edhe era e lëshuar nga trupi i njeriut. Të gjitha ndryshore që kontribuojnë në zgjedhjen e subjektit që do të pickohet.

Studimi rezultatet e të cilit po mundohem të bëj të njohur për lexuesin besnik të blogut tim, përfundon duke u shprehur se, për të shtyrë një mushkonjë që të pickojë një subjekt të caktuar, duhen të paktën dy nga tre ndryshoret e sipërcituara.

Studiuesit që kanë realizuar kërkimin shkencor i kanë përftuar këto të dhëna nëpërmjet inxhenjerisë gjenetike, duke ndërtuar një mutant të llojit  të mushkonjës Aedes aegypti, që është edhe vektori i etheve të verdha (një sëmundje infektive). Mutacioni që kanë induktuar tek kjo specie mushkonje kishte të bënte me mungesën e një gjeni specifik, që ishte përgjegjës për sintezën e receptorit që detekton dioksidin e karbonit në ambientin rrethues. Pra kur mungon gjeni, mungon edhe receptori për CO2, që nuk është gjë tjetër veçse një njëpasnjëshmëri aminoacidesh që formojnë mëpastaj një strukturë trepërmasore që në gjuhën popullore quhet proteinë.

Kështu, duke i lëshuar këto mushkonja të tjetërsuara në ambient, e duke krahasuar aktivitetin e tyre pickues me atë të mushkonjave të ashtuquajtura wild type, u vu re se këto mushkona të modifikuara – pa receptorë për dioksidin e karbonit – kishin 15% më pak mundësi për të kapur prenë e vet. Pra vetëm 15% më pak, mundësi/aftësi… meqë ekzistojnë, pra, edhe faktorë/ndryshore të tjera që kontribuonin, të cilët faktorë ishin të patjetërsuar (nxehtësia trupore dhe era e trupit).

Shpjegimi që japin shkencëtarët është ky: që kombimini i këtyre tre ndryshoreve kryesore e rrit jashtëzakonisht shumë aftësinë e mushkonjave për të kapur me efikasitet njerëzit dhe për t’i pickuar. Kjo ngase nëse mushkonjat do të ishin të tërhequra vetëm nga nexehtësia, kjo do të përbënta njëkohësisht edhe një humbje të madhe kohe, meqë nxehtësi lëshojnë një numër shumë i madh trupash. Për këtë arsye logjike gjatë kalimit të kohës, brez pas brezi, kanë mbijetuar (janë seleksionuar) ato mushkonja që kanë vlerësuar edhe ndryshore të tjera gjatë vendimmarrjes, si prania e dioksidit të karbonit dhe era e trupit.

Përse u intereson shkencëtarëve ky zbulim, apo edhe të tjera zbulime të ngjashme? Ndokush në pamje të parë mund të mendojë, gabimisht, se kjo është një humbje kohe. Në fakt nuk është kështu. Të njohurit e mekanizmave gjenetikë dhe më gjerë biologjikë, që udhëheqin jetën, dhe në rastin më specifik mushkonjat, na ndihmon që të gjejmë edhe pika të dobëta në fiziologjinë e tyre.
Kështu mund të krijojmë edhe ilaçe, “repelentë”, apo pesticide më të mirë, të cilët mund t’i përdorim kundër Aedes aegypti apo edhe kundër Anopheles gambiae (përhapësia e parazitëve të malaries). Shembuj analogë mund të jepen edhe për kërkimin shkencor në fusha të tjera.

Pra duhet kuptuar që kërkimi shkencor dhe financimi i tij, sidomos publik, është i një rëndësie të jashtë zakonshme, jo vetëm për mirëqenien e njeriut.

Rinstinkt, 2014

Bibliografia:

  • Multimodal Integration of Carbon Dioxide and Other Sensory Cues Drives Mosquito Attraction to Humans  – Cell, Volume 156, Issue 5, 27 February 2014, Pages 1060-1071

[Nëse postimi të pëlqeu, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————-

Reklama

Mes animalistëve shqiptarë…

Një udhëtim në botën e animalistëve shqiptarë

Të martën, mësoj se në Tiranë, përpara Bashkisë, është bërë një protestë nga një grup njerëzish, të cilët protestonin për vrasjen e qenve të rrugës nga institucione të lidhura me qeverisjen lokale.

animal cheBashkia e Tiranës duket se ka ndërmarrë një fushatë pastrimi të rrugëve të qytetit nga qentë endacakë dhe të papronarë apo të braktisur nga pronarët. Nisma e Bashkisë së Tiranës është një nismë e nevojshme, por që nga mënyra e procedimit kërkon debat, me të drejtë.
Është e nevojshme si nismë sepse qentë e rrugës janë një problem për qytetarët që jetojnë përditë në Tiranë, e gjetiu. (Se përse janë problem këtë bëni mirë t’ua kërkoni atyre që aktualisht jetojnë në Tiranë.)
Nga ana tjetër kërkon debat sepse siç e tregojnë edhe këta njerëz që protestojnë, mënyra e zgjedhur nuk përshtatet me botëkuptimin e tyre, apo të një pjese specifike të popullsisë.

Duhet thënë se protestuesit kërkonin që kafshët të mos vriteshin, por nga ana e tyre nuk jepnin ndonjë propozim më të mirë, më sustainable, pra të përballueshëm dhe racional, për zgjidhjen e këtij problemi akut dhe pse jo kronik.

Që do të thotë, se, nëse ka kërkesa që ato kafshë endacake të trajtohen si mbretër, këta protestueseë duhet t’i paraqesin qeverisjes lokale apo qëndrore fondet me të cilat të përballohet ky trajtim i kafshve endacake sikur të ishin mbretër.

Personalisht më duket se qeverisja lokale apo ajo qëndrore kur ballafaqohet me të tilla problematika duhet ta zgjidhi çështjen me racionalitet dhe me sa më pak klithma e ulërima.

Nëse ekziston një mënyrë tjetër për të zgjidhur problemin e qenve të rrugës, atëhere këta protestues do të bënin mirë që t’ia propozonin qeverisjes, lokale apo qëndrore. Thjeshtë protesta nuk mjafton, meqë nesër mund të dalë ndokush dhe të pretendojë se ngjyra e qiellit nuk i pëlqen… dhe do të qielli, bie llafi, të ketë një ngjyrë mavi apo manushaqe.

Pra të pretendosh ngritjen e “shtëpive të pushimit” për qentë e rrugës, kjo më duket krejt foshnjarake, dhe ngjason me qëndrimi i kalamajve që u kërkojnë prindërve të vet, gjëra të pamundura pa dashur t’ia dinë se si dhe se çfarë implikimesh kërkon një gjë e tillë. Përse? Sepse ngritja e këtyre qëndrave do të kërkonte fonde, të cilat ma ha mendja se mund të përdoren në mënyra të tjera në shërbim të drejtëpërdrejtë të njerzve. Të ndërtosh këto qendra, do të thotë se do t’u jepet qenve një vend qëndrimi në pritje të një adoptimi. Gjë që është shumë pak propabël, meqë po të sihte kështu nuk do të kishim përfunduar këtu ku jemi… Pra nuk do të kishte patur arsye që njerzit t’i braktisnin kafshët…

Por krahasimi i mësipërm çalon, sepse protestuesit për nga mosha nuk janë foshnje; duket se janë goxha të rritur. Me gjithatë, këta protestues nuk e kuptojnë, apo nuk duan ta kuptojnë se administratorët qëndrorë dhe/apo lokalë duhet të kenë disa përparësi. Njerëzit që kemi vendosur në administratë, apo që janë katapultuar në administratë në një mënyrë apo në një tjetër, mendohet se qeverisin njerëzit, dhe jo kafshët.
Pra administrata lokale apo qëndrore duhet të ketë në thelp të politikave të saja mirëqenien e njerëzve. Që do të thotë, me pak fjalë, se nëse për të patur apo mbërritur në një gjendje më të mirë për njerëzit, kërkohet edhe burgimi apo edhe vrasja e qenve endacakë, atëhere nuk shikoj se përse kjo nuk duhet të bëhet.

Kjo mund të shtrohet ndryshe kështu, mes kafshve dhe njerzve, kë duhet të zgjedhim? Unë zgjedh, njerëzit, pa dyshim!

Tani le të bëjmë udhëtimin mes animalistëve (#nazimalistëve) shqiptarë…
Ja disa pamje të komenteve të lëna në faqen e lëvizjes së tyre në Facebook; pamjet e mëposhtëme janë marrë, dje mbërma datë 25.03.2014 në faqen Facebook të AnimalRescueAlbania. Në momentin e fiksimit komentet e mëposhtëme ishin publike. Ndërkohë këto komente mund edhe të jenë fshirë, nga administratorët apo nga personat përgjegjës.

animalistët 1

Zonja apo zonjusha duket se për të mbrojtur qentë, pavarësisht faktit nëse këta qenër janë problem apo jo për shoqërinë dhe njerëzit që jetojnë në Tiranë, uron me vdekje, siç edhe mund të shihet më sipër, disa njërëz, që ndryshe nga kafshët, për të ngrënë bukën e ditës apo për të mbajtur fëmijët e vet, u duhet të punojnë…

 

animalistët 2

Ndërsa kjo zonjë/zonjushë tjetër, u uron një vdekje të ngjashme. Mund të themi, pa dyshim, se personi në fjalë në një luftë hipotetike për mbijetesë mes njerzve dhe kafshve, do të zgjidhte kafshët. Megjithatë, nëse pohimi apo supozimi i bërë nga unë nuk qëndron, do të jem mjaft i kënaqur që ta modifikoj…

 

animalistët 3

Kjo zonja/zonjusha tjetër, u uron funksionarëve të administratës një kancer… shpresojmë që të mbetemi në nivel urimi. Përndryshe psersoni në fjalë, sipas ligjeve, europiane mund të përndiqet penalisht. Madje, për këtë dhe raste të tjera të ilustruara policia e shtetit nuk do të bënte keq të hetonte.

animalistët 4

Një urim tjetër. Shpresoj shërisht, të mbetemi në nivel urimi, pa kaluar në praktikë…

animalistët 5

Ky është një koment emblematik, që ilustron më së miri atë që analistët dhe filozofët që merren prej kohësh me lëvizjet majtiste për të drejtat e kafshve, e quajnë një formë të re feje, që kërkon apriori të drejta të barabarta mes kafshve dhe njerzve. Për më shumë mund të lexohet një artikull i botuar në këtë blog, disa kohë më parë: “Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve

 

animalistët 6

Ky është urimi më i bukur që mund të marri një njeri nga një tjetër njeri… që do kafshët.

Meqë këtu në këtë blog, së bashku me miq, kemi kohë që merremi me këto fenomene të irracionalitetit njerëzor, për këto lëvizje të reja pothuaj-fetare e dogmatike… më poshtë po shtojmë një listë modeste me artikuj që kanë të bëjnë thelpësisht me marrëdhënien e njeriut me kafshët.

>Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve”
>Sterilizimi dhe pseudombrojtësit e kafshëve
>Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët
>Shfarojse po, eksperimentim jo – irracionaliteti animalist
>Himnizimi i Dhunës
>Antiviviseksionistë si Kreacionistë

Rinstinkt, 2014

——————————————————————————–

 

Enterovirusët, Poliovirusët, Poliomieliti dhe vaksinat e Poliomielitit

Enterovirusët, Pikornavirusët, Poliovirusi, sëmundja e Poliomielitit dhe vaksinat për sëmundjen e Poliomielitit

Poliovirusi bën pjesë tek Pikornaviridae-t (piko-rna-viridae: pra viruse të vegjël me material gjenetik ARNnë), nëngrupimi Enterovirus.

Kristale të një poliovirusi në brendësi të një qelize

Kristale të një poliovirusi në brendësi të një qelize

Enteroviruset janë një grup virusesh të klasifikuar në pesë specie/lloje: Poliovirus dhe enterovirus A, B, C, D. Enteroviruset janë në gjendje të rezistojnë ndaj ambientit të jashtëm, transmetohen nëpërmjet cirkuitit oro-fekal, hyjnë në organizëm nëpërmjet mukozave të oro-faringut apo traktit gastro intestinal. Janë rezistent ndaj lëngut gastrik dhe lëngut të fshikëzës të tamblit.

Virusi i poliomielitit

Infektimi me virusin e poliomielitit

Poliovirusët , ndër enterovirusët, janë ata më të famshmit. Janë shkaktarë të poliomielitit paralitik, një sëmundje paralizuese deformuese që prek kryesisht fëmijët deri në shtat vjeç.

Virusi i poliomielitit, duke hyrë nëpërmjet mukozës së traktit tretës, mbërrin në nevr-aks (palcën kurrizore) dhe dëmton neuronët motorë (neuronët që përbëjnë rrugën dalëse të impulseve motore, pra ata neurone të eksitojnë indin muskulor) duke shkaktuar paralizë të muskujve përkatës.

Sëmundja e poliomielitit në ditët e sotme dhe vaksinat kundër poliomielitit

Sot poliomieliti është një sëmundje e çrrënjosur falë vaksinimit të detyrueshëm të popullatës.

Vaksina  e parë e zhvilluar për sëmundjen e poliomielitit ishte vaksina e Koprowskit, një virolog. Vaksina konsistonte në një sierotpi të virusit të dobësuar.

Më pas doli vaksina e dytë për poliomielitin; vaksina e Salkut (viruse të inaktivizuar me anë të formalinës). Vaksian e Salk-ut është realizuar duke kultivuar poliovirusin në një kulturë indore të veshkës së majmunit, mëpastaj inaktivizuar me formalinë.

Më pas u pasua nga vaksina e Sabin-it (virus i dobësuar që replikohet por nuk arrin të kalojë përtej mukozës intestinale, dhe që provokon një përgjigje të fortë antikorpale, me pasojë krijimin e imunitetit intestinal).

(Lidhja me eksperimentimin shkencor-me kafshët është e qartë…)

Rinstinkt 2013

———————————————————————————————

Një lloj i ri pacemaker-i; pacemaker biologjik

Një lloj i ri pacemaker-i; pacemakeri biologjik

Në 17 dhjetor të viti të kaluar, në Nature Biotechnology është botuar një studim që përshkruan punën e disa kërkuesve shkencorë të cilët kanë arritur që të krijojnë një pacemaker biologjik.

Shkencëtarët kanë shndërruar apo transformuar qelizat normale të zemrës, pra ato që kanë funksion tkurrës, në qeliza pacemaker, pra në qeliza të afta për t’u veteksituar.

Skemë që tregon rrugët përçuese të impulsit kardiak, nga nyja senoatriale e deri në miokardin ventrikular

Skemë që tregon rrugët përçuese të impulsit kardiak, nga nyja senoatriale e deri në miokardin ventrikular

Qelizat pacemaker janë ato qeliza të muskulit kardiak që kanë pak fibra proteinike me funksion tkurrës, ndërsa kanë aftësinë të gjenerojnë ritmin kardiak. Grupimi kryesor i qelizave pacemaker të zemrës është ai i njyes sinoatriale, i cili edhe imponon ritmin e vet grupimeve të tjera me frekuencë veteksitimi më të vogël.

Risia është se, shkencëtarët kanë krijuar një lloj të ri pacemakeri. Ndryshe nga ai artificiali, pacemakeri biologjik është krijuar duke futur në disa qeliza të zemrës së një derri indie (kavieje) gjenin e quajtur Tbx18, i cili nxit qelizat embrionale kardiake të diferencohen në qeliza pacemaker.

Pas disa ditësh, qelizat në të cilat ishte futur gjeni në fjalë, gjeneruan impulset e para elektrike në mënyrë të vetvetishme dhe ishin të padallueshme nga qelizat pacemaker origjinale, native.

Ky është një zbulim që ka potenciale të mëdha sepse mund të hapi rrugën drejtë një terpaie të re për të kuruar disa shqetësime të zemrës.
Përqasja në fjalë mund të testohet tek njerëzit dhe terapia mund të realizohet duke injektuar gjenin që kryen përdallimin në një grup qelizash të zemrës së pacientit ose duke transplantuar qeliza pacemaket të krijuara në laborator.

 

  • Nidhi Kapoor, Wenbin Liang, Eduardo Marbán, and Hee Cheol Cho. (2012). Direct conversion of quiescent cardiomyocytes to pacemaker cells by expression of Tbx18. Nature Biotechnology. doi:10.1038/nbt.2465

Rinstinkt, Maj 2013

—————————————————————————-

Qëndrimi dogmatik ndaj eksperimentimit shkencor me kafshët

Qëndrimi dogmatik absolutist ndaj eksperimentimit shkencor me kafshët

Për animalistët (kafshistët) që arsyetojnë, në pamje të parë, në terma pseudo-etikë, eksperimentet shkencore mbi kafshët janë të gjithë e njëjta gjë.

Animalistët (kafshistët) harrojnë ose nuk duan të thonë se, në eksperimentimin me kafshët janë të prëfshira mijëra e mijëra modele të ndryshme, që përdoren në një miriad eksperimentesh e hipotezash të ndryshme që duhen testuar.
Nuk mund të grumbullohen së bashku, sikur të ishin rraqe, të gjitha teknikat e eksperimentimit shkencor mbi kafshët. S’ka kuptim.

Nëse një studim tregon se minjtë  (një lloj i caktuar miu) është një model i keq për studimin e sistemit imunitar njerëzor, kjo nuk do të thotë se është një kritikë e përgjithshme ndaj të gjithë eksperimentimit me kafshët.
Nëse kjo interpretohet kështu dhe mbi këtë  keqinterpretim të qëllimshëm keqinformohet publiku kjo lind nga dashakeqësia dhe injoranca e këtyre grupimeve.

Pra, nga një kritikë e tillë, nuk mund të nisesh e të deklarosh se, për shembull, macja është një model i keq për eksperimentet që kanë të bëjnë me shikimin…

eksperimentimi shkencorIdeja e kritikimit të eksperimentimit mbi kafshët, in toto, nuk mund të funksionojë kurrsesi sepse kritikon njëherësh shumë gjëra të ndryshme me njëra-tjetrën.

Mbase nga qëndrimi i tyre pseudo-etik, të gjitha kafshët (modelet kafshë) ngjajnë me njëra-tjetrën, por qëndron fakti se shkencërisht mes dy modelesh-kafshë të ndryshme mund të ketë më shumë diferenca nga sa ka mes një modeli dhe një sistemi testimi (përplotësues) in vitro.

Ekziston një deferencë thelbësore mes atyre që mbrojnë eksperimentimin mbi kafshët dhe thonë “Po eksperimentimit shkencor mbi kafshët!” dhe atyre që thonë “Jo ndaj eksperimentimit shkencor mbi kafshët”.

Mbrojtësit kanë ndërmend përdorimin e modeleve specifike të kafshëve kur nevojiten, dhe ka të bëjë me modelin më të mirë që kemi aktualisht… për studimin e një patologjie të caktuar, bie llafi.

Ndërsa animalistët, kur kokëfortësiisht pozicionohen kundër eksperimentimit me kafshët thonë, jo ndaj të gjitha modeleve-kafshë, jo ndaj të gjitha rrethanave dhe jo pavarësisht rrethanave.

Përqasja e mbështetësve të eksperimentimit shkencor mbi kafshët është racionale, sepse ka të bëjë me vlerësimin dhe gjykimin rast pas rasti, ndërsa pozicioni i animalistëve (kafshistëve) ësthë absolut, dogmatik, obskurantist.

Dhe kur mban një qëndrim dogmatik, absolutist, dihet ku e ke vendin. 😉

Rinstinkt 2013

——————————————————————————————–