Alternativa e mashtrimit

Disa përsiatje mbi shkrimin: Gabimi fatal ndodhi… shkruhet mbi varrin e Steve Jobes-it

Beware - The cancer quack

The cancer quack

Dua të sinjalizoj, për lexuesit e rregullt të kësaj faqeje, një shkrim shum interesant dhe tellallisës të doktor Myftar Barbullushit, të botuar tek Gazeta Panorama më 26 shkurt 2014, dhe të lexueshëm në këtë nyje.

Shkrimin e vet doktor Barbullushi e fillon me një përshkrim të një ndodhie interesante, që i përket jo vetëm fushës mjekësore, epidemiologjisë por edhe fushës së përftimit të dijeve dhe më tej mënyrës racionale të të menduarit. Ka të bëjë me atë që quhet triali i parë klinik, që mëpastaj rezultoi në gjetjen e “kurës” për sëmundjen e skorbutit.

Për ata që nuk e dinë, sëmundja e skorbutit ka të bëjë me një deficencë vitamine C, thënë ndryshe acidit askorbik.Vitamina C është e rëndësishme në atë që unë, për thjeshtësi po e quaj, transformimi post-sintezë i kolagjenit. Që ka të bëjë me oksidrilimin e prolinës dhe lizinës në molekulën e kolagjenit. – duke i bërëvargjet e kolagjenit të përfitojnë funksionin e vetë të plotë, pra rezistencë të plotë.

[Lexo: Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit]

Doktor Barbullushi, mendoj, e fillon pikërisht në këtë mënyrë shkrimin e vet për të vënë në dukje se, ka një mënyrë racionale dhe shkencore se si përftohet dija. Një dhe vetëm një. Dhe dijet dhe metodat që pretendojnë të kurojnë pacientët dhe patologjitë e tyre, duhet të jenë përftuar sipas një mënyre dhe metode të çertifkuar dhe të përsëritshme; asaj shkencore.

Rasti i D.C. Lind-it është emblematik, meqënëse ai, me mjetet dhe njohuritë e pakta të zotëruara askokohe, qe në gjendje që të përshkruante sëmundjen e skorbutit në mënyrë racionale, të dallonte zhvillimin e sëmundjes në raport me kushtet ambientale dhe ushqimore, e të demonstrojë se si ishte e mundur kurimi i skorbutit me shtimin në dietë të portokalleve dhe limonave. Lind-i tregoi, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se, ngrënia e protokalleve dhe limonave kuronte apo më mirë të themi i jepte trupit të njeriut (me skorbut) një element i cili më parë, në gjendjen skorbutike, i mungonte. Natyrisht shkencëtari Lind, në kohën kur jetonte, nuk kishte dijeni dhe mjete për të njohur strukturën e vitaminës C apo më tej, mekanizmin e saj të funksionimit mbi molekulën kolagjenore. Megjithatë, kjo nuk e bën zbulimin e tij më pak të vlefshëm; thjeshtë zbulimi se agrumet parandalonin, apo kuronin skorbutin, ishte në vetvete një revolucion në mënyrën e të menduarit dhe të përqasurit ndaj problemeve.

Natyrisht që bashkëkohës dhe paraprirës të Lind-it kishin tentuar ta kuronin skorbutin, dhe jo vetëm këtë, në mënyra “alternative”, siç i quajnë në gjuhën popullore. Natyrisht pa ndonjë sukses. (Duhet thënë gjithashtu, se në fillimet e veta mjekësia nuk i kishte kufijtë mjaftë të ndarë me praktika të tjera jo edhe aq shkencore.)
Pa sukses pikërisht sepse kjo mënyrë alternative nuk ekziston.

Ata që zakonisht pretendojnë të kurojnë me mënyra “alternative”sëmundje me mekanizma etiopatogjenetik të njohur, janë në më të mirën e rasteve disa budallenjë. Në rastet më të kqija budallenjtë janë ata që bien në grackën e këtyre sharlatanëve, e këta të fundit janë disa individë meskinë që përfitojnë nga padituria e njerzve, shpesh duke krijuar edhe një pasuri të konsiderueshme mbi jetët dhe dëshpërimin e të tjerëve.

[Për shembull, sharlatanët që pretendojnë të kurojnë diabetin pa insulinë.]

Lexuesi, duhet të kuptojë se nuk ekziston një alternativë ndaj mjekësisë. Mjekësia, ajo zyrtare, është e vetmja që mund të kurojë, dhe kjo meqënëse është e vetmja që bazohet mbi të dhëna të faktuara dhe mbi një mënyrë racionale të përftimit të dijeve.
Praktikat e tjera, të reja ose të vjetra, të cilat kanë treguar apo kanë qenë në gjendje t’i nënshtrohen skrupolozitetit të metodës shkencore, janë integruar apo integrohen vazhdimisht në praktikën mjekësore rutinore.

Të gjitha praktikat e tjera, të cilat pretendojë të kurojnë/shërojnë duke apeluar për entitete, mekanizma apo gjëra të tjera të çuditshme e të pakuptueshme nga “mjekët e zakonshëm” apo të fshehura pas një gjuhe dhe një “aure” misterioziteti, janë mashtrime ose më shpesh disa sharlatanizma të kota.
Dhe jo vetëm që nuk kurojnë, por shpesh edhe shkaktojë dëme, sëmundje, apo deri edhe vdekje të pacientëve/individëve të drejtohen për tek këto praktika të quajtura skuthërisht “alternative”, por që alternative nuk janë, meqë nuk ofrojnë asgjë alternative përveç mashtrimit dhe gënjeshtrës.

[Lexo: Kura me sodë buke, merret i pandehur “onkologu” italian – Panorama.com.al]

[Lexo: Burgim për guru-n alternativ]

Por mbi këto probleme do të kemi rast të flasim edhe në të ardhmen.

Rinstinkt, 2014

———————————————————————————

Reklama

Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Skorbuti shkaktohet nga mungesa e vitaminës C, apo thënë ndryshe acidit askorbik (askorbatit). Vitamina C përveç të tjerash është e nevojshme edhe për oksidrilimin e prolinës dhe lizinës në molekulën e kolagjenit.

Skorbuti është një sëmundje defiçiti, si shumë të tjera, që karakterizohet nga degjenerimi (prishja) e përgjithshme e indit lidhor. Skorbuti shfaqet (manifestohet) me shenja si: hemorragji të shumta të shkaktuara nga dobësia e enëve të gjakut, pra nga dobësia e mureve të enëve të gjakut. Skorbuti shfaqet edhe me humbjen e dhëmbëve, pamundësinë e krijimit të eskarave (vrajave, mbresave) nga plagët apo rihapjen e të vjetrave, dhimbje dhe prishje të kockave dhe, në fund, pamajaftueshmëri kardiake. Janë vëzhguar edhe depresion dhe rritja e ndjeshmërisë ndaj stimujve të llojeve të ndryshme.

Rastet me të moderuara me mungesë të vitaminës C shfaqen me lodhje të përgjthshme, acarueshmëri dhe rritje të gravitetit të infeksioneve respiratore.

Pjesa më e madhe e kafshëve e prodhon vitaminën C, vet, në sasi të mëdha, nëpërmjet transformimit të glukozit në askorbat. (Transformimi kryhet nëpërmjet katër hapave enzimatike.)

Gjatë evoluimit të vet, njerëzit – dhe kafshë të tjera si gorrilla, kaviet, laskuriqët – e kanë humbur enzimën e fundit të rrugës enzimatike që realizon sintezën e askorbatit nga glukozi. Kështu acidi askorbik (askorbati) duhet të merret nga dieta.

Formula kimike e vitaminës C

Formula kimike e vitaminës C

Acidi askorbik (vitamina C) në formën e vet fizike është një pluhur i bardhë, kristalin, i paerë. Vitamina C shkrihet me lehtësi në ujë, ndërsa me pak më shumë vështirësi në tretës të tjerë organikë.

Përdorimi i duhur ditor i vitaminës C është ende nën diskutim. Në SHBA doza e rekomanduar ditore është prej 60 mg, në Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar 30-40 mg, në Rusi prej 100 mg. Ndonjëherë jepen doza të larta të vitaminës C pavarësisht se benefici që vjen nga një veprim i tillë është nën diskutim.

Kafshët që e sintetizojnë vet vitaminën C ruajnë nivele të larta të kësaj vitamine, aq sa njeriut do t’i duhej të merrte doza qindra herë më të larta se doza ditore e rekomanduar për të mbërritur në një nivel të tillë.

Përveç agrumeve dhe pjesës më të madhe të frutave të freskëta, edhe ushqime të tjera përmbajnë doza të konsiderueshme vitamine C. Ndër to janë: piperi, domatet, patatet dhe brokolit.

Vitamina C që gjendet në fruta dhe preime degradohet (prishet) pas gatimit të këtyre. Po ashtu edhe gjatë konservimit të zgjatur.

Po përse vitamina C (acidi askorbik) është kaq i rëndësishëm për shëndetin e njeriut?

Rëndësia e vitaminës C tek njeriu qëndron në formimin e kolagjenit. Kolagjeni përbëhet nga përsëritja e tripeptidit Gly-X-Y ku X dhe Y janë përgjithësisht Pro apo 4-Hyp, derivati i Prolinës nga (4R)-L-hidroksiprolina, që ka një rol thelbësor në mbështjelljen e kolagjenit dhe në ruajtjen e strukturës së tij.

Unaza e prolinës normalisht gjendet në në dy konformacione “të përthyera”, të quajtura Cy-endo dhe Cy-ekzo. Struktura e helikës së kolagjenit kërkon që mbetja e prolinës në pozicionin Y të trepeptidit të jetë në konformacionin Cy-ekzo. Ky konformacion i prolinës stabilizohet nga prania e grupit funksional oksidrilik (-OH) në pozicionin C4 të 4-Hyp. Struktura e kolagjenit kërkon edhe që mbetja e prolinës në pozicionin X të trepeptidit të ketë konformacionin Cy-endo.

Në mungesë të vitaminsë C (askorabatit) qelizat nuk mund ta oksidrilojnë, pra nuk mund t’a shtojnë grupin oksidril tel mbetja e prolinës në pozicionin Y. Kështu, mos-shtimi i grupeve hidroksil sjell paqëndrueshmërinë e proteinës së kolagjenit, me të gjitha pasojat që rrjedhin prej kësaj.

Ah, një kuriozitet: kolagjeni është një proteinë, pra njeriu i ka gjenet për ta prodhuar vetë. Po ashtu, kolagjeni është një ndër proteinat me masën dhe strukturën hapsinore më të madhe, kështu që është e pamundur që të kalojë hapsirat ndërqelizore – ndryshe nga sa pretendojnë ata që shesin kremrat me “kolagjen”. Kolagjeni pra nuk thithet nga lëkura. Mos i shpenzoni paratë kot. 🙂

 

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

—————————————————————————————————–

Kolagjeni

KOLAGJENI

Proteina juaj me e fuqishme

Molekula e kolagjenit

Rreth një e katërta e te gjitha proteinave te trupit tuaj janë kolagjen. Kolagjeni është një proteine strukturale, qe formon kabuj molekularë qe fuqizojnë tendinat dhe shtresa te gjëra qe mbeshtesin lekuren dhe organet e brendshme. Kockat dhe dhembet, behen duke shtuar kristale mineralesh tek kolagjeni. Kolagjeni i jep një strukture (te qendrueshme) trupit tone, duke mbeshtetur dhe mbrojtur organet me te buta dhe duke i lidhur ato me skeletin. Por, edhe pse ka një rol kritik ne funksionimin e trupit, kolagjeni është një proteine relativisht e thjeshte(ne strukture).

Helika e trefishte e kolagjenit

Kolagjeni është i perbere nga tre vargje (zinxhirë), te vendosur se bashku ne një helikë te trefishtë. Ilustrimi i paraqitur ketu është vetëm një segment i vogel i se gjithë molekulës – e gjithe molekula (vargu, zinxhiri) përmban mbi 1400 aminoacide,  ndërsa ketu paraqiten vetëm 20 prej tyre. Strukturen (e fortë) të kolagjenit e formon perseritja e një sekuence prej tre aminoacidesh. Vazhdoni leximin