Njerëzit që vuajnë nga depresioni shprehen ndryshe nga njerëzit e tjerë…

Njerëzit që vuajnë nga depresioni e përdorin gjuhën, pra të folurit dhe të shkruarit, ndryshe nga njerëzit e tjerë…

Ndoshta të gjithë e dinë se depresioni (sëmundja e depresionit, dhe jo thjeshtë një ndjenjë mërzie kalimtare) shkakton ndryshime tek mënyra se si njerëzit sillen, si ndërveprojnë me të tjerët, se si, sa dhe kur flenë gjumë etj.

Por ndoshta asnjë nuk e di se depresioni ndyshon edhe mënyrën se si individi flet, shkruan dhe shprehet. Dhe ky ndryshim në mënyrën e të folurit natyrisht që ndikon në mënyrën se si të tjerët na perceptojnë.

Shkencëtarët janë përpjekur prej kohësh që të hetojnë këtë bashkëlidhje mes depresionit dhe ndryshimeve që individët pësojnë në mënyrën se si ata shprehen, por kjo ka qenë një punë e vështirë deri para pak kohësh, sepse analizat gjuhësore, pra analizat linguistike, kryheshin duke lexuar dhe duke mbajtur shënime – që natyrisht për të realizuar studime domethënëse me monstra të mëdha kërkon një kohë të gjatë dhe një impenjim tepër të ekzagjeruar.

Ndërsa në ditët e sotme këto analiza/hetime bëhen më të thjeshta falë teknologjisë dhe metodave kompjuterike që janë të afta ta analizojnë tekstin, apo pjesë të gjëra teksti, në pak minuta.

Dhe kështu mbërrijmë tek studimi në fjalë, që është botuar në Clinical Psychological Science, dhe që ka identifikuar një klasë fjalësh që mund t’i ndihmojnë shkencëtarët në parashikimin nëse dikush është duke vuajtur nga depresioni apo jo. Thekoj: mund, sepse këto parashikime janë akoma tepër rudimentale dhe kanë nevojë për zhvillim të mëtejshëm dhe për rafinime të mëtejshme të medotës.

Cilat janë zbulimet?

Individët që vuajnë nga depresioni përdorin një sasi të ekzagjeruar fjalësh që përçojnë emocione negative.

Individët me simptoma depresioni e përdorin më shumë përemra vetorë të vetës së parë njëjës, si për shembull: ‘unë’, ‘vetvetja’, ‘mua’. Gjithashtu përdorin më pakë përemra vetorë si ‘ata’ apo ‘ato’.  ( Stephanie Rude, Eva-Maria Gortner & James Pennebaker (2004) Language use of depressed and depression-vulnerable college students, Cognition and Emotion, 18:8, 1121-1133, DOI: 10.1080/02699930441000030 )

Ky model i përdorimit të përemrave vetorë nga personat që vuajnë nga depresioni sugjeron se këta individë janë më shumë të fokusuar tek vetvetja, dhe më pak tek të tjerët, ose më pak të ndërlidhur me të tjerët.

Studime të mëparshme kanë treguar se përemrat janë më të saktë në identifikimin e depresionit në krahasim me fjalët që konotojnë emocione negative. Pra krahasojmë përdorimin e vetëm fjalëve me emocione negative dhe përdorimin e vetëm përemrave, këto të fundit janë më të sakta në identifikimin e depresionit.

(Dihet se ‘ruminacioni’ apo më shqip ripërtypja, pra të menduarit në vazhdimësi mbi problemet personale, si dhe izolimi shoqëror janë karakteristika të shpeshta të depresionit.)

depresioni ndryshimet në mënyrën e të shprehurit dhe gjuhës

Depresioni, përveç ndryshimeve të tjera, shkakton edhe  ndryshime në mënyrën e të shprehurit dhe gjuhës

Për sa i përket stilit të të shprehurit, studiuesit dhe studimi në fjalë gjetën se, fjalët absolutiste, që përçojnë probabilitete absolute, si për shembull ‘gjithnjë’, ‘asgjë’, ‘plotësisht’ etj, janë identifikues më të mirë të forumeve që merren me shëndetin mendor.

(Studimi në fjalë përqëndrohej në analizën e tekstit prej 64 forumeve online që merren me shëndetin mendor, duke analizuar tekstin e 6400 anëtarëve.)

Në njëfarë mënyre këto rezultate priteshin prej shkencëtarëve, sepse individët me depresion kanë një pikëpamje të botës më bardhë e zi, krahasuar me individët e tjerë, dhe natyshisht kjo do të shfaqej edhe në stilin e tyre të gjuhës, të të shprehurit.

 

Studimi: In an Absolute State: Elevated Use of Absolutist Words Is a Marker Specific to Anxiety, Depression, and Suicidal Ideation

© Rinstinkt Blog 2018

Reklama

Psikologji spekulative dhe autoreferenciale

Psikologji spekulative dhe autoreferenciale

(nga Sciencemag)

(nga Sciencemag)

Vazhdojnë përgjigjet dhe kundër-përgjigjet siç edhe ankesat foshnjarake të ngjallura nga puna dhe përfundimet e Many Labs Replication Project – një projekt që prej disa kohësh ka marrë përsipër ripërsëritjen e disa kërkimeve shkencore të famshme në fushën e psikologjisë, më saktë të psikologjisë shoqërore.

Ripërsëritja e një kërkimi shkencor është një mjet themelor i metodës shkencore, meqë një konfirmim i dalë nga përsëritja e studimit/eksperimentit i jep një plus të madh përfundimeve të nxjerra nga studimi/kërkimi origjinal; në të kundërt nëse studimi/kërkimi shkencor origjinal nuk arrihet të përsëritet – gjithnjë duke zbatuar një metodologji të caktuar – kjo është një shenjë e keqe, që nuk flet aspak mirë për studimin, përfundimet e të cilit zhvlerësohen.

Projektit të Ripërsëritjes Many Labs i janë shtuar edhe 100 kërkues të tjerë, të gjithë të gatshëm për të hetuar disa nga studimet më të famshme të psikologjisë – të cilat studime, siç e përmenda, nuk po duket se shkojnë mirë me rigorozitetin shkencor.

Projekti ka ripërsëritur dhe ka verifikuar korrektësinë e 27 eksperimenteve të psikologjisë mjaft të njohur në leteraturën e fushës, dhe ka gjetur se, më shumë se gjysma e tyre kanë dhënë një dështim të pjesshëm ose të plotë. Korolari i menjëhershëm është: a është psikologjia një fushë shkencore, duke parë këtë pamjaftueshmëri “fryme shkencore” dhe këtë frymë të mbifryrë spekulative?

Megjithatë; Projekti Many Labs është sulmuar fort, kryesisht nga autorët studimet e të cilëve futën ujë dhe nuk i qëndruan dot provës së ripërsëritjes. Akuza e tipit “Ndihem si një kriminel hipotetik që nuk ka të drejtë mbrojtjeje dhe nuk ka mënyrë për të patur drejtësi”, vjen nga Simone Schnall nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, autore studimesh mbi “konjicionin e trupëzuar” (embodied cognition). Autorja ndihet nën akuzë pas përfundimit negativ të replikimit të një studimi të vitit 2008 që vinte në “dukje” se si ndjesia morale mund të manipulohej nga larja e duarve (pastërtia). Shtatë në tetë eksperimente që kanë të bëjnë me “konjicionin e trupëzuar” nuk patën një rezultat të mirë.

Vënia në dyshim e punës së studiuesve që bënë ripërsëritjet e eksperimenteve do të ishte krejt e panevojshme meqë është përdorur një protokoll i pre-regjistruar… pra janë sjellë në mënyrën më të mirë të mundshme, atë shkencore, çka, tani, nuk mund të thuhet për studiuesit që kishin ngritur në këmbë këto eksperimente. Pavarësisht gjithçkaje shumë tregohen ende kokëfortë në stoicizmin e tyre, duke folur për “replication bullying”.

Çka po ndodh është një ngjarje e paprecedentë të botën e psikologjisë. Po rritet tendenca, e shumë pritur por e vonuar, për të përdorur kriteret më rigoroze të mundshme dhe metodologji empirike dhe kërkime të bazuara mbi të dhëna, përkundrejt të qëndruarit në fushën e derisotshme të spekulimeve dhe të verifikimeve llafologjike autoreferenciale.

Një debat që nuk ka pse të mungojë, meqë mentaliteti shkencor duhet përdorur domosdo (edhe) në një fushë si psikologjia shoqërore, e cila ka disa kohë që kërkon të futet në rangun e shkencave, por pa mundur dot…

Bibliografia:

Rinstinkt blog, 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————-

Shënime: depresioni, ankthi dhe çrregullimet afektive dhe të të ngrënit

Shënime të shpejta mbi çrregullime psikologjike 

Depresioni, ankthi, çrregullimet afektive dhe të të ngrënit

Depresioni, ankthi dhe çrregullimet afektive dhe të të ngrënit (bulimia dhe anoreksia nervoze) janë më të zakonshme midis femrave sesa midis meshkujve.

Studime epidemiologjike nga vende të zhvilluara dhe vende në zhvillim gjejnë vazhdimisht se depresioni i rëndë është dy herë më i shpeshte tek femrat sesa tek meshkujt dhe kjo diferencë mes sekseve bëhet më e dukshme duke filluar nga adoleshenca, atëherë kur edhe formësohen e dallohen tiparet morfo-fiziologjike mes femrës dhe mashkullit.

Depresioni vihet re tek 10 deri 15% e femrave gjatë periudhës postpartum.

Incidenca e depresionit të rëndë zvogëlohet pas moshës 45 vjeçare dhe nuk rritet me ardhjen e menopauzës.

Tek femrat depresioni ka një prognozë më të keqe sesa tek meshkujt; episodet e depresionit zgjatin më shumë dhe shkalla e zhdukjes së vetvetishme është më e vogël.

Në prevalencën më të madhe të depresionit mes femrave ndikojnë padyshim faktorë shoqërorë dhe biologjikë. Meshkujt kanë nivele më të larta të neurotransmetuesit serotoninë. Edhe steroidet gonadikë ndikojnë mbi humorin e individit.

 

Çfarë është depresioni?

Depresioni

depresioni tek njeriu - crregullimi i humoritDepresioni – një gjendje trishtimi, mungese shprese, dhe humbje interesi për jetën, e kombinuar me një reduktim të mirëqenies emocionale.

Simptomat luhaten me gravitetin e depresionit. Mund të shkaktojë humbje të urisë, vështirësi në fjetje, ndjesi lodhje, humbje interesi në aktivitetet sociale, probleme përqëndrimi, dhe ndonjëherë edhe ankth.

Njerëzit me depresion të rëndë mund të kenë ndjenja vetvrasjeje dhe një ndjesi pavleftësie. Në raste ekstreme mund të ketë edhe halucionacione dhe deluzione/zhgënjime.

Ndonjëherë nuk ka një shkak të qartë, mund të shkaktohet nga sëmundje fizike, si për shembull një infeksion viral, nga një çrregullim hormonal, si hipotiroidizmi, apo nga ndryshime hormonale pas lindjes, si në rastin e depresionin post-lindje.

Disa njerëz ndjejnë depresion gjatë muajve të dimrit. Po përtej këtyre shkaqeve parësore, edhe disa faktorë shoqërorë dhe psikologjikë mund të luajnë një rol të pjesshëm.

 

CBT-ja, e pakundërshtuar mes psikoterapive

CBT-ja, e pakundërshtuar mes psikoterapive

Para dy muajsh The American Journal of Psichiatry botonte një studim shkencor mbi të dhënat e nxjerra nga krahaismi i CBT-së dhe të ashtuquajturës Psikoterapi Psikoanalitike, në trajtimin e bulimisë nervoze.

psikoStudimi, i botuar në 1 Janar 2014,  tregonte se, në trajtimin e bulimisë nervoze – që është një çrregullim i të ngrënit – teknika e trajtimit CBT (cognitive behaviour therapy) është/rezultoi më efikase sesa psikanaliza.

Problemi që kanë njerëzit që vuajnë nga bulimia nervoze, thelpësisht ka të bëjë me gëlltitjen e një sasie të tepërt ushqimi, të cilën mëpastaj tentojnë ta nxjerin jashtë në mënyra të ndryshme për të mos e metabolizuar, e kështu, për të mos u “shëndoshur”. Zakonisht subjektet nxitin refleksin e të vjellit, marrin substanca laksative, apo kryejnë ushtrime fizike të tepruara për t’u dobësuar.

Në studimin në fjalën- që kontribues kryesor ka Stig Poulsen and Susanne Lunn – 70 pacientë me bulimi nervoze u ndanë në mënyrë të rastësishme në dy grupe; njëri nga grupet u trajtua me anë të CBT-së ndërsa grupi tjetër i pacientëve u trajtua me psikoterapinë psikonalitike. Duhet theksuar se grupi që u trajtua me Cognitive Behaviour Therapy (CBT) kreu 20 seksione të shpërndara në vetëm 5 muaj (trajtim), ndërsa grupi i që “u trajtua” me anë të terapisë psikanalitike  e vazhdoi “trajtimin” për 2 vite rresht, me takime të përjavëshme.

Në thelp të përqasjes psikoanalitike qëndron ideja se sjellja e pacientëve/personave me bulimi nervoze përfaqëson një tentativë për të kontrolluar ndjenja dhe dëshira problematike. Terapisti që ndjek përqasjen – jo dhe aq efikase të psikoanalizës – e ndihmon pacientin, apo më saktë klientin e vet, pra individin që i drejtohet psikoanalistit,  që të flasi për këto ndjenja dhe mendime dhe mëpastaj të kuptoj se si këto janë të lidhura me buliminë. Dhe, kur individi mëson të pranojë dhe të menaxhojë dëshirat e veta, stresi dhe çrregullimi zhduken së bashku me simptomat e bulimisë nervoze. Pra duket se roli i psikoanalistit, sipas meje, është thelpësisht dhe as gjë më shumë një rol i panevojshëm për një pacient. Aq më tepër kur mendohet se për të biseduar me këtë psikoanalist do të duhet të paguash nga xhepi yt apo nga xhepi i kolektivit (në rast se këto farë “terapishë” eventualisht subvencionohen me para puublike.)

CBT-ja nga ana tjetër ka një qasje të ndryshme; ajo drejtohet thelpësisht tek vet simptomat e bulimisë nervoze. Praktikuesit e CBT-së drejtohen nga koncepti fare i thjeshtë, dhe sipas meje efikas, i të menduarit të bulimisë si një pasojë dhe si diçka e ndikuar nga mënyra e të menduarit të subjektit/pacientit. Terapistët që ushtrojnë CBT-në i tregojnë individit se si të identifikojë dhe sfidojë idetë dhe besimet që nuk i bëjnë mirë për shëndetin, apo që më gjerë nuk janë të arsyeshme dhe bëjnë të ketë një sjellje jo normale. Gjithashtu, në rastin e bulimisë nervoze, terapisti e ndihmon pacientin që të identifikojë momentet kohore se kur është/ndihet më vulnerabët dhe realizojnë një plan që ndihmon për të shmangur recidivat e gjendjes së bulimisë nervoze.

Siç thuhet më lartë, pjesëmarrësit e të dy grupeve nuk i nënshtrohen trajtimeve përkatëse për të njëjtën periudhë kohore. Ata që ndjekin psikoterapinë psikoanalitike e vazhdojnë “trajtimin” për një periudhë shumë më të gjatë, që do të thotë më shumë kosto për pacientin, kosto kohore, psikologjike dhe tek e fundit edhe monetare/financiare. Por megjithatë, përtej kësaj, ata që ndoqën trajtimin me CBT-në dolën më të fituar; kjo falë efektshmërisë së trajtimit të bulimisë nervoze me anë të teknikës së CBT-së (cognitive behaviour therapy).

Rezultatet tregojnë se vetëm pas pesë muajve, 42% e individëve/pacientëve të grupit nën trajtim me CBT, substancialisht, nuk kishin më probleme. Ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për psikoterapinë psikoanlitike (psikanalizën), meqë vetëm 6% e pacientëve/individëve patën përmirësime. Por megjithatë, trendi mediokër i psikoterapisë psikoanalitike (psikanalizës) mbetet pothuaj i tillë (rritet në 15%), edhe pas dy vitesh trajtim. Por ky 15% i rezultateve të psikanalizës, qëndron shumë shumë, po vërtetë shumë më pas 44% të rezultateve të CBT-së; duhet theksuar sërisht, pavarësisht faktit se këta pacientë/individë e kishin përfunduar trajtimin prej 19 muajsh.

Pika të tjera që flasin, edhe më, në favor të CBT-së dhe të domethënies së studimit në fjalë: fakti se terapeutët e CBT-së kishin një trajtim jo kohëgjatë, pra kishin marrë një trajnim vetëm pak ditor, ndryshe nga psikoterapeutët psikoanalitikë të cilët kishin një eksperiencë shumë më të gjatë në fushën e vet. Ç’ka lë vend për supozimin se, si do të kishin qenë rezultatet e studimit?, nëse edhe terapeutët e CBT-së do të kishin patur eksperiencë më të madhe, sikundër ata që trajtonin pacientët në grupin tjetër…

Rezultatet, padyshim që nuk priteshin nga eksperimentuesit. Kjo sepse këta ushtronin si praktikë të vetën psikoterapinë psikoanalitike, ose thënë ndryshe psikanalizën. Megjithatë, paraqitja e rezultateve, edhe kur këto shkatërrojnë ëndrrat e psikoanalistëve për “konkurrencë” me CBT, u bën vetëm nder.


Rinstinkt, Mars 2014

Studimi: Am J Psychiatry 2014;171:109-116. doi:10.1176/appi.ajp.2013.12121511

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————–