Mospërputhja miopike

Miopia, evolucioni i llojit njerëzor dhe jetesa moderne.

Miopia është një difekt pamor që karakterizohet nga një pamje e qartë e objekteve të afërta dhe nga një pamje e mjegullt e objekteve të largëta. Në miopi ekziston natyrisht një predispozim gjenetik – tek e fundit gjenetika është kurdo dhe kudo. Për shembull, ekzistojnë familje ku miopia ka qenë dhe është e trashëguar brez pas brezi.

Por çfarë lidhje ka evolucioni me miopinë? Ata që janë të informuar rreth biologjisë, apo që lexojnë këtë blog, patjetër që e dinë se evolucioni nuk ka kohë të veprojë në pak dekada. Evolucioni i llojit tonë nuk ia del që t’i qëndrojë pas evolucionit dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike, ekonomike dhe shoqërore që kanë prekur dhe sjellë dobi të madhe njerëzimit (megjithëse me anët e veta negative).

Nëse e shikojmë këtë difekt pamor nën dritën evolutive, vëmë re se miopia është një problem që shkaktohet përmes ndërveprimit të gjeneve me atë që rëndom quhet kulturë por që nuk është gjë tjetër veçse ambienti dhe dezajni i jetës sonë.

Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij natyrore, njeriu ka jetuar në hapsira të mëdha, me dritë dielli të bollshme, ku pjesa më e madhe e punës së syve bëhej në distanca të gjata, jo të afërta. Gjuetarë-mbledhësit e 50-200.000 viteve më parë i përdornin sytë për të parë prej së largu, për të dalluar prenë apo predatorin.

Por kultura apo ambienti ynë i sotëm bën që individët, që të vegjël, të kalojnë orë të tëra të ditës në ambiente të brendshme, të mbyllura, larg dritës së diellit, duke e përqëndruar shikimin kryesisht në punë dhe objekte të afërta siç janë librat apo ekranet e pajisjeve elektronike.

Një faktor i rëndësishëm duket se është edhe ekspozimi ndaj dritës natyrale. Fëmijët që kalojnë më shumë kohë në ambiente të hapura kanë më pak risk për miopi. (Dopamina, retina, transmetimi i sinjaleve në tru, zgjatja e syrit.)

Këto praktika gjatë rritjes së syri kur trupi është ende në zhvillim kanë krijuar një situatë kur rreth gjysma e individëve në Europë dhe në SHBA janë sot miopë, ndërsa trendet botërore shkojnë drejtë asaj që përshkruhet si një epidemi miopie.i

Ky është një shembull i mismatchit, pra i mospërputhjes mes gjeneve dhe ambientit të tyre ideal. Gjenet që rregullojnë syrin në morfologji dhe funksion janë formësuar në, nga dhe për një ambient dhe rrethana që sot nuk ekzistojnë më apo nuk janë gjerësisht të gjendshme. Sot ambienti ynë është radikalisht i ndryshëm nga ai ku specia jonë ka kaluar pjesën e stërmadhe të historisë së vet natyrore.

Shikimi i keq që vjen prej miopisë tek njerëzit në ditët e sotme është një efekt anësor i ambientit tonë modern, me hapsira të kufizuara, jetesë në ambiente të brendshme dhe reduktim i kohës që kalojmë jashtë.

Deri para pak brezash shumë pak individë vuanin nga miopia. Kjo tregon se miopia nuk është një problem gjenetik, sepse përndryshe do të ishte shfaqur edhe më herët në historinë e njerëzimit.
Në të kundërt gjenet që kodojnë për morfologjinë dhe funksionin e syrit janë selektuar që të përshtaten me ambientin ku specia njerëzore është formësuar.

Ne nuk jetojmë më në atë ambient. Këto gjene, në ditët e sotme, vazhdojnë të kryejnë funksionin e vet, por ajo që ka ndryshuar është stimuli i jashtëm – në këtë rast se si dhe sa gjatë ushtrohet shikimi në objekte apo detyre të afërta, dhe se sa në objekte të largëta. Jetesa moderne, me ambientet e kufizuara, me leximet e zgjatura, me objektet dhe ekranet elektronike duket pra se e bën syrin që ketë një prirje për shikimin nga afër, dhe prej këtej vjen kjo rritje në tendencat miopike.

Rasti i Taivanit është një model i mirë: në një hark të shkurtër kohor shoqëria taivaneze u shndërrua nga agrare në një shoqëri me ndërtesa moderne dhe zzra të ngushta. Si pasojë normat e tyre të miopisë kaluan nga 74% që ishin në 1986 në 84% në vitin 2000 (tek fëmijët 12 vjeç)ii.

Natyrisht që miopia korrigjohet me lente, pra syze. Por ndoshta do duhej që të bënim një korrigjim më radikal, në mënyrën se si jetojmë?

i Vitale, S., Sperduto, R. D., and Ferris, F. L., 3rd (2009) Increased prevalence of myopia in the United States between 1971-1972 and 1999-2004. Arch Ophthalmol 127, 1632-1639 

ii Lin, L. L., Shih, Y. F., Hsiao, C. K., Chen, C. J., Lee, L. A., and Hung, P. T. (2001) Epidemiologic study of the prevalence and severity of myopia among schoolchildren in Taiwan in 2000. J Formos Med Assoc 100, 684-691

© Rinstinkt Blog / Rizvan Myrtaj 2020

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s