Virusi i imunodefiçencës humane (HIV)

(HIV-1 dhe HIV-2)

Morfologjia e virusit të HIV-it


Virusi i HIV-it
Virus i veshur me gjenom të përbërë prej ARN-je. Veshja e virusit përmban 72 glikoproteina që ndërmjetësojnë thithjen e virusit nga qeliza bujtëse.

Identifikimi i  HIV-it

Teste serumologjike dy-fazëshe. Screening-u fillestar bëhet duke përdorur testin ELISA apo teste të ngjashëm që detektojnë praninë e kundërtrupave anti-HIV, të cilët mund të japin edhe disa rezultate fals-pozitivë. Të gjitha rezultatet pozitive rishikohen duke përdorur një test mjaft specifik të Western blot-it, i cili bazohet mbi kundërtrupa të ndryshëm anti-HIV dhe përjashton fals-pozitivët.

Habitati i HIV-it

Virusi i imunodefiçencës humane qëndron në gjakun, në qumështin e gjirit, në spermën dhe sekrecionet vaginale të personave të infektuar nga HIV-i.

Faktorët e virulencës së HIV-it

Kunjat (majat, spicat – spikes) që ndërmjetësojnë kapjen tek qelizat bujtëse, transkriptaza e kundërt, mutacinet e shpejta, dhe shkrirja e citoplazmave të qelizave të infektuara (mes tyre).

Infeksioni parësor/Sëmundja e shkaktuar nga HIV-i

HIV-i është agjenti shkrehës i sindromës së imunodefiçencës të fituar (AIDS). Infeksioni fillestar me HIV shenjohet nga simptoma të vagullta të ngjashme me ato të mononukleozës që largohen me shpejtësi.

Kjo ndiqet nga faza asimptomatike që mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vite dhe që përket me një zbehje/shkatërrim/zvogëlim gradual të qelizave T CD4 në gjak. Kur përqëndrimi i këtyre qelizave bie nën 200 qeliza për mm3 gjak, atëherë shfaqen sëmundjen nga agjentët oportunistë që janë karakteristike për AIDS-in. Këto sëmundje janë edhe shkaku i vdekjes së shumicës së pacientëve të infektuar me virusin që shkakton AIDS-in.

Kontrolli dhe trajtimi 

Kontrolli bazohet në parandalimin e ekspozimit ndaj virusit HIV, që në shumicën e njerëzve do të thotë: praktika seksuale të sigurta, abstenim, përkorje, monogami etj. të gjitha për të kufizuar infektimin.

Ata që injektojnë drogëra të jashtëligjshme duhet të përdorin gilpëra (age) të pastra, sterile, të pandotura duke qenë se aget e ndotura janë rëndom të përfshira në raste infeksionesh.

Nuk ekziston vaksinë për virusin e HIV-it.

Trajtimi i HIV-it mbështetet mbi terapinë antiretrovirale fortësisht aktive (HAART), në të cilën, për të ndalur virusin në fazat e ndryshme të ciklit replikues, përdoret një kombinim i dy inhibitorëve të transkriptazës së kundërt. Ky trajtim zakonisht shoqërohet me një bllokues të receptorëve dhe një inhibitor të integrazës. Është e rëndësishme të theksohet se infeksioni nga HIV është i pakurueshëm, dhe trajtimi shërben vetëm për të ngadalësuar apo parandaluar progresionin e infeksionit të HIV-it drejt AIDS-it.

© Rinstinkt 2012

———————————————