Ferhormonet tek njeriu

Ferhormonet tek njeriu

Jam i sigurt se pjesa më e madhe e lexuesve të blogut tim e di se çfarë kihet parasysh me termin hormon. Hormoni është një substancë (kimike), që, e leshuar nga një qelizë/ind/organ kalon në qarkullimin e gjakut e mëpastaj mbërrin në qelizën/indin/organin shenjestër, ku në terma probabilistikë lidhet me receptorin përkatës dhe shkakton një reagim të caktuar, molekular, biokimik dhe më të ndërlikuar… Ferhormonet ,për të cilat do shkruaj sot, janë konceptualisht të ngjashme me hormonet, vetëm me një ndryshim: që dalin nga trupi i individit dhe veprojnë mbi trupin, pra organizmin, e një individi tjetër. Termi ferhormon vjen sikundër shumë terma të tjerë të fushës së biologjisë nga greqishjta e vjetër; pherin (të transferosh) dhe hormon (të eksitosh/të stimulosh).

Ferhormoni...

Ferhormoni…

Ferhormonet njihen prej kohësh në shumë lloje gjallesash, kryesisht të rangut më të ulët se njeriu.

Për shembull, njihet ekzistenca e ferhormoneve në komunikimin e bletëve, që janë insekte. Në rastet kur një bletë acarohet nga një stimul i caktuar rrethues, ajo prodhon një ferhormon që lajmëron bletët e tjera në koshere dhe i inkurajon të dalin prej aty duke promovuar agresivitetin në sjelljen e tyre.
Prodhimi i ferhormoneve nga bletët e acaruara, është kuptuar dhe mësuar nga bletërritësii i cili përdor tymin duke qetësuar bletët e stimuluara nga ferhormoni (i cili stimulon sjelljen e tyre agresive). Tymi i shpërndarë nga bletërritësi luan rolin e një inhibitori duke vepruar mbi receptorët e ferhormonit të gjendur në antenat e bletëve. Kështu ferhormoni i lëshuar nga në bletë nuk mund ta lajmërojë bletën tjetër, meqë tymi luan rolin e një zhurmuesi.

Pra ferhormonet nxisin një sërë sjelljesh, në një shumëllojshmëri gjallesash. Ndër këto po përmend edhe një shembull tjetër: atë të vëzhguar në disa lloje gjitarësh të cilët komunikojnë me anë të prodhimit të ferhomrmoneve seksualë.

Meshkujt e disa lloje të gjitarëve hetojnë dhe nuhasin me hundë në rajonin anogjenital të femrës. Hunda e meshkujve përmban një detektor special të ferhormoneve i quajtur organi vomero-hundor (vomeronasal organ). Me anë të nuhatjes dhe ekspozimit ndaj ferhormoneve mashkulli mund të jetë në gjendje të kuptojë nëse femra është duke ovuluar, çka do të ishte një gjë e mirë meqë energjitë e shpenzuara në aktin seksual nuk do të shkonin dëm.

Tani le të flasim pak për ferhormonet dhe njerëzit. Pavarësisht se ferhormonet janë identifikuar në shumë lloje gjallesash, roli dhe ndikimi i tyre në sjelljen dhe komunikimin (jo vetëm seksual) mes njerëzve është debatuar, made ashpër; shpesh edhe me qëndrime jo shumë shkencore. Një nga argumentet që përdoret për të arsyetuar dhe mbështetur tezën e një ndikimi aktual të pakët apo të paqenë të ferhormoneve në komunikimin mes njerëzve ka të bëjë me mungesën e provave për një organ vomero-hundor funksional. Të paktën flitet për mungesën funksionale aktuale, meqë në historinë tonë evolutive në organ të tillë të dekodifikimit të sinjaleve të ferhormoneve me shumë gjasa e kemi përdorur edhe ne, njerëzit.

Ferhormonet mendohet se qëndrojnë pas efektit të famshëm McClintock. Efekti McClintock ka të bëjë me sinkronizimin apo fllimin e njëkohshëm të ciklit menstrual të femrave që jetojnë në afërsi të njëra tjetrës, si për shembull anëtaret femra ne një familje. Efekti ka marrë emrin e psikologes Martha McClintock që hipotizoi e para se ferhormonet ishin përgjegjës për këtë sinkronizim.

Nga një numër jo i vogël studimesh kanë dalë dy steroide me funksion potencial si ferhormone: androstadienoni dhe estratetraenoli. I pari është një metabolit i testosteronit dhe gjendet në farën e mashkullit dhe në sekrecionet e zonës së sqetullës. Estratetraenoli nga ana tjetër është një estrogjen që gjendet në urinën femërore dhe që dihet se ndikon mbi sistemin nervor autonomik të mashkullit.

Sipas një studimi të muajit të fundit në Current Biology ferhormonet mund të kenë një rol në mënyrën se si ne perceptojmë dhe interpretojmë informacionet nën optikën e gjinisë. Kërkuesit që janë marrë me kërkimin hetuan mbi efektet e androstadienonid dhe të estratetraenolit në të atribuarit e gjinisë ndaj një PLW (point light walker). PLW është një bashkësi pikash të ndritshme që përfaqësojnë lëvzijen e një njeriu.

Autorët i ekspozuan subjektet e sekseve apo orientimeve të ndryshme seksuale ndaj androstadienonit, estratetraenolit apo një solucioni kontrolli ndërsa subjektet ishin duke parë lëvizen e pikave të shndritshme, që siç e thashë skematizonin lëvizjen e një njeriu. Subektet menjëherë më pas duhet të thonin nëse në figurën që shikonin, pra tek pikat e shndritshme, shikonin një mashkull apo një femër – sipas perceptimit të tyre.

Kërkuesit shkncorë vunë e se kur meshkujt heteroseksualë ekspozoheshin ndaj estratetraenolit shpeshtia e përgjigjeve “mashkull” binte. Në të kundër ekspozimi i femrave heteroseksuale ndaj të njëtit ferhormon nuk e modifikonte shpeshtinë e përgjigjeve të tyre në terma statistikorë.

Ekspozimi i femrave heteroseksuale ndaj androstadienonit rriste shpeshtinë e prëgjigjeve “mashkull”, por nuk ndikonte mbi shpeshtinë e përgjigjeve të meshkuve heteroseksualë.

Ndërsa rezultatet nga grupet e homoseksualëve dhe biseksualëve ishin disa ambige, jo të qarta. Estratetraenoli nuk kishte efekt mbi shpeshtinë e përgjigjeve, ndërsa androstadienoni rriti numrin e përgjigjeve “mashkull” tek meshkut homoseksualë, por edhe kjo rrite, raportonë shkencëtarët ishte shumë pak domethënëse në terma statistikorë.

Kështu, shkencëtarët hipotizojnë se estratetraenoli dhe androstadienoni qenë duke influencuar (biasing), respektivisht, burrat i pari dhe gratë i dyti, duke i bërë që në pikat e ndritshme të shikonin seksin e kundërt. (Pikat e ndritshme, ishin po të njëjtat, ajo që ndryshonte ishte perceptimi i subjektit pas ekspozimit ndaj ferhormonit të prodhuar nga seksi i kundërt.) Autorët thonë se këto substaca përçojnë informacione rreth maskulinitetit dhe femininitetit.

Autorët shtojnë se ka akoma shumë gjëra që mund të mësohen dhe se edhe pse ferhormonet në fjalë mund të përçojnë informacione specifike mbi gjininë e një subjekti, efekti i tyre në sjelljen e njeriut të sotëm mund të jetë i neglizhueshëm. Pra ferhormonet mund të jenë një mbete e historisë tonë evolutive të cilat mund të mos kenë ndonë ndikim domethënës. Ose në krahun e kundërt, mund të jenë pjesë e një sistemi të ndërlikuar komunikimi qëë vepron ende edhe sot, mes njerëzve, ndërsa jemi tërësisht të pandërgjegjshëm për to. Dhe ky sistem i rëndësishëm mund të ketë ndikime të forta në jetën tonë, siç mund të jetë zgjedhja e partnerit.

 

Bibliografia:
Zhou, W., Yang, X., Chen, K., Cai, P., He, S., & Jiang, Y. (2014). Chemosensory Communication of Gender through Two Human Steroids in a Sexually Dimorphic MannerCurrent Biology DOI: 10.1016/j.cub.2014.03.035

[Përshtatur nga: Neuroscientifically Challenged]

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————————————-

Reklama

Si përcaktohet seksi i individit

Përcaktimi i seksit

ADN-ja, pra materiali gjanetik, i pranishëm në të gjitha qelizat – me funksion atë të drejtimit të zhvillimit harmonik të organizmit – tek njeriu është i ndarë në 46 pjesë, të quajtur kromomozome, të cilët janë të dukshëm veçanërisht gjatë ndarjes qelizore.

Në çdonjë qelizë këto 46 kromozome janë të ndarë në çifte: 22 çifte janë të pranishëm në qelizat e të dyja sekseve, femër dhe mashkull (kromozomet autosomike), ndërsaa dy kromozomet e fundit, të cilët mund të jenë të njëjtë apo të ndryshëm, paraqiten në kombinime të ndryshme tek mashkulli dhe tek femra (kromozomet seksuale, të shënuar me X dh Y).

Të gjitha qelizat e organizmit të femrës kanë 2 kromozome X, ndërsa qelizat e trupit të një mashkulli kanë një kromozom seksual X dhe një Y.

zhvillimi i organeve gjenitale te jashtme

Evoluimi embrional i organeve gjenitale të jashtme, tek femra (në të djathtë) dhe mashkulli (në të majtë)

Kjo diferencë në materialin gjenetik prodhon si korolar të vetin gjithë ndryshimet e tjera që dallojnë mashkullin nga femra.

Diferenca lidhet, padyshim, me procesin riprodhues: çdonjë individ lind nga shkrirja e një qelize seksuale femërore (veza) me një qelizë seksuale mashkullore (spermatozoidi). Kujtoj se qelizat seksuale përmbajnë vetëm gjysmën e setit kromozomik normal. Pra qeliza seksuale femërore, veza, përmban në bërthamën e saj 22 kromozome autosomike dhe një kromozom seksual X. Ndërsa qeliza seksuale mashkullore (spermatozoidi) përmban 22 kromozome autosomike dhe një kromozom X ose Y.

Nëse qeliza vezë fekondohet nga një spermatozoid me kromozom seksual X do të prodhohet një zigotë e mëpastaj një individ i seksit femër. Në të kundërt, nëse spermatozoidi që fekondon qelizën vezë përmban kromozomin seksual Y individi do të jetë i seksit mashkull.

Ky është, në linja të trasha, kuadri gjenetik nga i cili merr origjinën seksi një individi.

Gjenet që gjenden në “trupin” e kromozomeve seksualë X dhe Y, drejtojnë zhvillimin e aparatit seksual dhe të karakteristikave seksuale dytësore.

Duke filluar nga gungëza gjenitale e papërdalluar (pa diferencuar) që është e pranishme në embrionët 4-7 javësh, brenda javës së 12-të të shtatzanisë zhvillohen karakteristikat që dallojnë aparatin gjenital mashkullor nga ai femëror.

kriptoorkidit bilateral

1-unaza inguinale sipërfaqësore 2-epididimi 3-testikuli 4-tunica vaginale 5-pjesë e veshjes së ardhshme të testikulit 6- skrotumi 7-penisi 8- linea alba 9- fshikëza e urinës 10-peritoneumi parietal

Gjithsesi, duhet thënë se, ka shumë probleme që mund të lindin gjatë kësaj faze zë zhvillimit.
më i shpeshti është kriptorkidia, pra “mos-zbritja e testikulit”; në fakt gjatë zhvillimit embrional, tek mashkulli, testikujt zhvillohen të gjandur në zgavrën endoabdominale, tamën si vezoret e femrës. Dalngadalë, gjatë zhvillimit, testikujt spostohen,apo më mirë të them, zbresin, derisa në momentin e lindjes gjenden të pozicionuar në trastën skrotale.

Gjithsesi, ndonjëherë, kjo zbritje e testikulit/testikujve nuk kompletohet dhe në momentin e lindjes mund të gjende akoma në zgavrën abdominale.

Jo gjithnjë nevojitet ndërhyrja kirurgjikale ngase zbritja e testikujve mund të përfundojë plotësisht gjatë vitit të parë të jetës, apo në raste të rralla edhe gjatë adoleshencës.

Rinstinkt 2013

—————————————————————-

Shkenca e seksit

Shkenca e seksit

Seksi është një temë që ndjell reaksione nga më kuriozet, që prej të skuqurit e buzëqeshja e deri tek indinjata. Përtej normave dhe moralit shoqëror, seksi është shumë i rëndësishëm. Pa të, asnjë nga ne nuk do të ishte këtu; në fakt, jeta ne Tokë mund të mos kishte evoluar përtej disa formave të thjesha.

Riprodhimi seksual – shkrirja e gametëve për të rikombinuar gjenomët prindëror në një gjenotip të ri – me probabilitet lindi rreth 1.2 miliardë vite më parë ndër eukariotët primitivë. E tepërt të themi se riprodhimi seksual u bë menjëherë një sukses i madh: seksi lejoi që evolucioni të ndërronte marshat, nga një ecje e qetë në një shpejtësi supersonike, në krijimin e formave të jetës me kompleksitet në rritje e sipër. Përpara seksit, diversiteti gjenetik realizohej vetëm nga mutacionet e rastësishme të gjeneve. Seksi e ndryshoj këtë gjëndje thellësisht.

Riprodhimi seksual mikson (përzien) dy sete alelesh prindërore dhe në këtë mënyrë krijon më shumë diversitet në një brez të vetëm, më shumë nga sa është e mundur nga mutacionet e rastësishme. Për më shumë, mutacionet potencialisht benefit-sjellëse kanë më pak mundësi për t’u zhdukur. Ne organizmat diploid, mutacioni do të rezervohej së bashku me alelet e tjera në pamje të parë  të pa nevojshme, në grumbullin gjenetik të një popullatë. Këto alele janë vazhdimisht, në menyrë konstante, të përziera me njëra tjetrën, për të krijuar fenotipe të reja që i përshtaten më mirë dhe që mund të lulëzojnë në botën që është në ndryshim e sipër. Në thelb, seksi e rrit ndjeshmërisht gjenerimin e diversitetit gjenetik dhe fenotipik, me të cilët mund  të punojë seleksioni (natyror). Ndërsa biologët njohin dhe vlerësojnë rëndësinë e madhe të seksit tek evolucioni, pyetjet se si dhe pse ai lindi mbeten ende pa përgjigje.

Seksi nuk është i rëndësishëm vetëm në terma evolutivë ose biologjik, ai gjithashtu ka patur një influencë të madhe në historinë njrëzore, kulturën dhe shoqërinë. Seksi inspiroi “Iliadën” e Homerit, “Romeo dhe Xhulieta” të Shekspirit, “Dekamerunin” e Bokaçios, dhe shumë vepra të tjera. Sa e mërzitshme do të ishte jeta pa seksin qe ngacmon dhe ngjall pasionet tona!?

Shoqëritë moderne gjithnjë e më tepër e kanë ndarë kënaqësinë e aktit seksual nga qëllimi i tij – riproshimi seksual – aq sa seksi dhe identiteti seksual janë bërë forma shprehjeje, më shumë se thjesht funksione biologjike. Shpikja e kontracepsionit ka bërë që çiftet t’i gëzohen aktit seksual pa u dashur që të përballen me pasojat e këtij akti. Gjithashtu ka patur një impakt të thellë në shoqërinë njerëzore, në veçanti duke i dhënë shkas revolucionit seksual që e liroi femrën nga kthetrat e shtatëzanisë së padëshiruar. Më së fundmi, teknologjitë për riprodhimin e asistuar i kanë lejuar njerëzit që të kenë bebe (foshnja) pa kryer interkursën seksuale (pra, pa patur një raport seksual fizik). Nuk është ende e qartë se kur dhe se si kjo do të prek shoqërinë, por mund të ketë pasoja të thella, edhe sepse teknikat janë ende mjaft jo efiçiente.

 

Rinstinkt 2012, (përshtatje)

——————————————————————————————-