Gaz në tubin tretës – flatulenca

Gaz në tubin tretës  – flatulenca

Gazet e kanalit gastroenterik mund të vijnë nga tre rrugë të ndryshme. Së pari nga ajri i gëlltitur së bashku me ushqimin. Së dyti si produkte të aktivitetit baktoror të zorrës së trashë (kolonit) dhe së treti si gaze që shpërhapen drejt tubit tretës nga gjaku.

Gazet e stomakut, në pjesën më të madhe janë të përbërë nga azoti dhe nga oksigjeni, të derivuar nga ajri i gëlltitur së bashku me ushqimin. Këto gaze në pjesën më të madhe të tyre nxirren jashtë me anë të gromësitjes (gromësimës).

Në zorrën e hollë, zakonisht gjenden vetëm sasi shumë të vogla gazi; në në pjesën më të madhe gaz (ajër) që vjen nga stomaku dhe duodenumi. Për më tepër, shpesh gjenden edhe sasi dioksidi karboni (CO2) që zhvillohet nga reaksioni mes lëngut gastrik dhe joneve bikarbonat të lëngut pankreatik. Ky i fundit ka si funksion atë të neutralizimit të aciditetit të lëngut gastrik. Ndonjëherë reaksioni mes dy lëngjeve është aq i shpejtë saqë është e pamundur thithja imediate e dioksidit të karbonit të prodhuar.

Në zorrën e trashë (kolon) gazet vijnë apo prodhohen në pjesën më të madhe nga aktiviteti bakteror. Në përbërjen e tyre futen dioksidi i karbonit, metani dhe hidrogjeni.
Kur metani dhe hidrogjeni bashkohen me njëri-tjetrin dhe me oksigjenin e ajrit të gëlltitur në proporcione të caktuara formohet një përzierje e vërtetë eksplozive, shpërthyese.

Në fakt, edhe pse mjat rrallë, me përdorimin e elektokauterizatorit gjatë ndërhyrjeve sigmoidoskopike ka patur shpërthime mjaftë të forta të kolonit.

Dihet se, disa lloje ushqimesh prodhojnë sasi më të mëdha të gazeve në kolon. Ndër to janë fasulet, lulelakrat, qepët, misri, uthulla etj.
Disa nga këto ushqime mund të thuhet se përbëjnë një “pabulum” të shkëlqpyer për bakteret prodhues të gazeve, veçanërisht për përmbajtjen e tyre në karbohidrate të fermentueshme.
Disa të tjera kanë një lloj tjetër efekti, një efekt irritues, i cili bën që përshpejtohen lëvizjet peristaltike dhe gazet të tranzitojnë pa mundur të thithen nga koloni.

Sasia e gazit që prodhohet nga zorra e trashë gjatë një dite shkon nga 7 në 10 litra. Ndërsa sasia që nxirret jashtë nëpërmjet anusit shkon deri tek 0,6 litra në ditë. Pjesa tjetër thithet nëpërmjet mukozës intestinale.

Rinstink 2013

——————————————————————————

Përbërja e fekaleve

Përbërja e fekaleve

Fekale elefanti - janë evidente fibrat bimore.

Fekale elefanti – janë evidente fibrat bimore.

Normalisht mbetjet fekale janë të përbëra për rreth tre të katërtat (3/4) nga ujë dhe për një të katërtën (1/4) nga substanca të ngurta, nga të cilat 30% janë mikrobe të vdekur, 10-20% lyra, 10-20% substanca organikle, 2-3% proteina dhe 30% skorje ushqimore të patretura, material nga lëngjet tretëse, si pigmentet biliare, qeliza epiteliale të vdekura etj.

Sasia e madhe e lyrave në mbetjet fekale, vjen kryesisht nga lyrat me origjinë bakterore, pra të murit dhe membranave të baktereve që qëndrojnë në zorrën e trashë, dhe nga lyrat e enterocitëve të shkëputur, të vdekur.

Ngjyra kafe e mbetjeve fekale vjen nga sterkobilina dhe nga urobilina, derivate që të dyja të bilirubinës (mbetje të degradimit të hemoglobinës).

Era e mbetjeve fekale vjen nga produktet e aktivitetit bakteror të zorrës së trashë, kolonit. Ekziston një variabilitet individual që varet nga flora bakterore e pranishme në çdo individ dhe nga kompozimi i dietës së individit.

Rinstink 2013

———————————————————————-

Sistemi tretës tek njeriu

Sistemi tretës

Sistemi tretës shtrihet nga kafazi i kraharorit e deri në zgavrën abdominale. Kufiri mes këtyre dy zgavrave përfaqësohet nga diafragma.

Sistemi tretës përfshin kanalin ushqyes, i cili merret me ujin dhe lëndët ushqyese, dhe gjëndrat e bashkëlidhura. Kanali ushqyes përbëhet nga goja, faringu, ezofagu, stomaku, zorrët dhe kanali anal.

Gjendrat e pështymës

Gjendrat e pështymës janë: gjendra parotide, nëngjuhore dhe nënmandibulare.

Mëlçia dhe fshikëza e tëmblit, sëbashku me pankreasin janë edhe ato pjese e sistemit tretës.

Thyerja mekanike  e ushqimit fillon në gojë; prerja apo copëtimi i parë i ushqimit kryhet nga dhëmbët. Fëmijët kanë 20 dhëmbë, të rriturit 32.

Gjuha

Gjuha lëviz dhe manipulon ushqimin dhe merr pjesë në artikulimin e tingujve në të folur. Gjendrat e pështymës prodhojnë një sekrecion – pështymën – që lubrifikon ushimin  në mënyrë që të gëlltitet më me thjeshtësi. Pështyma përmban bikarbonat natrumi dhe një enzimë që fillon thyerjen e amidonit. Ushqimi, nga goja kalon në faring dhe mëpastaj në ezofag.

Ezofagu

Ezofagu është një tub i gjatë që kalon ndërmjet dy mushkërive në zgavrën e kraharorit, nëpër diafragmë dhe mbërrin në stomak. Stomaku është i ndarë nga ezofagu nga sfinkteri kardiak. Sfinkteri kardiak lejon kalimin e ushqimit nga ezofagu në stomak, duke parandaluar kthimin pas.

Vetë stomaku është i pozicionuar në anën  e majtë, menjëherë nën diafragmë, dhe është pjesërisht i mbrojtur (mbuluar) nga brinjët. Stomaku ka pak a shumë formë fasuleje, me një lakesë të vogël dhe një lakesë të madhe. Ndahet në tre pjesë: fundi, trupi dhe pjesa pilorike.

Stomaku

Stomaku punon si rezervuar për ushqimin. Pjesa e jashtme e stomakut përbëhet nga tre shtresa muskuli të lëmuar: një shtresë gjatësore, një shtresë qarkore dhe një shtresë e pjerrët (oblikue). Këto tre shtresa muskujsh kanë funksionin e përzjerjes së ushqimit me lëngun gastrik dhe shpërndarjen e tij në duodenum. Veshja mukoze thith ujin dhe glukozin për në gjak. Gjendrat gastrike tahisin (sekretojnë) rreth 1-2 litra lëng gastrik në ditë. Lëngu gastrik përmban enzima si lipaza dhe pepsinogjeni, të cilat prodhohen nga qelizat peptike. Lipaza fillon thyerjen e lyrave; pepsinogjeni shndërrohet në pepsinë në prani të acidit klorhidrik. Pepsina fillon thyerjen kimike të proteinave në substanca më të thjeshta si peptonët. Acidi klorhidrik ka rolin e vrasësit të baktereve. Në mënyrë që të parandalojë vet-tretjen nga acidi klorhidrik, qelizat mukoze tahisin (sekretojnë) mucinë, që mbron sipërfaqen e stomakut.

Stomaku është nën kontroll hormonal dhe nervor. Kur ushqimi mbërrin në stomak, qelizat gastrike fillojnë tahitjen e gastrinës. Gastrina vepron mbi  mbi qelizat e stomakut  për të rritur tahitjen e lëngut gastrik. Pas lënies së kohës së duhur për tretje, fillon tkurrja e muskujve të stomakut duke krijuar lëvizjet peristaltike. Këto lëvizje valë-ngjashme e shtyjnë ushimin drejtë pjesës pilorike të stomakut. Sfinkteri pilorik hapet dhe ushqimi shtyhet drejt zorrën së hollë (duodenumit).

Zorra e hollë

Zorrët mund të ndahen në zorrën e hollë dhe zorrën e trashë. Zorra e hollë është një tub i gjatë muskulor. Zorra e hollë merr kimën nga stomaku, lëngun pankreatik nga pankreasi, dhe vrerin (lëngun e tëmblit) nga fshikëza e tëmblit.

Zorra e hollë përfshin duodenumin, jejunumin (zorrën e thatë) dhe ileumin.

Zorra e trashë

Zorra e trashë është e veshur nga një membranë (cipë) seroze – peritoneumi, në të cilën kalojnë enë gjaku, enë limfatike dhe nerva.

Zorra e trashë përbëhet nga zorra qorre, koloni, rektumi, kanali anal dhe apendiksi krimb-ngjashëm (zorra shtojcë).

 

Mëlçia dhe fshikëza e tëmblit

Mëlçia është një organ metabolik kompleks, dhe është po ashtu gjendra jashtëtahitëse më e madhe e trupit. Mëlçia gjendet në zgavrën abdominale, nën diafragmë në anën e djathtë. Është e rrethuar nga një kapsulë indi fibroz që e ndan në dy lobe kryesorë:; lobi i majtë dhe i djathtë, që më tej janë të ndarë në lobtha. Arteria hepatike shpie në mëlçi gjak arterioz. Ndërsa vena portë (portale) shpie në mëlçi gjakun venoz të organeve abdominale. Pasi gjaku kalon në kapilarët e mëlçisë – sinusoidët – ai kalon në venën heptike (e mëlçisë) dhe më në fund në venën zgavrore të poshtme. Nga mëlçia lindin dy dukte hepatike, që bashkohen për të formuar duktin e përbashkët hepatik. Dukti i përbashkët hepatik vazhdon në duktin e përbashkët të vrerit, që më pas derdhet në duodenum pasi takohet me duktin pankreatik.

Fshikëza e tëmblit (apo tëmthit?) është një trastë me funksionin e rezervimit të vrerit.

Pankreasi

Pankreasi është një gjendër e gjerë që shtrihet përmes zgavrës abdominale të pasme. Pankreasi ka një funksion jashtëtahitës (ekzokrin) apo tretës dhe një funksion brendatahitës apo hormonal.

Pankreasi përbëhet nga një kokë, një trup dhe një bisht. Koka e pankreasit është e rrethuar (përqafuar) nga duodenumi. Pankreasi përshkohet nga dukti pankreatik, i cili bashkohet me duktin e vrerit dhe më pas del në duodenum ku derdh lëngun pankreatik, nëpërmjet ampulës së Vater-it. Ampula e Vater-it përfundon me sfinkterin e Oddi-t.

© Rinstinkt 2012, mbi tekstin

Tretja, sistemi tretës

Tretja, sistemi tretës

Trupi juaj ka nevojë për ushqim që tëmund të ndërtojë dhe riparojë vetveten. Po ashtu ka nevojë për ushqim për të përftuar energji kimike për proceset që duhet të kryejë. Përpara se trupi të mund të përdorë ushqimin që ju hani, ai duhet ta thyejë atë në pjesë të vogla, të quajtura lëndë ushqyese, të cilat më pas mund të thithen dhe të kalojnë në qarkullimin e gjakut. Procesi i thyerjes dhe thithjes së ushqimit quhet tretje.

Sistemi tretës

Organi kryesor i sitemit tonë tretës është një tub i gjatë muskulor, i quajtur gypi tretës. Ky tub tretës ndahet në disa pjesë: ezofagu, stomaku, zorra e hollë dhe zorra e trashë. Pankreasi, fshikëza e tëmblit mëlçia janë organe të bashkëlidhura që kanë, edhe ato, një funskion në procesin e tretjes.

Fakte:

Tretja e ushqimeve fillon në gojë, ku dhëmbët tuaj e copëtojnë ushqimin në pjesë të vogla. Lëngje të njohura si pështymë(a), e zbusin ushqimin në mënyrë që ai të rrëshkas poshtë nëpër gurmaz. Gjuha juaj i jep ushqimit formën e një topi dhe e shtyn atë nëpër gurmaz, nga ku gëlltitet. Ushqimi futet në ezofag dhe shkon drejt stomakut.

Stomaku

Brenda stomakut tuaj, ushqimi përzihet dhe trazohet nga tkurrjet e muskujve të murit të stomakut. Stomaku sekreton acide dhe kimikate të tjera që thyejnë (ndajnë në njësi më të vogla) ushiqmin dhe e kthejnë atë në një lëng supë-ngjshëm të quajtur kimë. Ky lëng lëshohet me masë (me “racione”) drejt zorrës së hollë, më saktë duodenum-it.

Fakte:

  • Ushqimit i duhen rreth 10 sekonda për të udhëtuar nëpër ezofag.
  • Ushqimi qëndron në stomak për rreth katër orë.
  • Acidi i stomakut është aq i fuqishëm saqë mund të shkrijë metalin.
  • Muri i stomakut mbrohet nga acidet e stomakut me anë të një veshjeje (shtrese) të hollë mukoze.

Zorrët

Zorra e hollë është e veshur me miliona e miliona projeksione të vogla që quajtura vile. Vilet përmbajnë enë gjaku, kapilarë të vegjël. Lëndët ushqyese nga kima kalojnë nga muret e vileve drejt e në gjak. Kur kima mbërrin në zorrën e trashë ajo është e përbërë kryesisht nga mbetje dhe ujë. Uji thithet në qarkullimin e gjakut dhe mbeturiat shndërrohen në fekale në rektum.

Fakte:

  • Zorra juaj e hollë është reth 5 metra e gjatë.
  • Zora juaj e trashë është vetëm 1,5 metra e gjatë, por është shumë më e gjerë se zorra e hollë.
  • Ushqimi mund të qëndrojë në zorrën e hollë deri në pesë orë.
  • Mbetjet ushqimore (fekalet) arrijnë në rektum rreth 20-45 orë pasi ju keni gëlltitur ushqimin.

Çfarë i ndodh ushqimit?

Lëvizja e muskujve e shtyn ushqimin poshtë në ezofagun tuaj drejt stomakut me një shpejtësi prej 2.5 deri në 5 cm për sekondë. Më tej, kur kalon nëpër zorrë, ushqimi lëviz më me ngadalë për të lejuar thithjen e lëndëve ushqyese. Ushqimi lëviz në zorrën e hollë me një shpejtësi prej 1 cm për minutë.

Kuriozitet: nga një skaj në skajin tjetër të tubit tretës, gjatësia shkon rreth 7 m.

© rinstinkt, tetor 2012

—————————————————————————-

Tumorë të indit epitelial: Adenom i kolonit

Adenom i kolonit (zorrës së trashë). Janë të pranishme disa struktura të ndryshme gjëndër-ngjashme, që mimojnë (imitojnë) strukturën normale të mukozës së kolonit.