Përse aziatikët nuk e tolerojnë dot alkolin?

Përse aziatikët nuk e tolerojnë dot alkolin?

Për ata që kanë njëfarë kurioziteti për kulturat dhe shoqëritë lindore/orientale me siguri që është i çuditshëm raporti që kanë aziatikët me alkolin. Nuk janë në gjendje t’i durojnë pijet alkolike fare fare. Çka manifestohet me një skuqje të menjëhershme në të gjithë fytyrën.

Haruhi Suzumiya e dehur.

Por cila është arsyeja që aziatikët, pra japonezët, kinezët de koreanët nuk e tolerojnë dot alkolin? Ndokush do të sugjeronte një shkak kulturor, siç bëhet rëndom me vend e pavend. Por jo, si në çdo rast tjetër, kultura lind prej një substrati fizik, prej një baze biologjike. Në këtë rast mos-toleranca e alkolit është një gjendje e mirëfilltë klinike që ka baza të forta gjenetike.

Mjafton një gjysmë gote alkol dhe aziatikët skuqen menjëherë. Kjo skuqje nuk është gjë tjetër veçse një reaksion ndaj alkolit, që zhvillohet edhe me marrjen e sasive të moderuara të pijeve alkolike, dhe që konsiston në skuqje dhe eritema të përhapura në të gjithë fytyrën, qafën dhe në disa raste edhe në të gjithë trupin.

Në aglisht merr emrin “Alcohol Flush Reaction, AFR” – por duke qenë se kjo gjendje klinike është mjaft e përhapur në popullatat aziatike, mbi të gjitha tek japonezët, kinezët dhe koreanët, shpesh quhet edhe ‘Sindroma nga skuqja aziatike’. Simptoma të tjera të kësaj gjendje klinike me substrat gjenetik përfshijnë: një shpejtim të rahjeve të zemrës, nausea dhe një ndjesi të përhapur pafuqie. Pra, si të thuash, simptomat e një dehjeje por që vjen nga doza tepër të ulëta alkoli.

Shkaqet e kësaj sindrome qëndrojnë në trashëgiminë gjenetike të popullatave me prejardhje aziatike. Kanë të bëjnë me 2 (dy) variante të enzimave të përfshira në metabolizmin e alkolit.

Ja se si metabolizohet alkoli i gëlltitur në organizmin tonë.

Skemë e thjeshtë e metabolizmit të alkolit

Pasi alkoli (apo etanoli) hyn në trupin tonë, ai mbërrin në mëlçi ku shndërrohet në acetaldehid prej një enzime të quajtur alkol-dehidrogjenaza (ADH). Acetaldehidi kapet nga një enzimë e dytë e pranishme në mitokondritë e qelizave tona me emrin acetaldehid-dehidrogjenaza. Kjo enzima e dytë e shndërron acetaldehidin në acid acetik i cili mëpastaj do të dekompozohet në ujë dhe në dioksid karboni.

Në këtë zinxhir metabolik përbërja më toksike/helmuese është acetaldehidi, por rrezikshmëria e kësaj përbërje zbutet nga veprimi i menjëhershëm i acetaldehid-dehidrogjenazës.

Tani, dalim prap tek aziatikët. Shumë prej tyre kanë disa variacione të alkol-dehidrogjenazës dhe të acetaldehid-dehidrogjenazës që pengojnë funksionimin e duhur të rrugës metabolike që përshkruam më sipër.

Më saktësisht, rreth 80% e aziatikëve zotëron një variant shumë më efiçient të dehidrogjenazës alkolike (ADH), variant ky që është në gjendje ta kthejë etanolin në acetaldehid me një frekuencë shumë më të madhe sesa norma (tek popullatat e tjera). Për më tepër, 50% e popullatës orientale/lindore shfaq një variant më pak efiçient të enzimës së dytë, pra acetaldehid-dehidrogjenazës që e shndërron acetaldehidin në acid acetik me një shpejtësi më të ngadaltë.

Pra, nga një anë prodhimi i acetaldehidit, që është toksik/helmues, rritet, ndërsa nga ana tjetër shkatërrimi i tij është i reduktuar. Kështu rezultati përfundimtar nuk mundet veçse të jetë grumbullimi në gjak i kësaj përbërje.
Kështu për popullatat aziatike, ky predispozicion ndaj intoksikimit/helmimit me acetaldehid, ka ndikuar në formimin e një kulture që i qëndron larg alkolit, duke reduktuar incidencën e alkolizmit, duke qenë se të pirit e pijeve alkolike kthehet menjëherë në një praktikë shumë pak të kënaqëshme (për shkak të helmimit nga acetaldehidi).

© Rinstinkt blog
PDF: Përse aziatikët nuk e tolerojnë dot alkolin?