Pickimi i mushkonjës

Pickimi i mushkonjës

Evolucioni i pickimit të mushkonjës

Personalisht i urrej mushkonjat. Vetëm për faktin se edhe kur gjendem i shoqëruar me njerëz të tjerë, unë jam gjithnjë preja e parapëlqyer. Shpesh më ka ndodhur të mendoj se përse mushkonjat pickojnë pikërisht mua… por pa gjetur ndonjë përgjigje të kënaqshme. Megjithatë…

Mushkonja e llojit Aedes aegypti (Wikipedia)

Mushkonja e llojit Aedes aegypti (Wikipedia)

Sipas një studimi të ri shkencor mushkonjat e zgjedhin prenë e vet, nga ku thihin gjakun, sipas një skeme mjaft të ndërlikuar, të formësuar nga koha e gjatë evolutive.

Kjo skemë zgjedhjeje kërkon që mushkonjat të vlerësojnë një sërë elementësh si, dioksidi i karbonit (CO2), nxehtësia trupore apo edhe era e lëshuar nga trupi i njeriut. Të gjitha ndryshore që kontribuojnë në zgjedhjen e subjektit që do të pickohet.

Studimi rezultatet e të cilit po mundohem të bëj të njohur për lexuesin besnik të blogut tim, përfundon duke u shprehur se, për të shtyrë një mushkonjë që të pickojë një subjekt të caktuar, duhen të paktën dy nga tre ndryshoret e sipërcituara.

Studiuesit që kanë realizuar kërkimin shkencor i kanë përftuar këto të dhëna nëpërmjet inxhenjerisë gjenetike, duke ndërtuar një mutant të llojit  të mushkonjës Aedes aegypti, që është edhe vektori i etheve të verdha (një sëmundje infektive). Mutacioni që kanë induktuar tek kjo specie mushkonje kishte të bënte me mungesën e një gjeni specifik, që ishte përgjegjës për sintezën e receptorit që detekton dioksidin e karbonit në ambientin rrethues. Pra kur mungon gjeni, mungon edhe receptori për CO2, që nuk është gjë tjetër veçse një njëpasnjëshmëri aminoacidesh që formojnë mëpastaj një strukturë trepërmasore që në gjuhën popullore quhet proteinë.

Kështu, duke i lëshuar këto mushkonja të tjetërsuara në ambient, e duke krahasuar aktivitetin e tyre pickues me atë të mushkonjave të ashtuquajtura wild type, u vu re se këto mushkona të modifikuara – pa receptorë për dioksidin e karbonit – kishin 15% më pak mundësi për të kapur prenë e vet. Pra vetëm 15% më pak, mundësi/aftësi… meqë ekzistojnë, pra, edhe faktorë/ndryshore të tjera që kontribuonin, të cilët faktorë ishin të patjetërsuar (nxehtësia trupore dhe era e trupit).

Shpjegimi që japin shkencëtarët është ky: që kombimini i këtyre tre ndryshoreve kryesore e rrit jashtëzakonisht shumë aftësinë e mushkonjave për të kapur me efikasitet njerëzit dhe për t’i pickuar. Kjo ngase nëse mushkonjat do të ishin të tërhequra vetëm nga nexehtësia, kjo do të përbënta njëkohësisht edhe një humbje të madhe kohe, meqë nxehtësi lëshojnë një numër shumë i madh trupash. Për këtë arsye logjike gjatë kalimit të kohës, brez pas brezi, kanë mbijetuar (janë seleksionuar) ato mushkonja që kanë vlerësuar edhe ndryshore të tjera gjatë vendimmarrjes, si prania e dioksidit të karbonit dhe era e trupit.

Përse u intereson shkencëtarëve ky zbulim, apo edhe të tjera zbulime të ngjashme? Ndokush në pamje të parë mund të mendojë, gabimisht, se kjo është një humbje kohe. Në fakt nuk është kështu. Të njohurit e mekanizmave gjenetikë dhe më gjerë biologjikë, që udhëheqin jetën, dhe në rastin më specifik mushkonjat, na ndihmon që të gjejmë edhe pika të dobëta në fiziologjinë e tyre.
Kështu mund të krijojmë edhe ilaçe, “repelentë”, apo pesticide më të mirë, të cilët mund t’i përdorim kundër Aedes aegypti apo edhe kundër Anopheles gambiae (përhapësia e parazitëve të malaries). Shembuj analogë mund të jepen edhe për kërkimin shkencor në fusha të tjera.

Pra duhet kuptuar që kërkimi shkencor dhe financimi i tij, sidomos publik, është i një rëndësie të jashtë zakonshme, jo vetëm për mirëqenien e njeriut.

Rinstinkt, 2014

Bibliografia:

  • Multimodal Integration of Carbon Dioxide and Other Sensory Cues Drives Mosquito Attraction to Humans  – Cell, Volume 156, Issue 5, 27 February 2014, Pages 1060-1071

[Nëse postimi të pëlqeu, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————-

Depresioni dhe zinku

Nivelet e zinkut në gjakun periferik dhe gjendja depresive (depresioni)

Sipas një meta analize të publikuar në 15 Dhjetor 2013 në Biological Psychiatry [*], sugjerohet se njerëzit që vuajnë nga depreioni kanë nivele më të ulëta të zinkut në qarkullimin periferik të gjakut. Kjo natyrisht në terma relativë, pra krahasuar me individë që gjatë studimit nuk ishin në depresion.

Thunderstorm - Arthur Dove (Wikipedia)

Thunderstorm – Arthur Dove (Wikipedia)

Gjithsesi kërkuesit shkencorë theksojnë se raporti fiziopatologjik mes sasisë së zinkut dhe efekteve mirëbërëse të suplementeve të këtij mbi shëndetin mendor të pacientëve në gjendje depresive duhet hetuar më thellë, me studime më të detajuara, të cilat mund të konfirmojnë përfundimisht dhe të specifikojnë elemente ende të paspecifikuar mirë, ose në të kundër të vënë në dukje ndonjë pasaktësi eventuale.

Ja se çfarë thuhet në abstraktin e studimit në fjalë:

Zinc is an essential micronutrient with diverse biological roles in cell growth, apoptosis and metabolism, and in the regulation of endocrine, immune, and neuronal functions implicated in the pathophysiology of depression. This study sought to quantitatively summarize the clinical data comparing peripheral blood zinc concentrations between depressed and nondepressed subjects.

Studimi tregon, kështu, një lidhje mes niveleve të ulëta të zinkut në qarkullimin hematik periferik – pra defiçencës së tij – dhe depresionit. Kjo tregohet nga të dhënat e meta analizës, dhe mbi të gjitha nga studimet mbi kafshët. Tek kafshët ku është induktuar një defiçencëpra mungesë e zinkut në organizëm është vënë re një sjellje e tyre e ngjashme me depresionin, e cila sjellje mund të “kthehet” mbrapsht falë shtimit të zinkut në dietën e subjekteve.

Për më tepër, të dhënat nga trialët klinikë preliminarë sugjerojnë se, zinku i shtuar në ndihmë të terapisë me antidepresivë mund të jap rezultate më të shpejta apo më efektive në përmirësimin e simptomave të depresionit.

Meta-analiza është analiza që i bëhet rezultateve dhe analizave të një sërë studimeve shkencore të botuara më parë. Pra një analizë e analizave, për të interpretuar nga një pikëvështrim tjetër një sërë të dhënash, të cilat përndryshe të para tek e tek, mund të mos sugjerojnë gjë, meqënëse kjo mënyrë të pari të studimeve nuk arrin të kapi fillin që ndonjëherë lidh studime të ndryshme.

Meta-analiza në fjalë përfshiu 17 studime të mëparshme, të cilat kishin matur nivelin e zinkut në gjakun periferik tek 1643 pacientë me depresiond dhe tek 804 subjekte kontrolli, pra subjekte pa depresion. Dhjetë nga këto studime ishin realizuar mbi subjekte psikiatrikë, ndërsa 7 mbi subjekte të përftuara nga komuniteti (normalë).

Autorët shpjegojnë edhe besueshmërinë/mundshmërinë biologjike të relatës nivele të ulëta zinku – gjendje depresive.

Autorët shpjegojnë se, zinku ka aktivitet anti-oksidues, ndihmon në ruajtjen e funksioneve dhe homeostazën e sistemit imunitar dhe atij hormonal. Për më tepër, zinku ka role të shumëfishta në rregullimin e cirkuiteve të hipokampusit dhe të cirkuitëve glutamat-ergjikë që kanë të bëjnë me rregullimin e afektivitetit dhe të funksioneve konjtive. Kështu, ndryshimet në homeostazën e zinkut mund të komprometojnë neuroplasticitetin dhe të kontribuojnë në rënien afat gjatë neurofiziologjike dhe psikiatrike të pacientit – shkruajnë autorët.

Gjithsesi vihen në pah edhe kufijtë e studimit, sikundër të çdo studimi tjetër. Cilësia e studimeve dhe rreziku për bias janë jo të barabartë mes studimeve të analizuara – thonë autorët. Më tej, vihet në dukje se, në disa nga studimet e analizuara nuk kishte të dhëna të mjaftueshme mbi përdorimin e antidepresivëve dhe mjekimet e tjera eventuale të njëkohshme. Edhe të dhënat mbi dietën dhe përdorimin e alkolit shpesh nuk ishin raportuar me saktësin të atillë që të mund të analizoheshin.

Përfundimi që autorët nxjerrin është:

Depression is associated with a lower concentration of zinc in peripheral blood. The pathophysiological relationships between zinc status and depression, and the potential benefits of zinc supplementation in depressed patients, warrant further investigation.

Mirëpo, përtej kufizimeve të cilat ekzistojnë në çdo studim, rezultatet sugjerojnë se depresioni është i bashkëlidhur me nivele të reduktuara të zinkut në gjakun periferik.

Gjetjet sugjerojnë nevojën për hetime të mëtejshme për të hetuar më në thellësi rolin potencial të zinkut në fiziopatologjinë e depresionit, dhe më tej rolin e tij eventual si suplement për pacientët në terapi mjekësore për depresionin.

Artikulli i cituar:

Zinc in Depression: A Meta-AnalysisWalter Swardfager, Nathan Herrmann, Graham Mazereeuw, Kyle Goldberger, Tetsuhiro Harimoto, Krista L. LanctôtBiological Psychiatry – 15 December 2013 (Vol. 74, Issue 12, Pages 872-878, DOI: 10.1016/j.biopsych.2013.05.008)

Rinstinkt, 2014

——————————————————————————–

Si ta shikojmë Nobelin e Mjekësisë 2013?

Si ta shikojmë Nobelin e Mjekësisë 2013?

Mbase, në këto ditë të pas Nobelit, shumë pak e dinë historinë e gjatë, të lodhshme, të mërzitshme të punës së tre shkencëtarëve të vlerësuar me çmimin Nobel për Mjekësinë 2013.

Së pari, kujt iu dha çmimi Nobel për Mjekësinë?

Thomas Südhof, James Rothman dhe Randy Schekman - çmimi Nobel per Mjekesine 2013 (PNAS)

Thomas Südhof, James Rothman dhe Randy Schekman – çmimi Nobel per Mjekesine 2013 (PNAS)

Iu dha tre kërkesve shkencorë; Thomas Südhof-it, James Rothman-it dhe Randy Schekman-it, mbi punën e kryer në 30-40 vitet e shkuara mbi makanizmat e imët të punës së transportit brendaqelizor.

Nga sapo pohova më sipër, them se lind një pyetje tjetër, më se e justifikuar: përse ky Nobel vjen kaq vonë, dhe a është vërtet i merituar?

Janë të dyja pyetje themelore, të cilat kërkojnë përgjigje, të cilat gazetave apo edicioneve të lajmeve të mbrëmjes pak iu interesojnë, meqënëse këto, lajme të tilla, i kanë sa për të mbushur faqen apo për të plotësuar minutazhin e edicionit të lamjeve, e kështu nuk interesohen asfare për historikun apo për mësimet që mund të nxirren nga të tilla ngjarje.

Do të shkruaj së pari nja dy gjëra mbi punën e zhvilluar, ndër vite, nga kërkuesit në fjalë.

Randy Schekman, në përpjekje për të kuptuar se si fshikëzat brendaqelizore e transportonin përmbajtjen e tyre në vendin dhe kohën e caktuar, eksperimenton, në vitet 1970-të, mbi qelizat e majasë. Qelizat e majasë, – që për kuriozitet është majaja e përdorur për të bërë bukën apo birrën – në këtë rast shërbejnë si “kavie”, si organizëm model për të eksperimentuar mbi një fenomen ende të panjohur mirë, për kohën të cilën po flasim (vitet 1970-të).

Puna seminale e Schekman-it realizohet gjatë viteve 70-80-të. Ai zbulon, duke eksperimentuar mbi majanë Saccharomyces cerevisiae, gjenet përgjegjës për transportin e fshikëzave brenda qelizave.

Ndërsa James Rothman eksperimentonte një tjetër askpekt të fenomenit, asokohe të panjohhur, atë të proteinave përgjegjëse të transportit.

Südhof, nga ana tjetër ishte i interesuar të zbulonte  se si neurotransmetuesit lëshoheshin nga neuronet në mënyrë të saktë, nën impulse të caktuar.
Kështu, u zbulua se sinjalet elektrike lëvizin nëpërmjet neuroneve, e kur mbërrijnë në terminalin presinaptik shkaktojnë brenda-hyrjen e joneve kalcium në qelizën nervore duke vepruar mbi kanalet jonikë të aktivizuar, pra, nga voltazhi.

Jonet kalcium aktivizojnë proteina të pranishme në sipërfaqen e fshikëzave që përmbajnë neurotransmetues, të rreshtuara në terminalin pre-sinaptik gati për lëshim.
Veprimi i kalciumit mbi këto proteina bën që fshikëzat me neurotransmetues të shkrihen me membranën qelizore presinaptike duke u shpërhapur në hapësirën sinaptike.

Kjo është baza e tejçimit të impulseve nga një neuron tek tjetri (ekziston, përveç kësaj rruge kimike, edhe një mënyrë elektrike e tejçimit të impulseve ndërmjet neuroneve – gap junctions).

Ajo çfarë nuk dinin këta tre zotërinj ishte impakti i jashtëzakonshëm që zbulime të tilla do të kishin në biologji, në fiziologji e më tej mjekësi e patologji… Për këtë natyrisht duhet të kalonte pak kohë.

Sot njihen dhe studiohen edhe më tej implikimet në sëmundjen e diabetit, në sëmundjet neurodegjenerative si Parkinsoni, Alzaimeri dhe Huntingtoni etj.
Po ashtu, siç e përmenda disi edhe më sipër, trafiku i fshikëzave është i rëndësishëm sidomos në funksonimin e sistemit sinaptik.

Çmimi Nobel vjen 30-40 më vonë nga koha e botimit të punëve shkencore. Kjo tregon se impakti real dhe vlera e një zbulimi bazë si ky nuk mund kurrsesi të vihen re në mënyrë imediate.

Kjo, mendoj se duhet të jetë mënyra e të parit  të këtij Nobeli për Mjekësinë. Një shembull se si kërkimi shekncor nuk duhet të vendoset nën presionin e buxheteve të vendeve përkatëse.

Një shembull se kërkimi shekencor bazë në një moment të caktuar mund të mos gjejë aplikime praktike, e në një tjetër të jetë thelbësor për të kuptuarit e fenomeneve të univerisit njerëzor e jo vetëm.

Një shembull se kërkim shekncor ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve e jo vetëm të Nobelit.

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————————————————————————————–

Përse kryhet eksperimentimi shkencor me kafshët?

Përse kryhet eksperimentimi shkencor me kafshët?

Disa rezultare shkencore të kërkimit shkencor mbi kafshët:

  • Demonstrimi i materialit gjenetik – F. Griffith – Eksperimentim mbi minjtë
  • Vaksina kundër li-së – E.A. Jenner – Eksperimentim mbi gjedhët
  • Zbulimi i impulsit nervor – A.L Hodgkin dhe A. Huxley – Eksperimentim mbi kallamarët
  • Rregullimi i të rahurave të zemrës – O.Loewi – Eksperimentim mbi bretkosat
  • Kura e diabetit (insulina) – F:G:Banting – eksperimentim mbi qentë
  • Transfuzioni i gjakut – Mjekë të ndryshëm – Eksperimentim mbi qingjat
  • Studimi i trapienteve të organeve – A:Carrel – eksperimentim mbi lloje të ndryshme kafshësh
  • Vaksina kundër poliomielitit – A.B.Sabin – Eksperimentim mbi majmunat
  • Sieroterapia kundër-tërbimit – L. Pasteur – Eksperimentim mbi specie të ndryshme
  • Zbulimi i neuroneve pasqyrë (empatia) – G. Rizzolatti – Eksperimentimi mbi majmunët
  • Terapia HIV (me antiretroviralë) – Ekipi i R.C. Gallo – Eksperimentimi mbi majmunat

E të tjera, e të tjera…

——————————————————————————–

Efekti Mozart dhe keqinterpretimi i studimeve shkencore

Me efektin Mozart i referohemi shpesh një teorie  shekencore, që mund të quhet mjaft kontroverse. Teoria lind në vitin 1993 si pasojë e keqinterpretimit të një eksperimenti të famshëm të realizuar nga fizikantët Gordon Shaw dhe Frances Rausher, dhe botuar në revistën shkencore Nature. Titulli i studimit shkencor ishte: “Music and spatial task performance”.

Në studim u futën 84 studentë të cilët u ndanë në tre grupe të  ndryshme që dëgjuan tre lloje të ndryshme muzike; një nga grupet dëgjoi muzikën e Mozartit, një grup tjetër muzikë minimaliste, ndërsa grupi i tretë, në heshtje.

Pas dëgjimit pjesëmarrësit plotësuan një pyetësor, nga ata për të përcaktuar nivelin e inteligjencës, pra një test inteligjece: studentët që kishin dëgjuar Mozartin, dhe në veçanti sonatën K448, tregonin një rritje të kuocientit intelektual me 8-9 pikë krahasuar me studentët e dy grupeve të tjera që nuk kishin pësuar asnjë përmirësim në ekzekutimin e provës, pra të testit të inteligjencës.

Rezultatet u dukën, minimalisht, të shkëlqyera, doli (dhe u përhap) ideja e gabuar se muzika e Mozartit mund të rriste inteligjencën e njeriut dhe siç mund të parashikohej, filloi edhe një biznes që nxirrte përfitime nga këto ide, të para, të papërpunuara. (Filloi shitja e CD-ve të trurit, për trurin…)

Kishte akoma grimca entuziazmi, saqë në vitin 1998, guvernatori i Georgia-s, Zell Miller, vendosi për shpërndarjen e një fondi prej 100,000 dollarësh për t’i garantuar çdo të porsalinduri një Cd me traga nga muzika klasike, për të rriturë kësisoj inteligjencën e populltës.

Studimi i vitit 1993 u keqkuptua – kështu deklarohet edhe Frances Raucher në një korrespondencë -, sepse, në fakt kishte patur një përmirësim të rezultateve të testit, por vetëm të atij që kishte të bënte me inteligjencën hapsinore-kohore (ekzistojnë nëntë lloje inteligjencash, të ndryshme) dhe me efekt të përkohshëm (kalimtar), për rreth 15 minuta pas dëgjimit.

Për më tepër që shumë ishin skeptikë sepse studimi, i kuptuar sipas keqinterpretimit (që nuk reflektonte rezultatet e vërteta), nuk mund të verifikohej nga kërkuesit të tjerë, në prova të mëpasshme. (Eksperimentet shkencore duhet të mund të jenë të përsërishtme edhe nga kërkues të tjerë shkencorë, bazuar mbi metodologjinë e ndjekur. Rezultatet që të quhen të ripërsëritura duhet të bienë në një gap (kufi) të caktuar statistikor.)

Në vitin 1998 një studim, mjaft i rëndësishëm, i realizuar në departamentin e Psikologjisë të Wisconsin-it, tregoi se, muzika e Mozartit rriste përkohësisht inteligjencën hapsinore-kohore.

Në këtë studim, një grup minjsh u ekspozuan për 60 ditë ndaj muzikës së Mozartit (sonata K448), një grup ndaj muzikës minimaliste e një tjetër grup ndaj heshtjes.

Pas ekspozimit, për pesë ditë iu nënshtruan një test në të cilin duhej të gjenin rrugën e daljes nga një labirint.
Prova ishte mjaft e lehtë për minjtë, grupin e minjve, që kishin dëgjuar Mozartin.

Sot mund të themi një gjë me siguri, atë se: të dëgjuarit e muzikës së Mozartit, dhe në veçanti i sonatave K448 dhe K488, rrit inteligjencën, por vetëm përkohësisht, dhe në veçanti vetëm inteligjencën hapsinore-kohore. Pra atë lloj inteligjence që ka të bëjë me analizën e formave, të pozicionit të objekteve në hapsirë dhe të zhvillimit të ndjenjës së orientimit.

Sipas disa studimeve të tjera, duket se, dëgjimi i zgjatur i kësaj llojë muzike, dhe jo llojeve “të tjera” të muzikës klasike – sepse muzika duhet të respektojë kritere të sakta të ritmicitetit, të melodisë dhe strukturës muzikore, që gjenden në dy simfonitë e cituara më sipër – mund të shkaktoj edhe një rritje definitive të IQ, por deri më tani nuk ka akord unanim në leteraturën e fushës.

Burimet:

  • Music and spatial task performance – Nature 365, 611 (14 October 1993) | doi:10.1038/365611a0
  • Sack, Kevin (1998-01-15). “Georgia’s Governor Seeks Musical Start for Babies”. The New York Times.
  • Prelude or requiem for the ‘Mozart effect’? – Nature 400, 827 (26 August 1999) | doi:10.1038/23611
  • Reply:  Prelude or requiem for the ‘Mozart effect’? – Nature 400, 827-828 (26 August 1999) | doi:10.1038/23614

 

– – –

Të pëlqeu postimi?
Vendos një “Like” tek Faqja e Blogut në Facebook