Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre.

Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre. Duket e çuditshme? Po, nëse vihen në dukje vetëm ndryshimet që janë më se evidente. Duket sikur njerëzit dhe babanet nuk kanë asgjë të përbashkët…

Ndryshimet mund t’i shikojmë të gjithë. Bananet janë bimë që prodhojnë frutin e bananes, ndërsa njerëzit janë kafshë. Si bimët e tjera bananat e përftojnë energjinë e vetë nga fotosinteza ndërsa njerëzit sikundër gjithë kafshët e tjera e përftojnë energjinë duke ngrënë gjallesa të tjera.

Por cilat janë këto të përbashkëta?

Të përbashkëtat mes bananes dhe njeriut, janë po të njëjtat të përbashkëta që lidhin bananen, dhe njeriun, me pjesën tjetër të gjallesave shumë qelizore.

bananeTë gjitha gjallesa shumëqelizore kanë nevojë për energji për të furnizuar dhe bërë të mundur realizimin e proceseve të jetës. Që prej ndarjes qelizore, prodhimit të pjesëve pra organeleve qelizore, mbajtjes së qelizave të ngjitura njëra me tjetrën, kominikimit mes qelizave etj etj. Të gjitha këto, dhe shumë të tjera procese, kanë nevojë për energji. Pra ngjashmëria në metabolizmin qelizor është e para gjë që duhet përmendur.
Të gjitha gjallesat kanë mekanizma që bëjnë të mundur thyerjen e molekulave organike të glukozit në mënyrë që të lëshojnë/përftojnë energji për të qëndruar në jetë. Transferimi i energjisë prej molekulave organike tek proceset e organizmit kërkon procese si glikoliza, ciklin e acidit citrik (pra Ciklin e Krebsit), zinxhirin e transportit të elektroneve, dhe/apo fermentimin. Këto procese bazike të jetës, janë ruajtur shumë mirë në terma evolutivë në të gjitha gjallesat.

Një gjë e rëndësishme që duhet theksuar është se, nga e gjithë ADNja jonë, e njerëzve, dhe nga e gjithë ADNja e bimëve, vetëm një përqindje e vogël e materialit gjenetik është “funksionale”. Pjesa më e madhe e materialit gjenetik të gjallesave duket se nuk ka ndonjë funksion të dukshëm, ndaj me njohuritë që kemi sot është quajtur “jo funksionale” në kuptimin që nuk kodifikon për proteina.
Ndërsa vetëm rreth 1-2% e materialit gjenetik kodifikon për proteina. Pra kur themi se 50% e materialit tonë gjenetik është e ngjashme me të bananeve, apo të ndonjë bime tjetër, i referohemi kësaj pjese të vogël, funksionale, kodifikuese, që nevojitet për të marrë informacionin për prodhimin e proteinave.

Ky fraksion i vogël i materialit gjenetik, pra fraksioni protein-kodifikues është, siç e përmenda më sipër, tejet i konservuar mes specieve, pra shumica e organizmave kanë qeliza që mbështeten mbi të njëjtat procese. Pra mes bimëve dhe njerëzve rreth 50% e sekuencave të ADN-së protein-kodifikuese janë të konservuara, sepse pavarësisht diferencave makroskopike, në nivelin qelizor ne kemi të ngjashme shumë reaksione biokimike dhe komponente qelizore.

Kuriozitet: Njerëzit dhe majmunët kanë të përbashkët 98% të sekuencës së materialit gjenetik protein-kodifikues. Kjo do të thotë se filogjenetikisht njerëzit janë shumë shumë më të afërt me majmunët sesa me bimët.

© Rinstinkt Blog 2018

Frymëshkëmbimi qelizor aerobik

Frymëshkëmbimi qelizor aerobik – Glikoliza, Formimi i Acetil CoA, Cikli i Krebsit, Transporti i elektroneve dhe kemiosmoza

Reaksionet kimike të frymëshkëmbimit aerobik të glukozit grupohen në katër stade. Tek eukariotët, faza e parë (Glikoliza) ndodh në citozol, dhe stadet e tjera ndodhin në brendësi të mitokondrive.

Në një pjesë të mirë të baktereve dhe archea-ve këto reaksione kryhen në citozol në bashkëveprim me membranën qelizore, në mungesë të organeleve si mitokondritë.

1-Glikoliza

Gjatë glikolizës, një molekulë glukozi me gjashtë atome karboni kthehet në dy molekula me nga tre atome karboni secila, të njohura si molekula piruvati. Një pjesë e energjisë së glukozit kapet në formën e dy lloj transportuesëve, ATP-së dhe NADH-së. ATP-ja e transferon energjinë duke transferuar një grup fosfat. NADH-ja është një molekulë e reduktuar e cila e transferonë energjinë duke transferuar elektrone si pjesë e një atomi hidrogjen.

2-Formimi i acetil koenzimës A

Çdo molekulë piruvati hyn në mitokondri dhe oksidohet në një grup dy-karbonësh (acetat) aë kombinohet me koenzimën A, duke formuar acetil koenzimën A (Acetil CoA). Gjatë këtij stadi prodhohet NADH, dhe lëshohet dioksid karboni si produkt mbetje.

3-Cikli i acidit citrik

Grupi acetat i acetil koenzimës A (Acetil CoA) kombinohet me një molekulë me katër atome karboni (oksalacetati-n) për të formuar një molekulë me gjashtë atome karboni (citrati-n). gjatë ciklit, citrati riciklohet në oksalacetat, dhe dioksidi i karbonit lirohet si produkt mbetje, i panevojshëm. Energjia kapet në formën e ATP-së dhe të përbërjeve të reduktuara me përmbajtje të lartë energjie NADH-së dhe FADH2-shit.

4-Transporti i elektroneve dhe kemiosmoza

 Elektronet e hequr (shkëputur) nga molelula e glukozës gjatë stadeve të mëparshëm, transferohen nga NADH-ja dhe FADH2-shi derjt një vargu përbërjesh akseptore të elektrone ve. Ndërsa elektronet kalojnë nga një ekseptor tek tjetri një pjesë e energjisë së tyre shfrytëzohet për të transportuar jone hidrogjen (protone) nëpërmjet membranës së brendshme miitokondriale, duke formuar kështu një gradient protonesh (protonik). Gjatë procesit të njohur si kemiosmozë, energjia e gradientit të protoneve përdoret për të prodhuar ATP.

 

Pjesa më e madhe e reaksioneve tëë përfshira në frymëshkëmbimin qelizor aerobik janë të një prej tre llojeve: dehidrogjenime, dekarboksilime, dhe ato të cilat futen tek reaksionet përgatitore.

Reaksionet e dehidrogjenimit janë reaksione në të cilat nga substrati largohen dy atome hidrogjeni dhe transferohen  tek NAD+ apo FAD.

Reaksionet e dekarboksilimit janë reaksione në të cilat një pjesë e grupit karboksilik largohet nga molekula substrat në formën e dioksidit të karbonit. Dioksidi i karbonit që nxjerrim në çdo frymënxjerrje vjen nga reaksionet e dekarboksilimit të ndodhin në qelizat tona.

Pjesa tjetër e reaksioneve janë reaksione pregatitore në të cilat molekulat u nënshtrohen riorganizmeve dhe ndryshimeve të tjera në mënyrë të tillë që të mund t’u nënshtrohen dehidrogjenimeve dhe dekarboksilimeve të tjera.

© Rinstinkt 2013

—————————————