Bozoni i Higgsit (2)

Bozoni i Higgsit (1)

Çfarë është bozoni i Higgs-it?

Bozoni i Higgs-it është një ndërmjetës (“mediator”) në një fushë. Por ç’do të thotë kjo? Çfarë është një fushë? Të gjithë eksperimentojmë përditë dy fusha, të paktën: atë elektromagnetike dhe atë gravitacionale.

Një fushë, në kuptimin fizik  është një diçka që “penetron” apo “influencon” të gjithë hapsirën dhe që lejon të transportohen informacione të caktuara nëpërmjet të ashtuquajturve mediatorë (apo ndërmjetës), që nuk janë gjë tjetër veçse “pikëza” të vet fushës (apo në vet fushën).

Pra, imagjinoni universin si një pishinë plot me një lëng që herë pas herë formon brenda vetes disa grupime më “të dëndura”. Ja, fusha (elektromagnetike, gravitacionale , e Higgsit) është lëngu, ndërsa ndërmjetësit janë këto “pikëza” (elektrone, gravitone <që deri më tani nuk janë vëzhguar asnjëherë>, bozone të Higgsit, përkatësisht).

Dhe, këto “pikëza” (për ta bërë më të thjeshtë mendoni për pikëzat që krijohet kur mielli apo niseshteja nuk përzihet mirë me ujin!), transportojnë informacione: për elektronet, për shembull, korrenti elektrik (rryma elektrike), për gravitonët hipotetikë pesha, për bozinin e Higgsit masa e çdo thërrmije.

Përse ështe kaq shumë i rëndësishëm Bozoni i Higgsit?

Teoria e fushave (shpesh e quajtur thjesht “e thërrmijave” dhe e emërtuar “modeli standard”) në origjinë nuk shpjegonte se si ishte e mundur që thërrmijat elementare (pra përbërësit e fundit të gjithçkaje, edhe të njerëzve) kishin masë. Por, që kishin masë, kjo ishte e qartë… duke qenë se ne jemi të përbërë prej thërrmijash, dhe nëse pozicionohemi sipër një peshoreje, treguesi i saj lëviz. Pra do të thotë se nga diku, masa vjen, me patjetër.

Peter Higgs-i, studioi problemin dhe mbërriti në përfundimin se duhej të kishte një fushë (të ngjashëm me atë elektromagnetik apo gravitacional) që gjeneronte “masën” dhe ndërmjetësi (mediatori) – pra thërrmija që transportonte informacionin “masë” – ishte bozoni për të cilin po flasim.

Por, si ia bën një thërrmijë (apo një trup) që të përftojë masën? Kthehemi tek shembull i pishinës me lëngun brenda saj. Nëse unë futem brenda do të lëviz me më shumë vështirësi sesa jashtë saj, do të ndihem më i rëndë. Sikur kam fituar masë (edhe pse kisha mjaftueshëm të tillë edhe më përpara!). Ja, unë dhe lëngu i pishinës, jemi si një thërrmijë çfarëdo dhe fusha e Higgsit.

Sikundër mund të keni lexuar masa e bozonit të Higgsit tregohet me “GeV” ose më saktësisht me “GeV/c^2”, ku c= shpejtësia e dritës në zbrazëti, ndërsa ^2 do të thotë “ngritur në katror”.

Për masën, të gjithë do të kishin pritur që ajo të tregohej me një njësi matëse të tipit gram, miligram ose ndonjë nënfish të saj si, pikogram, femtogram e të ngjashme. Në fakt, në këtë rast – por edhe në rastet e thërrmijave  të tjera – kemi këtë “GeV”,  që do të thotë “xhigaelektronvolt”, pra një miliard elektronvolt, që është një njësi matëse e energjisë dhe jo e masës.

Përse?

Përgjigjia është mjaft e thjeshtë: kur shkojmë pafundësisht drejtë të voglës është e pamundur të matësh drejtëpërdrejtë masat (e thërrmijave, për shembull të elektronit). Përkundrazi, është e mundur, me instrumente të përshtatshme, të matet energjia kinetike e një thërrmije. Dimë gjithashtu që në këto nivele vlen relacioni “E=mc^2”, kjo falë Albert Ajnshtajnit (ku E=energjia kinetike, m=masa dhe c=shpejtësia e dritës në boshllëk). Masim E-në, pra energjinë kinetike të thërrmijës, dhe nëpërmjet formulës që merr formën “m=E/c^2” përftojmë masën.

————————————————————————————-

Bozoni i Higgsit (1)

Bozoni i Higgs-it

Çfarë është një bozon?

Thërrmijat themelore ndahen në dy kategori: bozonët dhe fermionët. Pa u futur shumë në detaje – që hera-herës janë të vështira edhe për fizikanët që nuk janë specialistë të thërrmijave – mund të thuhet se  bozonët janë thërrmija që mund të qëndrojnë të grumbulluara të gjitha së bashku, ndërsa fermionët janë më mizantropë, duke kundërshtuar praninë e dy prej tyre në të njëjtën gjëndje kuantike (analogjia thërrmijore e “vendit”).

Të gjitha thërrmijat që shërbejnë si ndërmjetëse (“mediatore”) në ndërveprimet (forcat) themelore (elektromagnetike, bërthamore e fortë, bërthamore e dobët dhe gravitacionale) janë bozone.

Emri “bozon” është vënë në nder të fizikanit indian Satyendranath Bose, ndërsa emri “fermion” në nder të fizikanit italian Enrico Fermi.

Përse thuhet “i Higgs-it”?

Thërrmija në fjalë quhet “e Higgs-it” sepse u teorizua në 1964 nga fizikani britanik Peter Higgs.

Teoria e thërrmijave atëherë nuk (e) shpjegonte se përse vet thërrmijat kishin një masë, dhe Higgs-i propozoi një mekanizëm për ta shpjeguar (dhe ky mekanizëm parashikon ekzistencën e bozonit për të cilin po flasim).

Përse shumë njerëz e quajnë “thërrmija e Zotit”?

Një premisë: ky përcaktim – mjaft bezdisës për shkencëtarët – nuk ka fare të bëjë me besimin në Zot ose jo. Për më tepër që ky përcaktim nuk është i dëshiruar as nga Peter Higgsi vet dhe as nga Leon Lederman, që në mënyrë të pavullnetshme, është shkaktari i lindjes së tij.

Në vitin 1993 Lederman-i shkruajti një libër (për përhapjen e shkencës) së bashku me gazetarin shkencor Dick Teres-i, mbi historinë e fizikës së thërrmijave.

Duke parë rëndësinë e tij – në atë kohë teorike, duke qënë se nuk ishte vëzhguar akoma – bozoni i Higgs-it luante një rol qëndror në libër, dhe për shkakt të natyrës së vet “të shkathët”, pra, vështirësisë për ta “kapur”, Lederman-i e quajti në titullin origjinal “Thërrmija e mallkuar (e dënuar)”… por botuesi (“editori”) e ndryshoi në “Thërrmija e Zotit”.

Bozoni i Higgsit (2)

———————————————————————————