Membrana qelizore (plazmatike)

Membrana qelizore

Çdo qelizë kufizohet nga një membranë qelizore e quajtur edhe membrana plazmatike. Ajo është rreth 7-10 nanometra e trashë. Një nga funksionet kryesore të membranës qelizore është që të ruajë ambientin e brendshëm të ndarë nga ai i jashtmi. Membrana plazmatike rregullon hyrjen e meterialeve ushqyese dhe daljen e materialeve mbetje të metabolizmit qelizor.

Membrana plazmatike përbëhet nga lipide, proteina dhe karbohidrate. Më specifikisht, ajo përbëhet nga një shtresë e dyfishtë fosfolipidesh me proteina të përfshira në të, me funksione nga më të ndryshmet. Disa proteina janë transportues; të tjera janë proteina strukturore, ndërsa të tjera janë hormone. Gjithashtu, disa proteina janë receptorë që lidhen me molekula të veçanta, disa janë enzima që katalizojnë reaksione biokimike.

Brendësia e membranës përmban edhe kolesterol, i cili jep një kontribut të rëndësishëm në stabilizimin e membranës. Karbohidratet janë kryesisht oligosakaride të lidhur me proteinat dhe lipidet, për të formuar glikoproteina dhe glikolipide.

Përderisa membranat qelizore janë membrana që ndajnë ambientin e jashtëm nga ai i brendshëm, në njëferë mënyre ato duhet të lejojnë edhe kalimin e meterialeve ushqyese dhe atyre të mbetjes së metabolizmit.

Membranat plazmatike janë mjaft të përshkueshme; me fjalë të tjera ato lejojnë kalimin e substancave që mund të lëvizin nga jashtë-brenda dhe anasjelltas. Kalimi i substancave mund të ndodh me ose pa përdorimin e energjisë që furnizohet nga ATP-ja.

Kalimi i substancave nëpër membranë mund të jetë aktiv ose pasiv.
Transporti pasiv ndodh për molokula të thjeshta, dhe përfaqësohet nga difuzioni dhe osmoza.
Difuzioni është kalimi i vetvetishëm i substancave nëpër membranë, të cilat lëvizin nga një gradient përqëndrimi më i lartë drejt një më të vogli.
Osmoza është një tip i veçantë difuzioni ku substanca që lëviz është uji (molekula e ujit); uji kalon nga një ambient hipotonik (ku ka më shumë ujë dhe më pak substancë) drejtë një ambienti hipertonik (ku ka më pak ujë dhe më shumë substancë).
Një tjetër tip difuzioni është transporti i lehtësuar (transporti i thjeshtë), ku proteina transporti të veçanta kontribuojnë në kalimin e substancave drejt një ambienti ku përqëndrimi i tyre është më i vogël.

Transporti aktiv është lëvizja e substancave dhe molekulave nga një ambient ku përqëndrimi i tyre është më i ulët drejt një ambienti ku përqëndrimi i tyre është më i lartë. Transporti aktiv, që të mund të relalizohet, kërkon disa  pompa të veçanta që përdorin energjinë e dhënë nga ATP-ja (më saktë, nga shkatërrimi i ATP-së).

Transporti i substancave apo molekulave të mësha kryhet me anë të citozës. Citoza mund të jetë endocitozë ose ekzocitozë. Endocitoza mund të ndahet, më tej, në pinocitozë kur janë të përfshira molekula apo materiale të tretura, dhe fagocitozë kur janë të përfshira materiale të ngrutë.

 

Rinstinkt 2012 

—————————————————————————————-

Reklama

Energjia dhe metabolizmi

Energjia dhe metabolizmi

Një qelizë është e aftë të kryejë të gjitha aktivitetet e nevojshme për rritjen e vet, dyfishimin dhe mbijetesën. Këto aktivitete bazohen në një varietet të madh transformimesh kimike që përbëjnë metabolizmin. Tek metabolizmi mund të dallohen dy llojë reaksionesh: reaksione sinteze dhe thyerjeje. Reaksionet që kanë të bëjnë me sintezën, përfshijnë dy ose më shumë substanca të thjeshta që bashkohen për të formuar produkte molekulare më komplekse, dhe që të gjitha përbëjnë anabolizmin. Reaksionet e thyerjes shpien në  degradimin e përbërjeve kimike komplekse në përbërje apo molekula më të thjeshta, dhe që të gjitha reaksionet e këtij lloji përbëjnë në totalitetin e tyre katabolizmin.

Të gjitha aktivitetet qelizore përfshijnë një nga këto lloje punësh:

  • Punë mekanike, e cila përfshin lëvizjen e organeleve qelizore dhe tkurrjen (e fibrave muskulore, për shembull).
  • Punë transporti, e cila konsiston në hyrjen apo nxjerrjen e substancave brenda-jashtë qelizës.
  • Punë kimike, që ka të bëjë me transformimet kimike të substancave si sinteza e molekulave më të mëdha duke filluar nga ato më të voglat.

Reaksionet kimike të një qelize mund të jenë ekzogonike ose endogonike. Të parat janë reaksione anabolike ndërsa të dytat janë zakonisht reaksione të katabolizmit.

Një qelizë mund të kryejë një reaksion endogonik duke përdorur energjinë e prodhuar nga një reaksion ekzogonik. Ky mekanizëm quhet reaksione të çiftëzuara. Për të transferuar energjinë nga një reaksion në tjetrin përdoret adenozinë trefosfati apo ATP-ja. ATP-ja është një nukleotid i përbërë nga adenozina – adeninë dhe ribozë, dhe nga tre grupe fosfat. Energjia ruhet në lidhjet kimike mes grupeve fosfat. Më e shumta e energjisë (pjesa më e madhe) çlirohet kur ATP-ja shndërrohet në ADP – adenozinë difosfat dhe fosfat inorganik. Energjia përdoret për reaksionet endoergonike, ndërsa fosfati inorganik i bashkëngjitet molekulave të tjera. Ky reaksion i fundit quhet fosforilim. Qelizat e përdorin energjinë e transportuar nga ATP-ja për të sintetizuar makromolekula si proteinat, lipidet, karbohidratet apo acidet nukleike, dhe për të larguar substancat e mbetjes së katabolizmit. Energjia përdoret për të kryer të gjitha punët mekanike të qelizës.

Rinstinkt, 2012