Çfarë e bën një burrë tërheqës? Gjymtyrët e tij.

Çfarë e bën një burrë tërheqës? Gjymtyrët e tij.

Një burrë mund të jetë tërheqës për shkak të flokëve të tij të verdha e kaçurrele, apo për shkak të kostumit të tij, por kur i largojmë të gjitha këto gjëra na mbetet vetëm një pjesë e rëndësishme që është formësuar nga evolucioni i llojit tonë. Gjymtyrët, dhe më saktë se sa proporcionale janë gjymtyrët e poshtëme, pra këmbët, në krahasim me pjesën tjetër të trupit.

këmbë, proporcionale me gjatësinë e trupit

Femrat preferojnë meshkuj me këmbë sa gjysma e gjatësisë së trupit.

Femrat preferojnë meshkuj/burra që kanë këmbë sa gjysma e gjatësisë së trupit të tyre. Shkencëtarët mendojnë se kjo preferencë e femrave është rezultat i presioneve evolutive, sepse femrat (sikundër  meshkujt) dëshirojnë të gjejnë dhe zgjedhin partnerë të shëndetshëm. Gjymtyrë të poshtme shume të shkurtra, për shembull, janë ndërlidhur me diabetin e tipit 2. Pra në terma statistikorë një mashkull me gjymtyrë të poshtme të shkurtra (pra më të shkurtra se gjysma e gjatësisë së trupit të vet) është më pak i dëshiruar nga femrat në krahasim me një mashkull me këmbë më të gjata relativisht gjatësisë së tij totale.

Shkencëtarët hetuan edhe nëse gjymtyrët e sipërme kishin ndonjë efekt në preferencat e femrave. Rezultatet ishin se gjatësia e krahëve të individit në relatë me gjatësinë e trupit nuk kishte ndonjë efekt në preferencat e femrave.

Pra, gjëja më e rëndësishme ishte se femrat shfaqnin një preferencë tepër të dukshme nëse këmbët ishin më shumë apo më pak se gjysma e gjatësisë së mashkullit.
Pra proporcionet kanë goxha rëndësi.

 

Artikulli shkencor.

©  për këtë version i përket Rinstinkt Blog. Përshtatur/përkthyer prej Science.

Advertisements

Hyrje tek Psikologjia Evolutive

Debati se sa përqind e sjelljes njerëzore është e bashkëlindur dhe se sa mund t’i atribuohet ambientit ku njeriu jeton ekziston prej mijëra vjetësh. Aktualisht disa psikologë konjitivë argumentojë se ne, njerëzit, jo vetëm që trashëgojmë disa karakteristika dhe trakte psikologjike, por edhe se këto karakteristika psikologjike janë subjekt i seleksionit natyror dhe seksual sikundër janë karakteristikat tona fizike (çka është një fakt i gjithëpranuar). Këta shkencëtarë argumentojë se mendja është një produkt i trurit, dhe se truri është si çdo organ tjetër i formësuar prej gjenetikës (trashëgimisë).

Këta shkencëtarë dhe këto argumenta janë pjesë e një fushe relativisht të re kërkimi shkencor: fusha e psikologjisë evolutive.

Psikologjia evolutive është përqasje teorike dhe esperimentale që përpiqet të ekzaminojë strukturën psikologjike nga një perspektivë evolutive/evolucionare. Thënë me fjalë të tjera, psikologjia evolutive nuk është gjë tjetër veçse aplikimi i principeve evolucionare mbi çështje dhe pyetje të sjelljes dhe natyrës njerëzore.

Qëllimi final i psikologjisë evolutive, i nëndegëve të saj dhe i degëve të ndërlidhura me të, është që të paraqesi një kuadro të proceseve psikologjike, emocioneve dhe konstrukteve shoqërore ku baza të jetë apo të informohet prej seleksionit natyror, në të njëjtën mënyrë sikundër seleksioni natyror dhe teoria evolutive e formuluar së pari prej Darvinit qëndron sot si bazë që informon gjithë njohuritë në fushën e biologjisë, morfologjisë, antropologjisë etj. Pra, qëllimi është që teoria evolutive të funksionojë si një bazë ëdhe si kornizë metateorike që e integron të gjithë fushën e psikologjisë dhe të neuroshkencës në të njëjtën mënyrë sikundër evoluconi bëri për biologjinë dhe nëndegët e saj.

Kjo fushë e aktivitetit shkencor njerëzor kërkon që identifikojë se cilat trakte psikologjike njerëzore janë përshtatje (adaptime), pra që janë produkte funksionale të seleksionit natryor dhe seleksionit seksual në specien njerëzore.

Arsyetimi në biologji është i tipit: dhëmbët, mushkëritë, sistemi imunitar, zemra kanë evoluar në mënyrë modulare gjatë një kohe të gjatë për t’iu përshtatur funksioneve të ndryshme që e ndihmonin individin që i zotëronte këto (apo edhe pasardhësit e tij) në kalimin me sukses të sfidave që i dilnin përballë në ambientin ku qenia njeri ka kaluar pjesën më të madhe të kohës së vet (në terma evolutivë). Kështu duke aplikuar të njëjtën linjë mendimi në fushën e psikologjisë apo të mendjes, psikologjia evolutive argumenton dhe tregon se mendja (si epifenomen i trurit) ka, me shumë gjasa, një strukturë modulare – sikundër organet e tjera – ku çdonjëra prej këtyre pjesëve (moduleve) është formësuar, adaptuar për t’iu shërbyer funksioneve të ndryshme që ndihmonin në mbijetesën dhe riprodhimin e individit.

Pra, nën dritën e kësaj fushe relativisht të re të kërkimit shkencor, modelet e sjelljes së kafshëve, përfshirë njeriun, hetohen në terma të mënyrës se si këto sjellje mund të kenë kontribuar në mbijetesën dhe benefitet riprodhuese të paraardhësve tanë, të cilët në terma evolutivë e kanë kaluar pjesën më të madhe të kohës në ambiente, nëmos identike me savanën Afrikane, të ngjashme me të.

80966-71572Kështu, psikologjia evolutive për shembull, na informon se preferenca njerëzore për ushqime të ëmbla (me përmbajte të lartë sheqernash), për ushqime me përmbajtje të lartë yndyrash derivon nga një periudhë në rrugëtimin evolutiv species tonë kur uria dhe mungesa e ushqimit ishte norma, dhe të paturit e një preference për ushqime me përmbajtje të lartë energjie (sheqerna dhe yndyra) implikonte se ti si individ (brezat pasardhës) kishe një marsh më shumë krahasuar me individë të tjerë që këtë preferencë nuk e kishin. Arsyetimi më pas është i ngjashëm me atë që bëhet në fushën biologjike. Këta individë që për arsye të tjetërsimeve gjenetike kishin këtë preferencë të lindur për ushqime me përmbajtje të lartë energjie do të kishin më shumë shanse për të mbijetuar dhe për të lënë pasardhës; dhe këta pasardhës brezë pas brezi dalëngadalë do të shpërndanin këtë karakteristikë në të gjithë popullatën – dhe kjo është arsyeja pse njerëzit edhe sot, që gjetja e ushimit është shumë shumë më e thjeshtë, kanë akoma këtë preferencë të lindur psikologjike për ushqime me përmbajtje të lartë energjitike (dhe madje ndiejmë edhe kënaqesi kur hamë të tilla ushime). Por kjo preferencë e lindur për këto ushqime që është formësuar në mijëra breza të paraardhësve tanë që jetonin në ambiente ku ushiqmi ishte i vështirë për t’u gjetur, sot në njëfarë mënyre, për shkak edhe të papjekurisë sonë si specie, po na kthehet kundër në formën e një epidemie obeziteti.

Dhe ky ilustrim nga nxjerrë tek një pikë e rëndësishme të cilën duhet ta përmend medoemos: që seleksioni nayror (apo procesi evolutiv dhe mjetet me anë të të cilave ky proces është realizuar dhe realizohet) 1.) nuk ka një synim, pra nuk është një entitet me “intencion” dhe 2.) se, këto adaptime fizike dhe psikologjike që specia jonë ka fituar gjatë rrugëtimit evolutiv janë të tilla sepse ndihmonin individin që i zotëronte ato në një periudhë të ndryshme nga ajo moderne, pra në perudhën kur lloji njerëzor jetonte në shoqëri gjuetarësh-mbledhësish, pra në periudhën e Pleistocenit (1.8 milionë-10.000 vite më parë). Duke parafrazuar fjalët e David Buss, organizmat janë “ekzekutorë përshtatjesh/adaptimesh” dhe jo “maksimizues të fitnessit”. Kjo shpjegon pse organizmat, në rastin tonë njeriu, kanë adaptime/përshtatje emotive, motivacionale dhe konjitive që në përgjithësi rritnin fitnessin e tyre në ambientn e të shkuarës, pra në periudhën e Pleistocenit, por jo në ambientin e sotëm modern.

* * *

Më poshtë në mënyrë tepër sintetike janë disa pika bazë mbi të cilat bazohet Psikologjia Evolutive:
1. Mendja njerëzore konsiston në “qindra mijëra” module të evoluara.
2. Këto “qindra mijëra” module janë adaptime/përshtatje – që do të thotë, se ato janë formësuar nga seleksioni natyror për funksionet e veta specifike të procesimit të informacionit.
3. Këto adaptime/përshtatje janë dizenjuar për të zgjidhur probleme të mbijetesës dhe të riprodhimit me të cilat përballeshin popullatat gjuetare-mbledhëse të epokës së Pleistocenit.
4. Duke qenë se zakonisht seleksioni natyror i bën përshtatjet/adaptimet në një specie universale, psikologjia njerëzore e evoluar konsiston në një “dezajn të vetëm universal pan-njerëzor”, që është natyra njerëzore.
5. Si pasojë, diferencat mes indivdëve dhe mes kulturave nuk janë prodhuar nga adaptime/përshtatje psikologjike të ndryshme, por nga një psikologji universale që i përgjigjet rrethanave të ndryshme.

Qëllimi i Psikologjisë Evolutive është që të japi një llogari sa më të plotë të natyrës njerëzore – që do të thotë, një përshkrim të plotë të adaptimeve psikologjike modulare që përbëjnë mendjen njerëzore dhe se si këto module funksionojnë nën rrethana të ndryshueshme zhvillimore, kulturore dhe aktuale.

* * *

Disa evente të rëndësishme në historinë e psikologjisë evolutive.

  • 1859 – Biologu Charles Darwin shkruan se emocionet, perceptimet dhe konjicionii janë adaptime/përshtatje evolutive.
  • 1960 – Noam Chomsky argumenton se aftësia për gjuhë(komunikim gjuhësor) është një karakteristikë e lindur.
  • 1969 – John Bowlby argumenton se afrimiteti i bebeve të porsalindura tek nëna e vet është i programuar gjenetikisht.
  • 1976 – Në librin The Selfish Gene (Gjeni egoist), biologu i famshëm britanik Richard Dawkins pohon se tendencat tona të sjelljes evoluojnë nëpërmjet ndërveprimeve me të tjerët gjatë një periiudhe të gjatë kohore.

* * *

Fusha e psikologjisë evolutive që prej lindjes ka hasur në kritika konstruktive, por më shpesh në kritika jo konstruktive; këto të fundit shpesh të nxitura nga pikëpamje politike apo ideologjike radikale e shpesh utopike.

Psikologu i famshëm kanadez Steven Pinker identifikon katër frikëra kryesore që nxisin “kritikat” dhe frikën ndaj psikologjisë evolutive pavarësisht provave empirike.
Këto katër frikëra janë:
1. Frika e pabarazisë: nëse mendja është një “pllakë e bardhë”(blank slate) që prej lindjes, atëherë të gjithë njerëzit janë lindur të barabartë. Por nëse njerëzit i trashëgojnë karakteristikat mendore/psikologjike, disa njerëz doemos do të mund të kenë një avantazh natyror.
2. Frika e dytë ka të bëjë me cenet. Nëse disa cene janë të bashkëlindura ato nuk mund t’i nënshtrohen ndryshimit, e kështu reformat shoqërore për të ndihmuar të disavantazhuarit janë të kota, apo me gjasa do të dështojnë.
3. Nëse sjellja jonë përcaktohet nga gjenet, ekziston frika se ne mund të abdikojmë, pra heqim dorë, prej përgjegjësisë së veprimeve tona, dhe kështu t’ia hedhim fajin trashëgimisë tonë gjenetike.
4. Frika e katërt sipas S. Pinker është ajo më kryesorja… Frika është se nëse ne pranojmë se jemi formësuar prej psikologjisë evolutive, ndjenjat tona, perceptimet, arsyet dhe emocionet, do të katandisen në procese të thjeshta të evolucionit gjenetiik, dhe kështu biologjia do të “përgënjeshtrojë gjithçka të shenjtë që kemi”.

Ngjyra e lëkurës dhe seleksioni natyror

Ngjyra e lëkurës dhe seleksioni natyror

A ishte kanceri i lëkurës një forcë selektive për pigmentimin e errët të lëkurës tek hominidët e hershëm?

Ky është titulli i një studimi të botuar më 26 Shkurt 2014 në revistën Proceedings of the Royal Society B: Biological Sciences. Studimi është i Mel Greaves, një kërkues shkencor pranë Institutit për Kërkimin mbi Kancerin në Londër.

Studimi në fjalë duket se i jep akoma më shumë peshë tezës sipas të cilës hominidët e parë kanë zhvilluar një ngjyrë të errët të lëkurës për t’u mbrojtur nga rrezet ultravjollcë UV, të cilat siç e dimë mirë, mund të shkaktojnë dimerë të bazave pirimidinike (T-T) duke rezultuar pra në mutacione gjenetike dhe mëpastaj në kancerin e lëkurës.

Një fëmijë i prekur nga albinizmi  (Credit: Wikipedia)

Një fëmijë i prekur nga albinizmi
(Credit: Wikipedia)

Studimi sugjeron se pjesa më e madhe e individëve me albinizëm të cilët kanë lindur në zonat e Afrikës ku duket se kanë evoluar qeniet e para njerëzore, dhe ku nivelet e rrezatimit UV janë tejet të larta, pra këta individë priren të vdesin nga tumori i lëkurës në moshë të re. Rrjedhimi është se nuk lënë pasardhës, dhe me kalimin e kohës, seleksionohen individët që janë më të priirur për të jetuar në ato zona.

Lëkura e errët i detyrohet pigmentit të eumelaninës, i cili është disi i ndryshëm nga feomelanina e cila është karakteristike e lëkurës së bardhë. Hominidët e parë, mendohet se për të favorizuar largimin e nxehtësisë nga trupi i vet, gradualisht po humbisnin qimet që mbulonin trupin. Pikërisht në këtë stad mendohet se ka filluar të veprojë edhe seleksionimi i ngjyrës së errët të lëkurës, e cila ofronte edhe mbrojtjen më të mirë ndaj rrezeve të rrezikshme ultravjollcë.

Studimi i cituar: Proc. R. Soc. B 22 April 2014 vol. 281 no. 1781 20132955

——————————————————————————

Edhe gorrillat përdorin mjete

Tek shkrimi Përsiatje mbi të qenit Njeri, përmendja faktin se edhe specie të tjera ishin të afta të përdornin mjete për qëllimet e tyre. Gjë që nuk është vetëm karakteristikë njerëzore.

Gorrillat përdorin mjete

Ky fenomen ishte i njohur prej kohësh për shimpanzetë, të cilat janë vëzhguar e dokumentuar duke përzënë nëpërmjet mjeteve të veta shipmanze të tjera. Po ashtu janë vëzhguar duke shtypur arra e duke gërmuar në kërkim të rrënjëve të bimebe apo barishteve. Pa harruar një fenomen emblematik, do të thoja, atë të përdorimit të shkopinjve të lyerë me pështymë për të “nxjerrë” mizat e dheut nga foletë e tyre.

Tek gorrillat, përdorimi i mjeteve ishte më pak i vëzhguar. Gjithsesi, sot në arsenalin e mjeteve të përdorura nga gorrillat futet edhe një tjetër, i vëzhguar së fundmi.

Ka të bëjë me përdorimin si shkallë të një trungu(kërcelli) bambuje nga ana e një gorrille femër. Femra e gorrillës u vëzhgua duke e përdorur bambunë si shkallë, ndërsa vinte re se i vogli i vet nuk arrinte të kalonte një shkurre që gjendej aty pranë. Pra nëna nuk përfitonte drejtëpërdrejtë nga ky përdorim. Episodi nuk mund të jetë një rastësi sepse nëna gorrillë e përdori bambunë si shkallë për të voglin e saj vetëm pasi e dëgjoi të qante.

Nuk mund të thuhet, gjtihsesi nëse ky përdorim është sistematik.

Rinstinkt, nëntor 2013

—————————————————————–

Forcat elektrike në biologjinë molekulare, strukturën e ADN-së dhe replikim

Forcat elektrike në biologjinë molekulare, strukturën e ADN-së dhe replikim

Studimi i strukturës dhe funksionimit të një qelize së gjallë në nivelin molekular njihet si biologjia molekulare, disiplinë e cila së fundmi është bërë mjaft e rëndësishme për aplikimin (zbatimin) e ligjeve të fizikës.

Përderisa brendësia e një qelize përmban ujë, si përbërësin e saj thelbësor, mund ta mendojme si nje det me molekula ne lëvizje të vazhdueshme (si në teorine kinetike) që përplasen me njëra-tjetrën duke zotëruar energji te ndryshme kinetike. Këto molekula veprojnë reciprokisht (me njëra-tjetrën) në mënyra të ndryshme, si për shembull: permes reaksioneve kimike (formim dhe shkëputje lidhjesh midis atomeve) dhe ndërveprimeve  më të dobeta ose lidhjeve që vijnë për shkak te tërheqjes elektrostatike mes molekulave.

Proceset e shumta qe ndodhin në qelizë, sot konsiderohen si rezultati i lëvizjes molekulare të rastësishme (termike) i lidhur me efektin e forcës elektrostatike.

Kjo që do të përshkruajme me poshte nuk është pare (ende) ne veprim. Është më shumë një model i asaj që ndodh bazuar në teori fizike dhe mbi një shumëllojshmëri rezultatesh eksperimentale.

Informacioni gjenetik që tejcohet nga breznia në brezni në të gjitha qeniet e gjalla përmbahet (gjendet) në kromozome, që janë të përbërë nga gjenet. Cdo gjen përmban informacionin e nevojshëm për të koduar një proteinë specifike.

Informacioni gjenetik që përmban një gjen asemblohet në molekulen kryesore që përbën kromozomin, ADN-në (acidi dezoksiribonukleik). Nje makromolekulë ADN-je është e ndërtuar nga një zinxhirr i gjatë molekulash të shumta të vogla, të njohura si bazat nukleotide. Vetëm katër tipe bazash janë të pranishme në këtë makromolëkulë: adenina (A), citozina (C), guanina (G) dhe timina (T).

ADN-ja e një kromozomi përbëhet nga dy zinxhirë të ndërlidhur në formë helike të dyfishtë midis tyre. Dy zinxhirët lidhen midis tyre me forca elektrostatike, që do të thotë tërheqje midis ngarkesave pozitive dhe negative. Adenina lidhet me timinën, në të njëjtën mënyrë guanina lidhet me citozinën. Kjo afërsi e madhe është e nevojshme për të siguruar forcën elektrostatike të nevojshme për të mbajtur të lidhura bazat për një periudhë të shkurtër,në mënyrë që të formohen ato që quhen ‘lidhje të dobëta’.

Foract elektrostatike midis A-T dhe G-C ekzistojnë për sa kohë këto molekula janë të ngarkuara elektrikisht në disa pjesë të tyre për shkak të elektroneve që orbitojnë për më shumë kohë rreth një atomi përkundrejt një tjetër atomi të vet molekulës. Për shembull, elektroni i atomit të hidrogjenit tek adenina, vendoset në  zonën orbitale ngjitur atomit të azotit, kështu N ka ngarkësë (-) ndërsa H (+). Atomi hidrogjenit të adeninës është i tërhequr nga atmi O(-) i timinës.

Kjo gjendje (figura) krijohet kur kromozomi dyfishohet (replikohet), pak para ndarjes qelizore. Në fakt, lidhja midis A-T dhe G-C garanton që informacioni gjenetik të tejcohet me përpikmëri në brezninë tjetër.

Procesi i replikimit jepet më i thjeshtuar. Dy gjysmat e helikës së dyfishtë të ADN-së ndahen (me ndihmën e enzimave; edhe këto veprojnë nëpërmjet  forcave elektrostatike) duke ekspozuar pjesët e ngarkuara të bazave të azotuara. Pa hyrë në detajet e fillimit të replikimit, shohim se si realizohet lidhja e saktë e bazave, duke u perqëndruar tek molekula e treguar me shigjetë, në filamentin e poshtëm në figurë. Ka shumë nukleotide të lira, të të 4 llojeve, që lëvizin në “lëngun” qelizor. Baza e vetme që do të shfaqi një tërheqje ndaj G do te jetë një T. Ngarkesat në bazat e tjera nuk janë të tilla që ti afrohen asaj të G, dhe kështu nuk do të këtë forcë të mjaftueshme tërheqëse mbi to; kujtojmë që forca zvogëlohet me rritjen e distancës. Në praktikë një bazë G nuk tërheq A, T ose vetë G; këto do të largohen nga forca lidhëse me molekula të tjera, para se enzimat t’i ngjitin në zinxhirin që po formohet. Por forca elektrostatike do të mbajë të lidhur një C pranë një G për mjaft gjatë sa të lejojë një enzimë të lidhi C në ekstremitetin në rritje të zinxhirit që po formohet. Në këtë mënyrë mund të kuptojmë që forca elektrostatike, jo vetëm mban te lidhur dy zinxhirët, por vepron edhe duke zgjedhur bazat saktë, në rendin e duhur gjatë replikimit.

Filamenti 4 ka të njëjtën vijimësi bazash si filamenti i vjetër 1 dhe filamenti i ri 3 si filamenti i vjetër 2. Kështu dy helikat e reja 1-3 dhe 2-4 janë identike të helikës origjinale 1-2. Frekuenca  e gabimeve (vendosje e gabuar e bazave të azotuara) është e rendit  104 [dhe bëhet edhe me e vogël, 1 në 108 apo 109, për ndërhyrjet e mekanizmave enzimatikë të tipit “korrigjim draftesh dhe riparim”]. Gabime të tilla përbëjnë (janë) mutacione spontane (të vetvetishme) dhe një ndryshimi mundshëm i disa karakteristikave të organizmit. Është e rëndësishme për mbijetesën e organizmit, që frekuenca me të cilën ndodhin këto gabimeve të jetë e vogël; por një numër i vogël gabimesh duhet të ndodhin gjithsesi, në mënyrë që të vëprojë akoma evolucioni(që mund të ndodh vetëm përmes mutacioneve).

Ky proces replikimi duket  sikur zhvillohet në mënyrë mekanike, sikur cdo molekulë të dinte rolin  e saj dhe të shkonte në vendin e caktuar. Por nuk është kjo që ndodh. Forcat tërheqëse midis molekulave janë të dobëta dhe forcohen vetëm kur ato afrohen me njëra-tjetrën, për të formuar shumë lidhje të dobeta.

Në fakt, nëqoftësë strukturat nuk janë përplotësuese praktikisht nuk krijohen forca(t) elektrostatike midis tyre. Koncepti më i rëndësishëm për t’u kuptuar është që qeliza ka shume molekula, por vetëm ato me formë të përcaktuar (përshtatshme) do të qëndrojnë afër zinxhirit në formim e sipër. Kështu për shkak të lëvizjes rastësore të molekulave, forcat elektrostatike veprojnë për të krijuar rregull nga kaosi.

© Rinstinkt

————————————————————————–