Si prodhohet një mjekim homeopatik?

Doktorët dhe farmacitë pro-homeopatisë

Homeopatia: mit dhe legjendë (3)

Si prodhohet një mjekim homeopatik?

Merrni një bimë, një insekt, apo pjesë të një kafshe që mendoni se mund të induktojë të njëjtat simptoma me ato të sëmundjes që doni të kuroni. Vendoseni në ujë (apo alkool) për pak kohë, larg dritës për të shmangur ndryshime kimike në tretësirën fillestare. Themeluesi i homeopatisë, Hahnemann-i zakonisht përdorte Mustela foetida (ekstrakt i gjëndrave anale të qelbësit), Periplaneta americana (gogozhel amerikan), Pediculuc capitis (morri i flokëve) dhe Pulex felis (pleshti i maces); pra lironi fantazinë tuaj!

Pas njëfarë kohe (aq sa mjafton) shtrydheni për të nxjerrë pjesën e lëngshme. Keni përftuar kështu “ngjyrën mëmë”.

Fuqizojeni “ngjyrën mëmë” duke e holluar me ujë apo alkool. Sa më shumë ta holloni aq më mirë është. Gjatë çdo hollimi kryeni dinamizimin e flakonit sikundër rakomandon(te) Hahnemann-i (duke e tundur dhe jo shkundur!, 100 herë me vendosmëri). Keni përftuar kështu “ilaçin” homeopatik.

Mëpastaj, aplikoni mbi “ilaçin” e prodhuar një çmim në përpjestim të drejtë me numrin e hollimeve të bëra ndaj “principit aktiv”.

Magjia e homeopatisë qëndron, pra, në fazën e dinamizimit; pa atë e gjithë homeopatia do të binte si një kështjellë prej rëre, për arsye të thjeshta fare: psh. në burimet e ujit gjejmë qindra mijëra substanca të tretura në ujë, në përqindje të ndryshme… si është e mundur, që duke e pirë nuk pësojmë asnjë efekt anësor? Apo uji “kujtohet” për molekulat e principit aktiv vetëm dhe vetëm atëherë kur iu intereson homeopatëve dhe në rastet e tjera harron?

Por-homeopatikët e shpjegojnë këtë inkongruencë të dukshme (që siç them unë, “ia bën muu!”) me mungesën e një “dinamizimi” të tretësirës që të mund t’i aktivizojë fuqitë e vërteta kurative.Siç e shpjeguam “dinamizimi” i ujit, pra dhënia ujit e aftësisë që të “mbaj mend”, pra të ketë memorje mbi principet aktivë që janë holluar në të deri në pikën sa të mos ekzistojë as edhe një molekulë e vetme, arrihet me anë të tundjes (por jo shkundjes!) së ampulës (enës) me qindra herë. Pra sipas homeopatëve tundja (por jo shkundja) e enës i jep ujit aftësinë për të “mbajtur mend” vetitë e molekulës së principit aktiv. Por duke tundur enën, pra duke “dinamizuar” substancën tonë, pra principin tonë aktiv, a nuk “dinamizojmë” në të njëjtën kohë të gjithë molekulat e tjera (përfshirë molekulat e Arsenikut!) që gjenden në atë masë uji? Sigurisht që po. Edhe pse, ujë 100% të pastër në natyrë nuk ka, nuk ekziston, ka gjithnjë ndonjë papastërti apo mineral. Po ato papastërtitë e “dinamizuara” pa dashur, ku përfundojnë? Kur përgatitet një produkt homeopatik nga merret uji? Si arrihet që të eliminohet memorja që ka uji për kalimin e vet në tubaturat e papastra, për flakonin apo ampulën e papastër, për molekulat e ajrit me të cilat pashmangshmërisht ka qenë në kontakt?

E të tjera e të tjera pyetje, kaq të thjeshta!

Pra edhe një fëmijë, me pak sens kritik, e kupton se stërstërhollimi dhe tundja janë thjesht gjeste besëtytnore pa asnjë bazë shkencore.

Homeopatia funksionon… si placebo!

Reklama

Mbërrin kimia: Avogadroja

Homeopatia: mit dhe legjendë (1)

Hahnemann dhe origjina e homeopatisë

Mbërrin kimia: Avogadroja

Homeopatia avancoi ngadalë gjatë 1800-ës, ndërsa komuniteti shkencor në 1860 pranon teoritë e Avogadros… Mëkat për vonesën sepse pikërisht në ato teori gjendet shpjegimi se përse homeopatia është absurde dhe e pavlerë: një mol i çfarëdo substance, përmban një numër N molekulash, të barabartë me 6,022x 1023 (numri i famshëm i Avogadros).

Duke njohur numrin e molekulave për sasi materieje, gjendet me thjeshtësi se sa molekula substance aktive mbeten në tretësirë pas një njëpasnjëshmëre tretjesh homeopatike 1:100… absolutisht as edhe një e vetme!

Një shembull: marrim parasysh një substancë me peshë molekulare baraz me 100. Një gram i kësaj substance në 100 ml tretësirë (1CH) do të përmbajë 6,022×1021 molekula; një hollim 2CH do të përmbajë 0.01 gram dhe 6.022 x 1019 molekula… nëse mbërrijmë në tretjen (hollimin) 11CH tretësira rezultante do të përmbajë 0,00000000000000000001gram nga substanca jonë (psh karbonat kalciumi CaCO3) dhe rreth 60 molekula. Tretja (hollimi) i mëpasshëm (12CH) do të përmbajë 0,6022 molekula. Në tretësirën tonë (të stërstër…stërholluar) nuk do të ketë as edhe një molekulë!!! Vini re në hollimin e 12-të, të llojit 1:100, do të gjenden në tretësirën tonë vetëm 0.6022 molekula, pra as edhe një molekulë  “e plotë”! Nëse do të vazhdonim deri në hollimin e 30CH (pra 30-të hollime, të njëpasnjëshme, në raportin 1 pjesë tretësirë,nga ajo që ka pësuar hollime të mëparshme,me 100 pjesë ujë), teorikisht dhe fatkeqësisht për homeopatinë edhe praktikisht do të tresnim një sasi uji me tjetër ujë (pra, kohë e humbur!).

Si përfundim: në hollime të mëdha (duke filluar që nga 12CH e shumëpërdorur), ligjet e kimisë tregojnë se produkti përfundimtar është aq shumë i holluar saqë nuk përmban as edhe një molekulë nga substanca fillestare.

Mëkat për homeopatinë, sepse që nga 1860-ta dhe në vazhdim asnjë person me pak tru të shëndoshë nuk duhej t’u besonte atyre legjendave… apo jo?? Posi, posi! Në të kundërt!

Duke u bërë qesharakë, përballë pavlefshmërisë së kurave të veta, homeopatët janë përpjekur të shpëtojnë vetveten (duke ia dalë!) duke justifikuar funksionimin e “ilaçeve” të veta me anë të të shpikjes së “memorjes së ujit”, i cili i dinamizuar në mënyrën e duhur është i aftë të mbajë mend molekulat e principit aktiv,i cili pas atyre hollimeve të shumta të njëpasnjëshme nuk gjendet më në tretësirën  përfundimtare. Praktikisht uji kthehet në një lloj perëndie (të homeopatëve) me një veçri të rëndësishme, atë të mbajtjes mend të principit aktiv (që praktikisht hollohet deri sa zhduket).

 

Homeopatia: mit dhe legjendë (2)

Homeopatia: metoda Korsakov

Hahnemann dhe origjina e homeopatisë.

Homeopatia: mit dhe legjendë (1)

Hahnemann dhe origjina e homeopatisë.

Homeopatia lindi në një periudhë (fillimi i viteve 1800) kur marrja e gjakut nga trupi, futja e lëngjeve nga rektusi për pastrimin e zorrëve dhe shushunjat përdoreshin gjerësisht për të kuruar pacientët. Pastëri dhe kimia ishin ende shumë larg dhe mund të kuptohet fare mirë se si homeopatia e kishte të lehtë të merrte udhën drej famës në atë (këtë) botë plot me injorantë, mungesë teorish shkencore dhe  kurash të sigurta për sëmundjet e shumta të kohës së atëhershme.

Nga Gjermania e asaj kohe, Samuel Hahnemann, i zhgënjyer nga dështimet e mjekësisë zyrtare dhe pa njohjen e kimisë që do të vinte vetëm 50 vite më vonë, i dha fillesën metodës homeopatike.

Procedimi i tij tipik konsistonte në marrjen e përzierjes fillestare (një miks ujë-akool dhe substance “kuruese”), vendosjen e një pjese në 100 pjesë ujë (pra, në raportin 1 me 100),  tundja dy herë dhe… kështu përftohej tretësia e parë në njëqind pjesë ujë (1CH). Nga kjo tretësirë (me një pjesë të vetme “përbërjeje” në njëqind pjesë ujë), merret përsëri një pjesë, për ta thjeshtuar le të themi se merret një pikë, dhe hollohet (apo tretet) në 99 pika (pjesë) ujë (më pas duke e “tundur” të gjithë tretësirën), duke përftuar tretjen e dyte në raportin 1:100 (2CH); dhe kështu me radhë e me radhë deri në tretëjen (hollimin) e dhjetë, të njëzetë, dhe të tridhjetë, hollim që përdoret shumë edhe sot.

Numri i herëve që duhet të “tundet” (por jo shkundej!!) ampula, më pas, u standardizua në 100 herë.

Me kalimin e kohës (shekujve) legjenda ka bindur shumë njerëz se “tundjet” (por jo shkundjet!) banale, janë në realitet njëfarë “dinamizimi” i ilaçit, se janë “fuqizime” të tretësirës, me fuqinë magjike të gdhendjes në ujë të fuqisë kuruese të homeopatisë. Është pak a shumë siç ndodh edhe me fetë, disa zakone të rëndomta kthehen shpejt në dogma dhe të vërteta absolute që duhen ndjekur nga besimtarët. Në fakt pas 200 vitesh mund të lexohen ende libra në të cilët flitet hollësisht mbi mënyrën sesi duhen “tundur” (dhe jo shkundur) këto ampula të bekuara, për sa kohë dhe për sa herë, në mënyrë që të përftohen tretësira vërtet “efikase”.

Realiteti i fakteve, natyrisht, ishte (është) i ndryshëm, dhe u zbulua pas 150 vitesh (nga dalja në qarkullim e homeopatisë) nga një italian.

Mbërrin kimia: Avogadroja