Përsiatje mbi identifikimin e SARS-CoV-2 në Shqipëri

Vini re! Ky shkrim përmban përsiatjet e mia personale, dhe kurrsesi nuk ka synim të zëvendësojë rolin, këshillat apo urdhëresat e autoriteteve përkatëse.

Më në fund, edhe në Shqipëri u diagnostikuan rastet e para të koronavirusit, i cili po merr emrin zyrtar SARS-CoV-2.

Këto ditët e fundit, në shaka e sipër disa të afërm dhe miq komentonin se si Shqipëria dhe shqiptarët janë njerëz të fortë dhe sëmundja nuk po na prek. Kjo vërtet që do të ishte e dëshirueshme, por jo e vërtetë, e gjithsesi e pamundur.

Personalisht, pak për shkak të njohurive biomjekësore, pak për shkak të intuitës, e kisha të qartë se virusi nuk mund të na linte mënjanë, jo vetëm sepse nuk po shikoja masa publike qeveritare por as masa personale pprej ndërgjegjësimit për të parandaluar përhapjen në teritorin e vendit tonë.

Për më tepër nuk ka sesi ne të qëndronim të painfektuar, ndërsa një nga partnerët tanë ekonomik më të mëdhenj, Italia (me të cilën ne shkëmbejmë mallra, shërbime dhe lëvizje njerëzish çdo ditë) ka një përhapje goxha të madhe të virusit në teritorin e vet. (Në Itali, numri i të infektuarve, dyfishohet çdo çdo 2-3 ditë.)

Është po ashtu bindja ime se përtej rasteve tanimë të evidentuara në Shqipëri, duhet medoemos të ketë edhe të infektuar të tjerë, jo thjeshtë asimptomatikë, pra thjesht bartës të virusit, por edhe individë që janë sëmurë por ngase sëmundja tek ata po zhvillohet me simptoma modeste apo të lehta (që i ngjasojnë gripit) nuk janë nën vëmendjen e personelit mjekësor. Kjo sëmundje, ky infeksion, në pjesën më të madhe të të infektuarve kalon patëkeq. Vetëm rreth 10% e atyre të zhvillojnë sëmundjen janë raste të rënda, që përfundojnë në terapi intensive për shkak të vështirësisë në frymëmarrje. (Kjo % është e përafërt, dhe mund të jetë më e vogël, meqë, siç e përmenda më sipër, tek pjesa më e madhe e individëve sëmundja kalon pa problem në harkun e 1-2 javëve dhe mund të mos dallohet nga një influenca/gripi, ndaj edhe nuk bien nën vëzhgimin e mjekëve ngase nuk raportohet e kështu me gjasa nuk ka sesi të përfshihet në statistika.)

Një përqindje edhe më e vogël vdesin, që nga të dhënat e deritanishme nga vendet e tjera është rreth 1-2% (megjithëse edhe kjo mund të jetë më e ulët meqë shumë raste shërohen pa probleme, pa e marrë vesh mjeku, dhe kalojnë të pa sinjalizuara.)

Nga të dhënat e derimëtanishme, nga sa kam lexuar dhe kuptuar unë, një person i infektuar (që nuk duhet medoemos të ketë zhvilluar sëmundje në aparatin frymëmarrës) mesatarisht infekton 2 individë të tjerë… e kështu me rradhë. (Të gjithë besoj e kuptojmë se, përveç analizës laboratorike, nuk ka mënyrë tjetër për të konfirmuar nëse jemi infektuar, apo nëse sëmundja e aparatit të frymëmarrjes – që fare mirë mund të jetë prej gripit apo cilitdo infeksioni tjetër – vjen prej SARS-CoV-2.). Ndaj edhe këta individë të infektuar me gjasa kanë infektuar të tjerë individë, e kështu me radhë, infeksioni përhapet në mënyrë eksponenciale.

*Kalojnë disa ditë deri në 1 javë përpara se virusi të japi shenja të infeksionit të vet. Kjo quhet periudha e inkubimit apo inkubacionit.

Tani, me gjasa, edhe qeveria Shqiptare (edhe pse tepër vonë në mendimin tim personal) do të tentojë të ndërmarri disa masa për parandalimin e përhapjes së mëtejshme, pra tentativa për të moderuar shpejtësinë e përhapjes. Këto masa, nuk janë për të mbrojtuar mua, apo individë të tjerë të rinj e të shëndetshëm, por janë për të mbrojtur sistemin shëndetësor për të mos e ngopur dhe mbi të gjtha për të mbrojtur individët e brishtë, si të moshuarit apo ata që vuajnë nga patologji të tjera domethënëse që janë ata që vuajnë më shumë nëse infektohen nga ky virus.

Nëse virusi përhapet gjerësisht në popullatë, do të rritet numri i të infektuarëve, por po ashtu do të rritet edhe numri i atyre që zhvillojnë një sëmundje të rëndë dhe që kanë nevojë për kura mjekësore më të specializuara. Dhe ky është, apo më saktë, ka gjasa të jetë problemi kryesor. Jo thjeshtë një ngopje (sepse ajo po ndodh tanimë në sistemin shëndetësor Italian që ka më shumë resurse sesa i yni), por një përmbytje e sistemit shëndetësor.

Me gjasa repartet infektive, të pneumologjisë dhe të terapisë intensive shumë shpejtë do të shterrojnë vendet në dispozicion dhe kjo do të kërkojë një përfshirje të reparteve të tjera. Por nuk duhet të bëjmë një gabim elementar… nuk duhet të harrojmë se përveç SARS-CoV-2 kemi edhe sëmundje të tjera; ka edhe pacientë që vuajnë nga të tjera patologji, infektive, të zemrës, traumatike etj. Mund të ndodhi që një pacient me patologji kardiake, i cili ka nevojë për një shtrim në terapi intensive, nuk do të gjejë vend sepse vendet do të jenë zënë nga emergjenca e koronavirusit. Nëse nuk merren masa për të moderuar shpejtësinë e përhapjes këto skenarë medoemos do të ndodhin, siç po ndodhin në Itali për shembull.

Në këtë fazë, tani që dihet që virusi po qarkullon në Shqipëri, autoritetet mjekësore, duhet të tregohen strategjike, duke patur parasysh edhe dobësinë e vendit tonë me “shëndetësinë falas”.

Ndaj, të gjithë duhet të mundohemi që që të ndjekim ato udhëzime që rëndom na thuhen, që prej shmangies së kontakteve ndërpersonale të ngushta, ruajtjes së distancës 1 m, larjes së duarve, si dhe të të mos mbledhjes së bashku (shkolla, çerdhe, festa). Pra t’ia bëjmë jetën virusit më të vështirë. Nuk duhet menduar se ngase shkollat janë mbyllur ne mund të shkojmë e të hamë pica në restorant me shokët e shoqet, në të kundërt. duhet të kufizojmë sa më shumë të jetë e mundur ndërveprimet dhe kontaktet me të tjerët, sepse çdo kontakt rrit probabilitetin për infektime të mëtejshme.

Të gjitha këto masa kanë synimin që të moderojnë përhapjen dhe shpejtësinë e përhapjes së virusit, në mënyrë që t’ia bëjnë më të lehtë punën personelit mjekësor. Nëse ndodh një përhapje e gjerë e virusit, atëherë menaxhimi dhe trajtimi i të sëmurëve do ta vendosi shëndetësinë tonë të brishtë edhe në më shumë vështirësi.

 

Rinstinkt blog gjatë vitit 2013

Rinstinkt blog gjatë vitit 2013

Disa statistika mbi Rinstinkt Blog

Rinstinkt Blog, gjatë vitit 2013 është parë 240,000 herë. Gjatë vitit blogu ka patur 215 postime të reja, duke e pasuruar edhe më arkivën e blogut, ku tanimë gjenden 635 postime.

Dita me më shumë vizita ka qenë 5 Nëntori me 1,607 vizita.

Numra... numra... numra

Numra… numra… numra

Nga erdhën vizitorët e Rinstinkt Blog gjatë vitit 2013?

Statistikat e WordPress-it më thonë se vizitorët dhe lexuesit e mi kanë ardhur kryesisht nga tre vende: Shqipëria (182,755), Kosova (19,089) dhe Maqedonia (15,468). Ndjekin vende të tjera europiane në të cilat jetojnë shqiptarë, si Italia (5,543), Gjermania (3,263) dhe Greqia (1,726).

Klikime... klikime... klikime

Klikime… klikime… klikime

Rinstinkt Blog aktualisht ndiqet nga mbi 400 persona, rreth 300 prej të cilëve nëpërmjet Facebook-ut (pjesa tjetër nëpërmjet postës elektonike dhe e-mail-it).

Tabula rasa

Tabula rasa

Për shkak të disa impenjimeve të jetës personale nuk kam mundur të trajtoj siç duhet disa tema pikante, të cilat përndryshe janë mjaft të rëndësishme, sipas pikëvështrimit tim.

Sibyl with Tabula Rasa - Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Sibyl with Tabula Rasa – Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Një nga këto ka të bëjë me mënyrën e konceptimit të mendjes, nga shoqëria njerëzore në përgjithësi, e nga shoqëria shqiptare në veçanti meqë në vijim do të jap nja dy shembuj emblematikë që ilustrojnë këtë tentakulë obskurantiste që tenton gjithnjë e më shumë të zgjerojë fushën e vet të influencës.

Ekziston një nocion humanist i mendjes së njeriut, sikur kjo të ishte njëfarë faqe e bardhë ku mund të shkruhet, fshihet e rishkruhet ex novo gjithë përmbajtja e individit, pra sjellja e individit dhe entiteti individ në terma të kulturës dhe të mësimit (tabula rasa – latinisht).

Por çfarë thotë kjo tezë mbi mendjen njerëzore?

Sipas tezës së tabula rasa-s (parafrazim): qeniet njerëzore janë të ndryshme nga kafshët e tjera, në disa aspekte. Para së gjithash sepse kafshët e transmetojnë të gjithë informacionin mes tyre, apo një pjesë të mirë të informacionit, në mënyrë gjenetike, pra pa praninë e komunikimit simbolik; kështu komunikimi mes kafshëve është në pjesën më të madhe i lindur, gjenetik, ndryshe nga ai njerëzor i cili realizohet nëpërmjet çdo lloj komunikimi simbolik. Për më tepër që, njerëzit – thotë teza tabula rasa – janë të lirë nga çdo llojë ngërçi apo kufizimi natyror.

Kështu, më tej, njerëzit nuk janë asfare të ndikuar nga substrati fizik trunor, i cili trashëgohet në mënyrë gjenetike. Sipas tabula rasas dhe një pjese të mirë të të ashtuquajturve humanistë, përbmajtja e medjes së njeriut rezulton të jetë vetëm e vetëm (!) një produkt i proceseve kulturore apo historike, duke e anashkaluar tërësisht përbërësen fizike të mendjes, pra substratin fizik mbi të cilin kjo zhvillohet (sikundër hardware-i i një kompjuteri), tanimë të gjithënjohur.

Por përse lindi dhe u përhap një tezë e tillë?

Modeli i trumpetuar nga tabula rasa lindi gjatë ‘900-s, kryesisht, si një teori që i kundërvihej njëfarë mënyre të perceptimit të evolucionit; si një tentativë për të kundërshtuar evolucionizmin i cili perceptohej (gabimisht) si i drejtuar për tek H. sapiensi, me njëfarë determinizmi gjenetik kushtetues.

Për më tepër edhe në kundërshtim me konceptimin e shtrembëruar letraresk-filozofik të evolucionit në vitet ‘900, një evolucion jo-darvinian, jo kritik, jo shkencor. Evolucioni ishte i shrembëruar nga fryma letrare-filozifike, e vetëquajtur humaniste, por që në të vërtetë po tjetërsonte një dije të rëndësishme të njerëzimit, duke i dhënë këtij të fundit një tezë të errët, me pasoja obskurantiste, si tabula rasa, mbi të cilën gjatë historisë janë ngritur dhe vazhdojnë të qëndrojnë influente në disa vende, disa pseudoshkenca (të një pseudo-intelektualizmi të pashoq).

Kështu, evolucioni ishte ortogjenetik, apo thënë ndryshe bergsonian, e që përkiste në fund të fundit me mbijetesën e më të përshtatshmit, e kuptuar kjo mbietesë si një përmirësim i vazhdueshëm, i orientuar drejtë një shkalle gjithnjë e më të madhe ndërlikimi. (Në të vërtetë nuk është kështu. “Mbi të qenit Njeri”)

Natyrisht, asokohe kishte edhe nga ata që e njihnin mirë evolucionin dhe implikimet që ky kishte mbi perceptimin e fenomeneve të jetës, por duhet thënë se ishin të paktë, të pa-zë, përballë turmës së të vetquajturve intelektualë letrarë.

Tabula rasa përqafohet menjëherë nga shkencat sociale, nga antropologët shoqërorë dhe kulturorë; bëhet kështu një tezë që shërben si model standard për zhvillimin e këtyre.

Fatkeqësisht, përhapja e këtij modeli të rrejshëm të mendjes njerëzore, implikon ndër të tjera edhe një rezufim foshnjërak – pa mundësi dialogimi – të substratit fiziologjik, funksional, evolutiv të trurit e mëpastaj mendjes si rezultante e aktivitetit elektriko-kimik.

Tabula rasa është sot e diskredituar; përballë avancimeve të biologjisë evolutive, e ngritur mbi një lloj kërkimi shkencor darvinian. Biologjia evolutive zbulonte dhe evidentonte njëra pas tjetrës modele të evolucionit mbi Tokë; zbulonte dhe demarkonte kufijë gjithnjë e më të imtë mes asaj çka është kulturë e çka jo.

Tabula rasa, e lindur nga spekulimet letrare-filozofike të një lloj të caktuar mbi procesin evolutiv, u mbyll në vetvete, e papenetrueshme nga kritikat biologjike e shkencore… duke përfunduar në shterpësi.

Sot, në fund, modeli antropologjik i tabula rasas është thyer, së pari nga gjenetika e popullatave e cila arrin t’i mbajë larg leximet dhe deformimet reciste të të dhënave; mëpastaj nga zbulimet shencore, të psikologjisë zhvillimore, etologjisë konjitive etj.

Tabula rasa është analizuar mirë nga Steven Pinker, i cili ndër të tjera identifikon edhe anët e errëta të këtij deformimi me origjinë letraro-humaniste të natyrës së mendjes, mbi kushtetutën e të cilës, fatmirësisht për të gjithë ne, sot flet vetëm shkenca. (Perifrazim nga Pinker: tabula rasa, me pretendimin e një boshllëku të lënë nga natyra, e mbushi zbrazëtinë me interpretime që i vinin përshtat regjimeve totalitare [pasojat dihen]).

[Përshkrimi i mësipërm e citon Pinkerin vetëm për sa i përket çështjes në fjalë; jo për të tjera koncepte, për të cilat nuk po shprehem aspak.]

© mbi tekstin Rinstinkt

———————————————————————————-

Përse shkruaj

Përse shkruaj

Ndonjë i afërm më qorton për kohën që i kushtoj blogut, shkrimeve e përkthimeve që bëj. Në fakt më qortojnë, mendoj, për anën jofitimprurëse të kësaj pune. Gjithçka gjendet në këtë blog, jepet për publikun, falas, me qëllimin e vetëm të informimit apo të ngjalljes së njëfarë ndjenje kritike pas zotërimit të informacionit.

Një ndër interesat e mi parësor ka qenë gjithnjë ai i të reflektuarit mbi prosecet natyrore të fenomenit të jetës, kuptuar në të gjitha nuancat e veta. Kjo më ka shtyrë të shuaj kurreshtjen time mbi shumë procese. Dhe kjo është bërë e mundur vetëm falë shkencës dhe metodës shkencore.

Ky blog, tani për tani, mirëmbahet nga një anonim, një identitet me një tjetër maskë. Gjithsesi nuk mohoet se në një të ardhme identiteti mund të bëhet publik.

Jam i mendimit se esenca, thelbi, apo baza e individit qëndron në mendjen e vet. Entiteti dhe identiteti im, dhe i çdo personi, është i ndërlidhur me trurin dhe proceset e sipërme që lindin prej aktivitetit të tij. Kështu, për të njëjtën arësye, që prej kohëve më të hershme të jetesës njerëzore të ndërgjegjshme, nuk i trembemi vdekjes apo gjymtimit të trupit por ndalesës së ndërgjegjjes dhe mendjes, që siç thashë konsiston në shprehje të aktivitetit trunor.

Lloji ynë ka njëfarë ankthi për vdekjen, saqë ka zhvilluar (me baza apo pa baza) konceptin e shpirtit për t’i shpëtuar fundit të pashmangshëm së qenies së vet individuale. Individuale, po, sepse qenia shoqërore karakterizohet nga të tjera veti – ne në kuptimin shoqëror do të ekzistojmë ende, në kujtimet e në shkrimet e të tjerëve, në varësi të relatave që kemi patur gjatë jetës sonë.

Shkrimi përbën regjistrim të mendimit të individit, një mënyrë për të ruajtur pjesë nga mendimet  e veta përtej vdekjes fizike, si njëfarë fotografie e mendjes. Por përtej këtij aspekti të zymtë, shkrimi shërben edhe si fotografi të cilën mund ta shohësh pas disa kohe dhe të shohësh evoluimin, avancimin apo regresin tënd, krahasuar me atë çke qenë në momentin e shkrepjes së fotogafisë së mendjes.

Të shkruarit ndihmon edhe arsyetimin, duke organizuar, sistemuar e konsoliduar ide dhe mendime që përndryshe do t’i merrte era. Aftësia për t’u shprehur të qetëson ndërsa paftësia për të komunikuar mendimet e veta tek të tjerët prodhon frustrim dhe njëfarë mbylljeje në vetvete.

Dëshira ime për të ndarë njohuritë dhe frutet e punës time jofitimprurëse kushtëzojnë edhe karakterin tim. Në jetën e përditshme kërkoj vetminë dhe qetësinë, që të japin shtysa për reflektim. Gjithsesi nuk u shmangem shkëmbimeve të koncepteve, qofshin edhe diametralisht të ndryshme, mjaft të respektohet një bazë gjykimi e përbashkët.

Rinstinkt, Janar 2013