Mospërputhja miopike

Miopia, evolucioni i llojit njerëzor dhe jetesa moderne.

Miopia është një difekt pamor që karakterizohet nga një pamje e qartë e objekteve të afërta dhe nga një pamje e mjegullt e objekteve të largëta. Në miopi ekziston natyrisht një predispozim gjenetik – tek e fundit gjenetika është kurdo dhe kudo. Për shembull, ekzistojnë familje ku miopia ka qenë dhe është e trashëguar brez pas brezi.

Por çfarë lidhje ka evolucioni me miopinë? Ata që janë të informuar rreth biologjisë, apo që lexojnë këtë blog, patjetër që e dinë se evolucioni nuk ka kohë të veprojë në pak dekada. Evolucioni i llojit tonë nuk ia del që t’i qëndrojë pas evolucionit dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike, ekonomike dhe shoqërore që kanë prekur dhe sjellë dobi të madhe njerëzimit (megjithëse me anët e veta negative).

Nëse e shikojmë këtë difekt pamor nën dritën evolutive, vëmë re se miopia është një problem që shkaktohet përmes ndërveprimit të gjeneve me atë që rëndom quhet kulturë por që nuk është gjë tjetër veçse ambienti dhe dezajni i jetës sonë.

Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij natyrore, njeriu ka jetuar në hapsira të mëdha, me dritë dielli të bollshme, ku pjesa më e madhe e punës së syve bëhej në distanca të gjata, jo të afërta. Gjuetarë-mbledhësit e 50-200.000 viteve më parë i përdornin sytë për të parë prej së largu, për të dalluar prenë apo predatorin.

Por kultura apo ambienti ynë i sotëm bën që individët, që të vegjël, të kalojnë orë të tëra të ditës në ambiente të brendshme, të mbyllura, larg dritës së diellit, duke e përqëndruar shikimin kryesisht në punë dhe objekte të afërta siç janë librat apo ekranet e pajisjeve elektronike.

Një faktor i rëndësishëm duket se është edhe ekspozimi ndaj dritës natyrale. Fëmijët që kalojnë më shumë kohë në ambiente të hapura kanë më pak risk për miopi. (Dopamina, retina, transmetimi i sinjaleve në tru, zgjatja e syrit.)

Këto praktika gjatë rritjes së syri kur trupi është ende në zhvillim kanë krijuar një situatë kur rreth gjysma e individëve në Europë dhe në SHBA janë sot miopë, ndërsa trendet botërore shkojnë drejtë asaj që përshkruhet si një epidemi miopie.i

Ky është një shembull i mismatchit, pra i mospërputhjes mes gjeneve dhe ambientit të tyre ideal. Gjenet që rregullojnë syrin në morfologji dhe funksion janë formësuar në, nga dhe për një ambient dhe rrethana që sot nuk ekzistojnë më apo nuk janë gjerësisht të gjendshme. Sot ambienti ynë është radikalisht i ndryshëm nga ai ku specia jonë ka kaluar pjesën e stërmadhe të historisë së vet natyrore.

Shikimi i keq që vjen prej miopisë tek njerëzit në ditët e sotme është një efekt anësor i ambientit tonë modern, me hapsira të kufizuara, jetesë në ambiente të brendshme dhe reduktim i kohës që kalojmë jashtë.

Deri para pak brezash shumë pak individë vuanin nga miopia. Kjo tregon se miopia nuk është një problem gjenetik, sepse përndryshe do të ishte shfaqur edhe më herët në historinë e njerëzimit.
Në të kundërt gjenet që kodojnë për morfologjinë dhe funksionin e syrit janë selektuar që të përshtaten me ambientin ku specia njerëzore është formësuar.

Ne nuk jetojmë më në atë ambient. Këto gjene, në ditët e sotme, vazhdojnë të kryejnë funksionin e vet, por ajo që ka ndryshuar është stimuli i jashtëm – në këtë rast se si dhe sa gjatë ushtrohet shikimi në objekte apo detyre të afërta, dhe se sa në objekte të largëta. Jetesa moderne, me ambientet e kufizuara, me leximet e zgjatura, me objektet dhe ekranet elektronike duket pra se e bën syrin që ketë një prirje për shikimin nga afër, dhe prej këtej vjen kjo rritje në tendencat miopike.

Rasti i Taivanit është një model i mirë: në një hark të shkurtër kohor shoqëria taivaneze u shndërrua nga agrare në një shoqëri me ndërtesa moderne dhe zzra të ngushta. Si pasojë normat e tyre të miopisë kaluan nga 74% që ishin në 1986 në 84% në vitin 2000 (tek fëmijët 12 vjeç)ii.

Natyrisht që miopia korrigjohet me lente, pra syze. Por ndoshta do duhej që të bënim një korrigjim më radikal, në mënyrën se si jetojmë?

i Vitale, S., Sperduto, R. D., and Ferris, F. L., 3rd (2009) Increased prevalence of myopia in the United States between 1971-1972 and 1999-2004. Arch Ophthalmol 127, 1632-1639 

ii Lin, L. L., Shih, Y. F., Hsiao, C. K., Chen, C. J., Lee, L. A., and Hung, P. T. (2001) Epidemiologic study of the prevalence and severity of myopia among schoolchildren in Taiwan in 2000. J Formos Med Assoc 100, 684-691

© Rinstinkt Blog / Rizvan Myrtaj 2020

Keratiti nga Acanthamoeba

Keratiti nga Acanthamoeba

Acanthamoeba është një nga protozoarët më të shpeshtë, që gjenden rëndom në dhe dhe në ujrat e ëmbla (të ndenjura).
Acanthamoeba ekziston në dy forma kryesore: në një formë të fjetur, cistike dhe në një formë aktive, trofozoitike.

Kz protozoar është në gjendje që të japi dy lloje infeksionesh tek njeriu: njëri është encefaliti, tjetri është keratiti për të cilin do të flasim më poshtë.

Keratiti nga Acanthamoeba ndodh për shkak të një kontakti të drejtëpërdrejtë të parazitit me kornean e individit. Shpeshtia e infeksioneve, si pasojë e kontaktit të mësipërm, është rritur në mënyrë domethënëse me përhapjen e përdorimit të lenteve në kontakt. Kjo ka ndodhur sepse lentet në kontakt mund të shkaktojnë mikro-dëmtime të korneas, të cilat dëmtime mundësojnë kalimin e patogjenit në fjalë përtej epitelit korneal. (Kësisoj i hapet rruga perforacionit, pra çarjes korneale.)

 

Një nga shenjat e para të keratitit nga Acanthamoeba është një dëmtim sipërfaqësor, që ka një paraqitje pseudo-dendritike, që kujton infeksionin e shkaktuar nga HSV. Ky dëmtim fillestar është i rrethuar nga një infiltrat korneal (infiamator) që ka formë unazore, në periferi të ulçerës qëndrore. Në vazhdim infeksioni mund të thellohet në stromën korneale duke shpurë edhe në një çarjje korneale (nëse nuk trajtohet në mënyrën e duhur).

keratiti nga acanthamoebaTë tjera shenja dhe simptoma të keratitit nga Acanthamoeba janë: hiperemia kongjuntivale (hiperemi perikaratike), fotofobi, lotim, dhimbje e fortë.

Diagnoza bëhet nëpërmjet një anamneze të kujdesshme e cila duhet të identifikojë faktorët e mundshëm të riskut. Po ashtu rëndësi ka edhe studimi mikroskopik i lenteve në kontakt dhe analiza e lëngut në të cilën konservohen lentet.

Një ekzaminim i rëndësishëm që bën diagnozën përfundimtare është mikroskopia konfokale in vivo e korneas që mundëson dallimin e cisteve në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kornean e pacientit.

Terapia: solucion antiseptik/dizinfektant në rast infeksioni sipërfaqësor. Në rastet e keratitit të thelluar në stromën korneale jepen solucione lokale me bazë kloreksidine apo me bazë Betadine. Gjithsesi në këto rastet kur infeksioni është i thelluar, çrrënjosja e parazitit është e vështirë (me rënie të konsiderueshme të cilësisë së të parit) dhe mund të kërkojë muaj të tërë terapie.

 

Lexo dhe: Keratiti (infeksioni i korneas)

Keratiti (infeksioni i korneas)

Keratiti

Keratiti është emri që u vihet patologjive infiamatore të korneas (pjesa më e përparme e syrit).
Ekzistojnë lloje të ndryshme keratiti, por ato më të shpeshtat dhe më të rëndësishmet janë format bakterore, format virale, format mikotike (kërpudhore) dhe forma e keratitit nga Acanthamoeba (protozoar).

Keratiti bakteror
Përpara se të flasim për keratitin bakteror, duhet të vëmë në dukje se syri ka mekanniza të shumtë që e mbrojnë kundër infeksioneve bakterore; ndër këto mekanizma bëjnë pjesë lotët, barriera (kufiri) epitelial, lidhjet e dhëmbëzuara që formojnë këto qelize me njëra tjetrën, dhe një rol tepër të rëndësishëm luan edhe folara saprofite okulare që në kushte normale lufton bakteret jo-saprofite.
Tani, ekzistojnë edhe baktere patogjeneë që janë në gjendje të penetrojnë edhe një epitel të paprekur, të padëmtuar, pra që e ruan integritetin e vet fizik dhe funksional. Një ndër këta baktere është gonokoku, që është bakteri që indukton një infeksion me progresionin më të shpejtë drejt perforacionit/çarjes korneale (çarja korneale është një ndërlikim tepër i rrezikshëm.).
Bakteret e tjera janë në gjendje të shkaktojnë një keratit bakteror vetëm pas një ndërprerje të integritetit epitelial të korneas.
Gjithesesi, shkaku kryesor i infeksioneve bakterore janë përdorimi i lenteve në/me kontakt dhe higjene e tyre e paktë. Baktere tejet patogjene, siç është për shembull lloji Pseudomonas, janë në gjendje t’i kolonizojnë lentet dhe kjo mund të shpie në një infeksion, pra keratit, dhe mëpastaj edhe në një çarje/perforacion korneal.
Simptomat që referon dhe shfaq pacienti në rast keratiti bakteror janë: një ndjesi trupi të huaj në sy, fotofobi, mjegullim të të parit, edemë palpebrale (të kapakut të syrit) si dhe një hiperemi/skuqje të kongjiuntivës.
Trajtimi duhet nisur menjëherë, pa pritur përgjigjen e antibiogramit, me antibiotikë me spektër të gjerë veprimi si për shembull me fluorokinolone të gjeneratës së katërt.

 

Keratiti viral

herpes korneal

Keratit viral nga Herpes simplex virus

Forma më e shpeshtë e keratitit viral është keratiti nga virusi herpes simplex. Keratiti herpetik është zakonisht një shprehje e një infeksioni reçidivant dhe jo e një infeksioni parësor. Në këto raste, infeksioni parësor/primar ndodh më shpesh gjatë fëmijërisë kur individi bie së pari në kontakt me virusin nëpërmjet familiarëve apo personave të tjerë që janë të infektuar. Simptomat që shfaqen gjatë këtij infeksioni parësor janë, temperaturë e lehtë, dobësi e përgjithshme, disa fshikëza në rajonin trupor ku ndodh infeksioni, si dhe linfoadenopati lateroçervikale. Në vijim, pra pas infeksioni parësor, virusi udhëton në aksonin e nervit ndijor që inervon zonën e infektuar. Nëpërmjet nervit ndijor virusi mbërrin në nyjen nervore (të nervit përkatës), që në rast të virusit HSV-1 është nyja trigeminale, ndërsa në rast të virusit HSV-2 është një nyje spinale meqënëse HSV-2 është më shpesh shkakëtar i infeksioneve gjenitale.
Sëmundja reçidivante, thamë se, është forma përgjegjëse e keratitit viral. Kjo paraqitet si një dëmtim linear me aspekt dendritik, dhe është pozitive ndaj ngjyrosjes me fluoresceinë. (E ashtuquajtura ulçerë dendritike). Ekstremitetet e degëve të këtij ‘dendriti’ janë në fakt terminacionet nervore që virusi ka përshkuar për t’u kthyer dhe infeksuar sërisht kornean. Ky lloj dëmtimi quhet “në formë harte gjeografike”.
Terapia konsiston në ilaçe antivirale topike, si Aciclovir dhe Ganciclovir.

 

 

Keratiti kërpudhor (keratomikoza)
Në këtë formë keratiti patogjenët më të shpeshtë janë kërpudhat filamentoze (Aspergillus dhe Fusarium) dhe Candida albicans-i. Keratiti nga Candida zhvillohet shpesh në pacientë me imunodepresion apo që janë të prektur nga patologji të tjera okulare që kanë nevojë për ilaçe imunosopresive.
Shenjat dhe simptomat në këtë formë keratiti janë, ndjesi trupi të huaj në sy, fotofobi, mjegullim viziv, dhe sekrecione.
Terapia është me ilaçe antimikotike, dhe duhet zgjatur për 6 javë. Përdoren aktimikotikë lokalë. Shpesh jepet edhe një terapi antibiotike për të parandaluar një infeksion bakteror që mund t’i shtohet infeksionit kërpudhor.

 

Keratiti nga Acanthamoeba (vijon…)

 

 

Çfarë është katarakta; llojet e kataraktës; trajtimi

Çfarë është katarakta?

Katarakta është një nga shkaqet kryesore të dëmit pamor në nivel botëror. Katarakta është përgjegjëse për verbërinë e 20 milionë njerëzve në mbarë botën.

Fjala kataraktë vjen nga latinishjta cataracta, që do të thotë ujëvarë/kataraktë. Në fushëm biomjekësore do të thotë se transparenca e lentes së syrit është ulur, është më pak transparente.

Lentja e syrit punon së bashku me kornean për të fokusuar dritën në retinë. Retina nga ana e vet përkthen sinjalin e dritës në një sinjal elektrik që mëpastaj transmetohet drejtë trurit (në grupet neuronale përgjegjëse për dekodifikimin e sinjaleve pamore).

Në të majtë lente e syrit normale; në të djathtë lente e syrit e prekur nga katarakta.

Në të majtë lente e syrit normale; në të djathtë lente e syrit e prekur nga katarakta.

Katarakta zakonisht shkakton një pamje të turbullt, dhe shpesh me një “jehonë” rreth dritave, humbje të nuancës së ngjyrave por edhe një shikim më të keq në ambientet e errëta (apo natën). Në disa subjekte të prekur nga katarakta paradoksalisht vihet re një rritje e aftësisë fokusuese tek lentja e syrit dhe kështu këto subjekte shpesh nuk kanë më nevojë për zyzet e leximit.

Katarakta zhvillohet ngadalë dhe pa dhmbje. Mund të avancojë për vite të tëra pa u vënë re, pa u diagnostikuar.

Nëse katarakta lihet pa u kuruar mund të shkaktojë një humbje të theksuar të aftësisë shikuese në syrin e prekur.

Fenomeni i kataraktës zakonisht prek të dy syte, por mund të ndodhi që të preket edhe vetëm një sy ose ndonjëherë mund të ndodhi që katarakta që avancojë me shpejtësi të ndryshme nga njëri sy tek tjetri.

 

Shkaqet dhe tipet e kataraktës

Mbi 70% e meshkujve dhe femrave me moshë 80 vjeç e sipër do të vuajnë nga katarakta (kjo në bazë të trendeve statistikore).

Tipi më i përhapur i kataraktës është ai i ndërlidhur me moshën e indivdit, që vjen si pasojë e degradimit të proteinave të lentes me kalimin e kohës. Ky proces vjetërsimi apo plakjeje mund të përshpjetohet nga të pirit e duhanit, nga sëmundet kronike sii diabeti apo presioni i lartë i gjakut, por mund të përshpejtohet edhe prej ekspozimit ndaj rrezeve ultra-vjollcë(UV) dhe radiacioneve.

Një tip tjetër i kataraktës është ai që vjen si efekt anësor i mjekimeve për shkaqe të tjera, si për shembull në rast mjekimi afat gjatë me steroide, siç ndodh për shembull në rast artriti rehumatoid apo në rast sëmundjesh të tjera inflamatore kronike që kanë doemos nevojë për trajtim me steroide.

Një tip tjetër i kararaktës është ai që shkaktohet nga goditjet apo më mirë të themi traumat e syrit.

Ekziston edhe një tipi kataraktës që është i bashkëlindur, që do të thotë se fëmija lind me kataraktë.

 

Si trajtohet katarakta?

Nuk ekzistojnë ilaçe për të trajtuar apo parandaluar avancimin e kataraktës.

Kirurgjia është i vetmi mjet që përdoret në rast se katarakta avancon deri një një pikë ku të parit preket në mënyrë serioze.

 

 

Të pëlqeu postimi?
Vendos një “Like” tek Faqja e Blogut në Facebook

 

 

 

 

 

Retinopatia hipertensive & retinopatia diabetike

Retinopatia hipertensive dhe retinopatia diabetike

Retina (rrjetëza) është një nga shumë shtresat, apo më mirë të them veshjet, që përbëjnë dhomëzën e syrit – cipëza më e brendshme. Rrjetëza, për shkak të origjinës së vet embriologjike, të lidhjeve të drejtëpërdrejta me sistemin nervor qëndror, duhet të konsiderohet si pjesë e sistemit nervor të njeriut. Qelizat kryesore të rrjetëzës janë konet dhe shkopinjtë (cilindrat), që luajnë roli e fotoreceptorëve të cilët janë përgjegjës për shikimin me ngjyra dhe atë bardhë e zi.

Me termin retinopati kihen parasysh të gjitha sëmundjet e mundshme që prekin rrejtëzën (retinën). Pra retino (retina) dhe patia (sëmundje). Ndër shkaqet më të shpeshta të retinopative janë: hipertensioni dhe diabeti mellit.

Në rastin e retinopative hipertensive ndodh që arteriet që furrnizojnë rrjetëzën me gjak ngushtohen. Si pasojë, nga mungesa e furnizimit me gjak, pjesë të ndryshme të rrjetëzës (mund të) dëmtohen; në pjesë të tjera mund të ketë gjakrrjedhje e në të tjera akoma mund të ndodh një depozitim lëndësh organike.

Përshtatur nga:  JAMA. 2005;293(1):128.

Përshtatur nga: JAMA. 2005;293(1):128.

Retinopatia diabetike është një patologji okulare që prek kryesisht individët që vuajnë nga diabeti mellit, në veçanti ata me diabet mellit të tipit 1. Ndër problemet kryesore tek subjektet diabetikë është edhe dëmtimi kronik i mikroqarkullit të gjakut në organe si veshka, zemra, turi dhe syri. Në retinopatinë diabetike, kapilarët e rrjetëzës (enë të vogla gjaku) preken nga sëmundje mikroaneurizmatike që shkaktojnë humbje lëngjesh dhe gjakderdhje në rrejtëz. Ndjek një rritje jo-normale kapilarësh mbi sipërfaqen e rrjetëzës. Gjakrrjedhje të tjera mund të ndodhin meqë kapilarët e rinj janë të dobët. Në humour vitreous mund të fillojë të rritet ind fibroz si pasojë e dëmtimeve të herë pas hershme. Një klasifikim i retinopatisë diabetike është i tipit: proliferative dhe jo-proliferative. E para implikon një zhvillim enësh gjaku, si pasojë e stimulit dëmtues; e dyta jo.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————–