Iniciativa  Australiane e shërbimit publik për të rritur punësimin e femrave nëpërmjet rekrutimit të verbër dështon

Iniciativa  Australiane e shërbimit publik për të rritur punësimin e femrave nëpërmjet rekrutimit të verbër dështon.

Një iniciativë e liderëve të Shërbimit Publik Australian për të promovuar barazinë mes sekseve nëpërmjet implementimit të një procesi rekrutimi të verbër ka dështuar.

Triali (studimi) ishte një përpjekje për të rritur punësimin e femrave në forcën punëtore dhe në pozicione më të larta pune.

Duke qenë se gjatë një procesi rekrutimi të verbër rekrutuesit nuk kanë të dhëna mbi seksin e kandidatit (këto të dhëna hiqen prej aplikikimit të kandidatit) mendohej se kjo metodë do të ishte një alternativë e mirë ndaj kuotave gjinore për të rritur përfaqësimin e femrave në sektorë të ndryshëm pune.

Supozimi pas trialit/studimit ishte se do të punësoheshin më shumë femra duke qenë se individët që do të aplikonin për punën do të gjykoheshin vetëm mbi bazën e meritave profesionale dhe jo mbi bazën e seksit të tyre që ishte i fshehtë. Megjithatë rezultatet nuk dolën siç priteshin. Realiteti i ftohtë nuk përkulet ndaj ideologjive sado radikale që të jenë këto të fundit.

Studimi tregoi se heqja e seksit/gjinisë së kandidatit nga aplikimi i tij për punë nuk e rriste gjë përfaqësimin e femrave në këto sektorë që ishin nën studim. Studimi tregoi gjithashtu se nëse nëse aplikimit për punë të një kandidati i shtohej një emër mashkullor ai bëhej 3.2% më pak probabël që ta fitonte vendin e punës – çka tregon për një bias anti-mashkull më së paku në procesin e rekrutimit. Ndërsa nëse një aplikimi i shtohej emri i një femre kjo e bënte aplikimin 2.9% më shumë probabël që kandidati të fitonte vendin e punës – çka është indikative për një bias pro-femër më së paku në proesin e rekrutimit, e ndoshta edhe më gjerë në shoqëri.

Profesor Michel Hiscos deklaroi se: “Ne parashikuam se kjo do të kishte një efekt pozitiv mbi diversitetin – duke e bërë më probabël që kandidatët femrat dhe ata nga minoritetet etnike të selektoheshin për fazën tjetër”. “Ne gjetën krejt të kundërtën, se de-identifikimi i kandidatëve reduktonte gjasat që një femër të selektohej për në fazën tjetër të rekrutimit.” Ai gjithashtu sugjeroi që të tregohej kujdes dhe të bëhej një pauzë në futjen e kësaj metode si një rrugë për të rritur diversitetin, sepse kjo mund të kishte efektin e kundërt. Duket pra, se edhe ky profesor e ka hedh trurin e vet në kazanin e plehrave dhe e ka zëvendësuar atë me një copë ideologjie regresive anti-meritokratike.

 

Burimi: Blind recruitment trial to boost gender equality making things worse, study reveals (Arkivuar)

 

Advertisements

Snowpiercer / Akullthyesi

Snowpiercer / Akullthyesi

Snowpiercer/Akullthyesi

Snowpiercer/Akullthyesi

Akullthyesi. Film dramatik, me ngjarje që më kujtojnë teoritë utopike socialiste (të lexuara diku, të nënkuptuar në mendimet mediokre të intelektualëve të majtë), me planifikime të ekonomisë dhe të jetës së njeriut. Natyrisht tek filmi me trenin akulthyes ka edhe klasa, që sipas protagonistëve janë të pashmangshme nëse i duam të mirën akullthyesit: treni është bota, ne jemi të mbijetuarit; ne jemi treni akullthyes dhe treni është njerëzimi. Lokomotiva është e përjetshme, esenca e saj është e pavdekshme. E qartë! Treni në fjalë, në barkun e gjatë dhe të ngrohtë të së cilit zhvillohen ngjarjet e filmit apokaliptik, është një vepër e inxhenierit Wilford, manjat i hekurrudhave, që duke kuptuar se si do të përfundonin ngjarjet vendos të ndërtojë një hekurrudhë, një lakesë që kalon në tërë botën. Të kryesh një xhiro të plotë të hekurrudhës mbarëbotërore kërkon një vit të plotë… aq sa kalimi nga viti në vit mbi të njëjtën pikë, mbi të njëjtën urë – diku në botën e ngrirë nga akulli – është tanimë një ceremoni e rëndomtë që shoqërohet nga urimet e vitit të ri.

Që njerëzit gjenden në barkun e trenit për shkak të epokës akullnajore artificiale të shkaktuar nga “jeshilët”, kjo kuptohet nga mesazhet zanore që dëgjohet në sfond, që në hyrje të filmit. Por si ka mundësi që “jeshilët”… “jeshilët”… një katastrofë të tillë? E pamundur, sepse “jeshilët” i duan të mirën botës!! Aq sa cdo vit shtrydhin trurin e tyre, jo medoemos jeshil, dhe hedhin fall se si do të jetë bota pas 100 vitesh. Që prej kohës kur jeshillëku ka dalë në modë, falli jep të njëjtin rezultat: ngrohja globale po sjell fundin e planetit! (duartrokitje histerike në sallë). Për këto përfundime nuk ka nevojë për fakte. Në mendjen e profetëve “jeshilë” faktet mund të fabrikohen. Njeriu është kanceri i botës! Njeriu po ngroh globin! Le ta ftohim botën, thanë jeshilët; dhe e ftohën… Rezultati? Një katastrofë mbarëbotërore…

Një nga vagonët e trenit (Vizatim artistik)

Një nga vagonët e trenit (Vizatim artistik)

Le të rikthehemi tek filmi. Thuhet se treni është shpëtimi i fundit i njerëzimit, se është vatra e fundit e jetës. Aty gjendet gjithcka nevojitet për të jetuar/mbijetuar nga i ftohti. Treni është i vetmjaftueshëm. I ndarë në vagonë, secili me një fnksion të caktuar. Tren i gjatë, tepër i gjatë, shumë më i gjatë nga sa mund të shfaqet gjatë filmit. Në vagonët e fundit, të mjerët, që krahasohen me këpucën që vesh këmba; në kahun tjetër koka, lokomotiva, mendja, inxhenjeri. Të mjerët, meqë kanë kaluar plotë 17 vite nga apokalipsi “jeshil”që i ktheu qiellgërvishtësit në shkopinjë gjigandë akulli, bëjnë ndonjë revolucion hera herës.
Kanë kryetarët e tyre, mes të cilëve gjendet edhe një plak i cili i mëson, për arsye që do të zbulohen më tej gjatë rrjedhës së ngjarjeve. Një kamp përqëndrimi për të mjerët, të cilët ushqehen me njëfarë ushqimi të parapregatitur, të paraplanifikuar, me bazë proteinike. Aq i duhet njeriut, tek e fundit – ky është vendimi i inxhinjerit shoqëror.

Revolucioni ndodh. Qëllimi i revolucionarëve është të mbërrijnë në vagonin kryesor, në zemrën e trenit, në lokomotivë. Në fund mbërrijnë, por më parë kalojnë një botë të tërë, nga vagoni në vagon, nga pisllëku dhe errësira e vagonëve të fundit, tek dritat shumëngjyrëshe të diskotekës ku argëtohen të pasurit, nga fabrika e xhelatinave të tyre proteinike të prodhuara nga një amalgam insektesh (?) të grira tek akuariumi me peshq tropikalë (një sistem i mbyllur, që kërkon planifikim qëndror për të funksionuar- kështu mësojnë të mjerët nga një prej arkitekteve shoqërore, e marrë peng nga revolucionarët)…

Gjatë revolucionit

Gjatë revolucionit

Gjatë rrugës, nga vagoni në vagon, ka humbje, natyrisht! Por në fund një grup i vogël mbërrin në fund. Ndërsa një i vetëm, i selesionuar nga rruga e gjatë “evolutive”, nga talenti i tij, drekon me Wilifordin.

Biseda është acaruese.

Përfundon keq… për trenin. Këputet si një krimb, nga barku i të cilit dalin njerëz të lirë. Jashtë jo gjithçka është e vdekur. Mbi shpatin e një mali aty afër vihet re menjëherë një ari polar. 17 vite të mbyllur në një kafaz, i krijuar nga një inxhenjer. Inxhenjer trenash, inxhenjer shoqëror, inxhenjer utopik. Një socialist perfekt, që me premtimin për të shpëtuar atë pak njerëzim të mbetur pas katastrofës “jeshile” e mbajti të burgosur për 17 vite.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————

Tabula rasa

Tabula rasa

Për shkak të disa impenjimeve të jetës personale nuk kam mundur të trajtoj siç duhet disa tema pikante, të cilat përndryshe janë mjaft të rëndësishme, sipas pikëvështrimit tim.

Sibyl with Tabula Rasa - Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Sibyl with Tabula Rasa – Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Një nga këto ka të bëjë me mënyrën e konceptimit të mendjes, nga shoqëria njerëzore në përgjithësi, e nga shoqëria shqiptare në veçanti meqë në vijim do të jap nja dy shembuj emblematikë që ilustrojnë këtë tentakulë obskurantiste që tenton gjithnjë e më shumë të zgjerojë fushën e vet të influencës.

Ekziston një nocion humanist i mendjes së njeriut, sikur kjo të ishte njëfarë faqe e bardhë ku mund të shkruhet, fshihet e rishkruhet ex novo gjithë përmbajtja e individit, pra sjellja e individit dhe entiteti individ në terma të kulturës dhe të mësimit (tabula rasa – latinisht).

Por çfarë thotë kjo tezë mbi mendjen njerëzore?

Sipas tezës së tabula rasa-s (parafrazim): qeniet njerëzore janë të ndryshme nga kafshët e tjera, në disa aspekte. Para së gjithash sepse kafshët e transmetojnë të gjithë informacionin mes tyre, apo një pjesë të mirë të informacionit, në mënyrë gjenetike, pra pa praninë e komunikimit simbolik; kështu komunikimi mes kafshëve është në pjesën më të madhe i lindur, gjenetik, ndryshe nga ai njerëzor i cili realizohet nëpërmjet çdo lloj komunikimi simbolik. Për më tepër që, njerëzit – thotë teza tabula rasa – janë të lirë nga çdo llojë ngërçi apo kufizimi natyror.

Kështu, më tej, njerëzit nuk janë asfare të ndikuar nga substrati fizik trunor, i cili trashëgohet në mënyrë gjenetike. Sipas tabula rasas dhe një pjese të mirë të të ashtuquajturve humanistë, përbmajtja e medjes së njeriut rezulton të jetë vetëm e vetëm (!) një produkt i proceseve kulturore apo historike, duke e anashkaluar tërësisht përbërësen fizike të mendjes, pra substratin fizik mbi të cilin kjo zhvillohet (sikundër hardware-i i një kompjuteri), tanimë të gjithënjohur.

Por përse lindi dhe u përhap një tezë e tillë?

Modeli i trumpetuar nga tabula rasa lindi gjatë ‘900-s, kryesisht, si një teori që i kundërvihej njëfarë mënyre të perceptimit të evolucionit; si një tentativë për të kundërshtuar evolucionizmin i cili perceptohej (gabimisht) si i drejtuar për tek H. sapiensi, me njëfarë determinizmi gjenetik kushtetues.

Për më tepër edhe në kundërshtim me konceptimin e shtrembëruar letraresk-filozofik të evolucionit në vitet ‘900, një evolucion jo-darvinian, jo kritik, jo shkencor. Evolucioni ishte i shrembëruar nga fryma letrare-filozifike, e vetëquajtur humaniste, por që në të vërtetë po tjetërsonte një dije të rëndësishme të njerëzimit, duke i dhënë këtij të fundit një tezë të errët, me pasoja obskurantiste, si tabula rasa, mbi të cilën gjatë historisë janë ngritur dhe vazhdojnë të qëndrojnë influente në disa vende, disa pseudoshkenca (të një pseudo-intelektualizmi të pashoq).

Kështu, evolucioni ishte ortogjenetik, apo thënë ndryshe bergsonian, e që përkiste në fund të fundit me mbijetesën e më të përshtatshmit, e kuptuar kjo mbietesë si një përmirësim i vazhdueshëm, i orientuar drejtë një shkalle gjithnjë e më të madhe ndërlikimi. (Në të vërtetë nuk është kështu. “Mbi të qenit Njeri”)

Natyrisht, asokohe kishte edhe nga ata që e njihnin mirë evolucionin dhe implikimet që ky kishte mbi perceptimin e fenomeneve të jetës, por duhet thënë se ishin të paktë, të pa-zë, përballë turmës së të vetquajturve intelektualë letrarë.

Tabula rasa përqafohet menjëherë nga shkencat sociale, nga antropologët shoqërorë dhe kulturorë; bëhet kështu një tezë që shërben si model standard për zhvillimin e këtyre.

Fatkeqësisht, përhapja e këtij modeli të rrejshëm të mendjes njerëzore, implikon ndër të tjera edhe një rezufim foshnjërak – pa mundësi dialogimi – të substratit fiziologjik, funksional, evolutiv të trurit e mëpastaj mendjes si rezultante e aktivitetit elektriko-kimik.

Tabula rasa është sot e diskredituar; përballë avancimeve të biologjisë evolutive, e ngritur mbi një lloj kërkimi shkencor darvinian. Biologjia evolutive zbulonte dhe evidentonte njëra pas tjetrës modele të evolucionit mbi Tokë; zbulonte dhe demarkonte kufijë gjithnjë e më të imtë mes asaj çka është kulturë e çka jo.

Tabula rasa, e lindur nga spekulimet letrare-filozofike të një lloj të caktuar mbi procesin evolutiv, u mbyll në vetvete, e papenetrueshme nga kritikat biologjike e shkencore… duke përfunduar në shterpësi.

Sot, në fund, modeli antropologjik i tabula rasas është thyer, së pari nga gjenetika e popullatave e cila arrin t’i mbajë larg leximet dhe deformimet reciste të të dhënave; mëpastaj nga zbulimet shencore, të psikologjisë zhvillimore, etologjisë konjitive etj.

Tabula rasa është analizuar mirë nga Steven Pinker, i cili ndër të tjera identifikon edhe anët e errëta të këtij deformimi me origjinë letraro-humaniste të natyrës së mendjes, mbi kushtetutën e të cilës, fatmirësisht për të gjithë ne, sot flet vetëm shkenca. (Perifrazim nga Pinker: tabula rasa, me pretendimin e një boshllëku të lënë nga natyra, e mbushi zbrazëtinë me interpretime që i vinin përshtat regjimeve totalitare [pasojat dihen]).

[Përshkrimi i mësipërm e citon Pinkerin vetëm për sa i përket çështjes në fjalë; jo për të tjera koncepte, për të cilat nuk po shprehem aspak.]

© mbi tekstin Rinstinkt

———————————————————————————-

Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Të gjithë lexuesit e mi do të kenë në shtëpitë e tyre nga një nga ato pajisjet në ekranin e të cilave shfaqen pamje. Flas për televizorin; edhe pse kur flitet për televizionin, rrallë herë flitet për pajisjen që emeton imazhe duke dekodifikuar një mesazh elektronik i cili vjen nga emetitori i zonës.

Kryesisht, me televizion kihet parasysh një lloj forme komunikimi e realizuar përmes pamjeve vizive, të organizuara sipas një programi të caktuar. Pra mund ta kuptojmë televizionin si një institucion të jetës moderne. Për më tepër disa e konsiderojnë edhe si një formë pushteti.

Sot do të jap disa informacione mbi disa efekte jo edhe aq të dëshirueshme që televizioni ka mbi njeriun. Po, po! Efekte negative. Sepse sot dihet, dhe është pra e vërtetuar, se televizioni ka një efekt të dëmshëm mbi fëmijët e vegjël dhe adoleshentët. Pra pyetjen, nëse dhe sa efekt negativ ka TV mbi të rinjtë mund ta kapërcejmë e të shkojmë drejtëpërdrejtë në thelpin e problemit.

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Shqetësimet mbi efektet negative të shikimit të zgjatur të televizionit filluan “të dilnin mbi ujë” menjëherë pasi filluan transmetimet e para, diku nga viti 1946. ndërsa në vitin 1972 njerëzimi kishte mjaftueshëm prova dhe fakte sa për të thënë se “…dhuna televizive ka një efekt anësor të padëshirueshëm mbi disa anëtarë të shoqërisë sonë” [1].

Pavarësisht provave shkencore njerëzit e thjeshtë, profanët, nuk duket se e kuptojnë mesazhin. Mesazhi është i qartë, televizioni jep një kontribut të madh për ta kthyer shoqërinë në një shoqëri të dhunshme. (Ndonjë do të vë re se herë përdoret termi televizion e herë ai më specifik, dhunë televizive. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, meqë statistikisht 60% e pamjeve televizive janë pamje të dhunshme [2].)

Po ndodh praktikisht e njëta gjë, i njëti fenomen pervers si edhe me cigaret dhe tymin e duhanit dhe kancerin e mushkërive; edhe pse ekzistojnë prova të pakundërshtueshme për lidhjen shkak pasojë kjo nuk raportohet siç duhet te popullata e gjerë, duke dhënë kështu si përfundim vetëm një mesazh kontroversal. E kjo së pari i detyrohet herë ligësisë e instrumentalizmit të mediave, jo vetëm televizive, dhe herë paaftësisë së njerëzve mirëfilli të medias për të përçuar mesazhe të tilla që nëse nuk përdoret një regjistër specifik i humbasin nuancat e veta, ato që duhet të godasin në veshët e prindërve.

Një nga studimet shkencore më të cituar, e pse jo të përgojuar, është ai i Johnson et al. i botuar në vitin 2002 [3].

Johnson et al. gjetën se shikimi për një kohë të zgjatur i televizionit gjatë adoleshencës dhe pjekurisë së hershme ishte i bashkëlidhur me sjellje agresive të mëpastajme (pra që ndjek shikimin e zgjatur të televizionit).

Të dhënat e studimit të Johnson & co. u mblodhën nga 707 familje që kishin nga një fëmijë mes moshës 1 dhe 10 vjeç, duke i intervistuar për një periudhë 17 vjeçare.

Rritja e agresionit u vëzhgua dhe dokumentua në djelmosha 14 vjeçarë të cilët kishin parë nga 1 në 3 orë televizion çdo ditë, krahasuar me ata që kishin parë më pak se 1 orë televizion në ditë.

Studimi i Johnson dhe co. është një studim i tipit gjatësor (longitudinal). Studimi është i pari i tipit gjatësor që studion(te) bashkëlidhjen mes ekspozimit ndaj TV gjatë adoleshencës dhe dhunës së mëpastajme. Kjo lidhje u tregua jo vetëm tek adoleshentët por edhe tek të pjekurt e rinj, pra individët në post-adoleshencë, duke hedhur poshtë mendimin se dhuna televizive ndikonte vetëm tek fëmijët.

Ndër të tjera studimi i Johnson et al. ka ushtruar kontrolle edhe ndaj disa ndryshoreve të tjera që mendohet se ndikojnë mbi shprehjen e veprimeve të dhunshme. Këto ndryshore ishin: neglixhenca në fëmijëri, dhuna në lagjen e banimit apo edukimi prindëror dhe të ardhurat familjare; studimi i njëkohshëm edhe i këtyre ndryshoreve përjashtoi menjëherë shumë shpjegime të tjera alternative.

Së fundi, studimi i Johnson et al. Është një studim shkencor mjaft i gjerë, që siç e përmenda në fillim përfshinte 707 familje të pyetura mbi zakonet e veta në një periudhë kohore 17 vjeçare, që është një fakt shumë domethënës.

[1] Surgeon General’s Scientific Advisory Committee on Television and Social Behavior, Television and Growing Up: The Impact of Televised Violence U.S. Government Printing Office, Washington, DC, (1972).
[2] National Television Violence Study Center for Communication and Social Policy, University of California, Santa Barbara, CA, (1998).
[3] J. G.Johnson et al.

Jeffrey G. Johnson, Patricia Cohen, Elizabeth M. Smailes, Stephanie Kasen, Judith S. Brook (2002). Television Viewing and Aggressive Behavior During Adolescence and Adulthood Science DOI: 10.1126/science.1062929

Facebook dhe dëshpërim

Facebook dhe dëshpërimnga Astrit Lulushi

Kush mendon se Facebook-u është mënyrë e mirë për të qëndruar në kontakt me miqtë, nuk është vetëm. Më shumë se një miliard njerëz përdorin këtë rrjet shoqërimi virtual.

Stresi dhe Facebook-u

Por tani, një studim i ri tregon se e gjithë kjo lidhshmëri me njëri-tjetrin nuk i bën njerëzit të ndjehen më mirë apo të gëzuar.

“Të pëlqen një gjë?” – zgjidh “like”. Nëse ke për të thënë diçka – klik “comment” dhe shkruaj. Lehtësia është e madhe, por a sjell kjo kënaqësi? “Ndoshta jo”- përgjigjet studimi i ri nga shkencëtarë të Universitetit të Miçiganit, të cilët zbuluan se sa më shumë kohë që njeriu shpenzon në “Facebook“, aq më pak gjasa ka që të ndjehet mirë.

Shkencëtarët shqyrtuan për 2 javë, 82 të rinj e të reja- që ishin përdorues aktivë të Facebook-ut nëpërmjet aplikimit “facebook mobile” në telefon.

Rezultatet treguan se personat që u angazhuan më shpesh në Facebook, ndjeheshin më të dëshpëruar, më të mërzitur, më melankolikë – ata gjithashtu thanë se ishin më pak të kënaqur me jetën e tyre reale në përgjithësi, në krahasim me të tjerët që e përdornin me pak këtë rrjet social.

Ekspertët thonë se një nga arsyet për pakënaqësi mund të jetë zilia që njeriu provon kur sheh se profili i tjetrit në facebook është më i mirë se i veti – gjithashtu duke shpenzuar shumë kohë në facebook, njeriu shkëputet nga jeta e botës reale dhe kjo e bën të ndjehet keq a i vetmuar.

Studimi nuk këshillon që njerëzit të mbyllin llogarinë në facebook, por as nuk duhet të harrojnë jetën reale, ku lidhjet dhe kontaktet e vërteta janë gjithashtu të rëndësishme.

(Burimi: Facebook dhe dëshpërim)

————————————————————–