Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Reklama

Detektimi i hershëm i kancerit (2): Testi i PSA

Detektimi i hershëm i kancerit (2): Testi i PSA

shkrimin e mëparshëm shkruajta për rolin e testit të Papanikolaut në detektimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.

Duhet thënë se suksesi i Pap testit ka shpënë në zhvillimin e shumë teknikave të tjera të hetimit për detektimin e hershëm, pra në stade fillestare, të kancereve të llojeve të ndryshme. (Kujtoj gjithashtu se kanceri nuk është një sëmundje e vetme, por një grup sëmundjesh me karakteristika të ndryshme, sidomos molekulare.)

Një nga këto teknika hetimi është, për shembull, mamografia. Teknika e mamografisë përdor një teknikë të veçantë rrezesh X për të parë për shenja të hershme të kancerit të gjirit.

Një teknikë tjetër për detektimin e hershëm të një forme kanceri është edhe kolonoskopia, e cila teknikë përdor një instrument të hollë të përthyeshëm, plastik, me fibra optike për të ekzaminuar kolonin për forma shenja të hershme të kancerit të kolonit (zorrës së trashë).

Një test hetimi ideal është ai që u mundëson doktorëve dhe aktorëve të tjerë që merren me shëndetin e njeriut ta detektojnë (kapin) kancerin kudo në trup, me një procedurë të thjeshtë, si për shembull me një test gjaku.

Një nga këta teste ideale është testi i PSA (prostate specific antigen – antigjeni prostatik specifik ), i cili relaizohet kryesisht për detektimin e kancerit të prostatës. Kështu, kanceri i prostatës i cili prek vetëm meshkujt, ngase vetëm meshkujt kanë prostatë, është një formë kanceri që mund të detektohet në këtë mënyrë, pra hershëm duke rritur tej mase mundësitë e mbijetesës dhe të mirëqenies së subjekt-pacientit të prekur.

Burrat me moshë mbi 50 vjeç janë të këshilluar që të bëjnë një test të PSA-së, i cili mat sasinë e antigjenit prostatik specifik në rrjedhën e gjakut.

PSA-ja është në proteinë që prodhohet vetëm nga qelizat e gjëndrës së prostatës, dhe normalisht gjendet në gjak vetëm në përqëndrime të vogla. Nëse analizat e gjakut tregojnë një nivel të lartë të PSA-së (antigjenit prostatik specifik) kjo është një shenjë e sigurt e një problemi në gjendrën e prostatës. Për të saktësuar natyrën e problemit nevojiten teste të tjera; pra për të konfirmuar nëse është problem tumoral apo i ndonjë natyre tjetër.

Antigjeni Prostatik Specifik – PSA

Edhe forma të tjera kanceri lëshojnë në gjak proteina specifike të kancerit përkatës apo indit ku kanceri është zhvilluar. Natyrisht, edhe pse në fillesat e veta, këto metoda të mjekësisë së laboratorit kanë kërkuar e kërkojnë ende shumë punë për kapjen e ndryshimeve të vogla në përqëndrimn e proteinave të gjendura në rrjedhën e gjakut.

© Rinstinkt

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————————

Kanceri i prostatës

Kanceri i prostatës  (tumorë malinj të traktit urogjenital) 

Në SHBA kanceri i prostatës është forma e kancerit që diagnostikohet më shpesh tek burrat dhe shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekjes tek burrat për shkaqe kanceri.

Vlerësohet se në vitet e ardhshme do të ketë 230.000 raste të reja dhe 29.000 vdekje të lidhura me kancerin e prostatës. Shanset për zhvillimin e patologjisë rriten me rritjen e moshë; mosha mesatare për diagnozën është 70 vjeç.

Si pasojë e përhapjes së gjerë të screening-ut për kërkimin e antigjenit specifik prostatik (Prostate-Specific Antigen, PSA) në fillim të viteve ’90 u verifikua një variacion i stadit, dhe për rreth 40% të rasteve diagnoza u vendos vetëm dhe vetëm falë një niveli të lartë të PSA-së.

Rekomandimet e dhëna nga Shoqata Amerikane e Kancerit për screeningun e kancerit të prostatës, të paktën deri para pak vitesh, përfshinin ekzekutimin e përvitshëm të testit për PSA-në dhe ekzaminimin digjital rektal (eksplorim me anë të gishtave të rektusit) duke filluar nga mosha 50 vjeç, apo nga mosha 40 vjeçare për Afro-Amerikanët apo për pacientët me anamnezë familjare për sëmundjen në fjalë, pra kancerin e prostatës.

Ndërsa, biopsia prostatike transrektale e drejtuar nga ultratinguj ësthë metoda  që zgjidhet për diagnostikimin e kancerit të prostatës tek meshkujt.

Një scintigrafi kockore rekomandohet për burrat me tumor të gradës së lartë dhe nivele të PSA në serum > 10 mcg/dl, ndërsa një hetim me tomografinë e kompjuterizuar (TC) i pelvisit të mashkullit rekomandohet për të vlerësuar linfoadenopatinë kur nivelet e PSA-së janë > 20 mcg/dl.

Pacientët të cilëve u diagnostikohet kanceri i prostatës kanë përballë tyre shumë mundësi terapeutike, të cilat përfshijnë vëzhgimin në kohë të tumorit (me anë të testit të PSA dhe ekzamnimit digjital rektal), prostatektominë totale apo radioterapinë.

Mbase në të ardhmen do të përshtas për blogun diçka rreth këtyre mundësive terapeutike. Për sot mjafton.

(Burimi: Conn’s Current Therapy)

 

Rinstinkt 2013

———————————————————————————-

Kur të dhemb prostata

Kur të dhemb prostata

Ardian Vehbiu (këtej e tutje: AV), para disa ditësh në blogun e vet[1] kapi një shkrim të Dr. Myftar Barbullushit të botuar tek gazeta Panorama[2]. Shkrimi i Dr. Barbullushit, tejet divulgativ, në gjykimin tim apelonte për më shumë kujdes ndaj vetes, duke e lidhur këtë, në një shënim të vogël në fund të shkrimit, me maninë tonë për politikën shterpe. Kur politika duhet të ofroj zgjidhje, edhe për shëndetin.

AV merr, dhe më pas rimerr, disa herë gjatë komenteve të lëna tek blogu i vet disa statistika amerikane. Pra të përftuara nga të dhëna të mbledhura nga meshkuj amerikanë. Kjo ka shumë rëndësi të theksohet sepse ambineti luan një rol të jashtëzakonshëm në lindjen dhe zhvillimin disa lloje sëmundjesh.

Statistikat e sjella nga AV nuk kanë se si dhe pse të kundërshtohen sepse i jep edhe NIH[3]. Ajo që AV nuk kupton është se asnjë statistikë nuk mund të ekstrapolohet apo të interpretohet jashtë kontekstit të vet; konteksti i atyre statistikave është realiteti amerikan, mënyra e jetesës së meshkujve amerikanë etj.

Kështu AV nuk ka të dhëna mbi përhapjen, për shkaqe gjenetike apo ambientale, të tumorit të prostatës qoftë beninj qoftë malinj në popullatën e meshkujve shqiptarë. Për më tepër të gjithë ata që kanë njëfarë moshe e dinë kushtet ndaj të cilave janë ekspozuar mbi-50 vjeçarët e sotëm në të shkuarën. Mjaft të kujtoj se edhe sot në disa qëndra të banuara njerëzit janë të ekspozuar ndaj eternitit, fibrat e holla e të cilit mund të shkaktojnë kancer të mushkërive.

Ndonjë do të thoshte se as Dr. Barbullushi, kur ka shkuar shkrimin, mund të mos ketë patur apo mund të mos ketë as tani statistika për të mbështetur ato deklarata dhe atë përqasje ndaj diagnozës. Unë po spekuloj dhe po e marr si të mirëqenë faktin se doktori nuk i ka… Por minimalisht biem dakord se doktori ka më shumë eksperiencë se AV mbi shëndetin e popullatës shqiptare, të popullatës mashkullore shiptare? Natyrisht që po.

Siç ia vura në dukje edhe AV tek blogu i vet, të gjithë kanë të drejtë të kenë opinionet e veta, por disa mbeten thjeshtë opinione, të një opinionisti, ndërsa të tjera opinione kanë një peshë më të madhe, pikërisht sepse dalin nga njerëz me një përvojë të caktuar, me vite e vite shkollim, me vite e vite eksperiencë teorike  dhe praktike…

Unë nuk do të merrem fare me meritën e testit për të shpëtuar jetë, apo efikasitetin e tij, sepse këto janë debate që ende zhvillohen mes ekspertëve.

Mosreplikimi i Dr. Barbullushit, nëse është në dijeni të debatit të kotë që është ngritur nga shkrimi i tij, është për t’u vlerësuar dhe interpretuar ekzaktësisht si mos-replikimi dhe heshtja e dyshes Dawkins-Gould ndaj provokimeve të fondamentalistëve fetarë.
Përgjigjja e Dawkins (dhe Gould) ishte se, të përgjigjurit (ndaj provokimeve) implikonte indirekt vendosjen e tjetrit në të njëjtin plan, qoftë edhe të zotërimit të njohurive të fushës së caktuar. Pra duke u përgjigjur i njeh interlokutorit, në sytë e publikut, një cilësi që ai nuk e ka.

Testi PSA është i vlefshëm, me qenë se mat nivelin hematik të një antigjeni (proteine) specifik të prodhuar nga gjëndra e prostatës. Kështu testi shprehet vetëm për dhe vetëm rreth shqetësimeve të prostatës. Testi ka edhe anët e veta negative, si të gjithë testet e tjera. Si gjithçka bëjmë ne në jetën tonë të përditshme.

Unë i trembem vetëm një gjëje. Kam frikë se një pjesë e mirë e atyre që kanë lexuar këto shkime kanë keqkuptuar rolin e testit. Kam frikë se vet AV ka keqkuptuar rolin e testit, ose të paktën nuk e ka shpjeguar mirë atë.

Me anë të atij testi analizohet niveli hematik (i gjakut) i një proteine të caktuar. Nëse kjo proteinë gjendet në nivele të larta (dhe këto janë përcaktime arbitrare statistikore që vendosen mes ekspertësh) atëherë, përgjithësisht, theksoj përgjithësisht, është indikativ i një problemi të prostatës.
Këtu vjen e ndërlikohet çështja.
Ndërsa AV i futet një rruge të caktuar, doktori as që i është futur kësaj rruge, duke e lënë përqasjen dhe zgjedhen e mëtejshme (terapeutike?) si vendim që do të maturohet nga një dialog pacient-mjek. Rruga ka të bëjë me trajtimin apo jo të subjekteve që do të shfaqin nivele të larta në testin PSA.

Pra vetë testi PSA, kryerja e tij, nuk shkakton asnjë efekt anësor. Efekti anësor, do të ishte ai i kostove të tepërta për sistemin shëndetësor amerikan, apo shqiptar.

Debati rreth raportit kosto-benefite po zhvillohet në SHBA, ku statistikat janë ato të mësipërmet, të sjella edhe nga AV. Por kjo nuk do të thotë se meqë ai test, në SHBA, ku meshkujt preken në një përqindje të caktuar nga tumori i prostatës, ka vlera të diskutueshme, ka të njëtat vlera edhe në realitetin shqiptar. Aspak.

Realitetin shqipëtar AV nuk e njeh. Nuk e njoh as unë. Por doktori me siguri e njeh, sepse ai ushtron profesionin e vet atje. Nëse doktori, qoftë nga statistikat që mund të zotërojë, qoftë nga eksperienca personale, mendon dhe shkruan një artikull gazete për të nxitur testimin dhe preokupimin ndër meshkujt shqiptarë për tumorin e prostatës kjo i bën veç mirë shëndetit publik dhe parandalimit të një sëmundjeje të tillë.

AV thotë: “Me sa duket, ka të dhëna të mjaftueshme që testi mund të shkaktojë më shumë probleme, sesa të shpëtojë jetë njerëzish.” [4].

Pra, ndryshe nga sa thotë, gabimisht AV, testi në vetvete nuk shkakton dëme. Është një analizë e thjeshtë. Dëmet apo ekzaminimet e kota të mëpasshme, për të cilat preokupohet me të drejtë AV, janë në dorë të mjekut dhe të vendimeve që dalin ga dialogu i këtij të fundt me pacientin.

Në komunitetin shkencor (mjekësor) nuk ka ende konsensus unanim mbi mënyrat e përdorimit apo efikasitetin e testit PSA në diagnozën definitive, përfundimtare të një çrregullimi të prostatës. Kjo nuk do të thotë se ai test nuk është i vlefshëm dhe nuk duhet të përdoret. Mjeku duhet të jetë i aftë të gjykojë historinë personale të pacinetit, dhe duke diskutuar me pacientin të marrë vendime për hapa të mëtejshme.

Shkrimi i zt. Mark Marku po tek Panorma[5], si kritikë konstruktve ndaj AV, në surprizën time, dashur-padashur, e trajtonte çështjen në një aspekt mjaft interesant.

Unë shpresoj të kem qartësuar sadopak dy pika kyçe sipas të cilave shqetësimi, kritika e AV është e pabazë.

[1] AV: Votoni me prostatë, Peizazhe të fjalës  26.05.2013 – nyje

[2] Dr. Myftar Barbullushi: Telefonata e tmerrshme, Gazeta Panorama 24.05.2013 – nyje

[3] National Cancer Institute-  Prostate-Specific Antigen – PSA- Test

[4] AV: Zëri i qytetarit, Gazeta Panorama 31.05.2013 – nyje

[5] Mark Marku: Doktor Vehbiu dhe analiza filologjike e testit të prostatës, Gazeta Panorama 30.05.2013 – nyje

© Rinstinkt, 02 Qershor 2013

————————————————————————————