Depresioni dhe zinku

Nivelet e zinkut në gjakun periferik dhe gjendja depresive (depresioni)

Sipas një meta analize të publikuar në 15 Dhjetor 2013 në Biological Psychiatry [*], sugjerohet se njerëzit që vuajnë nga depreioni kanë nivele më të ulëta të zinkut në qarkullimin periferik të gjakut. Kjo natyrisht në terma relativë, pra krahasuar me individë që gjatë studimit nuk ishin në depresion.

Thunderstorm - Arthur Dove (Wikipedia)

Thunderstorm – Arthur Dove (Wikipedia)

Gjithsesi kërkuesit shkencorë theksojnë se raporti fiziopatologjik mes sasisë së zinkut dhe efekteve mirëbërëse të suplementeve të këtij mbi shëndetin mendor të pacientëve në gjendje depresive duhet hetuar më thellë, me studime më të detajuara, të cilat mund të konfirmojnë përfundimisht dhe të specifikojnë elemente ende të paspecifikuar mirë, ose në të kundër të vënë në dukje ndonjë pasaktësi eventuale.

Ja se çfarë thuhet në abstraktin e studimit në fjalë:

Zinc is an essential micronutrient with diverse biological roles in cell growth, apoptosis and metabolism, and in the regulation of endocrine, immune, and neuronal functions implicated in the pathophysiology of depression. This study sought to quantitatively summarize the clinical data comparing peripheral blood zinc concentrations between depressed and nondepressed subjects.

Studimi tregon, kështu, një lidhje mes niveleve të ulëta të zinkut në qarkullimin hematik periferik – pra defiçencës së tij – dhe depresionit. Kjo tregohet nga të dhënat e meta analizës, dhe mbi të gjitha nga studimet mbi kafshët. Tek kafshët ku është induktuar një defiçencëpra mungesë e zinkut në organizëm është vënë re një sjellje e tyre e ngjashme me depresionin, e cila sjellje mund të “kthehet” mbrapsht falë shtimit të zinkut në dietën e subjekteve.

Për më tepër, të dhënat nga trialët klinikë preliminarë sugjerojnë se, zinku i shtuar në ndihmë të terapisë me antidepresivë mund të jap rezultate më të shpejta apo më efektive në përmirësimin e simptomave të depresionit.

Meta-analiza është analiza që i bëhet rezultateve dhe analizave të një sërë studimeve shkencore të botuara më parë. Pra një analizë e analizave, për të interpretuar nga një pikëvështrim tjetër një sërë të dhënash, të cilat përndryshe të para tek e tek, mund të mos sugjerojnë gjë, meqënëse kjo mënyrë të pari të studimeve nuk arrin të kapi fillin që ndonjëherë lidh studime të ndryshme.

Meta-analiza në fjalë përfshiu 17 studime të mëparshme, të cilat kishin matur nivelin e zinkut në gjakun periferik tek 1643 pacientë me depresiond dhe tek 804 subjekte kontrolli, pra subjekte pa depresion. Dhjetë nga këto studime ishin realizuar mbi subjekte psikiatrikë, ndërsa 7 mbi subjekte të përftuara nga komuniteti (normalë).

Autorët shpjegojnë edhe besueshmërinë/mundshmërinë biologjike të relatës nivele të ulëta zinku – gjendje depresive.

Autorët shpjegojnë se, zinku ka aktivitet anti-oksidues, ndihmon në ruajtjen e funksioneve dhe homeostazën e sistemit imunitar dhe atij hormonal. Për më tepër, zinku ka role të shumëfishta në rregullimin e cirkuiteve të hipokampusit dhe të cirkuitëve glutamat-ergjikë që kanë të bëjnë me rregullimin e afektivitetit dhe të funksioneve konjtive. Kështu, ndryshimet në homeostazën e zinkut mund të komprometojnë neuroplasticitetin dhe të kontribuojnë në rënien afat gjatë neurofiziologjike dhe psikiatrike të pacientit – shkruajnë autorët.

Gjithsesi vihen në pah edhe kufijtë e studimit, sikundër të çdo studimi tjetër. Cilësia e studimeve dhe rreziku për bias janë jo të barabartë mes studimeve të analizuara – thonë autorët. Më tej, vihet në dukje se, në disa nga studimet e analizuara nuk kishte të dhëna të mjaftueshme mbi përdorimin e antidepresivëve dhe mjekimet e tjera eventuale të njëkohshme. Edhe të dhënat mbi dietën dhe përdorimin e alkolit shpesh nuk ishin raportuar me saktësin të atillë që të mund të analizoheshin.

Përfundimi që autorët nxjerrin është:

Depression is associated with a lower concentration of zinc in peripheral blood. The pathophysiological relationships between zinc status and depression, and the potential benefits of zinc supplementation in depressed patients, warrant further investigation.

Mirëpo, përtej kufizimeve të cilat ekzistojnë në çdo studim, rezultatet sugjerojnë se depresioni është i bashkëlidhur me nivele të reduktuara të zinkut në gjakun periferik.

Gjetjet sugjerojnë nevojën për hetime të mëtejshme për të hetuar më në thellësi rolin potencial të zinkut në fiziopatologjinë e depresionit, dhe më tej rolin e tij eventual si suplement për pacientët në terapi mjekësore për depresionin.

Artikulli i cituar:

Zinc in Depression: A Meta-AnalysisWalter Swardfager, Nathan Herrmann, Graham Mazereeuw, Kyle Goldberger, Tetsuhiro Harimoto, Krista L. LanctôtBiological Psychiatry – 15 December 2013 (Vol. 74, Issue 12, Pages 872-878, DOI: 10.1016/j.biopsych.2013.05.008)

Rinstinkt, 2014

——————————————————————————–

Reklama

Njeriu me mëlçinë e artë

Njeriu me mëlçinë e artë 

Para ca kohësh shkruajta mbi mënyrën se si e preferonte pijen agjenti sekret britanik James Bond. Një Martini, i tundur jo i trazuar.

Sot, do të shkruaj mbi disa të dhëna të reja, konkluzione të një studimi shkencor të botuar në British Medical Journal vetëm pak ditë më parë, 12 dhjetor 2013.

mëlçi e artëAutrorët e studimit i kanë nxjerrë të dhënat e analizuara duke lexuar dhe hetuar nëpër librat e Flemingut, krijuesi i Bondit. Kështu dy nga autorët e studimit për të cilin po shkruaj kanë lexuar çdonjëri nga 7 libra; në total 14 duke përjashtuar “The Spy Who Loved Me and Octopussy” dhe “Living Daylights” (tregime) meqënëse tek njëra Bondi shfaqet vetëm si një figurë periferike, ndërsa tek tjetra sepse nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Gjatë leximit kanë mbajtur shënime në mënyrë sistematike.

Konkluzioni i autorëve është se James Bondi pinte shumë, po shumë ama saqë mund fare mirë të klasifikohet si pijanec i kategorisë së tretë (standarde britanike). Kështu dyshimi nëse Bondi ishte thjeshtë një njohës i mirë i pijeve pa qenë pijanec apo nëse ishte efektivisht pijanec e kështu edhe njohës i mirë mund të themi se merr fund.

Autorët e studimit, duke lexuar dhe hetuar imtësisht me sens kritik nëpër librat e 007 gjetën se agjenti sekret britanik pinte mesatarisht 92 njësi alkoli në javët kur ishte në mision. Konsumi ishte i ekzagjeruar në dy misione në veçanti, në “You Only Live Twice” dhe mëpastaj “On Her Majesty’s Secret Service”, përkatësisht 225.8 dhe 179.8 njësi alkoli.

Agjenti 007 me mënyrë e vet të të bërit të gjërave rezulton një njeri krejt i papërgjegjshëm; sa më shumë pije alkolike konsumohen mbi një kufi të caktuar, aq më shumë ritet rreziku për të zhviluar patologji si ciroza hepatike, helmimi apo edhe forma malinje.

Edhe pse akti i të pirit tek filmat e 007, në mbrëmjet festive apo edhe nëpër diskoteka ku gumëzhojnë rinia na shfaqet në një sens integrimi në aktivitetin përkatës, njëfarë kufiri që duhet kaluar për ta gëzuar festën edhe më shumë, konsumimi i tepruar i alkolit është një problem shoqëror në të gjithë botën; i cili problem shkakton skajëzim shoqëror, vuajtje, vdekje…

Për t’u rikthyer tek “zero zero shtata”: autorët e studimit mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga leximi i librave, shtrojnë një tezë interesante. Mendojnë se James Bondi i kërkonte pijet e veta të tundura e jo të trazuara (shaken, not stirred) ngase ishte i paaftë që t’i trazonte për shkak të dridhjeve që mund të ketë patur 007 nga konsumimi i pakriter i alkolit.

Të dhënat tregojnë se dridhja esenciale mund të lehtësohet nga doza të vogla alkoli; ndërsa të tjera të dhëna tregojnë se ata që konsumojnë doza të larta alkoli kanë katër herë më shumë mundësi që të shfaqin dridhje të gjymtyrëve. Raportohet se kjo vjen ngaqë helmet, toksinat, alkoli shkaktojnë dëme në trurin e vogël, i cili është aktori dhe modulatori më i rëndësishëm i lëvizjeve.

Përfundimet që dalin nga analiza janë të qarta: konsumi i alkolit nga 007 është katër herë më i lartë se niveli i këshilluar për një mashkull të pjekur. 007 ka një rrezik të lartë për të zhvilluar cirozë hepatike, impotencë apo indicente të tjera, si ai që Bondi pësoi në misionin Casino Royale. Për më tepër që impotenca e shkaktuar nga alkoli do t’i ulte shumë pikë si joshës femrash.

Ndër të tjera autorët e studimit, thonse se, e kuptojnë që kur punon me terroristë ndërkombëtarë të cilët tentojnë të godasin Mbretëreshën dhe më tej gjithë Botën, nivelet e stresit dhe presioni shoqëror për të pirë alkol është i lartë por do t’i sugjeronin që ta ulte konsumimin e alkolit në nivele më të moderuara, për të mirën e tij dhe tonën.

Bibliografia:

  • Were James Bond’s drinks shaken because of alcohol induced tremor? – BMJ 2013;347:f7255 doi: 10.1136/bmj.f7255
  • Rehm J, Gmel G, Sempos CT, Trevisan M. Alcohol-related morbidity and mortality. Alcohol Res Health 2003;27:39-51.
  • Louis ED, Benito-Leon J, Bermejo-Pareja F. Population-based study of baseline ethanol consumption and risk of incident essential tremor. J Neurol Neurosurg Psychiatry 2009;80:494-7.
  • National Institute for Neurological Disease and Stroke. Tremor fact sheet. http://www.ninds.nih.gov/disorders/tremor/detail_tremor.htm.
  • Azagba S, Sharaf M. The effect of job stress on smoking and alcohol consumption. Health Econ Rev 2011;1:15.

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

 —————————————————————————————–

Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Dhuna televizive shndërrohet në dhunë shoqërore

Të gjithë lexuesit e mi do të kenë në shtëpitë e tyre nga një nga ato pajisjet në ekranin e të cilave shfaqen pamje. Flas për televizorin; edhe pse kur flitet për televizionin, rrallë herë flitet për pajisjen që emeton imazhe duke dekodifikuar një mesazh elektronik i cili vjen nga emetitori i zonës.

Kryesisht, me televizion kihet parasysh një lloj forme komunikimi e realizuar përmes pamjeve vizive, të organizuara sipas një programi të caktuar. Pra mund ta kuptojmë televizionin si një institucion të jetës moderne. Për më tepër disa e konsiderojnë edhe si një formë pushteti.

Sot do të jap disa informacione mbi disa efekte jo edhe aq të dëshirueshme që televizioni ka mbi njeriun. Po, po! Efekte negative. Sepse sot dihet, dhe është pra e vërtetuar, se televizioni ka një efekt të dëmshëm mbi fëmijët e vegjël dhe adoleshentët. Pra pyetjen, nëse dhe sa efekt negativ ka TV mbi të rinjtë mund ta kapërcejmë e të shkojmë drejtëpërdrejtë në thelpin e problemit.

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Dhunë televizive në një debat në Greqi (TV grek)

Shqetësimet mbi efektet negative të shikimit të zgjatur të televizionit filluan “të dilnin mbi ujë” menjëherë pasi filluan transmetimet e para, diku nga viti 1946. ndërsa në vitin 1972 njerëzimi kishte mjaftueshëm prova dhe fakte sa për të thënë se “…dhuna televizive ka një efekt anësor të padëshirueshëm mbi disa anëtarë të shoqërisë sonë” [1].

Pavarësisht provave shkencore njerëzit e thjeshtë, profanët, nuk duket se e kuptojnë mesazhin. Mesazhi është i qartë, televizioni jep një kontribut të madh për ta kthyer shoqërinë në një shoqëri të dhunshme. (Ndonjë do të vë re se herë përdoret termi televizion e herë ai më specifik, dhunë televizive. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, meqë statistikisht 60% e pamjeve televizive janë pamje të dhunshme [2].)

Po ndodh praktikisht e njëta gjë, i njëti fenomen pervers si edhe me cigaret dhe tymin e duhanit dhe kancerin e mushkërive; edhe pse ekzistojnë prova të pakundërshtueshme për lidhjen shkak pasojë kjo nuk raportohet siç duhet te popullata e gjerë, duke dhënë kështu si përfundim vetëm një mesazh kontroversal. E kjo së pari i detyrohet herë ligësisë e instrumentalizmit të mediave, jo vetëm televizive, dhe herë paaftësisë së njerëzve mirëfilli të medias për të përçuar mesazhe të tilla që nëse nuk përdoret një regjistër specifik i humbasin nuancat e veta, ato që duhet të godasin në veshët e prindërve.

Një nga studimet shkencore më të cituar, e pse jo të përgojuar, është ai i Johnson et al. i botuar në vitin 2002 [3].

Johnson et al. gjetën se shikimi për një kohë të zgjatur i televizionit gjatë adoleshencës dhe pjekurisë së hershme ishte i bashkëlidhur me sjellje agresive të mëpastajme (pra që ndjek shikimin e zgjatur të televizionit).

Të dhënat e studimit të Johnson & co. u mblodhën nga 707 familje që kishin nga një fëmijë mes moshës 1 dhe 10 vjeç, duke i intervistuar për një periudhë 17 vjeçare.

Rritja e agresionit u vëzhgua dhe dokumentua në djelmosha 14 vjeçarë të cilët kishin parë nga 1 në 3 orë televizion çdo ditë, krahasuar me ata që kishin parë më pak se 1 orë televizion në ditë.

Studimi i Johnson dhe co. është një studim i tipit gjatësor (longitudinal). Studimi është i pari i tipit gjatësor që studion(te) bashkëlidhjen mes ekspozimit ndaj TV gjatë adoleshencës dhe dhunës së mëpastajme. Kjo lidhje u tregua jo vetëm tek adoleshentët por edhe tek të pjekurt e rinj, pra individët në post-adoleshencë, duke hedhur poshtë mendimin se dhuna televizive ndikonte vetëm tek fëmijët.

Ndër të tjera studimi i Johnson et al. ka ushtruar kontrolle edhe ndaj disa ndryshoreve të tjera që mendohet se ndikojnë mbi shprehjen e veprimeve të dhunshme. Këto ndryshore ishin: neglixhenca në fëmijëri, dhuna në lagjen e banimit apo edukimi prindëror dhe të ardhurat familjare; studimi i njëkohshëm edhe i këtyre ndryshoreve përjashtoi menjëherë shumë shpjegime të tjera alternative.

Së fundi, studimi i Johnson et al. Është një studim shkencor mjaft i gjerë, që siç e përmenda në fillim përfshinte 707 familje të pyetura mbi zakonet e veta në një periudhë kohore 17 vjeçare, që është një fakt shumë domethënës.

[1] Surgeon General’s Scientific Advisory Committee on Television and Social Behavior, Television and Growing Up: The Impact of Televised Violence U.S. Government Printing Office, Washington, DC, (1972).
[2] National Television Violence Study Center for Communication and Social Policy, University of California, Santa Barbara, CA, (1998).
[3] J. G.Johnson et al.

Jeffrey G. Johnson, Patricia Cohen, Elizabeth M. Smailes, Stephanie Kasen, Judith S. Brook (2002). Television Viewing and Aggressive Behavior During Adolescence and Adulthood Science DOI: 10.1126/science.1062929

Prapa kthehu…

Përshëndetje lexues(e)!

Shpesh  kërkoni informacione apo materiale mbi një temë apo një tjetër.

Ka një problem, shumë të madh, në përqasjen tuaj, të nxënësve, studentëve dhe më tej atyre që ua kërkojnë këto projekte apo punë kërkimore interneti.

mbi libraProblemi i parë qëndron se, unë nuk kuptoj çfarë informacioni kërkoni… Pra, kërkoni që unë të bëj punën tuaj, dhe ta kërkoj, përkthej, përshtas materialin për ju? Nëse më kërkoni këtë, ktheni majat nga keni thëmbrat, dhe lamtumirë.
Puna ime e këtushme është personale, vullnetare po deshët, aspak e paguar, aspak fitimprurëse për mua. “Fitimin” e vetëm, në pamje të parë, e kanë trumcakët që kopjojnë infromacione, i printojnë e ia lënë profesorit mbi tavolinë.

Problemi tjetër qëndron tek mendësia juaja dhe e profesorëve tuaj. Juaja sepse siç thash më sipër kërkoni që punën tuaj ta bëjë një tjetër, e ju ta merrni si llokume. Nuk shkon, aq më tepër që këtu, ma merr mendja, shëtisin studentë të degëve bio-mjekësore. Duhet të aftësoheni vetë në kërkimin e informacionit, selektimit të atij të duhurit, gjykimit të tij, studimit të referencave, artikulimit apo përdorimit të tij në mbështetje të tezës tuaj etj etj.

Gjithsesi nëse ndonjëherë kërkoni dhe mbërrini në abstraktin e një studimi tek i cili nuk keni akses, atëherë unë ofrohem që nëse kam mundësi kohore e mjetesh t’ua gjej dhe dërgoj me e-mail. Por  jo për disa të panjohur, që vijë këtu krejt rastësisht. Mund ta bëj për një komentues bie fjala. Por, sërisht, për sa kohë çështja është njëdrejtmiëshe, pra vetëm merr, se është falas, nuk shkon. Fare!

Një problem tjetër, i juaji, imi e i të gjithë studentëve, është se nuk ka akses tek studimet shkencore. Nuk ma ha mendja se kur bëhen zgjedhjet e drejtuesve të universiteteve i kërkoni kandidat-rektorit (apo ndonjë tjetri) një sallë multimediale me akses tek revistat shkencore. Kjo sallë mbase edhe ekziston tashmë, por çelësat i ka në dorë miku i filanit, apo duhet të pagoni 500 lekshin etj. Ku qëndron problemi? E thjeshtë fare, është sistemik… nuk kërkon askush punën apo premtimet e arsyeshme e të realizueshme por gjykohet mbi disa baza farefisnore, klanore, politike, dogmatike në më të shumtën e rasteve të trashëguara nga rrethi familjar apo shoqëror.

E fundit, problemi i profesorëve tuaj, që u kërkojnë mrrekullira pa mjete… Nuk realizohet asgjë vetvetiu. Studenti po nuk pati mjetin. le të jetë i zgjuar sa të dojë nuk prodhon asgjë prej gjëje. Harrojeni. Gënjeni, gjënjejmë, veten me notat  e mira që na vënë.

***

Tani diçka mbi organogjenezën; Organogjeneza nga sa di unë është temë që trajtohet në lëndën e Histologjisë apo Anatomisë. Embriogjeneza nga Histologjia dhe gjeneza e organeve specifikë në lëndën e Anatomisë. Kush nuk ka njohuri mbi këto lëndë është e kotë që t’i futet valles, kjo në gjykimin tim. Përndryshe do përfundoni si një letrare që në vend të mekanizmave homeostatike më pyeti për mekanizmat homeotianike – mbi të cilat edhe sot e kësaj ditë nuk ia kam haberin se ç’janë.