Afazia; Diagnoza diferenciale e çrregullimeve të gjuhës

Afazia dhe diagnoza diferenciale e çrregullimeve të gjuhës

Afazia, apo disfazia, nuk është gjë tjetër veçse një problem në përpunimin e gjuhës që vjen prej një keqfunksioni apo më saktë disfunksioni në hermisferën trunore dominante.

Afazia është një çrregullim i gjuhës dhe jo një defiçit ndijor apo motor i thjeshtë. Për këtë arsye preken që të dyja format e gjuhës si ajo e folur edhe ajo e shkruar.

Afazia nuk shkaktohet nga një problem në dëgjim apo në artikulim, megjithëse problemet dhe defiçitet e këtyre aspekteve mund të bashkekzistojnë me afazinë.

Është e rëndësishme që të jemi në gjendje ta dallojmë afazinë nga çrregullime të tjera që prekin gjuhën por që nuk janë çrregullime specifike të vet gjuhës. Për shembull, në çrregullimet motore si dizartria apo afemia (apraksia verbale) e folura mund të jetë e vështirë që të kuptohet. Gjithsesi gjuha ka një përmbajtje dhe gramatikë normale dhe gjuha e shkruar shpesh është normale.

Mutizmi apo memecëria mund të rezultojë prej një afazie të rëndë apo prej çrregullimeve motore, por këto mund të dallohen prej afazisë duke testuar gjuhën e shkruar të individit e cila mund të jetë normale në çrregullimet motore të të folurit por që është e prekur tek afazia.

Po ashtu afazia duhet dalluar nga çrregullimet dëgjimore periferike apo qëndrore, ku preket perceptimi i gjuhës së folur por aftësia për të lexuar dhe aspekte të tjera të gjuhës janë normale.

Një tjetër diagnozë diferenciale është ajo mes afazisë dhe çrregullimeve të vëmendjes prej shkaqeve të ndryshme toksike, metabolike, post-iktale, prej iskemisë së shtyllës së trurit, çrregullimeve të gjumit. Të gjitha këto shkaqe mund të prodhojnë tjetërsime që mund të ngatërrohen me afazinë për shkak të prekjes së të kuptuarit dhe për shkak të të folurës jo koherente.

Disa herë afazia mund të ngatërrohet edhe me çrregullime psikiatrike. Në veçanti afazia mund të ngjasojë me pacientët që vuajnë nga skizofrenia dhe që mund të kenë të folur të çrregullt, të pakuptimtë, plotë neologjizma.

Pra për të bërë një përmbledhje, çrregullimet që mund të ngatërrohen me afazinë janë:

  • Çrregullimet e prodhimit të gjuhës si dizartria, afemia (apraksia verbale), dhe mutizmi (memecëria).

  • Çrregullimet dëgjimore si, një humbje periferike e dëgjimit, apo zhurdhëria kortikale.

  • Çrregullimet e vëmendjes si një gjendje konfizionale e përgjithshme, apo narkolepsia.

  • Çrregullimet psikiatrike (si skizofrenia)

  • Pacient jo-bashkëpunues.

Shkaku më i shpeshtë i fillimit akut të afazisë është infarkti trunor/cerebral.

© Rinstinkt 2020

Kur dëgjon rrahjet të thundrave, mendo për kuajtë, jo për zebrat.

Kur dëgjon rrahjet të thundrave, mendo për kuajtë, jo për zebrat.

Në fushën mjekësore termi “zebra” nuk është një term formal, zyrtar si me thënë, por ai gjithsesi përdoret, sidomos në SHBA, për të treguar probabilitetin e vogël për një diagnozë të caktuar. Kur thonë “zebra” shpesh duan të thonë “sëmundje apo gjendje e rrallë”, apo në mënyrë më të detajuar: një gjendje mjekësore, shfaqja e së cilës në një kohë dhe vend të caktuar, në një person të caktuar, është e papritur dhe surprizuese.

Termi vjen prej një thënie të vjetër të viteve 1940të nga Theodore Woodward, profesor në University of Maryland School of Medicine, që përdorej për t’u mësuar studentëve të mjekësisë se si të arsyetonin me logjikë në lidhje me diagnozën diferenciale. Pra si të mendonin kur një seri shenjash apo simptomash mund të shpjegohej nga 2 ose më shumë shkaqe/patologji të ndryshme.

“Kur dëgjon rrahjet të thundrave, mendo për kuajtë, jo për zebrat.”

(Në Maryland, kuajtë janë relativisht të përhapur, ndërsa zebrat janë tejet të rralla, dhe logjikish nëse dëgjon thundra që rrahin në shesh, duhet të mendosh se kafsha është një kal dhe jo një zebër. Natyrisht që ndonjëherë këto rrahje thundrash do të jenë prej zebrave, ekzotike, të rralla, por këto janë raste të veçanta, që gjithsesi duhen mbajtur “shënim” në një cep të mendjes.)

Me fjalë të tjera shikoni për diagnozën më të shpeshtë dhe të zakonshme, dhe jo për diagnozën me ekzotike apo surprizuese e të rrallë. Për shembull, kur një pacient zhvillon një kollë, shkaku më me gjasa dhe më logjik që duhet menduar është një infeksion viral, dhe jo një tuberkulozë. Natyrisht tuberkuloza duhet mbajtur në mendje dhe i duhet hequr vizë vetëm pasi të jetë konfirmuar plotësisht diagnoza tjetër ose të kemi të dhëna për të mos menduar më për tuberkulozën, pra që e kontraditktojnë atë arsyetim.


© Rinstinkt blog

PDF: Kur dëgjon rrahjet e thundrave mendo për kuajtë jo për zebrat

Sëmundja e Crohnit

Sëmundja e Crohnit

Sëmundja e Crohnit është një sëmundje infiamatore kronike që prek traktin gastrointestinal.

Sëmundja e Crohnit shfaqet në mënyra të ndryshme tek të rinjtë dhe tek të moshuarit. Tek të rinjtë sëmundja e Crohnit zakonisht prek ileumin (zorrën e hollë) ku shkakton spazma, pra tkurrje të pakontrolluuara të muskolaturës së zorrës dhe si pasojë dhimbje, humbje të dëshirës për të ngrënë, anemi, thithje jo të mirë të lëndëve ushqyese dhe si pasojë humbje në peshë. Tek më të moshuarit, zakonisht sëmundja e Crohnit prek më së shumti rektumin, ku shkakton gjakderdje rektale.

Megjithatë, tek të dy grupet sëmundja mund të prekë edhe anusin, kolonin dhe më rrallë gojën, ezofagun, stomakun dhe duedenumin.

Pamje e një segmenti të zorrëve, i cili është ngushtuar për shkak të infiamacionit kronik dhe fibrozës.

Pamje e një segmenti të zorrëve, i cili është ngushtuar për shkak të infiamacionit kronik dhe fibrozës. (Sëmundja e Crohnit)

Sëmundja e Crohnit jep ndërlikime të shumta, ndër të cilat janë bllokim i zorrëve (intestinal), abshese kronikë, fistula të brendshme, pra rrugë kalimi anormale të materialit mes zorrëve; mund gjithashtu të shkaktojë fistula të jashtme që komunikojmë me sipërfaqen e jashtme të trupit.
Sëmundja shfaqet edhe me ndërlikime në pjesë të tjera të trupit, të ndryshme nga aparati gastrointestinal (artrit, spondilit ankilosant, ekzemë, infiamacion i syrit).

Për të diagnostikuar këtë lloj sëmundjeje zakonist kryhet një sigmoidoskopi dhe rreze x duke përdorur bariumin si lëndë kontrasti. Më tej mund të kryhet edhe një kolonoskopi dhe një biopsi për të bërë diagnozë diferenciale me gjëndje të tjera patologjike të cilat ngjasojnë me sëmundjen e Crohnit.

Për trajtimin e sëmundjes së Crohnit mund të jepen sulfasalazina dhe drogëra/ilaçe të ngjashme. Këshillohet një dietë e varfër me fibra dhe e pasur me vitamina.

[Nëse postimi të pëlqeu dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————————————–