Mbi bletët, organizimin shoqëror të bletëve, altruizmin dhe seleksionin natyror

Mbi bletët, organizimin shoqëror të bletëve, altruizmin dhe seleksionin natyror

(Pjesa e mëposhtëme është lënë, më parë, si koment këtu: “Le të pyesim bletët“)

Sjellja e bletës individuale është tejet altruiste. Altruizmi është një ndër mjetet e korpusit total të procesit evolutiv.
Ka diçka paradoksale, gjithnjë sa hetë tentohet trajtimi i këtyre temave. Gjithsesi mund t’i shpërtojmë këtij paradoksi duke kujtuar edhe një herë se njësia e seleksionit nuk është individi, pra as bleta e as njeriu, por gjenet e tij.

bletaSado që bleta punëtore në vetvete nuk mund të riprodhohet, ajo ndan me shoqet e veta një pjesë të individualitetit të vet, që me përkufizim nuk është më individuale por e përbashkët. Janë gjenet, apo një pjesë e gjeneve.

Unë nuk jam i azhurnuar mbi këto tema por diçka e di, dhe do ta them. :)

Di se ka patur debate akademike mbi mekanizmin, apo më saktë mbi emërtimin që duhet të merrte ky mekanizmi i bashkëpuminit të milingonave dhe bletëve, për të mirën e përbashkët.

Disa apelonin për futjen e “inclusive fitness” disa të tjerë për teprinë e këtij termi duke replikuar se kjo lloj sjellje është veçse një aspekt i mekanizmave më të gjerë evolutiv, që vihet re vetëm në qeniet eusociale.

Bleta sado që nuk riprodhohet, ka individualitetin e vet. Dhe duke ndihmuar kolektivin ku bën pjesë, edhe këta individë pa aftësi riprodhuese, ndihmon në mbijetesëne kosheres së vet, në totalitetin e saj apo më mirë të them në totalitetin e përbashkët. Lutem mos i mvishni bletës intencion, ai është veçse aparent, sikundër edhe tek njerëzit në ato çka bëjmë përdita. Nëse mbijeton kosherja mbijetojnë gjenet e përbashkëta.

Pra altruizmi, mund të shpjegohet fare mirë me ndihmën që japin në shpërndarjen e këtyre gjeneve të përbashkëta këto bletë punëtore. Edhe kur dëmtohet individi, ka një të mirë, qëllimi i humbjes është shpërndarja e gjeneve. Kjo ide e të parit të gjeneve përkundër individëve është më e re se Darvini. Përkon në mos gaboj me rizbulimin e gjenetikës mendeliane, kombinimin e kësaj me idetë darviniane dhe formulimin e kornizës së neo-Darvinizmit.

Stresoj sërisht faktin se inclusive fitness nuk qëndron mëvetësisht nga seleksioni natyror. Është më shumë një mjet i tij dhe siç është quajtur nga Nowak el al. një konstrukt sipërfaqësor (superfluous) (“abstract enterprise”).

Rinstinkt

————————————————————-

Reklama

Metoda e Ovulimit Billings

Metoda e Ovulimit Billings

Shenjat e pjellorisë tek femra

Pjelloria e një femre varet nga procesi i ovulimit dhe zgjat derisa veza qëndron në jetë.
Shenja më e rëndësishme/kryesore e pjellorisë, që shfaqet pikërisht gjatë ditëve të ovulimit, është prania e mukusit, elastik, transparent, fluid, si ujë (i ngjashëm me të bardhën e vezës, albuminës).
Ky lloj mukusi tregon se një femër po ovulon, pra është pjellore.

Mukusi i qafës së mitrës

  • Rregullon pjellorinë, duke lejuar apo mohuar kalimin e spermatozoidëve nga vagina për në mitër.
  • Bllokon spermatozoidët që nuk janë të aftë për pllenim; pra kryen njëfarë seleksionimi të spermatozoidëve më të lëvizshëm/fuqishëm.
  • Në periudhën pjellore lehtëson kalimin e spermatozoidëve dhe i mban ata të gjallë e të lëvizshëm. (Spermatozoidët e ngecur në qafën e mitrës, mund të mbijetojnë nga 3-5 ditë, të ushqyer nga mukusi.)

Metoda Billings

Metoda e Billings-it është një nga metodat natyrore të rregullimit të pjellorisë së femrës dhe më tej të çiftit me ndihëm e partnerit. Metoda e Billings-it bazohet mbi ovulimin, dhe emërtohet edhe me siglën BOM (Billings Ovulation Method). Metoda aplikohet duke monitoruar pjellorinë, me identifikimin e ditëve pjellore dhe ditëve jopjellore gjate çdo cikli menstrual pavarësisht nëse ky i fundit është i rregullt ose jo.

Kjo metodë e kontrollit të natyrshëm të pjellorisë ka një efikasitet apo efektshmëri të ngjashme me atë të përdorimit të pilulës estro-progestinike. Me një IP prej 0,07-0,5.

Metoda e Billings-it bazohet mbi perceptimin e një ndjenje lubrifikimi, njomjeje, lagështie, të vulvës në afërsi të ovulimit – procesit fiziologjik të lëshimit të një veze nga vezotet e femrës.
Pikërisht gjatë ditëve në afërsi të ovulimit femra ka në vaginë një ndjesi lagështie/njomësie që shkaktohet nga përbërja e veçantë që ka mukusi i qafës së mitrës gjatë kytëre ditëve.

Zakonisht mukusi i qafës së mitrës është i dendur, duke luajtur roolin e një tape që ka si funksion kryesor atë të “izolimit” të zgavrës së mitrës nga vagina. Vagina vetë ka një florë bakterore rezidente, që mukusi i qafës së mitrës nuk e lejon të kalojë sipër.

Disa ditë para se të ndodh ovulimi – lëshimi nga vezorja i një qelize vezë – mukusi fillon e hollohet, duke marrë një konsistencë ujore, më të rrjedhshme, më fluid, e duke shkaktuar kësisoj ndjesinë e të lagurit. Dita e fundit në të cilën kihet ndjenja e lagështisë, merr emrin “dita e pikut”, dhe i përket momentit të pjellorisë maksimale të femrës. Deri sa ndjenja e të lagurit vazhdon, piku nuk ka mbërritur akoma. Dita e pikut dallohet a posteriori, një ditë më pas, kur mukusi që zbret nga qafa e mitrës fillon e bëhet më konsistent, pra më pak i rrjedhshëm, fluid, e më pak i njomë.

Ovulimi ndodh zakonisht një ditë pas ditës së pikut. Gjithsesi ovulimi mund të verifikohet në një interval, tre ditë para e dy ditë pas ditës së pikut. Dita e pikut i referohet ditës kur mukusi ka patur rrjedhshmërinë më të madhe.

Pra,  periudha potenciale e pjellorisë shkon nga fillimi i ndjesisë së të lagurit e deri në tre ditë pas ditës së pikut. Në këtë periudhë kohore mund të kërkohet/realizohet shtatëzania.

 Regjistrimi i një cikli

Gruaja është në gjendje që nëpërmjet vëzhgimit të mukusit; vëzhgimit të mënyrës se si ai ndryshon, dhe regjistrimit të tij, të njohë ditë pas dite në cilën fazë të ciklit menstrual gjendet. Informacionet e përftuara kësisoj mbi pjellorinë e vet, femra mund t’i shfrytëzojë për të arritur një shtatëzani (ose për të mos e patur atë) gjatë ciklit menstrual të rregullt ose jo të rregullt, gjatë ushqimit me qumësht gjiri, e gjatë perimenopauzës.

Lexo dhe: * Sistemi riprodhues femëror  * Cikli menstrual

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

———————————————————————————————————–

“Eksperimentimi me Kafshët” është sinonim i “Viviseksionit”?

“Eksperimentimi me Kafshët” është sinonim i “Viviseksionit”?

Domethënia e një fjale atribuohet mbi bazën e etimologjisë dhe të përdorimit. Nga pikëpamja etimologjike, viviseksioni është një term që tregon vetëm ato teknika laboratorike për ushtrimin e të cilave kërkohet prerje e indit të kafshës in vivo (nën anestezi të përgjithshme apo zonale); pra nuk i përmbledh të gjitha metodat eksperimentale që nuk kanë të bëjnë me prerjen e indit të kafshës.

Nga pikëpamja e përdorimit, në ambientin shkencor termi nuk është i pranishëm, duke qenë se nuk jep indikacione me vlerë mbi tipin e eksperimentit që është kryer. Në disa ambiente, mbi të gjitha “animaliste” (kafshiste), përdoret si sinonim i eksperimentimit me kafshët in toto.

Është një taktikë për të përftuar një reaksion emocional tek lexuesi/dëgjuesi, duke qenë se evokimi i  “prerjes”, “plagës” dhe “gjakut” sjell, gjithnjë, në mendje pamje negative.

Natyrisht ne e kundërshtojmë fortësisht atë lloj përdorimi, duke qenë jokorrekt etimologjikisht dhe duke evokuar një pamje të shtrembëruar të eksperimentimit me kafshët; dhe i mbetemi kuptimit të ngushtë të termit që edhe pse është pak i nevojshëm, është padyshim më i saktë.

Për çfarë shërben eksperimentimi me kafshët?

Për të kryer kërkime shkencore, natyrisht. Kërkimi mund të kryhet në mënyra të ndryshme: thjesht për kuriozitet intelektual pa aplikim, të paktën jo të menjëhershëm ( për shembull, dua të kuptoj se si arrin të orientohet një milingonë); për teste farmakologjike dhe toksiciteti etj etj.

Sterilizimi dhe pseudombrojtësit e kafshëve

Ekziston një faqe në rrjetin social Facebook, me emrin PAPA (People for Animal Protection in Albania), që deklarohet nga administratorët e vet si në mbrojtje të të drejtave të kafshëve.

Citoj nga faqja e tyre, nëfaqja About apo Rreth Nesh (ekuivalenti shqip).

Qellimi i kesaj faqeje eshte te ndryshoje fatin e kafsheve ne Shqiperi. Ne e respektojme jeten dhe besojme qe njerezit, si qenie superiore, kane detyrimin te mbeshtesin dhe mbrojne jeten e kafsheve. Ne e denojme abuzimin me kafshet dhe torturen ndaj tyre dhe do te luftojme per te permiresuar dhe zbatuar ne menyre korrekte ligjet per mbrojtjen e kafsheve. Ky grup mirepret pervojen tuaj ne shpetimin e kafsheve, deshmite tuaja ne rastet e abuzimit ndaj kafsheve, idete tuaja per te prodhuar ndryshimin e nevojshem, propozimet tuaja per veprimtari dhe aktivitete ne mbrojtje te kafsheve, te cilat ju deshironi t’i ndani me te gjithe anetaret e ketij grupi. Ky nuk eshte thjesht nje grup per dashamiresit e kafsheve te shoqerimit: ne jemi te shqetesuar per te gjitha kafshet dhe vecanerisht ato qe vuajne nga braktisja dhe abuzimi i shkaktuar nga njeriu. P.A.P.A eshte ti dhe une, dhe ai dhe ajo, dhe ne besojme se se bashku ne mund te sjellim nje ndryshim ne jeten e kafsheve ne Shqiperi. 

Ndryshimi i fatit të kafshëve të Shqipërisë – fjalia e parë – është një mision i lavdërueshëm.

Le të merremi njëçik me fjalinë e dyte. PAPAt besojnë se, njerëzit si qenie superiore… Pra as që e vënë në dyshim superioritetin e njeriut. Po nejse kjo mund edhe të interpretohet jo si supersioritet hyjnor, por si superioritet kulturor dhe epërsi në manipulimin e ambientit që e rrethon sipas dëshirave të veta, ndaj nuk po ndalem (edhe sepse do të më duhej të shkruaja mjaft për t’u shqaruar).

Por ajo që të lë shije të keqe është besimi se njeriu ka detyrimin të mbrojë dhe mbështesi jetën e kafshëve. Edhe këtu mund t’i bihet shkurt e të thuhet se është besimi i tyre personal. Por ky besim nuk mund të lihet pa u kritikuar kur kthehet në besim për të “shpëtuar” kafshët, më saktë kaviet, që janë paracaktuar dhe rritur apostafat për t’iu nënshktuar kërkimeve shkencore.

Lëvizjet simotra të PAPAs në Europë e SHBA, fatkeqësisht kanë kaluar me kohë nga llogoret e internetit në llogoret e jetës publike, edhe duke ndërmarrë aksione (kriminale) për të ndalur kërkimin shkencor. Veprimet e tyre janë përqëndruar kryesisht në sulme ndaj qëndrave të rritjes së kavieve e kafshëve për kërkimin shkencor – kjo sepse kaviet rriten në kushte specifike, standard dhe me norma të mirë përcaktuara, pra nuk janë të “ndotura” nga ambienti i jashtëm.

Problemi i vetëm që kam unë, si person privat, por edhe si anëtar i një kategorie të caktuar që është e shqetësuar nga lëvizje apo grupime të tilla shoqërore që rrezikojnë të kthehen në një fe të re, është ai që ka të bëjë së pari me keqinforminim, me shtrembërimin, me hipokrizinë dhe jokoherencën e deklaratave, pa harruar nxitjen e dhunës ndaj grupimeve të caktuara shoqërore.

Nxitja për këtë shkrim? Një postim i ditëve të kaluara të PAPAs. Postimi kishte si objekt një karikaturë (pamje) ku tregohej se përse duhet të sterilizohen kafshët shtëpiake – qeni, macja etj.

PAPA sterilizon

Arsyet për sterilizim mund t’i jap edhe unë, mjaft thjeshtë: pamundësia për të kontrolluar aktivitetin seksual të kafshës që mund të shpie në riprodhimin e tyre të pakontrolluar që eventualisht do t’i detyronte pronarët që shtazët e reja t’i dhuronin apo më keq siç ndodh mjaft shpesh në Shqipëri t’i braktisnin në trotuar, t’i hidhnin në ndonjë ferrë apo edhe t’i sakatonin në tentativë për t’i vrarë. Nga këtu lind natyrshën nevoja për t’i sterilizuar kafshët shtëpiake…për t’u ardhur në ndihmë nevojave të njerëzve. Që janë ato të shfrytëzimit të kafshëve për qejfin e vet dhe të mos lejimit të riprodhimit të tyre.

Mesazhi i PAPAs është i qartë. Mbani kafshë për nevojat tuaja, për shoqëri, për ledhatim, për argëtim por për të mos patur kokëçarje sterilizojini.

Aktiviteti seksual i kafshës nëse kjo nuk do të ishte nën kontrollin e njeriut do të ishte tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Njeriu pra, ndërhyn, për të marrë nga kafsha përkëdheljet dhe ngrohtësinë e pellushit duke i hequr asaj një të drejtë themelore, nëse mund ta quaj kështu, atë të lënies së pasadhësve, të trashëgimisë së gjeneve.

Pra, shkurt, edhe PAPAt shqiptarë si ata të huajë – që venë e ngrihen nëpër protesta gjoja për mbrojtjen e kafshëve (edhe të atyre që janë të destinuara për kërkimin shkencor, që njerëzimit, por edhe vetë kafshëve, u sjell veç të mira) – kanë në mendjen e tyre (në mënyrë ë paraprogramuar, mbase!) dy standarde gjykimi. Nga njëra anë thonë e deklarojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve nga ana tjetër për qejfin dhe rehatinë e vet janë gati edhe t’i sterilizojnë për të mos patur kokëçarje të mëtejshme.
Të paktën të mos pretendojnë se janë për mbrojtjen e kafshëve dhe të të drejtave të tyre të pretenduara (Për thellim, shiko:Reflektime etike mbi “të drejtat e kafshëve”). PAPAt shqiptarë janë thjesht një grup njerëzish që mbrojnë kafshët dhe “të drejtat” e kafshëve deri në atë pikë sa u intereson. Si të gjithë xhanëm.

[Lexo dhe: Shfarosje po, eksperimentim jo – irracionaliteti animalist]

P.S. Kjo që kam shkruar nuk duhet të merret si një kritikë vetëm për PAPAn. Unë u nisa nga ai postim, për të marrë spunto. Kërkoj ndjesë nëse ndonjë përgjithësim imi fyen ndokën. Korrigjime mund të bëhen.

© Rinstinkt

—————————————————————————————————–

Virusi i imunodefiçencës humane (HIV)

(HIV-1 dhe HIV-2)

Morfologjia e virusit të HIV-it


Virusi i HIV-it
Virus i veshur me gjenom të përbërë prej ARN-je. Veshja e virusit përmban 72 glikoproteina që ndërmjetësojnë thithjen e virusit nga qeliza bujtëse.

Identifikimi i  HIV-it

Teste serumologjike dy-fazëshe. Screening-u fillestar bëhet duke përdorur testin ELISA apo teste të ngjashëm që detektojnë praninë e kundërtrupave anti-HIV, të cilët mund të japin edhe disa rezultate fals-pozitivë. Të gjitha rezultatet pozitive rishikohen duke përdorur një test mjaft specifik të Western blot-it, i cili bazohet mbi kundërtrupa të ndryshëm anti-HIV dhe përjashton fals-pozitivët.

Habitati i HIV-it

Virusi i imunodefiçencës humane qëndron në gjakun, në qumështin e gjirit, në spermën dhe sekrecionet vaginale të personave të infektuar nga HIV-i.

Faktorët e virulencës së HIV-it

Kunjat (majat, spicat – spikes) që ndërmjetësojnë kapjen tek qelizat bujtëse, transkriptaza e kundërt, mutacinet e shpejta, dhe shkrirja e citoplazmave të qelizave të infektuara (mes tyre).

Infeksioni parësor/Sëmundja e shkaktuar nga HIV-i

HIV-i është agjenti shkrehës i sindromës së imunodefiçencës të fituar (AIDS). Infeksioni fillestar me HIV shenjohet nga simptoma të vagullta të ngjashme me ato të mononukleozës që largohen me shpejtësi.

Kjo ndiqet nga faza asimptomatike që mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vite dhe që përket me një zbehje/shkatërrim/zvogëlim gradual të qelizave T CD4 në gjak. Kur përqëndrimi i këtyre qelizave bie nën 200 qeliza për mm3 gjak, atëherë shfaqen sëmundjen nga agjentët oportunistë që janë karakteristike për AIDS-in. Këto sëmundje janë edhe shkaku i vdekjes së shumicës së pacientëve të infektuar me virusin që shkakton AIDS-in.

Kontrolli dhe trajtimi 

Kontrolli bazohet në parandalimin e ekspozimit ndaj virusit HIV, që në shumicën e njerëzve do të thotë: praktika seksuale të sigurta, abstenim, përkorje, monogami etj. të gjitha për të kufizuar infektimin.

Ata që injektojnë drogëra të jashtëligjshme duhet të përdorin gilpëra (age) të pastra, sterile, të pandotura duke qenë se aget e ndotura janë rëndom të përfshira në raste infeksionesh.

Nuk ekziston vaksinë për virusin e HIV-it.

Trajtimi i HIV-it mbështetet mbi terapinë antiretrovirale fortësisht aktive (HAART), në të cilën, për të ndalur virusin në fazat e ndryshme të ciklit replikues, përdoret një kombinim i dy inhibitorëve të transkriptazës së kundërt. Ky trajtim zakonisht shoqërohet me një bllokues të receptorëve dhe një inhibitor të integrazës. Është e rëndësishme të theksohet se infeksioni nga HIV është i pakurueshëm, dhe trajtimi shërben vetëm për të ngadalësuar apo parandaluar progresionin e infeksionit të HIV-it drejt AIDS-it.

© Rinstinkt 2012

———————————————