Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre.

Njerëzit dhe bimët e bananes kanë të përbashkët 50% të ADN-së së tyre. Duket e çuditshme? Po, nëse vihen në dukje vetëm ndryshimet që janë më se evidente. Duket sikur njerëzit dhe babanet nuk kanë asgjë të përbashkët…

Ndryshimet mund t’i shikojmë të gjithë. Bananet janë bimë që prodhojnë frutin e bananes, ndërsa njerëzit janë kafshë. Si bimët e tjera bananat e përftojnë energjinë e vetë nga fotosinteza ndërsa njerëzit sikundër gjithë kafshët e tjera e përftojnë energjinë duke ngrënë gjallesa të tjera.

Por cilat janë këto të përbashkëta?

Të përbashkëtat mes bananes dhe njeriut, janë po të njëjtat të përbashkëta që lidhin bananen, dhe njeriun, me pjesën tjetër të gjallesave shumë qelizore.

bananeTë gjitha gjallesa shumëqelizore kanë nevojë për energji për të furnizuar dhe bërë të mundur realizimin e proceseve të jetës. Që prej ndarjes qelizore, prodhimit të pjesëve pra organeleve qelizore, mbajtjes së qelizave të ngjitura njëra me tjetrën, kominikimit mes qelizave etj etj. Të gjitha këto, dhe shumë të tjera procese, kanë nevojë për energji. Pra ngjashmëria në metabolizmin qelizor është e para gjë që duhet përmendur.
Të gjitha gjallesat kanë mekanizma që bëjnë të mundur thyerjen e molekulave organike të glukozit në mënyrë që të lëshojnë/përftojnë energji për të qëndruar në jetë. Transferimi i energjisë prej molekulave organike tek proceset e organizmit kërkon procese si glikoliza, ciklin e acidit citrik (pra Ciklin e Krebsit), zinxhirin e transportit të elektroneve, dhe/apo fermentimin. Këto procese bazike të jetës, janë ruajtur shumë mirë në terma evolutivë në të gjitha gjallesat.

Një gjë e rëndësishme që duhet theksuar është se, nga e gjithë ADNja jonë, e njerëzve, dhe nga e gjithë ADNja e bimëve, vetëm një përqindje e vogël e materialit gjenetik është “funksionale”. Pjesa më e madhe e materialit gjenetik të gjallesave duket se nuk ka ndonjë funksion të dukshëm, ndaj me njohuritë që kemi sot është quajtur “jo funksionale” në kuptimin që nuk kodifikon për proteina.
Ndërsa vetëm rreth 1-2% e materialit gjenetik kodifikon për proteina. Pra kur themi se 50% e materialit tonë gjenetik është e ngjashme me të bananeve, apo të ndonjë bime tjetër, i referohemi kësaj pjese të vogël, funksionale, kodifikuese, që nevojitet për të marrë informacionin për prodhimin e proteinave.

Ky fraksion i vogël i materialit gjenetik, pra fraksioni protein-kodifikues është, siç e përmenda më sipër, tejet i konservuar mes specieve, pra shumica e organizmave kanë qeliza që mbështeten mbi të njëjtat procese. Pra mes bimëve dhe njerëzve rreth 50% e sekuencave të ADN-së protein-kodifikuese janë të konservuara, sepse pavarësisht diferencave makroskopike, në nivelin qelizor ne kemi të ngjashme shumë reaksione biokimike dhe komponente qelizore.

Kuriozitet: Njerëzit dhe majmunët kanë të përbashkët 98% të sekuencës së materialit gjenetik protein-kodifikues. Kjo do të thotë se filogjenetikisht njerëzit janë shumë shumë më të afërt me majmunët sesa me bimët.

© Rinstinkt Blog 2018

Reklama

Snowpiercer / Akullthyesi

Snowpiercer / Akullthyesi

Snowpiercer/Akullthyesi

Snowpiercer/Akullthyesi

Akullthyesi. Film dramatik, me ngjarje që më kujtojnë teoritë utopike socialiste (të lexuara diku, të nënkuptuar në mendimet mediokre të intelektualëve të majtë), me planifikime të ekonomisë dhe të jetës së njeriut. Natyrisht tek filmi me trenin akulthyes ka edhe klasa, që sipas protagonistëve janë të pashmangshme nëse i duam të mirën akullthyesit: treni është bota, ne jemi të mbijetuarit; ne jemi treni akullthyes dhe treni është njerëzimi. Lokomotiva është e përjetshme, esenca e saj është e pavdekshme. E qartë! Treni në fjalë, në barkun e gjatë dhe të ngrohtë të së cilit zhvillohen ngjarjet e filmit apokaliptik, është një vepër e inxhenierit Wilford, manjat i hekurrudhave, që duke kuptuar se si do të përfundonin ngjarjet vendos të ndërtojë një hekurrudhë, një lakesë që kalon në tërë botën. Të kryesh një xhiro të plotë të hekurrudhës mbarëbotërore kërkon një vit të plotë… aq sa kalimi nga viti në vit mbi të njëjtën pikë, mbi të njëjtën urë – diku në botën e ngrirë nga akulli – është tanimë një ceremoni e rëndomtë që shoqërohet nga urimet e vitit të ri.

Që njerëzit gjenden në barkun e trenit për shkak të epokës akullnajore artificiale të shkaktuar nga “jeshilët”, kjo kuptohet nga mesazhet zanore që dëgjohet në sfond, që në hyrje të filmit. Por si ka mundësi që “jeshilët”… “jeshilët”… një katastrofë të tillë? E pamundur, sepse “jeshilët” i duan të mirën botës!! Aq sa cdo vit shtrydhin trurin e tyre, jo medoemos jeshil, dhe hedhin fall se si do të jetë bota pas 100 vitesh. Që prej kohës kur jeshillëku ka dalë në modë, falli jep të njëjtin rezultat: ngrohja globale po sjell fundin e planetit! (duartrokitje histerike në sallë). Për këto përfundime nuk ka nevojë për fakte. Në mendjen e profetëve “jeshilë” faktet mund të fabrikohen. Njeriu është kanceri i botës! Njeriu po ngroh globin! Le ta ftohim botën, thanë jeshilët; dhe e ftohën… Rezultati? Një katastrofë mbarëbotërore…

Një nga vagonët e trenit (Vizatim artistik)

Një nga vagonët e trenit (Vizatim artistik)

Le të rikthehemi tek filmi. Thuhet se treni është shpëtimi i fundit i njerëzimit, se është vatra e fundit e jetës. Aty gjendet gjithcka nevojitet për të jetuar/mbijetuar nga i ftohti. Treni është i vetmjaftueshëm. I ndarë në vagonë, secili me një fnksion të caktuar. Tren i gjatë, tepër i gjatë, shumë më i gjatë nga sa mund të shfaqet gjatë filmit. Në vagonët e fundit, të mjerët, që krahasohen me këpucën që vesh këmba; në kahun tjetër koka, lokomotiva, mendja, inxhenjeri. Të mjerët, meqë kanë kaluar plotë 17 vite nga apokalipsi “jeshil”që i ktheu qiellgërvishtësit në shkopinjë gjigandë akulli, bëjnë ndonjë revolucion hera herës.
Kanë kryetarët e tyre, mes të cilëve gjendet edhe një plak i cili i mëson, për arsye që do të zbulohen më tej gjatë rrjedhës së ngjarjeve. Një kamp përqëndrimi për të mjerët, të cilët ushqehen me njëfarë ushqimi të parapregatitur, të paraplanifikuar, me bazë proteinike. Aq i duhet njeriut, tek e fundit – ky është vendimi i inxhinjerit shoqëror.

Revolucioni ndodh. Qëllimi i revolucionarëve është të mbërrijnë në vagonin kryesor, në zemrën e trenit, në lokomotivë. Në fund mbërrijnë, por më parë kalojnë një botë të tërë, nga vagoni në vagon, nga pisllëku dhe errësira e vagonëve të fundit, tek dritat shumëngjyrëshe të diskotekës ku argëtohen të pasurit, nga fabrika e xhelatinave të tyre proteinike të prodhuara nga një amalgam insektesh (?) të grira tek akuariumi me peshq tropikalë (një sistem i mbyllur, që kërkon planifikim qëndror për të funksionuar- kështu mësojnë të mjerët nga një prej arkitekteve shoqërore, e marrë peng nga revolucionarët)…

Gjatë revolucionit

Gjatë revolucionit

Gjatë rrugës, nga vagoni në vagon, ka humbje, natyrisht! Por në fund një grup i vogël mbërrin në fund. Ndërsa një i vetëm, i selesionuar nga rruga e gjatë “evolutive”, nga talenti i tij, drekon me Wilifordin.

Biseda është acaruese.

Përfundon keq… për trenin. Këputet si një krimb, nga barku i të cilit dalin njerëz të lirë. Jashtë jo gjithçka është e vdekur. Mbi shpatin e një mali aty afër vihet re menjëherë një ari polar. 17 vite të mbyllur në një kafaz, i krijuar nga një inxhenjer. Inxhenjer trenash, inxhenjer shoqëror, inxhenjer utopik. Një socialist perfekt, që me premtimin për të shpëtuar atë pak njerëzim të mbetur pas katastrofës “jeshile” e mbajti të burgosur për 17 vite.

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————

Përsiatje mbi të qenit Njeri

Përsiatje mbi të qenit Njeri

Ndokush ende thotë, e të mjaftë kanë qenë edhe ata që kanë thënë se, lloji njeri mund të kuptohet vetëm duke studiuar njeriun. Shumë të tjerë nuk janë aspak dakord me këtë thënie, apo më mirë të them përqasje, përfshirë të nënshkruarin. Kjo sepse ata që pretendojnë ta studiojnë njeriun, në të gjithë qenësinë e tij, fizike apo jo fizike, harrojnë se shumë nga karakteristkat që më parë pranoheshin si vetëm njerëzore tanimë dihet se zotërohen edhe nga shumë lloje të tjera, disa mjaft të afërta me llojin Njeri e disa të tjera relativisht të largëta.

Harrohet, për shembull, se edhe shimpanzetë përdorin mejte për qëllimet e tyre, ndërsa orangutangët mund të njohin vetveten; provë kjo e njëfarë ndërgjegjeje të ekzistencës së vetes.

Po ashtu, kur kërkohet të studiohet njerëzimi, fizik apo kulturor, vetëm e vetëm duke u bazuar mbi shfaqjet e të sotmit njeri, harrohen hominidët e zhdukur, artefaktet Paleolitike, domethënia e gjendrave të djersës, qimeve, domethënia e bipedalizmit dhe pasojave që solli drejtëqëndrimi në migrimin e hominidëve të hershëm nga Afrika.

***

...Unë apo Ti?

…Unë dhe Ti?

Të shumta kanë qenë karakteristikat që u (na) janë atribuar (neve) njerëzve, si unike, vetëm tonat, sikur mbi to të na kishin dhënë një patentë.

Mbase një nga karakteristikat tona themelore, një nga ato që mund të quhen me të drejtë njerëzore është aftësia për të imagjinuar, për të marrë diçka diku e për ta bashkuar me diçka tjetër tjetërkund, për të kompozuar pra.

Për të kompozuar skenarë e për t’i përzierë këta njëri me tjetrin, për tu futur në brendësi të këtyre skenarëve: Për tu brendapersonalizuar në këta skenarë imagjinarë të tanishëm apo të kaluar, e kjo falë neuroneve pasqyrë.

Përveç imagjinatës, përveç aftësisë për të kompozuar skenarë, kemi edhe aftësinë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Komunikimi gjithsesi është, le të themi, si pothuaj gjithëçka tjetër, një mbistrukturë e përbërë nga disa elementë më të vegjël si të paturit e një sistemi nervor mjaftueshëm të zhvilluar, aftësia për të artikuluar tinguj, etj.

Por edhe kafshë të tjera komunikojnë, bashkëveprojnë, japin e marrin sinjale alarmi, e shkëmbejnë informacione… Ajo që na jep njëfarë specificiteti është, siç e permenda më sipër, aftësia për të lidhur mendjet tona, për tu futur në rrobat e tjetrit, për të udhëtuar në kohë, për të treguar histori të cilat ngadonjëherë shërbejnë si kolona morale, për të tejçuar emocione, për të bërë pyetje që janë një jashtëpërfaqësim i një qenieje kurioze etj etj…

***

Natyrisht, për t’i dhënë një përgjigje pyetjes të shtruar në fillim të këtyre mendimeve të shkruara, duhet të sqarojmë në mos më parë, njëkohësisht, se si arritëm këtu ku jemi?

Ishte vetëm bipedalizmi? Mbase! Bipedalizmi (të ecurit mbi dy gjymtyrë) është konceptuar tradicionalisht si themeli i fillimit të llojit njerëzor, ose për tu shprehur më mirë, fillesa e rrugëtimit të gjatë të njeriut, fillimi i transformimit nga pre në predator, fillimi i kalimit nga majët e pemëve në savanat e gjëra, e së “fundmi” fillimi i migrimit nga mëma Afrikë…

Gjithsesi përkrah disa avantazheve evolutive, bipedalizmi na ka sjellë edhe disa probleme, jo të papërfillshme. Ndër to janë efektet kolaterale të dhimbjes së mezit dhe të hemorroideve.

(Gjithsesi, sot jemi në dijeni se bipedalizmi ishte vetëm një nga shumë ndryshimet që ndodhën asokohe.)

Një tjetër element interesant mbi të cilin debatohet, miqësisht në qarqet intelektuale, rreth ndikimit të ushtruar në evoluimin e species njerëzore është edhe truri apo sistemi nervor. Unë vetë, jam i ndërgjegjshëm se jo pak herë në të shkuarën bëja konfizion mbi trurin; në kuptimin që: është jo vetëm jo-korrekte por shpesh edhe e rrezikshme të thuhet se evolucioni njerëzor ishte vetëm një triumf i trurit mbi muskujt (apo forcën). Tregohet padije e thellë, duke harruar se, ishte fiziku i fortë dhe i ashpër i njeriut të lashtë mbledhës vegjatacioni e njëkohësisht gjahtar që na solli këtu ku jemi.

E këtë fakt e dëshomjnë kokëfortësish një sërë sëmundjesh moderne si obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare që i detyrohen metabolizmit të lipideve, kanceri, dhëmbët e prishur apo osteoporoza. Të gjitha kanë sot një frekuencë të rritur, sepse ne hamë shumë më shumë nga sa hanin njerëzit e parë dhe nga ana tjetër, punojnë e shpenzojmë shumë më pak energji…

***

Për të bërë të qartë se kush jemi, duhen mëparë eliminuar disa keqkuptime të thella të idesë evolutive të Darvinit. Nuk janë të pakët individët që me evolucion kuptojnë një kalim nga një stad më i ulët në një më të lartë.

Këtë keqkuptim të thellë të Darvinit e tregon edhe një përkufizim mediokër i FESH-it (Fjalori Elektronik Shqiptar – i bazuar mbi një version të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të botuar gjatë Diktaturës Komuniste Shqiptare) i cili thotë:

EVOLUCION m. sh.

1. filoz. Një nga format e lëvizjes në natyrë dhe në shoqëri, zhvillimi i një sendi a dukurie nga një gjendje me e ulët në një gjendje me të lartë nëpërmjet kalimeve a ndryshimeve sasiore të ngadalshme e shkallë-shkallë, të cilat bëjnë të mundshme edhe ndryshimet cilësore.

2. biol. Zhvillim shkallë-shkallë dhe i ngadaltë i bimëve e i kafshëve nga një lloj në tjetrin ose nga format me të hershme e me të thjeshta tek ato me të ndërlikuara e me të përsosura. …

Pavarësisht faktit se shumë nga gjallesat me të cilat ne ndërveprojmë sot janë disi më të ndërlikuara krahasuar me disa nga ato që kanë banuar Tokën qinda mijëra vite më parë kjo nuk na jep “të drejtën” për të cilësuar aktualen si “më të përsosur”. Kjo më se shumti flet për njëfarë egoizmi, për njëfarë antropocentrizmi, njëfarë ndjenjë vetëlavdëruese, e cila kam frikë se do të ishte karakteristike e cdonjë grupimi i cile vetë-quhet qytetërim, e që nuk është gjë tjetër veçse një nga shumë format, kalimtare, të jetës që Toka ka parë.

Evolucioni, nuk ka një qëllim apo orientim. Procesi i evolucionit sidosi është stokastik, dhe cilësia apo rezultatet e prodhuara janë rastësore, e duhen gjykuar në raport me kushtet ambientale e faktorë të tjerë rrethanorë.

***

Rinstinkt, nëntor 2013

————————————————————————