Si përcaktohet seksi i individit

Përcaktimi i seksit

ADN-ja, pra materiali gjanetik, i pranishëm në të gjitha qelizat – me funksion atë të drejtimit të zhvillimit harmonik të organizmit – tek njeriu është i ndarë në 46 pjesë, të quajtur kromomozome, të cilët janë të dukshëm veçanërisht gjatë ndarjes qelizore.

Në çdonjë qelizë këto 46 kromozome janë të ndarë në çifte: 22 çifte janë të pranishëm në qelizat e të dyja sekseve, femër dhe mashkull (kromozomet autosomike), ndërsaa dy kromozomet e fundit, të cilët mund të jenë të njëjtë apo të ndryshëm, paraqiten në kombinime të ndryshme tek mashkulli dhe tek femra (kromozomet seksuale, të shënuar me X dh Y).

Të gjitha qelizat e organizmit të femrës kanë 2 kromozome X, ndërsa qelizat e trupit të një mashkulli kanë një kromozom seksual X dhe një Y.

zhvillimi i organeve gjenitale te jashtme

Evoluimi embrional i organeve gjenitale të jashtme, tek femra (në të djathtë) dhe mashkulli (në të majtë)

Kjo diferencë në materialin gjenetik prodhon si korolar të vetin gjithë ndryshimet e tjera që dallojnë mashkullin nga femra.

Diferenca lidhet, padyshim, me procesin riprodhues: çdonjë individ lind nga shkrirja e një qelize seksuale femërore (veza) me një qelizë seksuale mashkullore (spermatozoidi). Kujtoj se qelizat seksuale përmbajnë vetëm gjysmën e setit kromozomik normal. Pra qeliza seksuale femërore, veza, përmban në bërthamën e saj 22 kromozome autosomike dhe një kromozom seksual X. Ndërsa qeliza seksuale mashkullore (spermatozoidi) përmban 22 kromozome autosomike dhe një kromozom X ose Y.

Nëse qeliza vezë fekondohet nga një spermatozoid me kromozom seksual X do të prodhohet një zigotë e mëpastaj një individ i seksit femër. Në të kundërt, nëse spermatozoidi që fekondon qelizën vezë përmban kromozomin seksual Y individi do të jetë i seksit mashkull.

Ky është, në linja të trasha, kuadri gjenetik nga i cili merr origjinën seksi një individi.

Gjenet që gjenden në “trupin” e kromozomeve seksualë X dhe Y, drejtojnë zhvillimin e aparatit seksual dhe të karakteristikave seksuale dytësore.

Duke filluar nga gungëza gjenitale e papërdalluar (pa diferencuar) që është e pranishme në embrionët 4-7 javësh, brenda javës së 12-të të shtatzanisë zhvillohen karakteristikat që dallojnë aparatin gjenital mashkullor nga ai femëror.

kriptoorkidit bilateral

1-unaza inguinale sipërfaqësore 2-epididimi 3-testikuli 4-tunica vaginale 5-pjesë e veshjes së ardhshme të testikulit 6- skrotumi 7-penisi 8- linea alba 9- fshikëza e urinës 10-peritoneumi parietal

Gjithsesi, duhet thënë se, ka shumë probleme që mund të lindin gjatë kësaj faze zë zhvillimit.
më i shpeshti është kriptorkidia, pra “mos-zbritja e testikulit”; në fakt gjatë zhvillimit embrional, tek mashkulli, testikujt zhvillohen të gjandur në zgavrën endoabdominale, tamën si vezoret e femrës. Dalngadalë, gjatë zhvillimit, testikujt spostohen,apo më mirë të them, zbresin, derisa në momentin e lindjes gjenden të pozicionuar në trastën skrotale.

Gjithsesi, ndonjëherë, kjo zbritje e testikulit/testikujve nuk kompletohet dhe në momentin e lindjes mund të gjende akoma në zgavrën abdominale.

Jo gjithnjë nevojitet ndërhyrja kirurgjikale ngase zbritja e testikujve mund të përfundojë plotësisht gjatë vitit të parë të jetës, apo në raste të rralla edhe gjatë adoleshencës.

Rinstinkt 2013

—————————————————————-

Reklama

Tumorët e qelizave germinative

Tumorët e qelizave germinative (riprodhuese apo dyzuese)

Tumorët mund të lindin nga qelizat germinative, dhe kështu gjenden zakonisht në teste dhe vezore. Rastësisht, gjithsesi, mund të ndodh që të lindin nga fole qelizash germinative të cilat kanë mbetur pas gjatë migrimit embrional të qelizave germinative nga kreshtat kurrizore.

Tumorët e qelizave germinative mund të gjenden, zakonisht në mes-linjë, prej gjëndrës pineale, bazës së kafkës, mediastinumit dhe retroperitoneumit e deri tek rajoni kërbishtor.

Teratom cistik beninj i vezores. Ky cist është i veshur prej epiteli skuamoz (luspor) dhe është i mbushur me material yndyror dhe qime.

Qelizat germinative normale janë totipotente (“të plotfuqishme”) – ato u japin fillesën të gjitha llojeve të indeve që gjenden në trup si dhe placentës dhe trastës viteline (të verdhë), inde të quajtur jashtë-embrionalë.

Pritshmërisht, tumorët e qelizave germinative mund të përmbajnë inde të diferencuar nga të treja shtresat embionale – ektoderma, mezoderma dhe endoderma –  si dhe inde jashtë-embrionalë. Këto tipe tumorësh quhen teratomë (apo teratoma).
Teratomët janë më të zakonshme në vezore, ku janë më së shumti beninje, dhe, më pak të zakonshëm, por me një shpeshtësi gjitnjë e në rritje dhe malinj në testikuj (gonadet tek mashkulli).

Tek tumorët beninj sikundër ata që prekin vezoret, indet mund të jenë vërtet shumë mirë të organizuar, duke i ngjarë lëkurës normale, tiroides, trurit apo indit kërcor. Tumorët malinj, sikunër edhe mund të parashikohet, përmbajnë shumë më pak inde të mirë-diferencuar, por (kuriozisht) shpesh, nën ndikimin e drogërave kimioterapeutike, formojnë inde të diferencuar.

 

 © Rinstinkt, mbi tekstin

————————————————————————————————–

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues tek mashkulli përbëhet nga:

  • Organet seksuale parësore
  • Organet seksuale dytësore

Organet seksuale parësore janë testikujt (testet). Organet seksuale dytësore përfaqësohen nga epididimi, vas deferensi, fshikëza seminale, gjëndrat bulbouretrale, gjëndra e prostatës, penisi.

Testikujt janë gonadet mashkullore dhe, si gonadet femërore, kanë dy funksione kryesore: prodhimi i qelizave spermatike apo spermatozoidëve dhe hormoneve mashkullore. Çdo testikul ka një formë rrumbullakore, dhe përbëhet nga koka, trupi dhe bishti. Çdo testikul ka në brendësi të tij (apo është i përbërë) shumë lobtha. Çdo lobth përmban 1-3 tubuj seminiferë. Të gjithë tubujt seminiferë bashkohen për të formuar rete testis-in.

Testikujt përmbajnë:

  • Qelizat e Sertolit
  • Qelizat intersticiale të Leydigut

Dy testikujt janë të rrethuar nga epididimi, i cili vazhgon me vas deferens-in. Testikujt ndodhen në skrotum.

Testikujt prodhojnë qeliza gjerminale dhe hormone seksuale mashkullore. Gjatë pubertetit indi testikular bëhet i ndjeshëm ndaj hormoneve të prodhuar nga hipofiza. Kështu, LH-ja situmulon tahitjen (sekretimin) dhe lëshimin e testosteronit. Testosteroni futet në qarkullimin e gjakut dhe mbërrin indet e trupit, ku shkakton shfaqjen dhe ruajtjen e organeve dhe tipareve seksuale dytësore. Testosteroni kontrollon rritjen e qimeve në fytyrë, në sqetulla, bark dhe në zonën pubike. Testosteroni stimulon zgjerimin e  laringut dhe  trashjen (apo thellimin) e zërit. Është përgjegjës edhe për zhvillimin e muskujve dhe eshtrave (kockave).

FSH-ja stimulon prodhimin e spermatozoidëve nga testikujt. Prodhimi i spermatozoidëve kryhet me anë të një procesi të quajtur spermatogjenezë. Qelizat e para që prodhohen në tubujt seminiferë janë spermatogonet, që janë të vendosur në membranën bazale të tubujve. Këto qeliza ndahen vazhdimisht dhe disa prej tyre largohen nga bazamenti duke u përdalluar në spermatocitë parësorë (primarë). Spermatocitët parësorë i nënshtrohen ndarjes së parë mejotike për të prodhuar dy spermatocitë dytësorë, çdonjëri me 22 autozome dhe një kromozom seksual X ose Y; çdonjëri nga 23 kromozomet përbëhet nga dy kromatide.

Spermatocitët dytësorë i nënshtrohen ndarjes së dytë mejotike dhe diferenciohen në dy spermatide, çdonjëri me një numër haploid kormozomesh tek. Spermatidët zhvillohen në qeliza spermatike – spermatozoidët – pa ndarje të mëtejshme. Që të kryhet i tëtë procesi i spermatogjenezës duhen 8 deri në 9 javë. Qelizat e Sertolit mbështesin dhe ushqejnë spermatozoidët gjatë zhvillimit. Qelizat intersticiale të Leydigut prodhojnë hormonin seksual mashkullor – testosteronin. Testosteroni kalon në qarkullimin e gjakut dhe kontrollon aktivitetin e të gjithë organeve seksuale dytësore.

Organet seksuale dytësore të mashkullit kanë funksionin e transferimit të spermatozoidëve nga mashkulli tek femra. Nga testikujt, ku prodhohen, spermatozoidët lëvizin nëpër vas deferens-in. Vas deferens-i është një dukt apo tub i ngushtë muskulor i cili tkurret për të shtytur spermatozoidët drejt uretrës. Në epididimit dhe vas deferens spermatozoidët maturohen dhe rrisin pjellorinë e tyre. Vas deferesi së bashkë me  arteriet, venat dhe nervat formojnë kordën spermatike.

Korda spermatike  (dukti spermatik, më saktë) drejtohet rreth pjesës së pasme të fshikëzës së urinës ku bashkohet me duktin e fshikëzës seminale. Pastaj kalon nëpër gjëndrën e prostatës dhe takohet me uretrën. Uretra mashkullore është rrugëkalimi i përbashkët i spermës dhe urinës. Dy fshikëzat seminale prodhojnë një sekrecion që ndihmon në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe gjallërisë së spermatozoidëve. Gjendra e prostatës dhe gjëndrat bulbouretrale prodhojnë dhe sekretojnë lëng lubrifikues. Të gjitha lëngjet seminale derdhen në uretër. Muskujt e uretrsë tkurren për të nxjerrë jashtë spermën. Gjatë ejakulacionit penisi nxjerr jashtë 2-4 ml lëng seminal, i cili përmban qindra milionë spermatozoide.

Spermatozoidët që nuk ejakulohen degjenerojnë (prishen, apo shkatërrohen).

Lexo edhe: Sistemi riprodhues femëror

© mbi tekstin, Rinstinkt 2012

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————