Darwini, evolucioni, feja e të tjera…

Darwini, evolucioni, feja e të tjera…

Natyralisti britanik Charles Darwin nuk ishte i pari shkencëtar që sugjeroi dhe argumentoi se bimët, kafshët dhe të tjera organizma nuk janë të fiksuara, pra statike, të pandryshueshme. Pra Darwini sikundër të tjerë individë përpara tij propozoi se llojet e organizmave ndryshojnë apo evoluojnë në kohë… Por kontributi i tij i madh, dhe i veçantë është se ai tregoi dhe argumentoi se një nga mjetet apo mekanizmat kryesore nëpërmjet të cilave evolucioni ndodh është ai proces që mori emrin seleksion natyror. Këtë ide qëndrore ai e paraqiti në librin e tij “On the Origin of Species by Means of Natural Selection, or the Preservation of Favoured Races in the Struggle for Life” që u botua në 1859 në Londër. Vetë Darwini e përshkroi librin si “një argument i gjatë”.

Pas botimit, libri “On the Origin of Species” hasi opozicion akademik dhe popullor jo të pakët, pavarësisht faktit se libri nuk përmendte asnjë doktrinë fetare, të cilat këmbëngulnin se speciet/llojet e gjallesave janë të fiksuara, statike të pandryshueshme dhe të dizenjuara nga Zoti.

Sidosi, me kalimin e kohës idetë e librit ndikuan në perspektivën shkencore mbi botën natyrore, dhe kështu nocioni i seleksionit natyror qëndron sot në bazë të gjithë biologjisë moderne dhe shkencave apo fushave të dijes që rrotullohen dhe nëdërthuren me të. Kjo sepse nocioni i seleksionit natyror dhe evolucionit japin një shpjegim të thjeshtë dhe elegant por njëkohësisht të fuqishëm mbi format e jetës aktuale dhe të së shkuarës.

Duhet thënë se Darwini, edhe gjatë kohës që shkruajti librin, ishte mjaft i ndërgjegjshëm për potencialin blasfemik të punës së tij. Për shembull, 15 vite përpara botimit të librit, ai i shpjegonte botanistit Joseph Hooker se teoria e tij nuk kishte nevojë për një Zot apo për specie të pandryshueshme: “At last gleams of light have come, & I am almost convinced (quite contrary to opinion I started with) that species are not (it is like confessing a murder) immutable.”

Puna e Darwinit kërkoi një kohë të gjatë dhe të kujdesshme. Nga shënimet e tij është zbuluar se ai procedoi hap pas hapi duke mbledhur sasi të mëdha informacioni dhe provash…

Në 30 vite punë ai i integroi prova dhe informacione mbi fosilet, gjeologjinë, bimët, kafshët me të tjera njohuri nga fusha si demografia, ekonomia dhe shumë fusha të tjera. Sot, duke konsideruar të gjitha këto, teoria e evolucionit nëpërmjet seleksionit natyror mbahet si një nga gjetjet shkencore më të rëndësishme të njerëzimit.

 


seleksioni natyror karikature zotiRoli i Zotit

Në ambientet Viktoriane të shekullit të 19të fosilet njiheshin dhe diskutoheshin gjerësisht. Disa i konsideronin fosilet si forma shkëmbi të formuara vetvetisht, pra që nuk kishin fare të bënin me organizmat e gjallë. Të tjerë i shikonin fosilet si punë të Krijuesit të vendosura në Tokë për të testuar besimtarët. Të tjerë mendonin se fosilet ishin mbetje të organizmave ende të gjallë diku nëpër botë…

Në vitin 1796 natyralisti francez Georges Cuvier pranoi dhe argumentoi se disa fosile si për shembull ato të mamuthëve ishin mbetje të kafshëve tanimë të zhdukura. Ai e paqëtoi këtë nocion me besimin e vet fetar duke invokuar katastrofa si përmbytjet e pikturuara në Bibël. Thuhej se, çdo përmbytje shfarosi një sasi të madhe qeniesh të gjalla; më pas Zoti i dha Tokës qenie dhe organizma të tjerë… Mes çdo katastrofe çdo specie e krijuar prej zotit, thuhej se, qëndronte fikse, pra e patjetërsuar. Kjo teori, që në njëfarë mënyrë përpiqej të paqëtonte mbetjet fosile me besimin në Zot dhe kreacionizmin njihej si “katastrofizëm” dhe u përhap gjerësisht pas botimit nga Cuvier të “Preliminary Doscourses” në vitin1813.

Pavarësisht kësaj, gjatë kohës kur Cuvier merrej me shkimin e teorisë së tij, ide të tjera po përhapeshin… ide që bazoheshin mbi koncepte evolucioni. Për shembull, vetë gjyshi i Darwinit, Erasmus Darwini, një “free-thinker” kishte një teori të vetën idiosinkratike.
Një tjetër ide që kishte më shumë ndikim ishte ajo e paraqitur nga Jean-Paptiste Lamarck, që në atë kohë ishte profesor zoologjie në National Museum of Natural History në Francë. Në librin e tij Philosophie Zoologique të botuar në vtin 1809 ai artikuloi të parën teori të evolucionit të gjallesave. Ai teorizoi se qeniet e gjalla evoluan nga qenie më të thjeshta duke kaluar në stade gjithnjë e më të sofistikuara për shkak të një “force ndërlikuese”.

Lamarcku argumentonte se orrganizmat përballeshin me sfida ambentale mbi trupin e vet dhe prej këtu doli ideja e përdorimit dhe mospërdorimit në një individ. Lamarcku thoshte se përdorimi më i shpeshtë dhe i vazhdueshëm i një organi e përforcon këtë të fundit në mënyrë graduale, e zhvillon dhe madje edhe e zmadhon… ndërsa mospërdorimi i përhershëm i çdonjë organi e dobëson në mënyrë të paperceptueshme, shkallë-shkallë, deri sa ai organ zhduket plotësisht. E gjithë kjo ndodhte tek një individ i vetëm. Kështu shkruante Lamarcku ky organ i fuqizuar nga përdorimi i vazhdueshëm që një indivd bënte më pas kalonte tek pasardhësit – fenomen i emërtuar si “trashëgimi e karakteristikave të fituara”. Në pamje të parë kjo teori duket se ngjan mjaft me atë të propozuar nga Darwini, por duhet specifikuar se ndryshon në pika të ndryshme themelore.

Reklama