Pickimi i mushkonjës

Pickimi i mushkonjës

Evolucioni i pickimit të mushkonjës

Personalisht i urrej mushkonjat. Vetëm për faktin se edhe kur gjendem i shoqëruar me njerëz të tjerë, unë jam gjithnjë preja e parapëlqyer. Shpesh më ka ndodhur të mendoj se përse mushkonjat pickojnë pikërisht mua… por pa gjetur ndonjë përgjigje të kënaqshme. Megjithatë…

Mushkonja e llojit Aedes aegypti (Wikipedia)

Mushkonja e llojit Aedes aegypti (Wikipedia)

Sipas një studimi të ri shkencor mushkonjat e zgjedhin prenë e vet, nga ku thihin gjakun, sipas një skeme mjaft të ndërlikuar, të formësuar nga koha e gjatë evolutive.

Kjo skemë zgjedhjeje kërkon që mushkonjat të vlerësojnë një sërë elementësh si, dioksidi i karbonit (CO2), nxehtësia trupore apo edhe era e lëshuar nga trupi i njeriut. Të gjitha ndryshore që kontribuojnë në zgjedhjen e subjektit që do të pickohet.

Studimi rezultatet e të cilit po mundohem të bëj të njohur për lexuesin besnik të blogut tim, përfundon duke u shprehur se, për të shtyrë një mushkonjë që të pickojë një subjekt të caktuar, duhen të paktën dy nga tre ndryshoret e sipërcituara.

Studiuesit që kanë realizuar kërkimin shkencor i kanë përftuar këto të dhëna nëpërmjet inxhenjerisë gjenetike, duke ndërtuar një mutant të llojit  të mushkonjës Aedes aegypti, që është edhe vektori i etheve të verdha (një sëmundje infektive). Mutacioni që kanë induktuar tek kjo specie mushkonje kishte të bënte me mungesën e një gjeni specifik, që ishte përgjegjës për sintezën e receptorit që detekton dioksidin e karbonit në ambientin rrethues. Pra kur mungon gjeni, mungon edhe receptori për CO2, që nuk është gjë tjetër veçse një njëpasnjëshmëri aminoacidesh që formojnë mëpastaj një strukturë trepërmasore që në gjuhën popullore quhet proteinë.

Kështu, duke i lëshuar këto mushkonja të tjetërsuara në ambient, e duke krahasuar aktivitetin e tyre pickues me atë të mushkonjave të ashtuquajtura wild type, u vu re se këto mushkona të modifikuara – pa receptorë për dioksidin e karbonit – kishin 15% më pak mundësi për të kapur prenë e vet. Pra vetëm 15% më pak, mundësi/aftësi… meqë ekzistojnë, pra, edhe faktorë/ndryshore të tjera që kontribuonin, të cilët faktorë ishin të patjetërsuar (nxehtësia trupore dhe era e trupit).

Shpjegimi që japin shkencëtarët është ky: që kombimini i këtyre tre ndryshoreve kryesore e rrit jashtëzakonisht shumë aftësinë e mushkonjave për të kapur me efikasitet njerëzit dhe për t’i pickuar. Kjo ngase nëse mushkonjat do të ishin të tërhequra vetëm nga nexehtësia, kjo do të përbënta njëkohësisht edhe një humbje të madhe kohe, meqë nxehtësi lëshojnë një numër shumë i madh trupash. Për këtë arsye logjike gjatë kalimit të kohës, brez pas brezi, kanë mbijetuar (janë seleksionuar) ato mushkonja që kanë vlerësuar edhe ndryshore të tjera gjatë vendimmarrjes, si prania e dioksidit të karbonit dhe era e trupit.

Përse u intereson shkencëtarëve ky zbulim, apo edhe të tjera zbulime të ngjashme? Ndokush në pamje të parë mund të mendojë, gabimisht, se kjo është një humbje kohe. Në fakt nuk është kështu. Të njohurit e mekanizmave gjenetikë dhe më gjerë biologjikë, që udhëheqin jetën, dhe në rastin më specifik mushkonjat, na ndihmon që të gjejmë edhe pika të dobëta në fiziologjinë e tyre.
Kështu mund të krijojmë edhe ilaçe, “repelentë”, apo pesticide më të mirë, të cilët mund t’i përdorim kundër Aedes aegypti apo edhe kundër Anopheles gambiae (përhapësia e parazitëve të malaries). Shembuj analogë mund të jepen edhe për kërkimin shkencor në fusha të tjera.

Pra duhet kuptuar që kërkimi shkencor dhe financimi i tij, sidomos publik, është i një rëndësie të jashtë zakonshme, jo vetëm për mirëqenien e njeriut.

Rinstinkt, 2014

Bibliografia:

  • Multimodal Integration of Carbon Dioxide and Other Sensory Cues Drives Mosquito Attraction to Humans  – Cell, Volume 156, Issue 5, 27 February 2014, Pages 1060-1071

[Nëse postimi të pëlqeu, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————-

Reklama

Mëlçia; fiziologjia e mëlçisë

Mëlçia; fiziologjia e mëlçisë

Mëlçia luan një rol thelbësor në metabolizimin e  shumë substancave; kryen, gjithashtu, funksione të rëndësishme biosintetike.

Pamje nga para dhe nga pas e mëlçisë

Pamje nga para dhe nga pas e mëlçisë

Në realizimin e këtyre funksioneve mëlçia favorizohet nga vendndodhja anatomike. Mëlçia është organi i parë që merr nëpërmjet qarkullimit portal, gjakun e pasuruar me elementë ushqyes – kryesisht amoniacide, monosakaride dhe acide lyrorë me varg të shkurtër ose të mesëm. Këto lëndë janë thithur nga tubi tretës dhe transportohen pikërisht drejt mëlçisë nëpërmjet venës portë.

Në mëlçi elementët ushqyes kapen nga hepatocitet dhe mund të metabolizohen, të akumulohen apo të rishpërndahen drejt pjesëve të tjera të trupit – sipas nevojave të organizmit.

Mëlçia ka një qarkullim të brendshëm gjaku karakteristik, kur gjaku venoz i ardhur, siç thamë,nga vena portë, përzihet me gjakun e pasur me oksigjen që transportohet nga arteria hepatike. Gjaku venoz dhe ai arterioz konvergojnë tek njëri-tjetri në shtratin e kapilarëve hepatikë të mëlçisë, ose siç quhen ndryshe sinusoidët.

Tradicionalisht parankima hepatike (e mëlçisë) përshkruhet sikur është e përbërë nga një tërësi njësish poliedrike me seksion ekzagonal, të quajtura lobtha.

Në qendër të çdo lobthi gjendet vena hepatike terminale, ndërsa në periferi të ekzagonit gjendet triadat portale, çdonjëra e përbërë nga vena portale terminale, dhe një ose më shumë komplekse të përbëra nga dukti i vrerit (i tëmblit) dhe arteria hepatike terminale.

Nga sistemi vaskular periferik i lobthit lindin sinusoidet, që duke kaluar përmes hepatocitëve mbërrijnë (derdhen) në venën qëndërlobthore.

Detyra (fisiologjike evolutive) kryesore e mëlçisë është ajo e të furnizuarit të organeve të tjera të turpit në çdo moment me materialin energjitik optimal.

Aftësia e mëlçisë për të akumuluar lëndë ushyese dhe për të moduluar biodisponibilitetin sistemik të tyre rregullohet nga shumë faktorë lokalë dhe nga kërkesat energjitike të organeve të tjera trupore.

Funksioni metabolik hepatik i nënshtrohet një kontrolli të imët kryesisht endokrin (hormonet pankreatike, të mbiveshkores dhe të tiroides).

Mëlçia, duktet intrahepatike, fshikëza e vrerit (tëmblit), stomaku, fillimi i duodenumit dhe pankreasi

Mëlçia, duktet intrahepatike, fshikëza e vrerit (tëmblit), stomaku, fillimi i duodenumit dhe pankreasi

Mëlçia kryen një rol fiziologjik metabolik të rëndësishëm në detoksifikimin dhe ekskretimin e xenobiotikëve, që mund të mbërrijnë në mëlçi nëpërmjet venës portë apo arteries hepatike. Quhen xenobiotikë ato substanca kimike të huaja për organizmin njerëzor dhe për historinë e tij evolutive (si ilaçet, pesticidet, ngjyruesit dhe konservuesit).

Mëlçia siguron sintezën e shumë proteinave plazmatike, dhe nëpërmejt prodhimit të vrerit, lëngut të fshikëzës së tëmblit, ekskretimin e shumë substancave si pigmentet biliare, kolesteroli, ilaçet apo xenobiotikë të tjerë.

Mëlçia, së fundi, luan edhe një funksion endorkin dhe gjatë jetës fetale edhe rol gjakpërftues (hemopoietik).

Rinstinkt 2013

————————————————————————————

Balsamosja

Balsamosja

Balsamosja e një trupi kërkonte – sipas procedurës – heqjen në një bllok të vetëm të organeve të brendshme (abdominale dhe të kraharorit), heqjen e trurit nëpërmjet zgavrës së hundës duke shpuar kockën sfenoidale, dhe lyerje-ngjyerjen e trupit me një përbërje lëndësh dhe erëzash. Së fundmi, trupi spërkatej me vajra të veçantë dhe mbështillej me fasho.

Mumie në sarkofag

Mumie në sarkofag

Të përgatitura në këtë mënyrë mumiet kanë arritur deri në ditët tona – pas mijëra vitesh- të ruajtura në sarkofagët e çmuar.

Rinstinkt, Prill 2013

————————————————————————————————————–

Muskuli, llojet e muskujve, klasifikimi i muskujve

Muskuli, llojet e muskujve, klasifikimi i muskujve

Indi muskulor përfaqëson përbërësin indor më të bollshëm të trupit të njeriut, duke zënë rreth 50% të peshës trupore tek njeriu i pjekur.

Funksioni kryesor i indit muskulor është tkurrja, gjatë të cilës muskuli zhvillon forcë dhe shkurtohet duke lëvizur një ngarkesë dhe prodhuar punë mekanike.

Muskujt janë përgjegjës për, pothuajse, çdo lloj lëvizje që ndodh në organizmin tonë: nga ato më të dukshmet, si të ecurit, të vrapuarit apo frymëmarrja, e deri tek ato më pak të dukshmet, si shtytja e përmbajtjes së zorrëve apo gjakut në enët e gjakut, lëvizja okulare apo shprehja e fytyrës.

Aktiviteti muskular është thelbësor për ruajtjen e shumë funksioneve jetësore, si qarkullimi i gjakut, frymëshkëmbimi, tretja dhe thithja e ushqimeve, dhe për shumë funksione të tjera që – edhe pse jo jetësore – kanë një rëndësi të madhe, si ruajtja e drejtqëndrimit, lokomocioni, të folurit etj.

Muskuli mund të konsiderohet si një motor biologjik që prodhon punë mekanike duke përdorur energjinë kimike që vjen nga hidroliza e adenozinë-trefosfatit (ATP). Natyrisht sikundër në të gjithë motorat, shndërrimi i një forme energjie në një tjetër nuk kryhet me rendiment 100% dhe kështu një pjesë e energjisë kimike të ATP-së përfundon në formë nxehtësie. Prodhimi i nxehtësisë është i nevojshëm për ruajtjen e temperaturës trupore dhe përbën kësisoj një funksion shtesë të rëndësishëm të indi t muskulor.

Muskulatura kardiake, mikroskopi elektronike – © 2009 Dennis Kunkel Microscopy, Inc.

Tipat e ndryshëm të muskujve që gjenden në organizmin tonë, janë specializuar në vazhdën e evolucionit, në kryerjen e funksioneve ndonjëherë edhe mjaft të ndryshme mes tyre. Kështu, muskulatura skeletike është përgjegjëse për lëvizjet trupore të vullnetshme, muskulatura kardiake (e zemrës) është përgjegjëse për shtytjen e gjakut në enët (e gjakut), ndërsa muskulatura e lëmuar është e përfshirë në funksionet përbrendësore (e përbrendshme) të pavullnetshme.

Muskujt që gjenden tek njeriu mund të klasifikohen sipas një kriteri strukturor në muskuj të lëmuar dhe muskuj të vijëzuar. Këta të fundit mund të ndahen, nga ana e tyre, në muskuj skeletik dhe muskuj kardiak (të zemrës).

Muskujt e vijëzuar ia detyrojnë emërtimin e vet organizmit jashtëzakonisht të rregullt të materialit tkurrës brendaqelizor që u jep qelizave të këtij lloji muskuli një vijëzim të dukshëm me mikroskop optik (me dritë).

Këtij klasifikimi mund t’i shtohet edhe një lloj tjetër klasifikimi, që mbështetet mbi mënyrën e aktivizimit të tkurrjes muskulore. Muskujt që mudn të aktivizohen në mënyrë rë ndërgjegjshme, si muskujt skeletikë, bëjnë pjesë tek muskulatura e vullnetshme: këta muskuj aktivizohen nga sistemi nervor qëndror me anë të fibrave motore në përgjigje të një dëshire (vullneti) të ndërgjegjshëm. Shumë prej muskujve të lëmuar janë muskuj të pandërgjegjshëm (të pavullnetshëm), dhe veprimi (aktivizimi) i tyre kontrollohet (shpesh në rrugë reflekse) nga sistemi nervor autonom në përgjigje, pra, të ndonjë lloj stimuli. Edhe muskuli kardiak (i zemrës) mund të përfshihet tek muskulatura e pavullnetshme, duke qenë se aktiviteti i këtij muskuli nuk varet nga vullneti.

© Rinstinkt, Shkurt 2013

——————————————————————————————————–

Si bëhen bebet?

Si bëhen bebet?

Një bebe bëhet, krijohet, nga dy qeliza të sistemit riprodhues. Njëra nga qelizat është qeliza vezë që vjen nga femra, ndërsa qeliza tjetër është spermatozoidi që vjen nga mashkulli. Spermatozoidi bashkohet me vezën në procesin e quajtur pllenim. Në nëntë muajtë që pasojnë pllenimin, veza e pllenuar zhvillohet në një qenie të re njerëzore.

Vetëm një qelizë spermatike është e nevojshme për pllenimin e qelizës vezë.

Fakte mbi gjenet.

Çdo qelizë e trupit të njeriut përmban një set prej 46 komozomesh, të përbërë nga material kimik i quajtur ADN.

Kromozomet përmbajnë gjenet, që janë udhëzime që i tregojnë trupit si të rritet dhe si të funksionojë.

Veza dhe spermatozoidi kanë çdonjëri vetëm 23 kromozome. Kur ata bashkohen formojnë embrionin, që ka 46 kromozome.

Ju i trazhëgoni gjenet tuaj nga nëna dhe babai, gjysmën nga secili.

Karakteristikat fizike, si ngjyra e syve dhe ngjyra e flokëve, priren të jenë të ngjashme brenda familjes, duke qenë se kontrollohen nga gjenet.

Cikli jetësor njerëzor.

Sikundër kafshët, qeniet njerëzore rriten, maturohen dhe natyrisht vdesin. Gjatë jetës tuaj, trupi rritet dhe përson ndryshime; po ashtu edhe mendja juaj. Ju merrni aftësi fizike, si të ecurit, luajtja e sporteve; po ashtu përftoni aftësi intelektuale si të lexuarit, të shkruarit, dhe të arsyetuarit.

Trupi i njeriut ndalon së rrituri rreth moshën 20 vjeçare, por ai vazhdon të ndryshojë.