Testi i Allenit – Prova e Allenit

Testi i Allenit – Prova e Allenit

Testi i Allenit apo prova e Allenit është një test mjekësor i natyrës klinike që përdoret për të vlerëuar afluksin e gjakut drejtë dorës.

Për ata që nuk e dinë, organet dhe indet e trupit furnizohen me oksigjen dhe lëndë ushqyese dhe njëkohësisht nga to largohen mbetjet e metabolizmit dhe dioksidi i karbonit nëpërmjet enëve të gjakut. Enët që furnizojnë indet dhe organet me gjak, janë enët arterioze, pra arteriet – që mund të jenë të kalibrit të ndryshëm.

Dora furnizohet pra nga arteriet e veta, që janë ajo ulnare dhe ajo radiale. Arteria radiale është ajo, që në një pozicionim të parakrahu “me kurriz”, kalon në afërsi të gishtit të madh. Arteria radiale është, ndër të tjera e perceptueshme në sipërfaqe – pra ajo enë gjaku pulsacionet e të cilës përbëjnë atë që quhet “puls”.
Arteria ulnare kalon në krahun e kundërt të parakrahut, pra në pozicionimin e këtij “me kurriz” (supin), kalon në anën e jashtme.

Arteriet e dorës  (Sobotta)

Arteriet e dorës (Sobotta)

Por le të rikthehemi tek testi apo prova e Allenit. Prova kryhet për qëllime të ndryshme, me të cilat unë nuk do të merrem gjerësisht. Do të mjaftohem vetëm në përmendjen e hemogasanalizës, që ka të bëjë me marrjen e një sasie të caktuar gjaku arterioz (!) i cili mëpastaj nëpërmjet një aparature analizon sasinë/përqëndrimin e gazrave në të.

Përse hyn në punë testi/prova e Allenit, dhe cila është logjika që qëndron pas provës?

Testi i Allenit heton përshkueshmërinë e dy arterieve të dorës nga gjaku. Në mënyrë që të realizohet (qetësisht, pa kokëçarje) një procedurë marrje gjaku për hemogasanalizën kërkohet që pacienti të ketë një përshkueshmëri normale të gjakut në arterien kundërlaterale me atë ku kryhet ndërhyrja. Kjo sepse ndërhyrja në vetevete, sado e kontrolluar, mund të shkaktojë dëme, e gjithsesi, ndërlikime të mundshme duke bllokuar apo ngushtuar lumenin e arteries. Zakonisht hemogasanaliza realizohet në arterien radiale.

Testi i Allenit përbëhet nga disa etapa të njëpasnjëshme, dhe fare të thjeshta.

Skemë ilustruese që tregon se si realizohet testi/prova e Allenit.

Skemë ilustruese që tregon se si realizohet testi/prova e Allenit.

Së pari i kërkohet pacientit që ta orientojë parakrahun verikalisht dhe njëkohësisht të shtrëngojë grushtin, në mënyrë që gjaku i ndodhur në enët e dorës të largohet. Kjo etapë duhet të zgjasi rreth 30 sekonda në mënyrë që të mundësohet një zbrazje adeguate.
Menjëherë më pas, operatori ushtron një presion të njëkohshëm mbi arteriet radiale dhe ulnare, duke i bllokuar. Gjatë kësaj kohe dora dhe indet e saj shfaqen të zbehta nga mungesa e gjakut. Në këtë moment vjen edhe pika kulmore, pra më e rëndësishme e testit.

Nëse duam të hetojmë “funksionalitetin” e arteries ulnare, atëherë operatori ndalon së ushtruari presion mbi këtë arterie. Në këtë moment arteria ulnare zhbllokohet dhe gjaku kalon sërisht në të duke i dhënë dorës ngjyrën normale; ky proces në pjesën më të madhe të rasteve ndodh brenda 5-7 seknondave. Nëse dora, dhe në veçanti shtrati i thonjëve, nuk rimerr ngjyrën e vet normale brenda kësaj kohe, kjo është shenjë e pozitivitetit të testit apo provës së Allenit.

Pra testi është pozitiv nëse nuk, theksoj!, nuk konstatohet një ringjyrosje e dorës (nga gjaku) brenda 5-7 sekondave.
Nëse, në të kundërt, testi është normal, pra negativ, kjo do të thotë se arteria radiale mund të shpohet pa kokëçarje meqë arteria tjetër që furnizon dorën është funksionale, pra e përshkueshme nga gjaku, dhe në rast obstruksioni të a radiale – ku kryhet ndërhyrja – a. ulnare mund ta ushqejë dorën me gjak.

 

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————-

 

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Sëmundjet arteriosklerotike të zemrës

Sëmundjet arteriosklerotike të zemrës

Lyrat/lipidet janë thelbesore për funksionimin e shumë organeve të trupit, dhe është normale qe ato të gjenden  në qarkullimin e gjakut.  Në muret e enëve të gjakut të të gjithë individeve (vecanërisht në arteriet me kalibër (diameter) të mesem dhe të lartë), që nga fillimi i jetës, fillojnë e ndertohen struktura të përbëra nga materiale lyrore.

 

Ilustrim i aterosklerozës (Përshtatur nga Wikipedia)

Ilustrim i aterosklerozës (Përshtatur nga Wikipedia)

Me kalimin e kohës tek individet/njerëzit fillon trashja dhe fortësimi (ngurtësimi) i arterieve, një proces i njohur si arteriosklerozë. Në disa njerez/individë shkalla e depozitimit të lipideve (lyrave) në muret e arterieve është me e lartë (me e shpejte) se tek individe të tjerë. Rezultati mund të jetë atheroskleroza (athero i referohet lipideve).

Gjithesi duhet thënë se dy termat – arteriosklerozë dhe atherosklerozë – përdoren për të shprehur të njëjtën gjë. Atheroskleroza është një tip arterioskleroze që karakterizohet nga depozitimi,  në veshjen e brendshme të arterieve, i një pllake lyrore. Pllaka lyrore është një amalgam (përzierje) substamcash lyrore, kolesteroli, mbetjesh qelizore, kalciumi dhe materiali të koagulimit të gjakut, pra fibrinës.

Arterioskleroza është e rrezikshme veçanërisht  në rast se ena e prekur është një arterie koronare, pra një arterie që furnizon me gjak muskulin e zemrës. Kjo gjendje quhet CAD (coronary artery disease).

Lumeni i një arterie koronare duhet të ngushtohet (zvogelohet) me 50-70% të diametrit të vet normal përpara se reduktimi i prurjes së gjakut në muskulin e zemrës të konsiderohet si serioz ( në rrezik për aktivitetin normal kardiak dhe jetën e pacientit).

Për të emërtuar këtë lloj sëmundje përdoret edhe termi CHD – coronary heart disease, që i referohet një gjendje ku simptomat rezultoj në nga një CAD  në stad të avancuar. CHD shkakton rreth 500,000 të vdekur çdo vit, dhe është shkaku kryesor i vdekjes se njerëzve sot, të paktën në Amerikë.

Sëmundjet arteriosklerotike shfaqen edhe jashte zemrës. Pervec angina pectoris-it dhe CHD-së, efektet e arteriosklerozës, mund të perfshijnë një bllokim të një ene gjaku perferike (për shembull një nga enët që furnizojnë këmbët). Këto komplikacione, pra arterioskleroza tek enët periferike, shfaqen atëhere kur e enët bëhen shumë të përdredhura ose të bllokuara.


Rinstinkt 2012

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————————-