Mospërputhja miopike

Miopia, evolucioni i llojit njerëzor dhe jetesa moderne.

Miopia është një difekt pamor që karakterizohet nga një pamje e qartë e objekteve të afërta dhe nga një pamje e mjegullt e objekteve të largëta. Në miopi ekziston natyrisht një predispozim gjenetik – tek e fundit gjenetika është kurdo dhe kudo. Për shembull, ekzistojnë familje ku miopia ka qenë dhe është e trashëguar brez pas brezi.

Por çfarë lidhje ka evolucioni me miopinë? Ata që janë të informuar rreth biologjisë, apo që lexojnë këtë blog, patjetër që e dinë se evolucioni nuk ka kohë të veprojë në pak dekada. Evolucioni i llojit tonë nuk ia del që t’i qëndrojë pas evolucionit dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike, ekonomike dhe shoqërore që kanë prekur dhe sjellë dobi të madhe njerëzimit (megjithëse me anët e veta negative).

Nëse e shikojmë këtë difekt pamor nën dritën evolutive, vëmë re se miopia është një problem që shkaktohet përmes ndërveprimit të gjeneve me atë që rëndom quhet kulturë por që nuk është gjë tjetër veçse ambienti dhe dezajni i jetës sonë.

Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij natyrore, njeriu ka jetuar në hapsira të mëdha, me dritë dielli të bollshme, ku pjesa më e madhe e punës së syve bëhej në distanca të gjata, jo të afërta. Gjuetarë-mbledhësit e 50-200.000 viteve më parë i përdornin sytë për të parë prej së largu, për të dalluar prenë apo predatorin.

Por kultura apo ambienti ynë i sotëm bën që individët, që të vegjël, të kalojnë orë të tëra të ditës në ambiente të brendshme, të mbyllura, larg dritës së diellit, duke e përqëndruar shikimin kryesisht në punë dhe objekte të afërta siç janë librat apo ekranet e pajisjeve elektronike.

Një faktor i rëndësishëm duket se është edhe ekspozimi ndaj dritës natyrale. Fëmijët që kalojnë më shumë kohë në ambiente të hapura kanë më pak risk për miopi. (Dopamina, retina, transmetimi i sinjaleve në tru, zgjatja e syrit.)

Këto praktika gjatë rritjes së syri kur trupi është ende në zhvillim kanë krijuar një situatë kur rreth gjysma e individëve në Europë dhe në SHBA janë sot miopë, ndërsa trendet botërore shkojnë drejtë asaj që përshkruhet si një epidemi miopie.i

Ky është një shembull i mismatchit, pra i mospërputhjes mes gjeneve dhe ambientit të tyre ideal. Gjenet që rregullojnë syrin në morfologji dhe funksion janë formësuar në, nga dhe për një ambient dhe rrethana që sot nuk ekzistojnë më apo nuk janë gjerësisht të gjendshme. Sot ambienti ynë është radikalisht i ndryshëm nga ai ku specia jonë ka kaluar pjesën e stërmadhe të historisë së vet natyrore.

Shikimi i keq që vjen prej miopisë tek njerëzit në ditët e sotme është një efekt anësor i ambientit tonë modern, me hapsira të kufizuara, jetesë në ambiente të brendshme dhe reduktim i kohës që kalojmë jashtë.

Deri para pak brezash shumë pak individë vuanin nga miopia. Kjo tregon se miopia nuk është një problem gjenetik, sepse përndryshe do të ishte shfaqur edhe më herët në historinë e njerëzimit.
Në të kundërt gjenet që kodojnë për morfologjinë dhe funksionin e syrit janë selektuar që të përshtaten me ambientin ku specia njerëzore është formësuar.

Ne nuk jetojmë më në atë ambient. Këto gjene, në ditët e sotme, vazhdojnë të kryejnë funksionin e vet, por ajo që ka ndryshuar është stimuli i jashtëm – në këtë rast se si dhe sa gjatë ushtrohet shikimi në objekte apo detyre të afërta, dhe se sa në objekte të largëta. Jetesa moderne, me ambientet e kufizuara, me leximet e zgjatura, me objektet dhe ekranet elektronike duket pra se e bën syrin që ketë një prirje për shikimin nga afër, dhe prej këtej vjen kjo rritje në tendencat miopike.

Rasti i Taivanit është një model i mirë: në një hark të shkurtër kohor shoqëria taivaneze u shndërrua nga agrare në një shoqëri me ndërtesa moderne dhe zzra të ngushta. Si pasojë normat e tyre të miopisë kaluan nga 74% që ishin në 1986 në 84% në vitin 2000 (tek fëmijët 12 vjeç)ii.

Natyrisht që miopia korrigjohet me lente, pra syze. Por ndoshta do duhej që të bënim një korrigjim më radikal, në mënyrën se si jetojmë?

i Vitale, S., Sperduto, R. D., and Ferris, F. L., 3rd (2009) Increased prevalence of myopia in the United States between 1971-1972 and 1999-2004. Arch Ophthalmol 127, 1632-1639 

ii Lin, L. L., Shih, Y. F., Hsiao, C. K., Chen, C. J., Lee, L. A., and Hung, P. T. (2001) Epidemiologic study of the prevalence and severity of myopia among schoolchildren in Taiwan in 2000. J Formos Med Assoc 100, 684-691

© Rinstinkt Blog / Rizvan Myrtaj 2020

Ikteri apo verdhëza e të porsalindurit dhe një teori evolucionare interesante

Ikteri apo verdhëza e të porsalindurit dhe një teori evolucionare interesante

Me ikter apo verdhëz në fushën mjekësisë kemi parasysh një ngjyrosje të verdheme (me nuancë të gjelbërt) të lëkurës, sklerave të syve dhe membranave mukoze. Këto bjen në sy kur niveli i bilirubinës në serum rritet përtej 2mg/dl. Intensiteti i ngjyrosjes është në proporcion të drejtëpërdrejtë me nivelet serike të bilirubinës.

Verdhëza/ikteri apo ngjyrosja e verdheme e lëkurës, sklerave dhe membranave mukoze ndodh për shkak të grumbullimit në organizëm të bilirubinës – pra hiperbilirubinhemisë.

Tek të porsalindurit, verdhëza është aq e shpeshtë saqë konsiderohet normale. Ajo prek rreth 60% të të porsalindurve në kohë (në term) dhe 80% të atyre të lindur para kohe (pre term), në javën e parë të jetës së bebeve.

Bilirubina prodhohet pas shkatërrimit të eritrociteve. Ky mund të jetë një proces normal ose patologjik. 

Normalisht bilirubina (e sapo prodhuar – që teknikisht quhet bilirubinë e pakonjuguar) shkon në mëlçi dhe transformohet në një formë të tretshme në ujë duke u konjuguar me acidin glukoronik ( pra kthehet në bilirubinë të konjuguar). Bilirubina e pakonjuguar nuk mund të eleminohet nga organizmi. Bilirubina e konjuguar është e tretshme në ujë dhe mund të eleminohet me urine (rreth 10%). Hepatiti, ciroza dhe të tjera probleme të anatomike, fiziologjike dhe patologjike të mëlçisë mund të ngadalësojnë apo bëjnë të pamundur procesin e mësipërm. 

Shumica e bilirubinës së konjuguar prej qelizave hepatike kalon në lëngun biliar dhe pastaj në zorrë,metabolizohet prej baktereve të atyshme dhe eleminohet me feçe (rreth 90%).

Tre janë shkaqet kryesore pse të porsalindurit kanë nivele të larta të bilirubinës “fiziologjike”. 1. Shkatërrimi masiv i eritrociteve gjatë ditëve të para të jetës, që mbingarkon sistemin e konugimit. (Në momentin e lindjes hemoglibina fetale, që është më e përshtatshme për ambientin intrauterin, zëvendësohet nga forma adulte e hemoglibinës që është më e përshtatshme për jetën jashtë mitrës.) 2. Konjugimi i pakët i bilirubinës në mëlçi për shkak të papjekurisë fiziologjike të saj; sepse ende i mungon kapaciteti i plotë metabolik për të konjuguar gjithë masën e bilirubinës së prodhuar. 3. Metabolizimit të dobët të bilirubinës prej florës bakterore infantile që është ende e paformuar mirë. Kështu bilirubina ripërthithet në masë të madhe nga qarkullimi entero-hepatik.

– Klinika e ikterit të të porsalindurit. Jo –

-Përcaktimi i shkallës së ikterit nëpërmjet shkallës së Kramerit. Jo –

Reziqet dhe ndërlikimet më të mëdha të ikterit/verdhëzës vijnë prej qarkullimit të bilirubinës në nivele të larta për një kohë të gjatë, çka bën të mundur që të kalohet barriera hemato encefalike dhe që bilirubina të depozitohet në indin trunor. Problemet madhore janë encefalopatia dhe kernikteri. 

Trajtimi kryesor standard për të porsalindurit me ikter është me fototerapi, me llampa me dritë të shndritshme (e gjatësi specifike vale). Fototerapia arrin që ta shndërrojë bilirubinën në lëkurë në një formë më të tretshme në ujë – duke realizuar punën e mëlçisë – dhe ekskretuar atë me urinën.

Nga sa shkruajta deri më tani duket se nivelet e larta të bilirubinës në lindje janë thjeshtë një problem në makinerinë metabolike normale të organizmit, që në momentin e lindjes është akoma e paformuar mirë, por që mund të anashkalohen me anë të trajtimit mjekësor të përshtatshëm.

Por ka edhe një pikëpamje tjetër, me një përqasje evolucionare që priret t’i shpjegojë këto nivele të larta të bilirubinës si një përshtatje, një kompromis të forcave dhe nevojave evolutive për të kaluar pengesat që organizmi i gjallesës ka hasur në historinë e vet të gjatë natyrore.

Studiuesit John Brett dhe Susan Niermeyer e kanë vëzhguar këtë çështje nga një pikëpamje evolutive. Ata vënë re se  produkti i parë i shkatërrimit të hemoglobinës është biliverdina (një kimikat i tretshëm në ujë që tek shpendët, amfibët dhe zvarranikët ekskretohet drejtëpërdrejtë) ndërsa tek gjitarët konvertohet në bilirubinë e më pas ndjek rrugën që përshkruam më sipër.

Për më tepër nivelet e bilirubinës në lindje janë pjesërisht nën kontroll gjenetik dhe seleksioni natyror mund të kishte seleksionuar për gjallesa me nivele më të ulëta nëse kjo do të kishte sjellë më shumë benefite. Këto fakte bën që studiuesit në fjalë të dyshonin se nivelet e larta të bilirubinës në lindje janë adaptive, pra janë përshtatëse.

Sipas tyre, duke qenë se brenda javës së parë postnatale të gjitha bebet do të kenë një ikter me nivele më të larta se të nivelet e adultit dhe duke qenë se mbi gjysma e tyre do të shfaqin verdhëz (të dukshme), është e vështirë të imagjinohet se ka diçka të gabuar me të gjithë këta të porsalindur.

Hetime të mëtejshme kanë treguar se bilirubina është një pastruese/eleminuese  e radikaleve të lira  që dëmtojnë indet nëpërmjet oksidimit. Në lindje kur bebeja fillon të marri frymë përqëndrimet arteriale të oksigjenit rriten 3-fish, dhe kjo sjell një rritje edhe të dëmtimeve prej radikaleve të lira të oksigjenit.

Nivelet adulte të mbrojtjes ndaj radikaleve të lira implementohen gradualisht gjatë javëve të para të jetës, ndërsa nivelet e bilirubinës bienë. Kjo teori i jep niveleve të larta të bilirubinës një shpjegim distal, pra na jep një shpjegim përse forcat evolutive nuk e kanë eleminuar këtë “problem” apo përse ato kanë selektuar që ky “problem” të  ngulmoj.

Brett, J.A. and Niermeyer, S. (1990), Neonatal Jaundice: A Disorder of Transition or an Adaptive Process?. Medical Anthropology Quarterly, 4: 149-161. doi:10.1525/maq.1990.4.2.02a00020

© Rinstinkt Blog 2020

Aktiviteti seksual rastësor është i bashkëlidhur me më pak depresion për meshkujt dhe më shumë depresion për femrat.

Aktiviteti seksual rastësor është i bashkëlidhur me më pak depresion për meshkujt dhe më shumë depresion për femrat.

Femrat me një histori seksi rastësor raportojnë më shumë simptoma depresive. Për femrat, si rritet numri i partnerëve seksualë rastësor ashtu rriten edhe simptomat depresive.

Për të hetuar dallimin në efektet e seksit rastësor mbi meshkujt dhe femrat, studiuesit morën në konsideratë dhe studiuan një mostër prej 404 studentësh nga një universitet i madh publik në jug-lindjen e SHBA-ve.

Ky studim e përkufizon seksin rastësor si një marrëdhënie seksuale në të cilën partnerët nuk e përkufizojnë marrëdhënien si romantike apo që partneri në seks të jetë i dashuri apo e dashura e tyre. Këto “marrëdhënie” bazohen kryesisht në dëshirat seksuale apo vetëm tërheqjen fizike dhe shpesh në to janë të përfshira drogërat dhe alkoli.

Qëllimi i këtij studimi ishte që të identifikoheshin faktorët dhe rrethanat e bashkëlidhura me seksin rastësor, dhe që të hetoheshin lidhjet mes seksit rastësor dhe simptomave depresive.

Meshkujt që angazhohen në seks rastësor raportuan nivelet më të ulëta të depresionit, ndërsa femrat që angazhoheshin në seks rastësor raportuan nivelet më të larta të depresionit.

Për më tepër ata gjetën se tek femrat, siç rritej numri i partnerëve seksualë ashtu rriteshin edhe simptomat e depresionit. Pra, femrat që kishin numrin më të madh kishin edhe simptomat më të larta të patologjisë depresive.

Femrat që kishin vetëm një (1) partner në vitin e fundit kishin një normë depresioni prej 15.1%, ndërsa femrat që në vitin e fundit kishin një numër partnerësh mes 16 dhe 28 kishin një normë depresioni prej 45%.

Ata që angazhoheshin në seks rastësor dhe që mëpastaj pendoheshin kishin më shumë simptoma depresive.

Autorët e studimit vërejnë se meshkujt dhe femrat e përjetojnë seksin rastësor ndryshe, dhe se për femrat të qenit e përfshirë emocianalisht në takim e bën atë më shpërblyes.

Referencat: Welsh DP, Grello CM, Harper MS. 2006. No strings attached: the nature of casual sex in college students. J Sex Res. 43(3):255-67.

 

© Rinstinkt Blog

 

Elemente bazë të biologjisë së coronavirusit

Elemente bazë të biologjisë së coronavirusit

Së pari, si funksionon qeliza? Qeëiza ka disa elemente kresore, si bërthama, citoplazma dhe membrana qelizore. ADNja që është materiali gjenetik i qelizës gjendet në bërthamë dhe kodifikon për proteinat që qeliza (dhe organizmi) prodhon, të cilat proteina janë përgjegjëse për mënyrën se si trupi është i ndërtuar dhe se si funksionon. Proteinat kanë role të ndryshme. Pra ADNja ka funksionin e një kodi bazë që trashëzgohet nga brezi në brez.

ADNja përbëhet nga dy vargje apo zinxhirë që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit. Një varg ecën apo ka sens pozitiv ndërsa tjetri ecën apo ka sens negativ.

Segmente të shkrurtra të ADNsë që marrin emrin “gjene” transkriptohen në një formë tjetër mesazhi kimik, në një molekulë tjetër, në ARN. Është ARNja që lexohet nga organelet (ribozomet) qelizore dhe që përfundimisht translatohet në proteina. Kur krijohet ARNja, kjo kopjohet nga vargu apo zinxhiri me sens negativ i ADNsë dhe ARNja që prodhohet dhe që duhet translatuar ka sens pozitiv.

Membrana qelizore funksionon si muri apo barriera e jashtme e një qelize dhe është e përbërë nga një shtresë e dyfishtë me lipide. Kjo shtresë përbëhet nga molekula me një pjesë polare (kokat) dhe me një pjesë tjetër jo-polare (bishtat). Uji është shumë polar ndaj kokat polare të këtyre molekulave membranore formojnë lidhje me ujin – hidrofili. E kundërta është e vërtetë për pjesën jo-polare të molekulave membranore, pra për bishtat e këtyre molekulave. Ato janë lipofilike apo hidrofobike dhe grumbullohen apo më saktë sistemohen në një mënyrë të qëndrueshme ku bishtat janë në kontakt me njëri tjetrin mes dy shtresave të membranës citoplazmatike ndërsa kokat hidrofilike të këtyre molekulave ndërfaqohen me ujin qoftë brenda qelizës qoftë jashtë qelizës.

Në këtë membranë të dyfishtë lipidike, gjenden një shumëllojshmëri elementësh dhe molekulash të tjera, ku më të rëndësishmet janë proteinat.

Së dyti, si funksionojnë coronaviruset?

Coronaviruset janë viruse të veshur që përmbajnë ARN në sens pozitiv. Pra materiali gjenetik i coronaviruseve përbëhet vetëm nga ARN me sens pozitiv. Ndaj kjo ARN mund të shkojë direkt në ribozome (që janë organelet që lexojnë ARNnë dhe që prodhojnë proteinat). Ndaj coronaviruset mund të prodhojnë proteinat e vet menjëherë pa patur nevojën për enzima modifiuese (që në lloje të tjera virusesh duhet të ndreqin apo përshtatin materialin gjenetik të virusit që ai të lexohet nga qeliza e infektuar).
Kjo do të thotë se ARNja e coronaviruseve nëse injektohet në qelizat njerëzore mund të përdori ribozomet e qelizës për të prodhuar proteina të reja (për strukturën e vet) dhe për t’i asembluar këto proteina në viruse të reja. Të gjitha këto procese duke përdorur aparatet dhe organelet qelizore që i përdor mekanikisht për qellimet e vet riprodhuese.

Në disa viruse materiali gjenetik është vet virusi, pra i gjithë materiali gjenetik përbën virusin që është i paketuar apo i veshur me disa proteina (nukeokapsidi). Por, coronaviruse kanë edhe një vezhje apo mbështjellje të jashtme që i rrethon. Kjo mbëstjellje apo veshje përbëhet nga një membranë me shtresë të dyfishtë lipidike që vinë apo e ka origjinën prej qelibave partëse ku virusi është prodhuar. Membrana është e njëjtën me membranën e qelizave bartëse por në të gjenden edhe disa proteina virale (të futura nga virusi) – njëfarë elementi personalizues që virusi ka vendosur aty!

Shtresa e dyfishtë lipidike e membranës virale është e qëndrueshme falë marrëdhënieve polare/jo-polare. Nëse në afërsi të kësaj membrane afrohet një substancë me elemente polare dhe jo-polare, kjo substancë është në gjendje të shqetësojë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e membranës virale apo qelizore. Thërrmija virale, në mungesë të kësaj membrane veshëse me strukturë të dyfishtë lipidike, nuk është në gjendje të futet në brendësi të qelizave, pra është jo-aktive. Substanca që kanë veti si ato të përshkruara më sipër pra me një pjesë polare dhe një jopolare, pra molekula anfifilike, janë alkoli dhe sapuni. Kjo është arsyeja pse janë të efektshme në “vrasjen” e viruseve, sepse pridhin membranën e tyre veshëse dhe e bëjnë virusin totalisht të jo-infektiv.

Më sipër përmendëm se coronavirusi fut disa proteina specifike në membranën e dyfishtë lipidike. Një nga këto proteina është proteina S (spike protein). Kjo proteinë ka vetinë dhe funsionin që të lidhet me një proteinë në sipërfaqen e qelizave që po infektohen dhe bën që veshja virale që shkrihet me membranën apo me veshjen e qelizës që po infektohet. Si pasojë nukleokapsidi futet në brendësi të qelizës.

Lloje të ndryshme gjallesash, dhe lloje dhe linja të ndryshme qelizore të së njëjtës specie, shprehin proteina të ndryshme në sipërfaqen e tyre qelizore. Kjo bën që viruse të ndryshme të kenë një specificitet për llojin/specien dhe një specificitet për qelizën. Vetëm disa viruse janë të aftë që të shkaktojnë infeksione të rrugëve të frymëmarrjes.

© Rinstinkt Blog 2020

Fakte mbi Pandeminë e Covid-19

Faktet e deritanishme mbi Pandeminë e Covid-19.

Si është emri i virusit dhe i sëmundjes? Covid-19 (coronavirus disease 2019 – sëmundja e coronavirusit 2019) është emri i sëmundjes. Emri i virusit që shkakton sëmundjen është SARS-CoV-2 (severe acute respiratory syndrome coronavirus 2). Emri i virusit dhe i sëmundjes që ai shkakton u caktuan nga OBSH-ja dhe nga Komiteti Internacional për Taksonominë e Viruseve.

Në 29 dhjetor 2019 autoritetet kineze identifikuan një grumbullim rastesh të ngjashme pneumonie në qytetin e Wuhan-it (Kinë). Ky është një qytet me 11 milionë banorë dhe është kryeqyteti i provincës së Hubei-t. Pas analizave përkatëse, u zbulua se këto raste ishin shkaktuar nga një lloj i ri coronavirusi që mëpastaj mori emrin SARS-CoV-2.

Rastet e para të sëmundjes Covid-19 u identifikuan në Tailandë në 13 janar dhe në Japoni në 16 Janar 2020.

Në 23 Janar 2020 qyteti i Wuhanit dhe qytete të tjera përreth u bllokuan nga qeveria kineze, pra njëfarë karantine masive, ku nuk lejohej lëvizja.

Mikroskopi elektronike e disa coronaviruseve

Çfarë janë coronaviruset? Këta janë një grup virusesh që janë të shpeshtë dhe të përhapur tek njerëzit dhe janë përgjegjës për rreth 30% “të ftohjeve” (kur themi se dikush është ftohur individi është infektuar me një virus). Corona në latinisht do të thotë “kurorë”, dhe ky grup virusesh ka këtë emër për shkak se sipërfaqja e tij duket si një kurorë nën hetimin me mikroskopi elektronike.

Në dekadat e fundit koronaviruset kanë qenë përgjegjës edhe për 2 shpërthime të tjera epidemike. SARS në vitin 2003 dhe MERS në vitin 2012.

Cilat janë simptomat e sëmundjes së shkaktuar nga ky coronavirus? Simptomat kryesore janë temperatura/ethet dhe një kollë e thatë. Nga të dhënat e deritanishme 90% e rasteve të identifikuara kanë patur temperaturë dhe 2/3 e rasteve kanë patur kollë të thatë.
Simptoma e tretë më e shpeshtë ishte ndjesia e lodhjes, rreth 40% e rasteve vuanin nga kjo simptomë. Të tjera simptoma janë: prodhim sputumi (jo pështymë, por mukus i trashë që kollitet prej mushkërive) vështirësi në frymëmarrje, dhimbje muskulare dhe të kyçeve, dhimbje fyti, dhimbje koke, të dridhura, nauzea dhe të vjella, kongjestion/bllokim të hundës, diarre.

Sa zgjat periudha e inkubacionit? Periudha e inkubacionit është koha që kalon nga momenti i infektimit në momentin e zhvillimit të simptomave dhe sipas OBSH-së ajo është 5-6 ditë. Por OBSH-ja thekson se kjo periudhë mund të luhatet nga 1-14 ditë.

Sa kohë zgjat sëmundja? Koha mesatare e kohëzgjatjes së sëmundjes, prej fillesës deri në rimëkëmbjen klinike për rastet e moderuara është rreth 2 javë. Këto të dhëna bazohen mbi 55.924 rastet e konfirmuara në Kinë.
Për rastet e rënda dhe ato kritike sëmundja zgjat nga 3-6 javë. Për individët që nuk i mbijetuan dot sëmundjes, prej fillesës së simptomave deri në momentin e vdekjes, kaluan nga 2-8 javë.

Si evoluon sëmundja e Covid-19 tek një individ model? Statistikisht simptomat fillojnë me temperaturë, ndjekur nga një kollë e thatë. Pas disa ditësh disa pacientë mund të kenë vështirësi në frymëmarrje. Simptomat mund të jenë të buta, ndonjëherë të padallueshme, dhe sëmundja të kalojë duke u ngatërruar me një “ftohje” të thjeshtë, e herë të tjera të moskuptohet pare.
Në raste të tjera, në të rralla, simptomat mund të rriten në rëndësi. Rastet kritike mund të kenë pneumoni të rëndë, dështim respirator, shock septik, dhe disfunksione apo dështime të shumta të organeve.