Cikli menstrual

Cikli menstrual

Procesi me anë të të cilit një oocit shndërrohet në një vezë të maturuar quhet oogjenezë. Në lindje, dy vezoret përmbajnë miliona oocitëoocitet parësorë që kanë arritur në profazën e ndarjes së parë mejotike.

Zhvillimi i një oociti parësor fillon që nga epiteli burimor (germinativ) i vezores. Grupe qelizash migrojnë drejt stromës. Oogoni qëndror zgjerohet në folikulin primordial dhe kthehet në një oocit primar (parësor). Oociti parësor është i rrethuar nga qeliza folikulare. Këta oocitë parësor (primar) qëndrojnë në profazë derisa femra maturohet seksualisht. Në pubertet dhe nën influencën e hormoneve, ndarja e parë mejotike vazhdon dhe përfundon. Qelizat folikulare shumëfishohen dhe kthehen në grumbullin vezëmbajtës (cumulus oophorus) dhe  në membranën thërrmijore (membrana granulosa), të cilat së bashku me qeliza të këllëfit të brendshëm (theca interna) sekretojnë estrogjen. Estrogjeni rezervohet pjesërisht në  lëngun folikular (liquor folliculi) që gjendet në zgavrën e folikulit Graafian. Formohet një oocit dytësor dhe dy trupa polarë. Rreth ditës së 14-të të një cikli normal 28-të ditor, një folikul Graafian i maturuar shpërthen dhe nxjerr vezën e pjekur. Ky proces nihet si ovulim (ovulimi). Ndërkohë zgavra e folikulit mbushet me gjak dhe formohet trupi i verdhë (corpus luteum). Nëse pllenimi nuk ndodh trupi i verdhë ndalon së prodhuari progesteron dhe tkurret rreth ditës së 28-të të ciklit. Nëse ndodh pllenimi, atëherë trupi i verdhë vazhdon të rritet dhe në të gjithë vëllimin e vezores. Trupi i verdhë është thelbësor për ruajtjen e shtatëzanisë nëpërmjet prodhimit të progesteronit derisa formohet placenta rreth muajit të 4-të të shtatëzanisë.

Më specifikisht, ovulimi është procesi i prodhimit të oocitëve dytësorë, të cilët dalin nga folikuli dhe merren nga tubat e Falopit drejtë mitrës. Oociti udhëton në tubat e Falopit – për rreth tre ditë – falë lëvizjeve peristaltike të mundësuara nga muskujt e lëmuar të oviduktit. Në oocit i papllenuar jeton rreth 24 orë pasi del nga folikuli. Kështu, pllenimi ndodh në tubat e Falopit. Nëse veza pllenohet, ajo i nënshtrohet ndarjes së dytë mejotike dhe më pas pasi shkrihet me qelizën spermë, i nënshtrohet në sërë ndarjesh mitotike. Pastaj, falë lëvizjeve të muskulaturës së ovidukteve dhe lëvizjeve të cilieve (qerpikëve) që i veshin, veza lëviz drejt mitrës (6 apo 7 ditë pasi qeliza vezë është pllenuar). Tashmë embrioni i ri fiksohet në endometër (3 apo 4 ditë pasi mbërrin në mitër).

Nëse qeliza vezë nuk pllenohet. Ajo vdes, dhe shtresa (veshja) endometriale e mitrës largohet me menstruacionet. Pak pas menstruacioneve, fillon dhe rritet një oocit tjetër dhe pas rreth 28 ditësh cikli përsërit veteveten. Ky cikël njihet si cikli menstrual. Cikli i parë menstrual quhet menarke, dhe shenjon ardhjen e pubertetit tek femra. Cikli i fundit menstrual, në të kundërt shenjon ardhjen e menopauzës, e cila përfaqëson fundin e jetës pjellore tek femra.

Cikli menstrual (apo i të përmuajshmëve) përsëritet , rreth çdo 28 ditë duke filluar nga puberteti e deri në menopauzë,  përveç në rastet e shtatëzanisë apo të sëmundjeve të caktuara.

I tërë cikli është nën kontrollin e hipofizës së përparme (gjëndër endokrine). Hipofiza prodhon hormone gonadotrofike si FSH-ja, LH-ja dhe LTH-ja.

FSH-ja prodhohet gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual dhe stimulon folikulin Graafian në rritje e sipër që të prodhojë estrogjen.

LH-ja prodhohet gjatë gjysmës së dytë të ciklit, pas ovulacionit (ovulimit), dhe stimulon formimin e trupit të verdhë (corpus luteum), i cili prodhon progesteron. Në pubertet, estrogjeni (estrogeni) dhe progesteroni (progjesteroni)  janë përgjegjës për zhvillimin e organeve seksuale dytësore dhe karakteristikave seksuale dytësore. Gjatë moshës së rritur, këto hormone janë përgjegjës për ruajtjen e organeve dhe karakteristikave seksuale dytësore.

Nivelet e estrogenit dhe progesteronit në gjak, bien gjatë menopauzës, sepse indi i vezores gradualisht fillon e nuk i përgjigjet më hormoneve gonadotrofikë të prodhuar nga hipofiza e përparme. Kështu cikli i ovarian çrregullohet dhe më në fund ndalon. Vezorja zvogëlohet dhe fibrotizohet (e pasur me ind fibroz) pa prodhuar më qeliza vezë. Të gjitha indet në trup fillojnë të tregojnë ndryshime. Ndodh mëpastaj një regresion i karakteristikave seksuale dytësore. Të gjitha këto ndryshime shenjojnë fundin e periudhës riprodhuese të jetës.

© Rinstinkt

Reklama

Tumorët e qelizave germinative

Tumorët e qelizave germinative (riprodhuese apo dyzuese)

Tumorët mund të lindin nga qelizat germinative, dhe kështu gjenden zakonisht në teste dhe vezore. Rastësisht, gjithsesi, mund të ndodh që të lindin nga fole qelizash germinative të cilat kanë mbetur pas gjatë migrimit embrional të qelizave germinative nga kreshtat kurrizore.

Tumorët e qelizave germinative mund të gjenden, zakonisht në mes-linjë, prej gjëndrës pineale, bazës së kafkës, mediastinumit dhe retroperitoneumit e deri tek rajoni kërbishtor.

Teratom cistik beninj i vezores. Ky cist është i veshur prej epiteli skuamoz (luspor) dhe është i mbushur me material yndyror dhe qime.

Qelizat germinative normale janë totipotente (“të plotfuqishme”) – ato u japin fillesën të gjitha llojeve të indeve që gjenden në trup si dhe placentës dhe trastës viteline (të verdhë), inde të quajtur jashtë-embrionalë.

Pritshmërisht, tumorët e qelizave germinative mund të përmbajnë inde të diferencuar nga të treja shtresat embionale – ektoderma, mezoderma dhe endoderma –  si dhe inde jashtë-embrionalë. Këto tipe tumorësh quhen teratomë (apo teratoma).
Teratomët janë më të zakonshme në vezore, ku janë më së shumti beninje, dhe, më pak të zakonshëm, por me një shpeshtësi gjitnjë e në rritje dhe malinj në testikuj (gonadet tek mashkulli).

Tek tumorët beninj sikundër ata që prekin vezoret, indet mund të jenë vërtet shumë mirë të organizuar, duke i ngjarë lëkurës normale, tiroides, trurit apo indit kërcor. Tumorët malinj, sikunër edhe mund të parashikohet, përmbajnë shumë më pak inde të mirë-diferencuar, por (kuriozisht) shpesh, nën ndikimin e drogërave kimioterapeutike, formojnë inde të diferencuar.

 

 © Rinstinkt, mbi tekstin

————————————————————————————————–