Të gjitha gratë (femrat) janë të sëmura

Të gjitha gratë janë të sëmura

Lexova para pak kohësh në një faqe në gjuhë të huaj, që ndër të tjera citohej shumë nga guru-t alternativë, se menstruacionet (pra, humbjet hematike ciklike të femrës) na qenkëshin patoligjike. Pra, kjo faqe i përcaktonte femrat që kishin menstruacione si të sëmura, si patologjike. Të kuptohemi, faqja duke gjykuar nga ato që mund të lexoheshin, nuk mbahej nga një mjek; në të kundërt dukej se personi që mbante faqen ishte komplet injorant(e) mbi tematikat që trajtonte.

Do të thoni, po tallet ky?

S’ka fare tallje, postimi që lexoja ishte shkruar me seriozitet. Ishte rezultat i një përzierjeje injorance idiotllëku dhe keqdashjeje.

Në artikull citohej edhe Arnold Ehret, një “guru” i sukseshëm i  “mjekësisë” alternative.

Autori(a) gjenial(e) i(e) tekstit në fjalë sillte si “provë” në arsyetimin e vet diabolik, faktin se gra të ndryshme që ndjekin një dietë rreptësisht “higjenike” (vetëm me perime të gjalla!) janë pa menstruacione, pra menstruacionet janë rezultat i një diete të gabuar. Pra, më drejtëpërdrejtë, gratë që nuk ndjekin një dietë vetëm barishtore janë të sëmura meqë kanë menstruacione…

Citoj, (përkthimi im):

Menstruacionet janë patoligjike dhe jo të natyrshme. Asgjë nuk  ndikon më shumë sesa dieta në fluksin mujor të gruas. Ndonjëherë ajo që grua që ka menstruacione të bollshme mund të kurohet plotësisht duke reduktuar dietën në vetëm ushqime të gjalla. Shpesh, kur kalohet nga ushqimi i pjekur në atë të gjallë, cikli i femrës kapërcehet për një ose dy muaj, por nuk duhet të shqetësohet.

Gjeniu autor i artikullit, nuk e pyet veten nëse problemi mund të jetë tamam e kundërta e arsyetimit të vet idiot.

Një grua e kequshqyer, që zvogëlon në mënyrë drastike peshën e vet trupore, që nuk merr substancat e nevojshme për funksionimin korrekt të organizmit të vet, shfaq ndër shumë simptoma të tjera edhe atë të amenorresë (pra, mungesa e ciklit menstrual).

Një nga shkaqet e amenorresë është, pra, kequshqyerja. Jo rastësisht, kush vuan nga anoreksia apo nga shqetësime të tjera që kanë të bëjnë me ushqyerjen, shpesh konstaton zhdukjen e ciklit të vet menstrual. Për më tepër, gratë që bëjnë aktivitet sportiv të rreptë (me stërvitje dhe kontroll të ushqyerjes dhe peshës) shfaqin të njëjtin problem, që është tipik edhe për figura të tjera profesionale, tek të cilat kontrolli i ushqyerjes shkon deri në kequshqyerje (modelet, baleriant e kërcimit klasik etj.).

Deliri i autorit të këtij artikulli debil, për të cilin po marr mundimin të shkruaj, shkon edhe më tej, duke deklaruar se: gratë që e teprojnë me seksin rrezikojnë të bëhen pak budallaçka.

Citoj:

Dihet se teprimet seksuale kufizojnë aktivitetin intelektual. Për të arritur zhvillimin e plotë, inteligjenca duket se kërkon një zhvillim të mirë të gjëndrae seksuale dhe represionin (shtypjen) e dëshirës seksuale.

Budallëqe me okë. Rrini të qeta, shpreheni seksualitetin tuaj siç ju teket. Vetë kam një dyshim të madh se personi që ka shkruar fjalët e cituara, është (pak) xheloz për performancën e grave të tjera.

Nuk e di nëse ia vlen që të shpejgoj (sërisht) mekanizmat që qëndrojnë në thelb të menstruacioneve. Se përse ato ndodhin etj etj. Për tani do të mjaftohem me vendosjen e nja dy lidhjeve tek artikuj, tashmë, të botuar këtu në këtë blog.

Sistemi riprodhues femëror

Cikli menstrual

——————————————–

Reklama

Cikli menstrual

Cikli menstrual

Procesi me anë të të cilit një oocit shndërrohet në një vezë të maturuar quhet oogjenezë. Në lindje, dy vezoret përmbajnë miliona oocitëoocitet parësorë që kanë arritur në profazën e ndarjes së parë mejotike.

Zhvillimi i një oociti parësor fillon që nga epiteli burimor (germinativ) i vezores. Grupe qelizash migrojnë drejt stromës. Oogoni qëndror zgjerohet në folikulin primordial dhe kthehet në një oocit primar (parësor). Oociti parësor është i rrethuar nga qeliza folikulare. Këta oocitë parësor (primar) qëndrojnë në profazë derisa femra maturohet seksualisht. Në pubertet dhe nën influencën e hormoneve, ndarja e parë mejotike vazhdon dhe përfundon. Qelizat folikulare shumëfishohen dhe kthehen në grumbullin vezëmbajtës (cumulus oophorus) dhe  në membranën thërrmijore (membrana granulosa), të cilat së bashku me qeliza të këllëfit të brendshëm (theca interna) sekretojnë estrogjen. Estrogjeni rezervohet pjesërisht në  lëngun folikular (liquor folliculi) që gjendet në zgavrën e folikulit Graafian. Formohet një oocit dytësor dhe dy trupa polarë. Rreth ditës së 14-të të një cikli normal 28-të ditor, një folikul Graafian i maturuar shpërthen dhe nxjerr vezën e pjekur. Ky proces nihet si ovulim (ovulimi). Ndërkohë zgavra e folikulit mbushet me gjak dhe formohet trupi i verdhë (corpus luteum). Nëse pllenimi nuk ndodh trupi i verdhë ndalon së prodhuari progesteron dhe tkurret rreth ditës së 28-të të ciklit. Nëse ndodh pllenimi, atëherë trupi i verdhë vazhdon të rritet dhe në të gjithë vëllimin e vezores. Trupi i verdhë është thelbësor për ruajtjen e shtatëzanisë nëpërmjet prodhimit të progesteronit derisa formohet placenta rreth muajit të 4-të të shtatëzanisë.

Më specifikisht, ovulimi është procesi i prodhimit të oocitëve dytësorë, të cilët dalin nga folikuli dhe merren nga tubat e Falopit drejtë mitrës. Oociti udhëton në tubat e Falopit – për rreth tre ditë – falë lëvizjeve peristaltike të mundësuara nga muskujt e lëmuar të oviduktit. Në oocit i papllenuar jeton rreth 24 orë pasi del nga folikuli. Kështu, pllenimi ndodh në tubat e Falopit. Nëse veza pllenohet, ajo i nënshtrohet ndarjes së dytë mejotike dhe më pas pasi shkrihet me qelizën spermë, i nënshtrohet në sërë ndarjesh mitotike. Pastaj, falë lëvizjeve të muskulaturës së ovidukteve dhe lëvizjeve të cilieve (qerpikëve) që i veshin, veza lëviz drejt mitrës (6 apo 7 ditë pasi qeliza vezë është pllenuar). Tashmë embrioni i ri fiksohet në endometër (3 apo 4 ditë pasi mbërrin në mitër).

Nëse qeliza vezë nuk pllenohet. Ajo vdes, dhe shtresa (veshja) endometriale e mitrës largohet me menstruacionet. Pak pas menstruacioneve, fillon dhe rritet një oocit tjetër dhe pas rreth 28 ditësh cikli përsërit veteveten. Ky cikël njihet si cikli menstrual. Cikli i parë menstrual quhet menarke, dhe shenjon ardhjen e pubertetit tek femra. Cikli i fundit menstrual, në të kundërt shenjon ardhjen e menopauzës, e cila përfaqëson fundin e jetës pjellore tek femra.

Cikli menstrual (apo i të përmuajshmëve) përsëritet , rreth çdo 28 ditë duke filluar nga puberteti e deri në menopauzë,  përveç në rastet e shtatëzanisë apo të sëmundjeve të caktuara.

I tërë cikli është nën kontrollin e hipofizës së përparme (gjëndër endokrine). Hipofiza prodhon hormone gonadotrofike si FSH-ja, LH-ja dhe LTH-ja.

FSH-ja prodhohet gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual dhe stimulon folikulin Graafian në rritje e sipër që të prodhojë estrogjen.

LH-ja prodhohet gjatë gjysmës së dytë të ciklit, pas ovulacionit (ovulimit), dhe stimulon formimin e trupit të verdhë (corpus luteum), i cili prodhon progesteron. Në pubertet, estrogjeni (estrogeni) dhe progesteroni (progjesteroni)  janë përgjegjës për zhvillimin e organeve seksuale dytësore dhe karakteristikave seksuale dytësore. Gjatë moshës së rritur, këto hormone janë përgjegjës për ruajtjen e organeve dhe karakteristikave seksuale dytësore.

Nivelet e estrogenit dhe progesteronit në gjak, bien gjatë menopauzës, sepse indi i vezores gradualisht fillon e nuk i përgjigjet më hormoneve gonadotrofikë të prodhuar nga hipofiza e përparme. Kështu cikli i ovarian çrregullohet dhe më në fund ndalon. Vezorja zvogëlohet dhe fibrotizohet (e pasur me ind fibroz) pa prodhuar më qeliza vezë. Të gjitha indet në trup fillojnë të tregojnë ndryshime. Ndodh mëpastaj një regresion i karakteristikave seksuale dytësore. Të gjitha këto ndryshime shenjojnë fundin e periudhës riprodhuese të jetës.

© Rinstinkt