Metoda e Ovulimit Billings

Metoda e Ovulimit Billings

Shenjat e pjellorisë tek femra

Pjelloria e një femre varet nga procesi i ovulimit dhe zgjat derisa veza qëndron në jetë.
Shenja më e rëndësishme/kryesore e pjellorisë, që shfaqet pikërisht gjatë ditëve të ovulimit, është prania e mukusit, elastik, transparent, fluid, si ujë (i ngjashëm me të bardhën e vezës, albuminës).
Ky lloj mukusi tregon se një femër po ovulon, pra është pjellore.

Mukusi i qafës së mitrës

  • Rregullon pjellorinë, duke lejuar apo mohuar kalimin e spermatozoidëve nga vagina për në mitër.
  • Bllokon spermatozoidët që nuk janë të aftë për pllenim; pra kryen njëfarë seleksionimi të spermatozoidëve më të lëvizshëm/fuqishëm.
  • Në periudhën pjellore lehtëson kalimin e spermatozoidëve dhe i mban ata të gjallë e të lëvizshëm. (Spermatozoidët e ngecur në qafën e mitrës, mund të mbijetojnë nga 3-5 ditë, të ushqyer nga mukusi.)

Metoda Billings

Metoda e Billings-it është një nga metodat natyrore të rregullimit të pjellorisë së femrës dhe më tej të çiftit me ndihëm e partnerit. Metoda e Billings-it bazohet mbi ovulimin, dhe emërtohet edhe me siglën BOM (Billings Ovulation Method). Metoda aplikohet duke monitoruar pjellorinë, me identifikimin e ditëve pjellore dhe ditëve jopjellore gjate çdo cikli menstrual pavarësisht nëse ky i fundit është i rregullt ose jo.

Kjo metodë e kontrollit të natyrshëm të pjellorisë ka një efikasitet apo efektshmëri të ngjashme me atë të përdorimit të pilulës estro-progestinike. Me një IP prej 0,07-0,5.

Metoda e Billings-it bazohet mbi perceptimin e një ndjenje lubrifikimi, njomjeje, lagështie, të vulvës në afërsi të ovulimit – procesit fiziologjik të lëshimit të një veze nga vezotet e femrës.
Pikërisht gjatë ditëve në afërsi të ovulimit femra ka në vaginë një ndjesi lagështie/njomësie që shkaktohet nga përbërja e veçantë që ka mukusi i qafës së mitrës gjatë kytëre ditëve.

Zakonisht mukusi i qafës së mitrës është i dendur, duke luajtur roolin e një tape që ka si funksion kryesor atë të “izolimit” të zgavrës së mitrës nga vagina. Vagina vetë ka një florë bakterore rezidente, që mukusi i qafës së mitrës nuk e lejon të kalojë sipër.

Disa ditë para se të ndodh ovulimi – lëshimi nga vezorja i një qelize vezë – mukusi fillon e hollohet, duke marrë një konsistencë ujore, më të rrjedhshme, më fluid, e duke shkaktuar kësisoj ndjesinë e të lagurit. Dita e fundit në të cilën kihet ndjenja e lagështisë, merr emrin “dita e pikut”, dhe i përket momentit të pjellorisë maksimale të femrës. Deri sa ndjenja e të lagurit vazhdon, piku nuk ka mbërritur akoma. Dita e pikut dallohet a posteriori, një ditë më pas, kur mukusi që zbret nga qafa e mitrës fillon e bëhet më konsistent, pra më pak i rrjedhshëm, fluid, e më pak i njomë.

Ovulimi ndodh zakonisht një ditë pas ditës së pikut. Gjithsesi ovulimi mund të verifikohet në një interval, tre ditë para e dy ditë pas ditës së pikut. Dita e pikut i referohet ditës kur mukusi ka patur rrjedhshmërinë më të madhe.

Pra,  periudha potenciale e pjellorisë shkon nga fillimi i ndjesisë së të lagurit e deri në tre ditë pas ditës së pikut. Në këtë periudhë kohore mund të kërkohet/realizohet shtatëzania.

 Regjistrimi i një cikli

Gruaja është në gjendje që nëpërmjet vëzhgimit të mukusit; vëzhgimit të mënyrës se si ai ndryshon, dhe regjistrimit të tij, të njohë ditë pas dite në cilën fazë të ciklit menstrual gjendet. Informacionet e përftuara kësisoj mbi pjellorinë e vet, femra mund t’i shfrytëzojë për të arritur një shtatëzani (ose për të mos e patur atë) gjatë ciklit menstrual të rregullt ose jo të rregullt, gjatë ushqimit me qumësht gjiri, e gjatë perimenopauzës.

Lexo dhe: * Sistemi riprodhues femëror  * Cikli menstrual

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

———————————————————————————————————–

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues tek mashkulli përbëhet nga:

  • Organet seksuale parësore
  • Organet seksuale dytësore

Organet seksuale parësore janë testikujt (testet). Organet seksuale dytësore përfaqësohen nga epididimi, vas deferensi, fshikëza seminale, gjëndrat bulbouretrale, gjëndra e prostatës, penisi.

Testikujt janë gonadet mashkullore dhe, si gonadet femërore, kanë dy funksione kryesore: prodhimi i qelizave spermatike apo spermatozoidëve dhe hormoneve mashkullore. Çdo testikul ka një formë rrumbullakore, dhe përbëhet nga koka, trupi dhe bishti. Çdo testikul ka në brendësi të tij (apo është i përbërë) shumë lobtha. Çdo lobth përmban 1-3 tubuj seminiferë. Të gjithë tubujt seminiferë bashkohen për të formuar rete testis-in.

Testikujt përmbajnë:

  • Qelizat e Sertolit
  • Qelizat intersticiale të Leydigut

Dy testikujt janë të rrethuar nga epididimi, i cili vazhgon me vas deferens-in. Testikujt ndodhen në skrotum.

Testikujt prodhojnë qeliza gjerminale dhe hormone seksuale mashkullore. Gjatë pubertetit indi testikular bëhet i ndjeshëm ndaj hormoneve të prodhuar nga hipofiza. Kështu, LH-ja situmulon tahitjen (sekretimin) dhe lëshimin e testosteronit. Testosteroni futet në qarkullimin e gjakut dhe mbërrin indet e trupit, ku shkakton shfaqjen dhe ruajtjen e organeve dhe tipareve seksuale dytësore. Testosteroni kontrollon rritjen e qimeve në fytyrë, në sqetulla, bark dhe në zonën pubike. Testosteroni stimulon zgjerimin e  laringut dhe  trashjen (apo thellimin) e zërit. Është përgjegjës edhe për zhvillimin e muskujve dhe eshtrave (kockave).

FSH-ja stimulon prodhimin e spermatozoidëve nga testikujt. Prodhimi i spermatozoidëve kryhet me anë të një procesi të quajtur spermatogjenezë. Qelizat e para që prodhohen në tubujt seminiferë janë spermatogonet, që janë të vendosur në membranën bazale të tubujve. Këto qeliza ndahen vazhdimisht dhe disa prej tyre largohen nga bazamenti duke u përdalluar në spermatocitë parësorë (primarë). Spermatocitët parësorë i nënshtrohen ndarjes së parë mejotike për të prodhuar dy spermatocitë dytësorë, çdonjëri me 22 autozome dhe një kromozom seksual X ose Y; çdonjëri nga 23 kromozomet përbëhet nga dy kromatide.

Spermatocitët dytësorë i nënshtrohen ndarjes së dytë mejotike dhe diferenciohen në dy spermatide, çdonjëri me një numër haploid kormozomesh tek. Spermatidët zhvillohen në qeliza spermatike – spermatozoidët – pa ndarje të mëtejshme. Që të kryhet i tëtë procesi i spermatogjenezës duhen 8 deri në 9 javë. Qelizat e Sertolit mbështesin dhe ushqejnë spermatozoidët gjatë zhvillimit. Qelizat intersticiale të Leydigut prodhojnë hormonin seksual mashkullor – testosteronin. Testosteroni kalon në qarkullimin e gjakut dhe kontrollon aktivitetin e të gjithë organeve seksuale dytësore.

Organet seksuale dytësore të mashkullit kanë funksionin e transferimit të spermatozoidëve nga mashkulli tek femra. Nga testikujt, ku prodhohen, spermatozoidët lëvizin nëpër vas deferens-in. Vas deferens-i është një dukt apo tub i ngushtë muskulor i cili tkurret për të shtytur spermatozoidët drejt uretrës. Në epididimit dhe vas deferens spermatozoidët maturohen dhe rrisin pjellorinë e tyre. Vas deferesi së bashkë me  arteriet, venat dhe nervat formojnë kordën spermatike.

Korda spermatike  (dukti spermatik, më saktë) drejtohet rreth pjesës së pasme të fshikëzës së urinës ku bashkohet me duktin e fshikëzës seminale. Pastaj kalon nëpër gjëndrën e prostatës dhe takohet me uretrën. Uretra mashkullore është rrugëkalimi i përbashkët i spermës dhe urinës. Dy fshikëzat seminale prodhojnë një sekrecion që ndihmon në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe gjallërisë së spermatozoidëve. Gjendra e prostatës dhe gjëndrat bulbouretrale prodhojnë dhe sekretojnë lëng lubrifikues. Të gjitha lëngjet seminale derdhen në uretër. Muskujt e uretrsë tkurren për të nxjerrë jashtë spermën. Gjatë ejakulacionit penisi nxjerr jashtë 2-4 ml lëng seminal, i cili përmban qindra milionë spermatozoide.

Spermatozoidët që nuk ejakulohen degjenerojnë (prishen, apo shkatërrohen).

Lexo edhe: Sistemi riprodhues femëror

© mbi tekstin, Rinstinkt 2012

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————

Si bëhen bebet?

Si bëhen bebet?

Një bebe bëhet, krijohet, nga dy qeliza të sistemit riprodhues. Njëra nga qelizat është qeliza vezë që vjen nga femra, ndërsa qeliza tjetër është spermatozoidi që vjen nga mashkulli. Spermatozoidi bashkohet me vezën në procesin e quajtur pllenim. Në nëntë muajtë që pasojnë pllenimin, veza e pllenuar zhvillohet në një qenie të re njerëzore.

Vetëm një qelizë spermatike është e nevojshme për pllenimin e qelizës vezë.

Fakte mbi gjenet.

Çdo qelizë e trupit të njeriut përmban një set prej 46 komozomesh, të përbërë nga material kimik i quajtur ADN.

Kromozomet përmbajnë gjenet, që janë udhëzime që i tregojnë trupit si të rritet dhe si të funksionojë.

Veza dhe spermatozoidi kanë çdonjëri vetëm 23 kromozome. Kur ata bashkohen formojnë embrionin, që ka 46 kromozome.

Ju i trazhëgoni gjenet tuaj nga nëna dhe babai, gjysmën nga secili.

Karakteristikat fizike, si ngjyra e syve dhe ngjyra e flokëve, priren të jenë të ngjashme brenda familjes, duke qenë se kontrollohen nga gjenet.

Cikli jetësor njerëzor.

Sikundër kafshët, qeniet njerëzore rriten, maturohen dhe natyrisht vdesin. Gjatë jetës tuaj, trupi rritet dhe përson ndryshime; po ashtu edhe mendja juaj. Ju merrni aftësi fizike, si të ecurit, luajtja e sporteve; po ashtu përftoni aftësi intelektuale si të lexuarit, të shkruarit, dhe të arsyetuarit.

Trupi i njeriut ndalon së rrituri rreth moshën 20 vjeçare, por ai vazhdon të ndryshojë.