Minella Aleksi, dashuri dhe urrejtje për grupin…

Minella Aleksi, dashuri dhe urrejtje për grupin…

Reagim ndaj shkrimit të Minella Aleksit

Disa muaj më parë mjeku Minella Aleksi kishte bërë një shkrim, kinse psikologjik, dhe e kishte botuar tek e ashtuquajtura gazetë Dita (por mund të ketë qenë edhe “gazeta Dita” që ka porositur shkrimin – mbi këtë gjëkafshë krejt të parëndësiishme nuk mund të gjykoj).

Shkrimi, gjoja-psikologjik i z Minella Aleksi, tentonte të bënte një analizë psikologjike dhe të sjelljes së individëve (politikanëve?) Sali Berisha dhe Edi Rama. Shkrimi i z Minella Aleksi mund të lexohet tek GazetaDita.

Gjithkush mund të gjykojë vetë mbi përmbajtjen e kësaj kinse analize, që dikush paturpësisht, gjykoj, i kishte vënë edhe epitetin shkencore.

Duhet thënë se shkenca nuk gjykohet mbi bazën e autoritetit, pra të emrit të personit që i thotë gjërat. Qenia shkencore e diçkaje nuk gjykohet mbi bazën e titujve. Suprizon, por nuk gjykohet as vetëm mbi bazën e shkollës që individi ka bërë. Në shkencë kanë rëndësi vetëm argumentet.

Natyrisht kjo nuk do të thotë se nëse dikush beson dhe thotë se Minella Aleksi në shkrimin e tij ksenofobik, pseudoshkencor , e të përdorur për qëllime propagandistike politike, ka përdorur argumente kjo është doemos e vërtetë…

Shpesh fushat e komenteve nën shkrimet e e gazetave e nëpër blogosferën shqiptare, janë të mbushura nga individë të frustruar, masha të propagandës politike që tentojnë të prishin mendjen e lexuesit i cili për kuriozitet mund të futet në këtë xhungël të errët.

Fatkeqësisht z Minella Aleksi në shkrimin e tij, ka shumë pak ose aspak argumente. Pjesa më e madhe e paragrafëve janë jo vetëm të qortueshëm por edhe të turpshëm për këdo njeri që pretendon të ketë ndopak sens civilizmimi apo emancipimi.

Marr vesh (atëhere) se i pari që kishte reaguar kundër këtij shkrimi racist-ngjashëm, ishte gazetari Koloreto Cukali, me një post tek Respublica. Asokohe nuk munda ta lexoja atë se çfarë kishte shkruar z Cukali, edhe sepse u njoha me shkrimin e Minella Aleksit nëpërmejt blogut të Ardian Vehbiut (ku nyja per tek shkrimi i K.Cukalit nuk funksiononte), i cili nga ana e tij kishte dhënë mendimin e vet. Për të cilin mendim diç do të them në disa rreshta të tjerë…

Koloreto Cukali, me të drejtë ishte indinjuar për thagmat që shkruante Minella Aleksi tek gazeta Dita.

Cukali ndër të tjera, evidenton mjaft saktë rrejshmërinë e “argumenteve” të autorit të shkrimit në fjalë, sepse jo vetëm që nuk jepet citimi i ndonjë studimi apo referencë që të mbështesë pseudo-faktet e Aleksit mbi fëmijërinë, adoleshencën e më tej pjekurinë e Ramës dhe Berishës, por pretendon se po bën një analizë bazuar mbi një metodologji statistikore, kur kjo është krejt e pavërtetë.

Minella Aleksi, në shkrimin e tij nuk jep asnjë të dhënë se nga i ka marrë premisat nga niset për të gjykuar; ai na i jep përfundimet, ose më saktë ua jep militantëve të partisë së vetë, si të mirëqena… dhe nuk do shumë mend se këta do t’i marrin dhe propagandojnë ër qëllime të pista poliitike.

*

Ksenofobi e pashoqe, dhe diskriminim racist-ngjashëm

Artikulli i z Aleksi është pseudo shkencor për një sërë arsyesh dhe sharlatanizmash të autorit, sikundër e kam thënë edhe tjetërkund (NYJE); shkruan Minella Aleksi:

1- “[…]duke iu referuar fondamentit biologjik, konstitucionit hereditar të tij. Ky kompleks i këtyre elementeve përcakton një strukturë psiqike dhe temperament të fillimit.”

Nga i gjen Minella Aleksi këto të dhëna mbi “fondamentin biologjik”? Mëpastaj, si e nxjerr lidhjen mes këtij “fondamenti biologjik” dhe strukturës psiqike të Sali Berishës, apo kujtdo individi tjetër? Pyetje që jo vetëm Minella Aleksi nuk u ka dhënë përgjigje në atë shkrim, por as nuk ka për t’u dhënë ndonjëherë; këto janë sharlatanizma dhe shpifje të mirëfillta.

2- “ […]Ky stil shfaqet herët në moshën e një individi, ka një bazë biologjike dhe është shumë stabël në kohë e nëpër situata të ndryshme.”

Çfarë do të thotë z Minella Aleksi me “stil”, dhe si e dallon stilin e “malokut” nga ai i “tiranasit” në terma të biologjikes? Përsëri Minella Aleksi nuk ka dhënë përgjigje… por, me njohuritë e mia modeste në fushën biomjekësore, nuk do të ketë ndonjëherë përgjigje për këto sharlatanizma të z Aleksi.

3- “Zona e Tropojës me një nivel shumë të ulët zhvillimi kishte raste të shumta të sëmundjes së sifilizit. E trasmetueshme në breza sëmundja e sifilizit prej dekadash godiste me pasoja të rënda banorët e zonës. Veçanërisht komplikacionet neuropsiqike që njihen me emrin “neurosifiliz”, fazë e rëndë e sëmundjes (e cila për këtë është simbolizuar me një bust në Muse’e de l’Homme në Paris).”

Ku qëndron lidhja me pseudo-analizën? Duket se Minella Aleksi pretendon se Sali Berisha ka vuajtur apo vuan nga sifilizi, e kështu edhe nga pasojat e këtij… Por fakte nuk jep, sepse me shumë probabilitet kjo është një tjetër shpifje e turpshme e Minella Aleksit.

4- “Janë raste të veçanta nervozizmi dhe paniku ato që bëjnë që të dal[ë] atavizmi trashëgimor i S. Berishës[…]”

Pa koment.

5- “[…]i është ndezur fantazia atavike, instiktet e fjetura që i mbart në gen […]”

Fantazia zakonisht në rrethet letrare është një gjë e mirë, rrit prodhimtarinë artistike. Por në këtë fjali, Minella Aleksi bën një gabim tjetër trashanik, nëmos të influencuar nga dashakeqësia dhe hostiliteti kundrejt Berishës. Aleksi duket se ka studiuar në kohën e diktatorit, kur lidhjet me perëndimin ishin tëë shkëputura, e duket se as qëndrimi i tij në amerikë nuk ia ka mbushur boshllëkun edukativ të asokohshëm. Kështu sot dihet me qartësi se instinkti nuk është gjenetik, e madje as i fjetur. Natyrisht ekzitojnë trakte fizike, fenotipike që kanë komponentë gjenetikë, por ato që shpesh konsiderohen instinkte nuk janë gjë tjetër veçse mësime në kohë të hershme. Për shembull të dëgjuarit e zërit të prindërve (nënës) që gjatë qëndrimit në barkun e nënës e bën faktin se familjaritetit me zërin e kësaj të fundit, jo më një instinkt por një mësim.

*

Një interpretim mbi arsyen e shkrimit racist-ngjashëm të Minella Aleksit

sportsmThënë këto, duhet të shtoj se, në tërë shkrimin e z Minella Aleksi vihet se se ai e konsideron kulturën dhe sjelljen herë nën optikën e Tabula rasas e herë të një determinizmi gjenetik radikal. Vihe re pra të dyja përdorimet, radikale – të cilat gjatë artikullit shkëmbehen me njëra tjetrën pa më të voglën kontradiktë për autorin, sipas interesave propagandistike.

Për më tepër ky këndvështrim, i tabula rasas pretendon ta mbush boshllëkun me pseudo-argumente si këto të përdorura nga z Aleksi, nga të cilat mëpastaj të mbërrihet në disa konkluzione, jo vetëm të rrejshme por edhe të rrezikshme, meqënëse ndonjëherë priren të shërbejnë edhe si bazë për vendim-marrje praktike. Nga ana tjetër Minella Aleksi pretendon të ketë zbuluar një gjen të malësorit… e mbase nuk është i vetmi që pretendon të ketë bërë këtë…

Koloreto Cukali e quan shkrimin (perifrazim), racist dhe të veshur me pseudoshkencë. Anonimët, që në pjesën më të madhe janë propagandues a militantë me përfitime politike, e kundërshtojnë Cukalin. Duket sikur kanë të drejtë, të paktën formalisht, në terma të fjalëve të përdorura.

Por thelpi është totalisht i njëjti. Racizmi kërkon diferencimin dhe diskriminimin negativ të tjetrit bazuar mbi racën e tij, mbi një term tërësisht akademik antropologjik; ndërsa në këtë rast nuk kemi raca, por prejardhje të ndryshme… Pra atë “qytetare”, të Edi Ramës, dhe atë “malësore” të Sali Berishës. Thelpi pra është i njëjti: z Minella Aleksi priret t’i diferencioi këto dy grupime, sikundër racat, mbi bazën e disa elementëve pseudo-faktualë, jo ekzistentë, imagjinarë, të shpikur nga autori i shkrimit, për të nxjerrë nga ky diferencim një fitues, e për të rezultuar edhe vetë tek ngadhnjimtarët.

Në paragrafë të tjerë vihet re lehtë se, ky lloj klasifikimi nuk është gjë tjetër veçse një tentativë për të rritur përfitimet e grupit të vetë, në terma të imazhit. Në këtë rast, Minella Aleksi është pre e një bias-i thelpësor; ai identifikohet me grupin dhe ngrihet “në mbrojtje” të kryetarit të grupit të vet, duke sulmuar, sadoqë pa argumente, kryetarin e grupit tjetër. Sulmi rezuton i ashpër, ksenofobik, meqënëse z Aleksi duhet të kujdeset për rezultatin e grupit, në terma të përfitimit të imazhit, ose ngase mendon se nuk mund t’i shpëtojë lehtë asocimit me grupin në fjalë. [N. R. Branscombe, M. T. Schmitt, R. D. Harvey, J. Pers. Soc. Psychol. 77, 135 (1999).]

Shpesh njerëzit ndjejnë nevojën e stigmatizimit të një grupi tjetër apo të një personi tjetër, meqënëse e perceptojnë vetën në antitezë më këtë. Kështu, baltosja e tjetrit doemos “të bën” më të pastër se ai, duke kontribuar në rritjen e vet-vlerësimit të grupiit, apo self-it. Por ky fenomen, ndonjëherë mund të shëndërrohet në përçarje, urrejtje, diskriminim, ksenofobi, e deri edhe dhunë kundrejtë tjetrit. Kështu ngritja në piedestal e self-it, theksimi i vlerave reale apo imagjinare, të pretenduara të grupit ku ndjen se përket rrit vetëvlerësimin, meqënëse identifikimi me këtë është i lartë.

Nën këtë optikë, shkrimi i Minella Aleksit mund të shihet thjeshtë e vetëm si shkrimi i një njeriut i cili kërkon vëmendjen e grupit ku ndjente se përkiste, apo kërkon të përkas ende. Shkrimi daton gusht 2013, pra post-elektoral, çka përforcon përfundimin tim (disi) spekulativ. Minella Aleksi, duke u identifikuar fortë me grupin e vet, e duke stigmatizuar deri në hostilitet grupin tjetër, kërkon pra, të mirat dhe përfitimet që rrjedhin nga kjo përkitje. Dëshira për t’u vlerësuar nga të tjerët dhe për të qenë pjesë e grupit është një nevojë njerëzore thelpësore, na mëson psikologjia evolutive [R. F. Baumeister, M. R. Leary, Psychol. Bull. 117, 497 (1995)].

Kështu Minella Aleksi është krejt i pafajshëm. Shkrimi i tij nuk është gjë tjetër veçse një procedurë iniciacioni, pra një procedurë si ajo që kërkohet për të treguar besnikërinë ndaj një grupimi të caktuar, edhe pse mjaft shpesh kjo procedurë kërkon – si në rastin e grupimeve mafjoze-kriminale – vrasjen e një prej të tjetrëve. Një radikalizim i tillë, ksenofobik, racist-ngjashëm është pasojë e një dëshire individuale për t’u kthyer pas tek grupi që të ka përjashtuar, apo që ndjen se je distancuar.

Shpresoj që tani Minella Aleksi të jetë në gjirin e mëmës Parti.

*

Konsiderata mbi dy pika thelpësore

Siç thashë më lartë, pata dijeni për këtë sukull të z Minella Aleksi duke lexuar një postim të Ardian Vehbiut, tek blogu Peizazhe të Fjalës.

Vetë Ardian Vehbiu kishte hedhur në blog disa konsiderata të vetat, të cilat tani që shkruajta këto rreshta më bëjnë mjaft përshtypje negative; duket se atëherë nuk i kam pas lexuar me vëmendjen e duhur.

A. Vehbiu nuk ngurron t’i quajë paragrafët e shkrimit të Minella Aleksit si “analiza psikologjike”, kur së pari vetë z Aleksi nuk është psikolog -edhe pse në fund të shkrimit tek GazezaDITA Aleksi identifikohet si Mjek, pa specifikim mbi specialitetin- e në shkrimin e tij, cilido që ka njëfarë sensi kritik, e shikon se aty nuk ka asnjë argument psikologjik.

Këto duhen thënë sepse nuk mund të lejohet që një individ si Minella Aleksi, apo kushdo tjetër, të hedh disa teza raciste-ngjashme, diskriminative, dhe hostilitet-prodhuese pa iu futur gjëmb në këmbë si i thonë llafit. Në një vend normal, një njeri normal do të distancohej menjëherë nga një i tillë artikull. Vetë autori i artikullit, nëse do të përdorte autoritetin e fushës, do të dëmtohej rëndë në terma të imazhit. Këtu nuk ndodh, jo vetëm sepse z Aleksi nuk është psikolog, por edhe sepse kritikat ishin/janë në pjesën më të madhe të vagullta…

Më tej Ardian Vehbiu thotë: “Edhe pse nuk është doemos anti-shkencore të vendosësh lidhje mes karakteristikave psikologjike dhe të sjelljes në bazë të prejardhjes ose të mjedisit, duke vepruar kështu është praktikisht e pashmangshme t’i ruhesh diskriminimit negativ.”

Ardian Vehbiu duket se nuk ia di mirë kuptimin termit shkencë. Të bësh shkencë do të thotë të arsyetosh sipas një mëynre të caktuar, duke ndjekur një metodoligji strikte, e cila i zvoglëon në maksimumin e mundshëm gabimet, të cilitdo lloj qofshin.

Minella Aleksi nuk bën aspak shkencë, e ato që thotë nuk janë shkencore, jo sepse e them unë por sepse nuk ekziston asnjë argument për të mbështetur ato lloj thagmash. Dhe jam i bindur se edhe sikur ndonjë të përpiqej të sillte ndonjë studim për të mbështetur pjesët më të errëta e diskriminative të artikullit të Minella Aleksit, ky do të ishte jo relevant me ato që ka deklaruar Aleksi, ose një pseudo-studim nga ato që prodhon propaganda partiake.

Nëse Minella Aleksi, apo ndonjë tjetër dëshironte të hidhte teza të bezueshme duhet të sigurojë një lidhje shkak-pasojë mes elementëve të paraqitur në shkrim, ashtu siç janë paraqitur. Por kjo është krejt e pamundur, ndaj siç veprohet shpesh edhe në këtë rast u hodh aq shumë baltë saqë për të qartësuar situatën do të duhej një kohë e gjatë. Tek e fundit, autorit të shkrimit dhe atyre që e mbështesin, direkt apo indirekt, u intereson efekti momenal; nuk është se do rri kush nga lexuesit të presë reagimet e mëtejshme njëra pas tjetrës, qofshin këto qartësuese apo jo.

Edhe më: Aleksi mund të hedhi sa hipoteza të dojë, me fjalët më të bukura të botës, por nëse këto lidhje mes karakteristikave psikologjike (të pretenduara) dhe mjedisit, nuk mbështeten me argumente studimore, e kështu me statistika, atëherë kjo lidhje është një shpifje dhe një sharlatanizëm i pashoq.

Pastaj Ardian Vehbiu shkruan: “E keqja e analizave të tilla, tepër tunduese, është se ato janë tepër “deterministe” […]”

Natyrisht, A.Vehbiu këtu ka të drejtë, dhe unë nuk kritikoj pragrafin që ai ka shkruar por kuptimin që ai i jep determinizmit. Duket, se sikundër edhe shumë njerëz të tjerë të letrave, Vehbiu ngatërron determinizmin me parashikueshmërinë. (Për më tepër është mbi këtë keqkuptim që rryma letrare-filozofike postmoderne e bazon një pjesë të mirë të )(pseudo)kritikave të veta përkundrejtë shkencës.)

Me determinizëm kihet parasysh një proces natyror, pra ajo se çfarë bën naytra, pavarësisht veprimeve tona. Ndërsa parashikueshmëria (predikimi) ka të bëjë dhe varet pjesërisht nga natyra dhe pjesërisht nga ne. Për shembull një fenomen natyror, nisur nga një apo disa premisa të caktuara, është i determinuara nga “ligjet e natyrës” (apo ligjet e Zotit, për ata që e mendojnë natyrën si jashtëpërfaqësim të entitetit Zot.) dhe doemos do të vijojë sipas një trajektoreje të patjetërsueshme. Ky fenomen, i cili nuk ndikohet nga njeriu, mund të jetë ose jo i parashikueshëm (predikueshëm) por fakti se ne nuk kemi njohuri të thelluara mbi këtë nuk do të thotë se ai fenomen nuk është deterministik. Kështu duhet të dallojmë mes asaj çka natyra bën dhe njohurive që ne kemi mbi to; parashikueshmëria varet pikërsiht nga njohuritë që ne kemi mbi fenomenin.

Ne kemi disa njohuri se si natyra, më saktë evolucioni i jetës në Tokë e më tej evolucioni i llojit tonë, e ka formësuar psikologjinë tonë. Me këtë merret psikologjia evolutive, për më tepër e jo ndonjë mjek shqiptar që shkruan sharlatanizma për propagandë politike. Por këto veçori të studiara nga psikologjia evolutive trashëgohen tek të gjithë, theksoj, të gjithë individët e një lloji, pra tek të gjithë njerëzit (meqë është një fenomen gjenetik), e kështu nuk mund të ngrihet aspak argumenti i Minella Aleksit, i cili dallon dy individë të së njëjtës specie.

Shkova shumë larg; ajo që duhet të thuhet shkurt është se, analiza e Minella Aleksit mund të duket edhe deterministike, por ajo nuk është shkencore, ajo nuk është deterministike sepse e rremë – nuk ekziston një relacion si ai që pretendohet të paraqitet. Ajo mund edhe të duket shkencore por nuk është e tillë sepse argumentet nuk mbështeten mbi prova objektive, të përsëritshme, por vetëm mbi subjektivitetin e një njeriu që bën propagandë.

Të qenit i një fenomeni deterministik, nuk e bën këtë doemos të njohur për ne (apo për Minella Aleksin) nga ku dalim tek rrejshmëria që doja të evidentoja. Disa persona duke e quajtur artikullin e Minella Aleksit “deterministik”, i mveshin padashur (jam i bindur) njëfarë sensi shkencor, kur z Aleksi as nuk citon e as nuk demonstron ndonjë gjë shkencore apo statistikore, për të mbështetur sharlatanizmat e veta.

Përtej gjithë këtyre, kam frikë se shoqëria jonë është ende një shoqëri primitive e degraduar deri në palcë nga vitet e diktaturës komuniste. Dyshoj se, nëse nuk do të kishte reaguar Koloreto Cukali, ky shkrim i përçmueshëm i Minella Aleksit do të kishte kaluar nën zë…


© mbi tekstin, Rinstinkt

Advertisements

Një mendim mbi “Minella Aleksi, dashuri dhe urrejtje për grupin…

  1. Pervec nja dy tre fjalive ku nuk kuptoj se cfare do te thuash (mbase eshte faji im), shkrimi apo analiza qe ke bere mendoj se eshte shume e mire.
    E kam shenjuar blogun tend tek bookmark, sic keshillon. Te lexoje here pas here.
    Jam shumei lumtur qe ka njerez te shqetesuar per civilizimin e kombit te vet.

Lini një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s