Semiotikë mjekësore – Auskultimi i kraharorit

Semeiotikë mjekësore – Auskultimi i kraharorit

Auskultimi (dëgjimi) i kraharorit është një veprim me rëndësi themelore në mjekësi. Çdo mjek, por edhe çdo student që i futet praktikës klinike duket të ketë njohuri mbi zhvillimin korrekt të këtij akti, dhe komponenti të ekzaminimit objektiv të pacientit.

Këtu do të flas, më së shumti, për auskultimin e kraharorit në relatë me mushkëritë. Dëgjimi i kraharorit kryhet në duke krahasuar njërin gjysmë-kraharor me tjetrin; pra në mënyrë krahasuese. Kjo sepse çdo njëri, çdo pacient ka një kuadër personal, fiziologjik, i cili bën pjesë në ndryshueshmërinë normale, e që nuk është medoemos i njëjtë me atë të një pacienti tjetër.

Mënyra e auskultimit (dëgjmit) të mushkërive

Mënyra e auskultimit (dëgjmit) të mushkërive

Auskultimi fillohet nga maja, duke zbritur drejtë bazave të mushkërive. Në auskultimin e pjesës së pasme të kafazit të kraharorit duket patur kujdes që diafragma e stetofonendoskopit të vendoset korrektësisht duke përjashtuar zonat e shpatullave, pra në brendësi të këtyre. Ndërsa në auskultimin e pjesës së përparme të kafazit të kraharorit duhet patur kujdes nga zona e projektimit të zemrës.

Gjatë dëgjimit pacienti duhet të marrë frymë thellë, me gojë hapur dhe pa bërë zhurma me këtë të fundit. Nëse pacienti ka shumë qime në kraharor, për të shmangur zhurma që i detyrohen fërkimit të diafragmës së stetofonendoskopit me qimet, këshillohet njomja e sipërfaqes së auskultimit.

Çfarë dëgjohet gjatë auskultimit të kraharorit?

Zhurmat fiziologjike

Zhurma frymëmarrëse normale, e cila njihet edhe si murmurimë fshikore (fshikëzore). Murmuritja (murmurima) fshikore gjenerohet nga “përplasja” e ajrit mbi hojëza, të cilat mund të thuhet se sillet si një filtër poroz ku ajri kanalizohet. Murmurima fshikore dëgjohet, auskultohet në të gjithë rajonin mushkëror, por më qartë në zonat periferike të mushkërive.

Murmurima fshikore është më e fortë në fazën e frymëthithjes, ndërsa në fazën e frymënxjerrjes dobësohet dhe kjo për shkak se frymëthithja realizohet falë komponentëve muskulorë (diafragma, muskuj ndërbrinjorë dhe m aksesorë të frymëshkëmbimit), duke prodhuar një fluks ajri më të shpejtë krahasuar me frymënxjerrjen që nga ana e vetë është një fenomen fiziologjik pasiv.
Murmurima fshikore mund të zvogëlohet në intensitet kur ajri pengohet të hyjë në hojëza apo në rast të reduktimit të përbërësit elastik mushkëror. Murmërima fshikore rritet në intensitet, në rast se zgavra e kraharorit ka një seksion të tërthortë të hollë apo të holluar. Ndërsa kur ajri nuk hynë në disa zona të mushkërisë, për shembull për shkak të bllokimit të një bronku, perceptohet e ashtuquqjtura heshtje respiratore.

Zhurma bronkofshikore e cila prodhohet në zonat e kalimit nga pema bronkiale në zonën e hojëzave. Pra është një zhurmë e përzierë mes asaj bronkiale dhe zhurmës alveolare (hojëzore). Zhurma bronkofshikëzore dëgjihet më mirë në zonat e majës së mushkërive apo në dy hapërsirat e para ndërbrinjore.

Zhurma bronkiale – zhurmë që shkaktohet nga kalimi i ajrit nëpër rrugët e ajrit me diametër të madh, si bronket. Dëgjohet mirë në auskultimin e pjesës së përparme të kafazit të kraharorit. Kur zhurma bronkiale dëgjohet në periferi të mushkërive atëhere jemi përballë një rasti patologjik. E njëjta gjë thuhet për rastin kur është një-anësore, meqënëse mund të jetë shenjë e një dëndësimi të parenkimës mushkërore.

Zhurmat e patologjike apo të shtuara

Zhurmat jo të vazhdueshme, të cilat dallohen në zhurma me tonalitet të ulët e që janë shenjë bronkiti. Këto zhurma prodhohen nga kalimi i ajrit nëpër mukusin e prodhuar nga mushkëritë. Tek zhurmat jo të vazhdueshme përfshihen edhe zhurmat me tonalitet të lartë të cilët formohen nga vonesa në hapjen e hojëzave; tipike të bronkopolmonitit.

Zhurmat e vazhdueshme. Edhe këto dallohen në zhurma me tonalitet të ulët ku futen zhurmat e prodhuara kur ajri kalon nëpër rrugët e ajrit të ngushtuara nga bronkospazma apo mukusi, dhe zhurmat me tonalitet të lartë të ciltë formohen në rastet kur ajri kalon nëpër bronke të zvogëluar; kryesisht gjatë fazës së frymënxjerrjes.

Rinstinkt

——————————————————————

Semeiotika abdominale

Semeiotika abdominale

Si fillim lipsen disa koncepte anatomie topografike me anë të cilave të orientohemi në kuptimin e simptomave dhe shenjave.
Në pamjen ballore rajoni abdominal përket me zonën që qëndron apo shtrihet nën diafragmë. Duke përdorur disa linja, jo edhe aq imagjinare, rajoni abdominal mund të ndahet në disa kuadrante.

Kuadrantët abdominalë

Këtu, do të përshkruaj vetëm ndarjen në nëntë (9) kuadrante e cila përftohet nda ndërprerja e katër linjave.
Për këtë nevojitet linja paraqëndrore e cila shtrihet midis linjës së mesme dhe asaj që kalon nga gjëmbi* iliak antero-superior. Në gjysmë-abdomenin e djathtë ndërprerja e kësaj linje me harkun brinjor ndodh në nivelin e kërcit të brinjës së IX dhe identifikon pikën paraqëndrore, që përket me fundin apo bazën e fshikëzës së vrerit.
Nevojiten linjat horizontale transpilorike (ndërpilorike) e cila shtrihet ekzaktësisht midis gropës jugulare (zgjedhore të qafës) dhe pubisit. Në pikën e vetë mesatare identifikon trupin e vertebrës së parë lumbare. Linja transgungëzore, e cila kalon mbi dy gungëzat iliake e në pikën e vetë më të mesme identifikon trupin e vertebrës së pestë lumbare.

Emërtimi i nëntë rajoneve të kuandrantëve abdominalë

Fasha e sipërme përbëhet nga hipokondri i djathtë, epigastri, dhe hipokondri i majtë.
Fasha e mesme përbëhet nga ija e djathtë, mezogastri apo zona rreth-ombelikale dhe ija e majtë.
Fasha e poshtëme përbëhet nga gropa ilake e djathtë, hipogastri dhe gropa iliake e majtë.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Ekzaminimi objektiv i abdomenit

Si për cdo aparat apo organ tjetër, edhe për aparatin tretës apo më mirë të them, abdomenin në përgjithësi (meqë në zgavrën abdominale ndohen edhe organe të tjerë si pankreasi, shpretka, organet gjinore etj), ndiqet sekuenca e inspektimit (hetimit), palpimit (prekjes), perkusionit (goditjes) dhe auskultimit (dëgjimit).

Inspektimi i abdomenit

Gjatë inspektimit të rajonit abdominal duhet të vlerësohen gjendja e lëkurës; për shembull të shihet nëse ekzistojnë vraja apo shenja të lëna nga ndërhyrje të mëparshme kirurgjike, ndryshime të nuancës natyrore të lëkurës etj.
Duhet të shihet nëse ekzistojnë fryrje apo mbufatje jo simetrike apo qoftë edhe simetrike.
Duhet të shihet nëse abdomeni është i fryrë, jashtë normalitetit të subjektit që kemi përballë apo nëse fryrja është pjesë normale e konstitucionit të tij. Të shihet nëse kjo fryrje mund t’i detyrohet meteorizmit apo ndonjë derdhjeje apo akumulimi lëngu në kavitetin peritoneal. Abdomeni që i ngjan barkut të një bretkose (batrakos) me kërthizën të sheshuar apo të nxjerrë jashtë (pra, jo normale) apo prania e qarkullimit hematik kolateral të tipit “caput medusae” janë shenja të një akumulimi lëngjesh në këtë kavitet.
Siç edhe e përmenda më sipër, abdomeni “i fryrë” mund t’i detyrohet edhe shëndetit të subjekt-pacientit, i cili manifestohet kryesisht në rajonin abdominal; në këtë rast kërthiza do të jetë normale, pra e brenda-futur.
Po ashtu një fryrje e abdomenti mund të jetë shenjë e një bllokimi intestinal, pra e bllokimit të zorrëve.

Palpimi (prekja) e abdomenit

Palpimi i rajonit abdominal mund të jetë sipërfaqësor apo i thellë. Palpimi kryhet me pëllëmbën e dorës, e kryesisht me sipërfaqen e brendshme të gishtrinjëve, por duke treguar kujdes për të aplikuar presion në mënyrë uniforme me të gjithë pëllëmbën e jo me majat e gishtave.
Gjatë palpimit eksplorohen sektorët e ndryshëm (kuadrantët abdominalë). Palpimi ka dy qëllime kryesore: së pari lokalizimin e dhimbjeve sponten apo të provokuara dhe lokalizimin e organeve abdominal të eksplorueshëm dhe gjykimin mbi ndonjë zmadhim eventual të këtyre apo praninë e masave brenda-abdominale.
Ndonjëherë palpimi, prekja e abdomenit (barkut) nuk mund të kryhet me lehtësi meqënëse disa subjekte janë veçanërisht të ndjeshëm dhe mund të ushtrojnë rezistencë nëpërmjet tkurrjes së muskujve abdominalë. Ndjeshmëria e subjektit mund t’i detyrohet edhe dhimbjes së shkaktuar nga prekja e ekzaminatorit. Në këto raste thuhet se abdomeni është jo i prekshëm; ky fakt paraqitet edhe në kartelën apo dokumentin e shtrimit të pacientit.

Palpimi i mëlçisë – prekja e mëlçisë

Kur pacienti nuk ka probleme nga mëlçia, pra kur mëlçia është me përmasa fiziologjike, ajo mund të preket vetëm duke e ftuar pacientin të kryejë një frymëmarrje të thellë. Frymëmarrja e thellë me tkurrjen e diafragmës bën që kjo e fundit të zbresë poshtë duke ushtruar presion mbi oranet nën-diafragmatike, e kështu edhe mbi mëlçinë që gjendet në krahun e djathtë, menjëherë nën diafragmë. Si pasojë mëlçia zbret poshtë dhe mund të preeket nga mjeku ekzaminator.
Manovra e përshkruar më sipër mundëson që gjatë prekjes së mëlçisë të perceptohet konsistenca dhe parregullsi eventuale të saj.
Mëlçia, kur ka një konsistencë normale, që përkufzohet si parenkimatoze, i shpëton prekjes; ndërsa rritja e konsistencës hepatike, që është ndër të tjera edhe parametër klinik i një rëndësie të veçantë, bën që mëlçia të perceptohet lehtësisht.
Gjatë palpimit të mëlçisë, skaji i poshtëm ndiqet në të gjithë gjatësinë e tij, deri në kufirin e majtë. Kur jemi përballë një rasti zmadhimi që mëlçisë, pra hepatomegali, për të treguar gradën e zmadhimit përdoret vendosja e gishtave në mënyrë trasversale me harkun brinjor. Për shembull, hepatopatitë kronike të cilat shpesh evoluojnë në cirozë japin hepatomegali.

Palpimi i shpretkës – prekja e shpretkës

Në kushte normale shpretka nuk mund të preket meqënëse është e mbuluar, nga brinjët. Palpimi (bimanual) mund të kryhet vetëm në rast zmadhimi të shpretkës, splenomegali, e ka një rëndësi të madhe semeiologjike meqënëse jep të dhëna mbi konsistencën dhe madhësinë e organit në fjalë.

Perkusioni i abdomenit

Gjatë perkusionit të abdomentit, në përgjithësi dëgjohet një tingull timpanik për shkak të një sasie të vogël ajri të ndodhur në tubin tretës. Timpanizmi është shumë më evident në zonën që përket me projektimin e stomakut në sipërfaqen abdominale – e ashtuquajtura zona gjysmëhënore e Traubes.
Perkusioni i abdomenit kryhet me pacientin që qëndron i shtrirë me shpinë. Goditjet jepen në mënyrë rrezore përgjithësisht duke filluar nga kërthiza e duke vazhduar më pastaj drejt periferisë.

Auskultimi i abdomenit

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Gjatë auskultimit të abdomenti mund të dëgjohen zhurmat që i detyrohen aktivitetit peristaltik, të cilat zhduken në rast ileumi paralitik. Po ashtu mund të dëgjohen zhurma vaskulare, fishkëllima që i detyrohen stenozave, për shembull të arteris veshkore apo mezenterike, apo aneurizmave të aortës abdominale.

Rinstinkt Rat, 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————-

Semeiologji – Semeiotika e (rajonit të) qafës

Semeiotika e  (rajonit të) qafës

Ekzaminimi fizik i rajonit të qafës përfshin: Inspektimin, palpimin dhe auskultimin.

Inspektimi (kontrolli)

Qafa ndahet semeiologjikisht në disa rajone. Dallohen dy rajone mesore (të mesit), të klasifikuar në raport me kockën joid; ai mbi-joid dhe ai nën-joid apo laringo-trakeal.

Dallohen katër rajone anësore të cilët janë: nënmaksilar, parotid, karotid dhe mbiklavear. Ekziston edhe rajoni i pasëm i qafës.

Gjatë inspektimit (kontrollit) të qafës vlerësohen: konfromacioni, qëndrimi i mbajtur nga pacienti, dalje (spikatje) apo depresione strukturash, lëvizje të vetvetishme, mbufatje apo fryrje anormale, dëmtime të lëkurës etj.

Palpimi (prekja me dorë)

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) duhet të vlerësohen kocka joide, kërci krikoid, gjëndra tiroide, arteria karotide, muskuli sternokleidomastoid.

Kërkohen edhe pulsacione të aortës dhe/apo të arteries suklavie. Hetohen linfonyjet dhe kryhet më me thellësi ekzaminimi i tiroides.
Vlerësohen mbufatje abnormale, të cilat mund të kenë shkaqe të ndryshme: linfiadenit akut, linfoadenti kronik jospecifik, linfoadenit kronik specifik, sëmundja e Hodgkin, leuçemi limfatike, limfosarkoma , metastaza tumorale, tumor i karotides, ciste anësore brankiale, ciste të mesme të qafës etj.

Palpimi i rajoinit mbijoid

Palpimi i rajoinit mbijoid

Shembull: cistet dhe fistulat e mesme të bashkëlindura të qafës. Lindin nga dukti tireogloss i Bochdalek-ut. Janë të mëdha sa një veë pëllumbi, me sipërfaqe të lëmuar dhe konsistencë elstike (të tendosur). Cistet janë të lëvizshëm në planet sipërfaqësorë, më pak të lëvizshëm në planet e thella duke qenë se janë solidar me kockën joid. Në rast se preken nga procese flogjistike shkaktojnë dhimbje gjatë palpimit.

Cist i mesëm i rajonit mbi-joid

Cist i mesëm i rajonit mbi-joid

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) të qafës vlerësohen edhe limfonyjet çervikale. Vlerësohen linfonyjet çervikale sipërfaqësorë, të thellë, të pasëm, të përparmë, dhe linfonyjet nën-nofullorë.

Tek linfonyjet vlersohet: vëllimi, forma, dhembja gjatë palpimit, lëvizshmëria dhe konsistenca.

 

Auskultimit (dëgjimi)

Gjatë auskultimit të qafës duhet të vlerësohen zhurmat respiratore, zhurmat vaskulare etj.

Ekzaminimet instrumentale

Radiografia, ekografia, dopleri, TAC, angjiografia, endoskopia etj.

© mbi tekstin, Rinstinkt

Semiotika e dhimbjes (3)

Semeiotika e dhimbjes (3)

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme paraqesin karakteristika të ndryshme, siç edhe thashë në shkrimin e mëparshëm, të cilat mund të ndihmojnë në dallimin e tyre.

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja somatike vjen nga struktura të inervuara nga nervat somatikë, si lëkura, muskujt, artikulacionet dhe nga nervat frenikë (të diafragmës). Dhimbja somatike është sipërfaqësore, e mirë lokalizuar dhe perceptohet ng apacienti si dypërmasore. Cilësitë që pacienti i jep dhimbjes somatike janë të tipit përçarës, piçkues e gjithsesi të ndryshueshme në varësi të stimulit dëmtues. Si refleks i dhimbjes somatike pacienti mund të vë re ngurtësi muskulore në zonën përkatëse.

Dhimbja e përbrendshme vjen nga struktura të inervuara nga fibra që shkojnë tek organet e brendshme, qofshin të tipit simpatik apo parasimpatik. Dhimbja e organeve të brendshme është e thellë dhe e keq-lokalizuar dhe perceptohet nga pacienti si trepërmasore. Pacienti i jep dhimbjes së përbrendshme cilësi si: e shurdhët, shtypëse apo e gjerë (sikur përpiqet të zgjerohet). Kur pacienti ka dhimbje nga organet e brendshme merr një qëndrim sikur “paloset më dysh”. Dhimbja nga organet e brendshme projektohet në linjën e mesit të trupit.

Projektimi i dhimbjes në periferi ndjek ligjin e metamerëve: nervi i përbrendshëm dhe nervi somatik që ndajnë të njëjtin metamer hyrës, ndajnë në mënyrë trashanike të njëjtin territor të perceptimit të dhimbjes.

Pavarësisht diferencave mes dy tipave të dhimbjes, jo gjithnjë është e mundur të dallhet e diferencohet dhimbja somatike nga ajo e përbrendshme. Kjo për shkak të mënyrës sesi stimuli algogjen – apo më mirë të them, ndjenja alogogjene ngase kjo mund të lind edhe në mungesë të një stimuli mirëfilli të identifikueshëm – përpunohet nga koreja trunore dhe se si projektohet në periferi.

Kjo mënyrë e perceptimit të ndjenjës algogjene shpesh nuk e bën të mundur dallimin mes zonave të interesuara.

Për shembull, nëse ekziston një dëmtim i nervit somatik që inervon pjesën lëkurore të zonës prekordiale, ku në shembullin tonë është e pranishme dhimbja, perceptimi i dypërmasorllëkut dhe sipërqasësisë së dhimbjes nuk është është i qartë, e kështu mjeku apo kushdo që i shërben të mirës së pacientit duhet të ketë gjithnjë parasysh se kjo dhimbje mund të ketë origjinë nga organet e përbrendshme si zemra apo aorta etj.

Kjo është arsyeja për të cilën përballë një dhimbjeje të perceptuar në zonën prekordiale, ku nuk mund të identifikohet një shkak apo origjinë somatike e qartë, është gjithnjë e këshillueshme ekzekutimi i një elektrokardiogrami (EKG) për të përjashtuar kardiopatinë iskemike. Sidomos nëse nuk flitet për një pacient në moshë të re; ndryshoret janë të shumta e një mjek i mirë duhet të eliminoj më parë ato më të rrezikshmet për jetën e pacientit.

Për të qenë plotësisht të ndërgjegjshëm, apo për të patur një kuadër më të plotë, duhet të përmend edhe një veçori anatomike e fiziologjike të rëndësishme. Atë që shpesh në një metamer hyjnë nerva të përbrendshëm (visceral) nga organe mjaft të largët nga zona sipërfaqësore e inervuar nga nervo somatik përkatës.

Për shembull, dhimbja kardiake përçohet nga nervat kardiakë, disa nga të cilët kanë aferenca drejtë metamerëve të kraharorit, ndërsa disa të tjerë drejt metamerëve çervikalë (të qafës). Kështu, mund të kuptohet se si dhimbja e evokuar apo e ngjallur nga një infarkt kardiak mund të perceptohet edhe në nivel mandibular (të nofullës së poshtme), ose vetëm mandibular, e kështu të ngatërrohet me një problem odontoiatrik.Një tjetër shembull përfaqësohet nga dhimbja frenike: nervat frenikë, ata që inervojnë kupolat diafragmatike, hyjnë në metamerët çervikalë , e kështu një dëmtim i njërës prej kupolave diafragmatike jep një dhimbje qëprojektohet lartë, në rajonin akromial dhe në sjakin e përparëm të muskulit trapez; pra një rajon anatomik mjaft i largët nga diafragma apo projektimi i kësaj në sipërfaqen lëkurore.

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————————————————————————-

Semiotika e dhimbjes (2)

 Semeiotika e dhimbjes (2)

Zakonisht dhimbja ndahet në dy kategori: dhimbje noxiceptive dhe neuropatike.

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja noxiceptive induktohet kur receptorët noxiceptivë (noxa) stimulohen nga një proces indor dëmtues. Dhimbja noxiceptive, pra që varet nga stimuj dëmtues, klasifikohet më tej në dhimbje viscerale (e përbrendshme; që u përket organeve të brendshme, viscera) dhe somatike.

Pra, dhimbja viscerale (e përbrendshme) e ka origjinën në organet e brendshme; shpesh ka një lokalizim trashanik, jo të saktë, të shpërhapur dhe përshkruhet si ngërç-ngjashëm, shtypëse apo kolike nëse lind nga organet zgavrore (si kupshoreja veshkore, ureteri); ose përçarëse apo e shurdhët nëse dhimbja lind nga organe parenkimatoze, solide, si mëlçia për shembull.

Dhimbja somatike, në të kundërt, lokalizohet më mirë dhe përshkruhet si akute, përçarëse, e menjëhershme, pulastive apo e shurdhët.

Dhimbja neuropatike lind kur sistemi nervor qëndror apo periferik ka pësuar çrregullime fiziopatologjike, të cilat e bëjnë funksionimin e tij të pamundur apo jo-efektiv. Dhimbja me origjinë neuropatike përshkruhet si një ndjesi akute, pickuese, djegëse apo elektrike që në shumicën e rasteve rrezatohet në territorin e inervimit përkatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————————-