Janë Shqetësuar – Grid Rroji

Nisma “Vëri kryqin votës, voto nderin” është një nismë që e ka zanafillën tek dështimi i përplotë i parisë së Tiranës për të ndërtuar një shtet komb efektiv, i cili të garantojë lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve si dhe të promovojë një shoqëri demokratike të mbështetur tek vlerat kombëtare. Ndonëse thirrje për bojkotimin e sistemit kanë ardhur edhe më herët, këtë herë thirrja është përqafuar gjerësisht. Mirëpo, reagimi i shtresëzuar i parisë, si me anë të injorimit tërësor në fillim ashtu edhe me reagimet e koordinuara këto ditë tregon se jehona që ka gjetur vota e bardhë i ka shqetësuar realisht ata.

Reagimi ndaj votës së bardhë ka patur disa forma. Siç e thashë më sipër, teknika e parë e përdorur gjerësisht nga paria është injorimi. Duke patur nën kontroll pothuaj të plotë mjetet e informimit paria kishte besimin se thirrja për bojkot duke i bënë kryqin votës do të shfryhej si një tullumbace me vrimë. Teknika e injorimit garanton që çdo nismë që nuk përhapet në publik, në fakt nuk ekziston. Mirëpo, besueshmëria e parisë është në nivelin më të ulët të këtyre njëzet e tre vjetëve tranzicion, dhe injorimi nuk mund të funksiononte aq thjesht. Po ashtu, mjetet e reja të komunikimit si për shembull blogu Rrethi i Ferrit dhe fejsbuku, si dhe prania në treg e disa mediumeve të cilat ruajnë profesionalizmin duke u garantuar zërave ndryshe një hapësirë, e bënë këtë teknikë jo efikase në këtë rast.

Shtresa e dytë e reagimit ishte përsëri e tërthortë me anë të atyre që Lubonja i quajti “analistë llogoresh”. Me anë shkrimesh gjysëm teorike apo me cinizmin karakterizues të mendësisë së burgut argumentat që u hodhën kishin të bënin me “naivitetin” e nismave të tilla si dhe me frikën se kjo nuk i shërbente demokracisë. Një tjetër pjesë e këtij reagimi ishin edhe shpërndarja jo vetëm me anë të kanaleve tradicionale të kontrolluara nga paria por edhe nëpërmjet kanaleve të reja te komunikimit duke u munduar t’ua heqin edhe këtë avantazh propozuesve të votës së bardhë.  Blogje si Respublica e te tjere  u bënë mjete të shtypjes së mesazhit të protestës. Pra ky lloj reagimi i parisë kundër votës së zhvlerësuar me kryq filloi të ndihet edhe në blogosferë por edhe në fejsbuk ku u aktivizuan zhurmuesit e parisë.

Argumenti kyç në këtë fazë ishte se “jo të gjitha palët janë njësoj” dhe se “duhet votuar e keqja më e vogël”. Mirëpo në sferën etike lufta midis të keqes së madhe dhe të keqes së vogël është një luftë për të sjellë të keqen. Mungon në këtë dikotomi jo vetëm e mira por edhe mundësia për të arritur të mirën. Paradoksi që propozojnë ithtarët e parisë është se lufta midis dy të këqijave do të sjellë të mirën në afatin e gjatë. Si e tillë, teza e “të keqes më të vogël” është një artikulim i urrejtjes të propozuesve të saj ndaj popullit shqiptar. Jo më kot, shumë prej tyre shprehen se “me këtë popull që kemi, kaq meritojmë”. Mirëpo, me sa duket shqiptarët kanë më shumë respekt për veten se sa u japin “analistët e parisë”.

Një tjetër pjesë e reagimit vinte nga qarqe sektare, fetare apo krahinore, të cilat shohin tek zgjimi i një reagimi popullor ndaj sistemit mundësinë që të mos ruajnë dot pozicionin aktual. Në historinë kombformuese të shqiptarëve ka ekzistuar përherë ky tundim për t’i kundërvënë interesin fetar apo së fundmi edhe frymën kozmopolite diskursit kombëtar. Pra, bojkoti i votës me anë të zhvlerësimit të saj nuk shihet si një mjet që favorizon interesat e veçanta të grupit, e si i tillë bëhet i dëmshëm për këto kategori.

Mirëpo me sa duket as kjo teknikë nuk ka funksionuar. Në shtypin e përditshëm, madje edhe në gazeta afër parisë janë shtuar analizat të cilat edhe pse jo drejtpërdrejt në sintoni me votën e bardhë, përdorin elementët e analizës që të çojnë në atë përfundim. Dhe kjo ndoshta është ende edhe më shqetësuese për parinë sepse tregon se argumenti është përtypur dhe po rishfaqet në treg si i brendësuar nga një numër intelektualësh të rinj.

Paaftësia për t’a ndalur argumentin e votës së zhvlerësuar dhe parashtrimi i një rruge të qartë për një fillim të ri nga nismëtarët e bojkotit duket se i ka shqetësuar edhe më oligarkët e Tiranës. Vala e tretë e reagimeve është më e sofistikuara si dhe më e egra derimëtani. Duke angazhuar të  gjithë  ushtrinë  e “analistëve” qëndrorë dhe periferikë në shërbim të saj, paria ka filluar përpjekjen për paraqitjen e votës së bardhë si vegël e Berishës, si nismë anarkike apo paradoksalisht edhe si mungesë civilizimi. Kjo përpjekje tashmë ka marrë konturet e një reagimi të koordinuar në të gjitha gazetat dhe blogjet e parisë.

Supozimi kyç që e informon valën e re të sulmeve ndaj votës së bardhë është se po i shërbehet Berishës me apo pa dashje. Kjo përshtypje u përforcohet nga fakti që mungojnë reagimet publike nga mbështetësit e Berishës. Thënë thjesht argumenti i mbështetësve të Ramës është se Berisha e merr shumicën e votave në fshat ku kjo nismë nuk ka gjasë të penetrojë, ndërsa votat e njerëzve të informuar janë potencialisht të majta. Mirëpo ky lloj argumenti është I çalë për shkak se është jo logjik dhe tepër meskin.

Siç shprehej Ledjan Prifti para disa ditësh, të majtët e vërtetë sado të zhgënjyer nga pakti i ngjalave, në fund do mbyllim hundën e do e votojnë Ramën për shkak të urrejtjes që kanë ndaj Berishës. Pra, efekti i votës së bardhë ka ardhur tek ato shtresa të cilat nuk i besojnë gjithsesi asnjërës palë dhe kërkojnë ndryshim. Kjo shtresë njerëzish nuk do kishte votuar as Berishën e as Ramën. Këta mund të mos përbëjnë shumicën e votuesve, por në qoftë se arrijnë të krijojnë një masë kritike mundësojnë krijimin e një force të re, pa lidhje me palët e parisë, me ideologji të ndryshme nga paria dhe me njerëz të panjollosur gjatë tranzicionit. Ky objektiv, i cili me sa duket është më i arritshëm se sa kërkon të na bindë shpura e analistëve të parisë, është më shqetësuesi për parinë.

Një tjetër teknikë e përdorur në valën e tretë të sulmit ndaj votës së bardhë është kufizimi i argumentit si një debat midis dy tre kokrrave të njohura si Shenasi Rama apo Fatos Lubonja. Mirëpo e vërteta është krejt ndryshe. Nisma e votës së bardhë dhe argumentat përqark saj ka gati dy muaj që mbështeten dhe arsyetohen me shkrime të përditshme edhe nga Alida Karakushi, Gjergj Erebara, Valbona Karanxha, Ledjan Prifti,  Murat Aliaj, Mimoza Demiri, Ilir Demalia, Xhaferr Rakipllari, Alban Nelaj, Edlira Gushta, Artian Gjataj, Ergys Mërtiri, Silvana Toska, Fadil Lepaja, Marsela Dauti, Dritan Shano dhe i nënshkruari. Shkrimet janë botuar si në blogjet Rrethi i Ferrit, fshad.com dhe Peshku Pa Ujë, ashtu edhe në shtypin e përditshëm si në gazetat Panorama, MAPO, Sot, dhe Telegraf. Grupi i mësipërm dallohet nga disa karakteristika si të qenit relativisht në moshë të re, ekspertë profesionistë të politikës dhe publicistikës,  të pavarur nga paria, dhe të shqetësuar për fatet e vendit. Ata nuk i mbështesin argumentet e tyre në kërkime në gugëll apo vikipidia por flasin me argumente shkencore të mbështetura në literaturën serioze. Gati gjysma e tyre janë doktorantë shkencash. Ndoshta kjo mund të mos plotësojë standartin e “penës së rëndë” të gjithologëve të internetit, por populli e kupton kur ka të bëjë me dije dhe kur ka të bëjë me hije.

Pra, përpjekja është e qartë. Paria kërkon t’a delegjitimojë njëherë e përgjithmonë teknikën e bojkotit sepse e sheh atë të rrezikshme për mbijetesën e sistemit të krijuar prej saj. Një bojkot i përmasave të mëdha sigurisht do t’a delegjitimonte sistemin dhe do t’a bënte krijimin e një force të re jo më të si mundësi por si domosdoshmëri. Në këtë kontekst, nuk ka rëndësi kush i fiton këto zgjedhje. Gjasat janë që do t’i fitojë opozita, dhe kryeministri i ardhshëm do jetë Rama. Kjo jo për ndonjë meritë të tijën në fushatë por sepse sistemit i duhet legjitimim me anë të rotacionit. Ndaj dhe u bë pakti i ngjalave. Për sa kohë ka rotacion, nuk ka rëndësi se si do jenë marrëdhëniet e Ramës në pushtet me Metën e fuqizuar së tepërmi numerikisht.

Ajo që është e sigurtë, është se Berisha del së paku i palagur në opozitë, numerikisht i fortë, dhe pas purgës së fundit të qëndrestarëve, me një parti të bazuar tërësisht në lidhjet familjare. Pra, ndryshe nga sa thonë “ analistët e pavarur” të Ramës, Berisha del i garantuar nga një fitore e Rametës e jo nga masivizimi i votës së bardhë. Berisha ashtu si edhe Rama dhe Meta, kërkon me çdo kusht të ruajë sistemin, jo vetëm sepse është bashkautor i tij, por edhe sepse ky sistem i garanton atij qetësinë afatgjatë.  Pa Berishën ka pari, pa parinë nuk ka Berishë.

Ndaj, mendoj se edhe kjo valë reagimi nga ana e parisë nuk ka gjasë të delegjitimojë votën e zhvlerësuar me kryq për disa arsye. Së pari, argumenteve të parisë u ka dalë boja keqazi. Askush nuk i beson më premtimeve të tyre sado profesionale qofshin spotet televizive. Po ashtu penat e përdorura për këtë sulm janë ose të diskredituara ose me një audiencë minimale. Së dyti, gjendja ekonomike është në kufi të katastrofës dhe shifrat e fundit të remitancave të dhëna nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë trendin negativ. Rotacioni nuk ka shkopin magjik dhe kushdo të vijë në pushtet do të përballet me katastrofën dhe qytetarët e dinë këtë. Së treti, fragmentarizimi shoqëror, i cili sipas Silvana Toskës është i vetmi sukses i politikës gjatë tranzicionit, ka arritur nivele të frikshme. Së katërti, degradimi moral që pasqyrohet në çdo cep të jetës, por më së shumti në mungesën e ndjenjës së shërbimit dhe mbrojtjes së vlerave kombëtare, rrezikon seriozisht të ardhmen e shtetit. Së pesti, mungesa e reagimit të mirëfilltë të shoqërisë civile nuk le vend për reagime qytetare brenda sistemit të cilat do të mundësonin ndryshimin në mënyre endogjene. Përdorimi i blogjeve “ të pavarura” dhe ndohtja e hapësirës së internetit me zhurmues gjithfarësh e tregon më së miri këtë.

Kësisoj, vota me kryq është një mjet tejet i vlefshëm për të hedhur hapin e parë drejt një organizimi të ri shoqëror, ndërtimin e shtetit mbi vlerat kombëtare, vendosjen e kufijve ndaj politikës dhe rimarrjen në dorë të fateve të veta nga shqiptarët. Ky projekt i ndërtimit të shtetit-komb nuk mund të jetë i kushtëzuar nga interesat meskine të palëve që marrin pjesë në këto zgjedhje apo të shërbyesve të tyre mediatikë. Ata e kanë patur shansin e tyre për të ndërtuar shtetin, tanimë shqiptarëve u ka humbur besimi.

As krrakarritjet inatçore dhe në shërbim të protagonizmit vetjak të ndonjërit që pasi e propozoi vetë zhvlerësimin e votës kërkon të hedhë baltë me spondë nuk mund të zenë vend. Ata duhet t’a kuptojnë se vota e bardhë nuk është vetëm votë anti parisë, por edhe votë pro ndryshimit. Shqiptarët duket se po ndërgjegjësohen se duhet një fillim i ri, me ide të reja e me njerëz të rinj.  Vota me kryq është vetëm hapi i parë drejt tij.

[Shkrimi është marrë nga “Rrethi i Ferrit“. Nyje: GRID RROJI: JANË SHQETËSUAR]

Atomizmi i Shoqërisë: “Suksesi” i Politikës Shqiptare – Silvana Toska

Atomizmi i Shoqërisë: “Suksesi” i Politikës Shqiptare – Silvana Toska

Një javë përpara se të fillonte revolucioni bolshevik në Rusi, Lenini po jepte një leksion në Vjenë ku detajonte hapat e nevojshme që Rusia të ishte gati për revolucion. Si pasardhës i Marksit, ishte e pritshme që Lenini të imagjinonte që revolucioni të kalonte në faza të caktuara, të cilat akoma nuk viheshin re në Rusinë cariste. Ndaj, kur e pyetën se kur mendonte se do të fillonte revolucioni rus, ai dha përgjigjen e famshme: “Rusia nuk është akoma gati”. Me pak fjalë, arkitekti i revolucionit rus ishte po aq i papërgatitur për fillimin e revolucionit sa çdokush tjetër që mori pjesë në të.

Kjo është e veçanta e përbashkët e të gjithë revolucioneve në historinë moderne. Duke filluar nga revolucioni francez i vitit 1789 e deri në “pranverën Arabe” dhe, së fundmi, në Turqi, revolucionet – apo dhe lëvizjet anti-qeveritare që ndoshta nuk rezultojnë në revolucion – janë të paparashikueshme. Djegia e një shitësi ambulant në Tunizi preku aq thellë gjithë zhgënjimet e popullit tunizian dhe arab në përgjithësi, sa rezultoi në levizjet më të organizuara dhe spektakolare në Lindjen e Mesme (një zonë që deri në atë moment ishte konsideruar në qarqet akademike dhe politike si e imunizuar nga lëvizjet politike popullore.) Ndaj, shpesh, lëvizjet anti-qeveritare popullore duken si rezultat i disa koinçidencave kontradiktore të cilat ose nuk përsëriten, ose ndodhin shpesh por pa dhënë të njëjtin rezultat. Por, përpara se ndokush të ketë ndopak optimizëm dhe të mendojë se kjo mund të përsëritet në Shqipëri (megjitëse dyshoj në ekzistencën e këtij personi kaq naiv) duhet të theksoj se nën sipërfaqe, pothuajse të gjitha lëvizjet anti-qeveritare fshehin disa struktura të përbashkëta. Këto ngjarje të rralla apo banale (djegia e një personi apo prishja e një parku) kanë efekt frymëzues vetëm kur përputhen disa elementë të tjerë ekzistues. Duke qenë se në Shqipëri njerëz janë djegur dhe pemë janë prerë në heshtje, mund të themi qartë se tek ne këta elementë nuk ekzistojnë akoma.

Janë tre faktorët kryesorë që, së bashku, krijojnë kushtet në të cilat lëvizjet anti-qeveritare janë më të mundshme të lindin: krizë ekonomike, qeveri e dobët, dhe masa popullore të organizuara. Arsyeja e parë, kriza ekonomike, është relative pasi një ekonomi në rënie në USA është ndryshe nga një ekonomi në rënie në Shqipëri. Mjafton këtu një rënie objektive e ekonomisë, si dhe një ndërgjegjësim subjektiv i njerëzve se e nesërmja do të jetë më keq se e sotmja. Nuk na duhet shumë të shohim se ekonomia e Shqipërisë ka ardhur aq në rënie sa duket e paimagjinueshme që të shkojë më poshtë (edhe pse ky është nga ato rastet  ku kam frikë se imagjinata është mbrapa realitetit). Politika – qeveria dhe opozita – kanë vjedhur dhe shkatërruar vendin në nivele që akoma s’i kemi ndjerë. Është e kotë këtu të përmendim listën konkrete, pasi përvec pakicës militante dhe vullnetarisht të verbër, ky është një fakt mëse i njohur.  Për këtë arsye, faktorin e parë të rëndësishëm që një lëvizjë anti-qeveritare të krijohet, e përmbushim fare lehtë.

Faktori i dytë është aftësia e qeverisë ose: 1) të shtypë protestat, ose 2) të blejë popullsinë në mënyrë që kjo e fundit të mendojë për interesat imediate të vetat dhe të heqë dorë nga protesta. Në tipologji të ndryshme qeverisjeje, dallojmë tre “fuqi” kryesore të qeverisjes jo-demokratike të cilat bëjnë të mundur qëndrimin e saj në pushtet: dhunë, ideologji, dhe sistem patrimonial. Dhuna – siç duket qartë – nënkupton përdorimin e dhunës për nënshtrimin e popullsisë. Ideologjia nënkupton përdorimin dhe manipulimin e ligjërimit në mënyrë që të legjitimohet projekti qeverisës. Ajo mund të jetë opresive dhe unike sa popullsia të mos jetë as në gjendje të imagjinojë kritika ndaj qeverisë (si në vendet totalitare), por mund të jetë dhe në formë të principëve dhe të ko-ekzistojë me variante të tjera (si parti të ndryshme në vende demokratike). Por, politika shqiptare nuk ka forcën dhe organizimin ushtarak të bazohet tek dhuna (dhe pse e ka përdorur atë) dhe as bindjen politike (por shpesh as njohjen) të bazohet në ideologji apo principe të caktuara. Partitë janë thjesht mercenare të biznesit dhe nuk kanë zhvilluar principe të qendrueshme të cilët ata përfaqësojnë.

Politikanët shqiptarë duhen “lavdëruar” që në mungesë të këtyre dy metodave të qeverisjes – dhunë dhe ideologji – si dhe në mungesë të dëshirës për një sistem demokratik, kanë perfeksionuar sistemin patrimonial. Këtu qëndron gjenialiteti i tyre. Sistemi patrimonial nënkupton se qënie të ndryshme politike përdorin “dhurata” si metodë normale për të shpërblyer bindjen. Do të gjesh punë? Shiko cila parti është më e fortë në qytetin tënd dhe bëhu pjesëtar i saj, pastaj harxho gjithë energjitë e tua në mbajtjen e kësaj partie në pushtet, pasi me të ikën edhe puna jote. Nuk ka nevojë për shembuj të tjerë: shiko veten dhe shiko rrotull dhe e di se dhe ti ke marrë pjesë në një trillim të tillë.

Në këtë drejtim, qeveria dhe opozita në Shqipëri janë fenomenale. Ndërkohë që shteti është mëse i dobët, ai ka përdorur atë “aftësi” grabitëse të tij me aq finesë sa e ka kthyer pothuajse të gjithë popullsinë në vasalë të tij. Mbijetesa varet nga lidhjet politike. Duke qenë se Shqipëria është vend i vogël, është e mundur që depërtimi i kësaj politike të paaftë të shkojë shumë thellë: të prekë pothuajse këdo individualisht. Në qytete si Kajro apo Stambolli, ku popullsia është mbi 18 milionë banorë, është e mundur që disa miliona prej tyre t’i kenë shpëtuar kthetrave të qeverisë dhe të kenë arritje personale pavarësisht asaj. Jo në Shqipëri.

Kjo na sjell te faktori i tretë i nevojshëm për një lëvizje anti-qeveritare: organizimi. Përgjithësisht, sistemi komunist zhduku strukturat tradicionale – si feja apo fisi – të cilat mund të përbënin bazat organizuese sot. Mund të përjashtojmë kohezionin fisnor dhe fetar në disa zona veriore të cilat u përforcuan si rezultat i persekutimit komunist, por këto struktura janë të përfshira në pushtetin e sotëm. Sidoqoftë, në pjesën dërmuese të vendit as fisi dhe as feja nuk përbejnë struktura formale me lidership të cilat mund të mobilizohen.

Kështu që, historia e dhunshme e komunizmit, po ashtu si dhe anti-komunizmi i dhunshëm i kombinuar me patrimonializmin dhe kooptimin e strukturave që u ngritën në komunizëm (si sindikatat), kanë shkatërruar cdo lloj mundësie për mobilizim. Për më tepër, organizimit ne bazë të vlerave iu vu gozhda e fundit në arkivol në momentin kur Mjaft-i u kooptua brenda PS-së. Të gjitha këto, kanë sjellë qëllimisht atomizimin e shoqërisë. Askush nuk është i lidhur me askënd tjetër përvec familjes imediate dhe strukturave partiake që, në përkufizim, e bëjnë të pamundur organizimin kundër po këtyre strukturave.

Shtetet imperialiste përdornin metodën “ndaj dhe pushto” për të nënshtuar vendet të cilat kolonizonin: politikanët shqiptarë e kanë përdorur këtë metodë ne vendin e tyre. Njerëzit janë të implikuar në një parti apo tjetrën dhe ka shumë pak të pa-lidhur. Mjafton një lexim i shpejtë i komenteve mbi artikuj që janë kritikë për njërën palë apo tjetrën për të kuptuar se është e pamundur për shumicën e shqiptarëve të mendojnë se ka njerëz të cilët janë të motivuar nga interesi i vendit dhe jo lidhje personale. Edhe pse pa u munduar të legjitimojnë veten nëpërmjet një ideologjie të caktuar, politikanët shqiptarë kanë arritur të heqin mundësinë e të menduarit nga ana e popullsisë nëpërmjet krijimit të lidhjeve ekonomike politikë-shtetas që e bën të pamundur imagjinatën e një realiteti jashtë saj. Fatkeqësisht, edhe rinia – që normalisht luan rolin e adrenalinës dhe pavarësisë së mendimit në lëvizje popullore – është blerë dhe trunkuar nëpërmjet edukimit të dobët si cdo pjesë tjetër e shoqërisë.

Në konkluzion, kemi krize ekonomike, politikë te dobët por që me dobësinë e saj ka krijuar vartësi të thella me popullsinë, si dhe mungesën e besimit dhe organizimit politik. Ne nuk jemi Turqia. Nuk kemi dy nga tre faktorët kryesorë të nevojshëm për një lëvizje popullore. Ndaj, le të digjen njerëz dhe le të priten pemë – politika shqiptare është momentalisht e mbrojtur.

Ironikisht, kjo analizë duket se justifikon idenë se përderisa nuk ka alternativë, duhet të votojmë të keqen më të vogël (shprehje en vogue kjo në Shqipëri). Bërja e votës së pavlefshme nuk do të ndryshojë rezultatin përfundimtar: dikush do të fitojë. Ky është konkluzion i vërtetë, por i pjesshëm. Dikush do të fitojë, por prishja e votës do t’i tregojë klasës politike se aftësia e saj për të blerë popullsinë ka limit: me një sinjal të tillë, mund të përmbushet edhe një faktor tjetër i rëndësishëm për një lëvizje anti-qeveritare më vonë. Si dhe do të heqë këtë mendim se cdo shqiptar është i lidhur me strukturat politike, do të rrisë besimin ndaj mundësisë së organizimit pasi nuk do te jetë më e vlefshme të besohet se domosdoshmërisht dikush është vegël e një partie apo një tjetre. Përfundimisht, të prishim votën me qëllimin që të bëjmë të njohura preferencat, pavarësinë dhe zhgënjimin tonë, është një hap i parë ndaj rrezistencës dhe organizimit më sistematik më vonë.

*Silvana Toska- doktorante në shkencat politike, Universiteti i Kornellit.