Të parat imazhe me ngjyra të prodhuara nga një mikroskop elektronik.

Të parat imazhe me ngjyra të prodhuara nga një mikroskop elektronik.

Mikroskopët me dritë, që janë edhe më të vjetrit si shpikje, përdorin dritën për të zmadhuar dhe parë me ngjyra disa nga gjërat dhe strukturat më të imëta të kësaj bote. Mikroskopët elektronikë, që siç mund të kuptohet nga vetë termi funksionojnë nëpërmjet një fashoje elektronesh, janë më të rinjë si shpikje por edhe shumë më të aftë që të hetojnë struktura që mikroskopët me dritë nuk janë të aftë, si për shembull organelet apo skeletin e një qelize (ikroskopët elektronikë mund ta zmadhojnë një objekt deri në 10 milionë herë). Këta lloj mikroskopësh deri më tani prodhonin vetëm imazhe në bardhë e zi.

S. R. Adams et al., Cell Chemical Biology 23, 10 (17 November 2016) © Elsevier Ltd.

S. R. Adams et al., Cell Chemical Biology 23, 10 (17 November 2016) © Elsevier Ltd.

Një studim i ri shkencor i botuar në revistën Cell Chemical Biology ilustron avancimin më të fundit në këtë fushë, avancim i cili është kërkuar fort në 15 vitet e fundit. Studimi tregon për përdorimin e tre llojeve të ndryshme të metaleve të rralla që quajtura lantanide, që në këtë rast shtrezëzohen një nga një mbi qelizat apo struktura të tjera në një slide (preparat) mikrokopie elektronike. Kur çdonjë nga metalet e rralla humbet elektrone mikroskopi elektronik është në gjendje të kapi këtë humbje dhe ta përkthejë një një ngjyrë artificiale.
Aktualisht është mundur të kodifikohen dhe përkthehen vetëm tre ngjyra, e kuqja, jeshilja dhe e verdha; megjithëse shkencëtarët po punojnë që të shtojnë ngjyra të tjera nëpërmjet artificave të vogla si për shembull duke shtuar jone metalike – duke rritur kësisoj edhe rezolucionin e pamjeve të përfutara nëpërmjet mikroskopisë elektronike.

 

Studimi: Adams, Stephen R. et al. – Multicolor Electron Microscopy for Simultaneous Visualization of Multiple Molecular Species – Cell Chemical Biology. November 3, 2016

Reklama

Prekja që të lë pa ndërgjegjje

Prekja që të lë pa ndërgjegjje

Një rast klinik na paraqet një diçka të veçantë mbi ndërgjegjjen dhe substratin e saj fiziko-trunor. Bëhet fjalë për disa neurokirurgë që duke stimuluar një rajon të caktuar të trurit të pacientit të vet e kanë parë këtë të fundit të humbasi papritur vetëdije.

Siç e thashtë rasti klinik është i veçantë, meqënëse neurkokirurgët shumë rrallë kanë mundësi të stimulojnë drejtëpërdrejtë koren trunore të pacientëve me anë të impulseve elektrike. Kjo jo sepse do t’i shkaktonte ndonjë dhimbje pacientit  – truri nuk ka receptorë ndijorë të dhimbjes – por për arsye kyesisht etike.

Pacienti tek i cili është vëzhguar dukuria në fjalë, pra e të humburi të vetdijes pas stimulimit elektrik të një zone të caktuar të kores së trurit, gjendej në shtratin e sallës operatore meqë duhej të operohej nga një tumor (glioma).

Rutina e punës së neurokirurgëve kërkon që fillimisht të realizohet një hetim funksional i zonës përqark indit tumoral që do të pritet nga bisturi i neurkirurgut. Përse bëhet kjo?, do të pyes ndodkush. Kjo bëhet sepse, duke i dhënë kores trunore të pacientit impulse të vogla elektrike shihet edhe reagimi i pjesëve përkatëse të trupit, të cilat i kanë neuronet përgjegjës në atë zonë të caktuar trunore (të kores trunore).

Pacienti qëndron i ulur, nën anestezi rajonale, ndërsa pas tij neurokirurgu pickon me impulse elektrike sipërfaqen e trurit; mëpastaj kirurgu pret se si do të reagojë pacienti, duke kërkuar nga ky i fundit informacione të mëtejshme, kur është e nevojshme.

Në rastin klinik pacienti “dha” një përgjigje të veçantë. Gjatë ndërhyrjes eksploruese  (awake surgery) kur neurokirurgët stimuluan lëndën e bardhë nën zonën PCC (Posterior Cingulate Cortex) në krahun e majtë të trurit, ndërgjegjja (vetdija) e pacientit u shkëput nga bota e jashtme.

Ilustrim nga rasti klinik - PCC, Posterior Cingulate Cortex -  (shiko bibliografinë)

Ilustrim nga rasti klinik – PCC, Posterior Cingulate Cortex – (shiko bibliografinë)

Mësojmë se, fenomeni është koherent me vëzhgime të mëparshme të rasteve të ngjashme, që tregojnë një humbje të plotë të ndërgjegjjes të lidhur me çaktivizimin funksional të zonës së kores trunore të emërtuar PCC – në pacientë në koma, në gjendje vegjetative, epilepsie apo anestezie.

Pacienti, më pas, e përshkroi gjendjen e vet si atë të gjumit. Ky pohim i pacientit, thonë autorët, sugjeron se nuk ka patur një shkëputje të plotë të vetdijes, por vetëm një tëhuajëzim nga bota e jashtme dhe ruajtje e një gjendjeje minimale. Megjithatë, shtojnë sërisht autorët, ky pohim i pacinetit duhet pranuar dhe interpretuar me rezerva meqë mund të jetë edhe rezultat i një krijimi të pavullnetshëm.

Studime të ndryshme neurofiziologjike dhe të neuroimazherisë tregojnë se korja trunore mediale posteroparietale luan një rol parësor në proceset e lidhura me ndërgjegjen, si tek pacientët me çrregullime të vetdijes si tek subjektet e shëndetshëm.

© Rinstinkt 2014

Bibliografia:

  • Herbet G, Lafargue G, de Champfleur NM, Moritz-Gasser S, le Bars E, Bonnetblanc F, & Duffau H (2014). Disrupting posterior cingulate connectivity disconnects consciousness from the external environment. Neuropsychologia, 56C, 239-244 PMID: 24508051

 ——————————————————————————–

Sindroma e dridhjes fantazmë

Sindroma e Dridhjes Fantazmë

E quajnë “Phantom Vibration Syndrome“, pra Sindroma e Dridhjes Fantazmë dhe ka të bëjë me përshtypjen se celulari apo një tjetër pajisje elektonike po dridhet (vibron), edhe kur nuk është e vërtetë. Pra ndjesia jonë rezulton në këtë rast e pabazë, edhe pse është mjaft e përhapur mes njerëzve.

Pothuaj të gjithë, gjatë ditës, jemi në kontakt me pajisje elektronike, dhe shumë pqeli-fonirej nesh duhet ta “heshtin” herë pas here telefonin e vet, duke e vendosur në modalitetin “vibracion”. Vibracioni kështu kthehet në një sinjal alarmi. Por ka raste kur dridhjen e perceptojmë edhe kur nuk ka dridhje – të gjithëve u ka ndodhur mendoj.

Shkencëtarët thonë se kjo përshtypje e dridhjes së një aparati elektronik është mjaft e përhapur, dhe prek rreth 70% të njerëzve (që kanë kontakt me këto) të paktën një herë në javë.

Ekzistojnë disa “shkolla mendimi” mbi arsyen e një perceptimi të tillë të gabuar. Disa mendojnë se kjo i detyrohet valëve elektromagnetike të lëshuara nga pajisja e cila është vazhdimisht në kontakt me rrjetin (kur rrjeti është i dobët pajisja sforcohet më shumë, për të mos humbur sinjalin). Valët elektromagnetike duket se ndrëveprojnë me terminacionet nervore të zonës që gjendet në afërsi të pajisjes elektronike – e cila në pjesën më të madhe të rasteve është një telefon celular – duke prodhuar këtë perceptim të shtrembëruar.

Një tjetër “shkollë mendimi” thotë se perceptimi i dridhjeve vjen ngase pajisja duke qenë në kontakt me trupin, fërkohet pas këtij, e kështu meqnënse sistemi ynë nervor qëndron gajtë ditës është i ekspozuar ndaj një numri të madh stimujs ndijorë, duhet medoemos ta filtrojë një pjesë të tyre për të seleksionuar ato më domethënësit. Mbi këtë bazë, truri ynë, i interpreton këto lëvizje minimale si një dridhje të pajisjes, duke e amplifikuar…

Perceptimi i dridhjeve të këtilla, edhe pse në dukje i patëkeq, mund të rezultoj një problem shëndetësor i rëndësishëm. Kërkuesit shkencorë thonë se impakti është relevant, meqënëse rreth 2/3 e njerzve që kanë kontakt me pajisje elektonike si telefoni celular peceptojnë dridhje fantazmë të pajisjes. Kështu, do të duhen më shumë kërkime për të përkufizuar më mirë në terma sasiorë dhe cilësorë këtë fenomen, por edhe për të saktësuar etiologjinë e sindromës së dridhjeve fantazmë.

Bibliografi:

———————————————————————-

Escherichia Coli prodhon edhe lëndë djegëse

Escherichia Coli prodhon edhe lëndë djegëse

Karburantet që sot janë në prëdorim të gjerë nuk janë gjë tjetër veçse mbetje fosile të gjallesave të jetuara shumë kohë më parë.
Ndërsa termi biokarburant apo lëndë djegëse bio i referohet atyre të përftuara nga burime jo fosile.

Një skemë përgjithësuese e rrugës metabolike  (nga studimi)

Një skemë përgjithësuese e rrugës metabolike (nga studimi)

Prodhimi i karburanteve me mënyrën bio, është një fushë në zhvillim e sipër, por disi i limituar nga përdorimet e tjera të lëndës së parë, për shembull për qëllime ushqimore.

Risia më e fundit në fushën e biokarburanteve vjen nga Universiteti i Exeter-it, ku kërkuesit shkencorë kanë arritur të dizenjojnë e prodhojnë një tip të E. Colit – bakteri më i famshëm i zorrëve- me aftësi prodhimi të alkaneve.

I denjë për t’u nënvizuar është fakti se nuk është rindërtuar apo përshtatur një rrugë metabolike e njohur nga specie të tjera, por është dizenjuar një rrugë metalobike ex novo, pra krejt e re. Pra një rrugë metabolike “në masë” e menduar për të zëvendësuar procese kimike me procese biologjike.

Bibliografia:

Synthesis of customized petroleum-replica fuel molecules by targeted modification of free fatty acid pools in Escherichia coli – doi: 10.1073/pnas.1215966110 PNAS April 22, 2013

Rinstinkt, Maj 2013

—————————————————————————————————-

Kërkimi shkencor (4): Si botohet një kërkim shkencor

Kërkimi shkencor (4): Si botohet një kërkim shkencor

[Kërkimi shkencor (3): Si publikohet një kërkim shkencor]

Kështu, jam në rrugë të mbarë, dhe për sa është e mundur kam shmangur gabimet më “trashanike”; gjithsesi  nuk do të mundemi kurrë të reazlizojmë një studim perfekt dhe me mungesë totale gabimesh, apo kushtëzimesh apo bias-i, por mund të përpiqemi t’i kufizojmë. Gabimi mund të jetë i pa vullnetshëm.

Një shkencëtar mund të jetë aq shumë i bindur nga ideja e tij saqë studimi që e eksperimenton, në mënyrë të pavullnetshme është i kushtëzuar nga bindjet e vet shkencëtarit. Quhet  “bias konfirmimi”, të zgjedhësh metodat dhe të seleksionosh rezultatet për të përftuar përgjigjen që kërkon, fenomen që në mjekësi mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe mund të bëhet në “buonafede” ose për qëllime jo aq të qarta.

Nëse një firmë farmaceutike po eksperimenton një ilaç të ri kundër dhimbjes së kokës (me investime të mëdha monetare), falimentimi i studimit do të thoshte humbje e kot kohe, paraje dhe rezursesh që mund të ishin shfrytëzuar më mirë. Ka një mënyrë për të “rregulluar” rezultatet, mjafton “të sistemohet” studimi duke sjellë në të (në studim) vetëm numrat që luajnë në favor të çështjes (kauzës).

Ilaçi, hipotetik, i ri kundër dhimbjes së kokës, në fund të ekspermienteve tregoi se nuk funksiononte tek të gjithë, por firma farmaceutike vuri re se në një grup vullnetarësh që kanë marrë pjesë në eksperiment(e) ilaçi funksiononte me efikasitet; janë personat  e përfshirë midis 30 dhe 40 vjeç.

Nëse studimi mbyllej me përfundimin se ilaçi nuk kishte asnjë efekt domethënës, do të mjaftonte, pra, që të largonim apo përjashtonim nga statistikat e studimit të gjithë subjektet tek të cilat ilaçi nuk ka funksionuar. Në këtë mënyrë nuk është zhvilluar një eksperiment korrekt, por është sistemuar studimi për të fituar atë që dëshirohej.

Me numrat e rinj mund të nxjerr përfundimin se ilaçi im funksionon: e shes dhe fitoj para.

Në rastin më të keq, mund të fshihen (zhduken qëllimisht) efekte anësore të rënda ose mund të mos vihen re duke qënë se numri i subjekteve në të cilët ilaçi u eksperimentua, nuk është asnjëherë aq i madh sa popullsia botërore që e konsumon atë pas tregtimit të tij: në fund të fundit një ilaç që hidhet në treg, është në njëfarë eksperimenti duke qënë se mbahet akoma nën kontroll.

Një element tjetër i rëndësishëm i kërkimit shkencor është se një studim nuk është pothuajse asnjëherë “përfundimtar”, një studim i vetëm tregon shumë pak dhe duhet që të përsëritet herë të tjera, nga shkencëtarë të tjerë dhe në kushte të tjera që të mund të konfirmohen përfundimet e tij.

 

Rinstinkt