Ngjyra e lëkurës dhe seleksioni natyror

Ngjyra e lëkurës dhe seleksioni natyror

A ishte kanceri i lëkurës një forcë selektive për pigmentimin e errët të lëkurës tek hominidët e hershëm?

Ky është titulli i një studimi të botuar më 26 Shkurt 2014 në revistën Proceedings of the Royal Society B: Biological Sciences. Studimi është i Mel Greaves, një kërkues shkencor pranë Institutit për Kërkimin mbi Kancerin në Londër.

Studimi në fjalë duket se i jep akoma më shumë peshë tezës sipas të cilës hominidët e parë kanë zhvilluar një ngjyrë të errët të lëkurës për t’u mbrojtur nga rrezet ultravjollcë UV, të cilat siç e dimë mirë, mund të shkaktojnë dimerë të bazave pirimidinike (T-T) duke rezultuar pra në mutacione gjenetike dhe mëpastaj në kancerin e lëkurës.

Një fëmijë i prekur nga albinizmi  (Credit: Wikipedia)

Një fëmijë i prekur nga albinizmi
(Credit: Wikipedia)

Studimi sugjeron se pjesa më e madhe e individëve me albinizëm të cilët kanë lindur në zonat e Afrikës ku duket se kanë evoluar qeniet e para njerëzore, dhe ku nivelet e rrezatimit UV janë tejet të larta, pra këta individë priren të vdesin nga tumori i lëkurës në moshë të re. Rrjedhimi është se nuk lënë pasardhës, dhe me kalimin e kohës, seleksionohen individët që janë më të priirur për të jetuar në ato zona.

Lëkura e errët i detyrohet pigmentit të eumelaninës, i cili është disi i ndryshëm nga feomelanina e cila është karakteristike e lëkurës së bardhë. Hominidët e parë, mendohet se për të favorizuar largimin e nxehtësisë nga trupi i vet, gradualisht po humbisnin qimet që mbulonin trupin. Pikërisht në këtë stad mendohet se ka filluar të veprojë edhe seleksionimi i ngjyrës së errët të lëkurës, e cila ofronte edhe mbrojtjen më të mirë ndaj rrezeve të rrezikshme ultravjollcë.

Studimi i cituar: Proc. R. Soc. B 22 April 2014 vol. 281 no. 1781 20132955

——————————————————————————

Tabula rasa

Tabula rasa

Për shkak të disa impenjimeve të jetës personale nuk kam mundur të trajtoj siç duhet disa tema pikante, të cilat përndryshe janë mjaft të rëndësishme, sipas pikëvështrimit tim.

Sibyl with Tabula Rasa - Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Sibyl with Tabula Rasa – Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Një nga këto ka të bëjë me mënyrën e konceptimit të mendjes, nga shoqëria njerëzore në përgjithësi, e nga shoqëria shqiptare në veçanti meqë në vijim do të jap nja dy shembuj emblematikë që ilustrojnë këtë tentakulë obskurantiste që tenton gjithnjë e më shumë të zgjerojë fushën e vet të influencës.

Ekziston një nocion humanist i mendjes së njeriut, sikur kjo të ishte njëfarë faqe e bardhë ku mund të shkruhet, fshihet e rishkruhet ex novo gjithë përmbajtja e individit, pra sjellja e individit dhe entiteti individ në terma të kulturës dhe të mësimit (tabula rasa – latinisht).

Por çfarë thotë kjo tezë mbi mendjen njerëzore?

Sipas tezës së tabula rasa-s (parafrazim): qeniet njerëzore janë të ndryshme nga kafshët e tjera, në disa aspekte. Para së gjithash sepse kafshët e transmetojnë të gjithë informacionin mes tyre, apo një pjesë të mirë të informacionit, në mënyrë gjenetike, pra pa praninë e komunikimit simbolik; kështu komunikimi mes kafshëve është në pjesën më të madhe i lindur, gjenetik, ndryshe nga ai njerëzor i cili realizohet nëpërmjet çdo lloj komunikimi simbolik. Për më tepër që, njerëzit – thotë teza tabula rasa – janë të lirë nga çdo llojë ngërçi apo kufizimi natyror.

Kështu, më tej, njerëzit nuk janë asfare të ndikuar nga substrati fizik trunor, i cili trashëgohet në mënyrë gjenetike. Sipas tabula rasas dhe një pjese të mirë të të ashtuquajturve humanistë, përbmajtja e medjes së njeriut rezulton të jetë vetëm e vetëm (!) një produkt i proceseve kulturore apo historike, duke e anashkaluar tërësisht përbërësen fizike të mendjes, pra substratin fizik mbi të cilin kjo zhvillohet (sikundër hardware-i i një kompjuteri), tanimë të gjithënjohur.

Por përse lindi dhe u përhap një tezë e tillë?

Modeli i trumpetuar nga tabula rasa lindi gjatë ‘900-s, kryesisht, si një teori që i kundërvihej njëfarë mënyre të perceptimit të evolucionit; si një tentativë për të kundërshtuar evolucionizmin i cili perceptohej (gabimisht) si i drejtuar për tek H. sapiensi, me njëfarë determinizmi gjenetik kushtetues.

Për më tepër edhe në kundërshtim me konceptimin e shtrembëruar letraresk-filozofik të evolucionit në vitet ‘900, një evolucion jo-darvinian, jo kritik, jo shkencor. Evolucioni ishte i shrembëruar nga fryma letrare-filozifike, e vetëquajtur humaniste, por që në të vërtetë po tjetërsonte një dije të rëndësishme të njerëzimit, duke i dhënë këtij të fundit një tezë të errët, me pasoja obskurantiste, si tabula rasa, mbi të cilën gjatë historisë janë ngritur dhe vazhdojnë të qëndrojnë influente në disa vende, disa pseudoshkenca (të një pseudo-intelektualizmi të pashoq).

Kështu, evolucioni ishte ortogjenetik, apo thënë ndryshe bergsonian, e që përkiste në fund të fundit me mbijetesën e më të përshtatshmit, e kuptuar kjo mbietesë si një përmirësim i vazhdueshëm, i orientuar drejtë një shkalle gjithnjë e më të madhe ndërlikimi. (Në të vërtetë nuk është kështu. “Mbi të qenit Njeri”)

Natyrisht, asokohe kishte edhe nga ata që e njihnin mirë evolucionin dhe implikimet që ky kishte mbi perceptimin e fenomeneve të jetës, por duhet thënë se ishin të paktë, të pa-zë, përballë turmës së të vetquajturve intelektualë letrarë.

Tabula rasa përqafohet menjëherë nga shkencat sociale, nga antropologët shoqërorë dhe kulturorë; bëhet kështu një tezë që shërben si model standard për zhvillimin e këtyre.

Fatkeqësisht, përhapja e këtij modeli të rrejshëm të mendjes njerëzore, implikon ndër të tjera edhe një rezufim foshnjërak – pa mundësi dialogimi – të substratit fiziologjik, funksional, evolutiv të trurit e mëpastaj mendjes si rezultante e aktivitetit elektriko-kimik.

Tabula rasa është sot e diskredituar; përballë avancimeve të biologjisë evolutive, e ngritur mbi një lloj kërkimi shkencor darvinian. Biologjia evolutive zbulonte dhe evidentonte njëra pas tjetrës modele të evolucionit mbi Tokë; zbulonte dhe demarkonte kufijë gjithnjë e më të imtë mes asaj çka është kulturë e çka jo.

Tabula rasa, e lindur nga spekulimet letrare-filozofike të një lloj të caktuar mbi procesin evolutiv, u mbyll në vetvete, e papenetrueshme nga kritikat biologjike e shkencore… duke përfunduar në shterpësi.

Sot, në fund, modeli antropologjik i tabula rasas është thyer, së pari nga gjenetika e popullatave e cila arrin t’i mbajë larg leximet dhe deformimet reciste të të dhënave; mëpastaj nga zbulimet shencore, të psikologjisë zhvillimore, etologjisë konjitive etj.

Tabula rasa është analizuar mirë nga Steven Pinker, i cili ndër të tjera identifikon edhe anët e errëta të këtij deformimi me origjinë letraro-humaniste të natyrës së mendjes, mbi kushtetutën e të cilës, fatmirësisht për të gjithë ne, sot flet vetëm shkenca. (Perifrazim nga Pinker: tabula rasa, me pretendimin e një boshllëku të lënë nga natyra, e mbushi zbrazëtinë me interpretime që i vinin përshtat regjimeve totalitare [pasojat dihen]).

[Përshkrimi i mësipërm e citon Pinkerin vetëm për sa i përket çështjes në fjalë; jo për të tjera koncepte, për të cilat nuk po shprehem aspak.]

© mbi tekstin Rinstinkt

———————————————————————————-

Evolucioni i njeriut: evolucioni i trurit të njeriut

Evolucioni i trurit të njeriut

Kur flitet për evolucionin njerëzor, dhe në veçanti për evolucionin e trurit – që është organi më kompleks i trupit tonë, dhe për shumë aspekte ende i panjohur – është e vështirë të identifikosh një kauzë të vetme selektive që të mund të justifikojë këtë farë zhvillimi të pësuar.

Në këtë rast, pra në rastin e evolucionit të trurit, do të ishte më mirë të flitej, në vend të “shkaqeve”, për unaza me prapaverpim, katalizuese apo inhibuese. Pra për një zinxhir ngjarjesh të cilat duke vepruar në mënyrë pozitive apo negative mbi fenomenin fillestar mund të përshpejtojnë apo ngadalësojnë të gjithë procesin.

Kështu, jeta e primatëve në pyll, kishte përcaktuar zhvillimin e gishtit të madh të përthyeshëm, i cili mundësonte manipulimin e imët të objekteve së bashku me kapjen e forcës.

Gjithsesi, edhe pse i rëndësishëm, ky modifikim evolutiv nuk ishte i vetmi që kishte prekur “të afërmt” tanë evolutiv primitivë.
Në pyll, për shembull, mungonin predatorët e egër dhe të super-specializuar të savanës, por ishte thelbësore për ushqyerjen dhe mbijetesën njohja e saktë e frutave të ngrënshme dhe aq më tepër kapja e tyre “në fluturim” e sipër, pra pa rënë nga dega.
Natyrisht për të patur një perceptim sa më të saktë të thellësisë në të cilën një objekt ndodhet në plan dhe hapsirë, gjallesa (kafsha) duhet të zotërojë një shikim stereoskopik i cili mundësohet nga patja e të dy syve në pozicion sa më ballor. Vizioni trepërmasor krijohe nga mbivendosja e pjesshme e fushave pamore të syve.

Jo vetëm kaq; ndërsa paraardhësit e primatëve e zhvillonin aktivitetin e vet kryesisht natën, primatët e zhvillonin veprimtarinë e tyre ditën duke u bërë të ndjeshëm ndaj një spektri të gjërë ngjyrash (lidhja me qelizat receptoriale të rrjetëzës).

Njëkohësisht ndjeshmëria ndaj erërave apo aromave, filloi të dobësohej, ngase më pak e nevojshme; në pyll erëra kishte me bollëk. 😀 kështu turiri (hunda) filloi të bëhej gjithnjë e më shumë e sheshtë…

Ndalëngadalë, nën presionin evolutiv, nën presionin e një mizërie faktorësh rrethanorë dhe sistemeve të ndërlikuara me prapaveprim, primatët morën pamjen që kanë sot, që ne njohim.

Por nuk po ndryshonte vetëm pamja e jashtme. Cilësia dhe sasia e informacioneve dhe stimujve që shkonte drejt sistemit nervor qëndror, dhe në veçanti drejt trurit, ishte rritur ndjeshëm. Kjo falë manipulimit të objekteve – i mundësuar nga gishti i madh i përkulshëm – i cili lejon lëvizje më komplekse, më të ndërlikura…

Për më tepër, fluksi i mesazheve pamore dhe dëgjimore u rrit dhe u bë gjithnjë e më shumë i artikuluar: për të përpunuar këtë lum stimujsh, informacionesh, truri duhej të transformohej dhe të bëhej më i shpejtë, më i fuqishëm, pra të ishte në gjendje që të rriste fuqinë e vet (kujdes intencionin po ia japim ne!) në mënyrë proporcionale me rritjen e fluksit të informacioneve.

Gjatë evolucionit truri është zhvilluar kryesisht në strukturat cerebrale të përparme dhe sipërfaqësore. 1-Makako 2-Shmpanze 3-Gorillë 4-njeri.

Gjatë evolucionit truri është zhvilluar kryesisht në strukturat cerebrale të përparme dhe sipërfaqësore. 1-Makako 2-Shmpanze 3-Gorillë 4-njeri.

Sistemi neuronal, i vjetri le të themi, nuk ishte në gjendje të suportonte sasinë e madhe të informacioneve. Kështu “mbijetonin” individët më të aftë për të u përshtatur ndaj këtyre kushteve të reja, të pjesshme – fitness-i i famshëm. Atyre me sistemin “e vjetër” neuronal, u shkonte truri në qark të shkurtër.  😀

Rritja e stimujve të perceptuar imponoi, kështu, riorganizmin e rrjetave neuronale, duke ushtruar një presion selektiv që shpinte në zhvillimin e një truri cilësisht të ndryshëm, më të madh, dhe mbi të gjitha të organizuar më mirë.

Ndryshe nga sa ndodh, apo ka ndodhur zakonisht, pra sipas “normës” evolutive, evoluimi i trurit nuk kishte lidhje me ngjarje “të jashtme” ndaj organizmit. Në të kundërt i detyrohet ndryshimeve “të brendshme” të prodhuar nga modifikimet fizike të primatëve të parë.

Neokorja (neokorteksi), që është zona e trurit ku përpunohen perceptimet ndijimore,  zgjerohej gjithnjë e më shumë. Si korolar i ndryshimeve cerebrale pati edhe një ndryshim të sjelljes.

Në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, zhvillimi i trurit, dhe pasojat komportamentale që ky zhvillim solli, kontribuan në ruajtjen, pra konservimin e morfologjisë së pjesëve të tjera të trupit.

Pra, nëse ndryshimet e sjelljes mjaftojnë, të vetme, për të përballuar dhe kaluar vështirësitë e mbijetesës, trupi nuk pëson më presione selektive. Këtu, mëpastaj, futet në lojë kultura (ah, jo kultura në terma të letrarucëve).  🙂

Rinstinkt 2013

Mjetet më të vjetra prej guri

Mjetet më të vjetra prej guri

Në vitin 2003 u gjetën prova (të tjera) direkte të fabrikimit dhe përdorimit në një ambient të kontrolluar të instrumenteve prej guri. Veglat prej guri të fabrikuara nga hominidët e hershëm kanë një datacion 2.6 milion vitesh. Siti arkeologjik gjendet në Gona, Etiopi.

mjete guriMichael Rogers, docent i antropologjisë në Southern Connecticut State University, zbuloi provën më të lashtë të drejtëpërdrejtë që dokumenton fabrikimin dhe përdorimin e mjeteve prej guri.

Michael Rogers dhe kolegët e tij i kanë datuar mjetet prej guri me një vjetërsi prej 2,6 milion vitesh.

Artikulli që përshkruan zbulimin është publikuar, në vitin tanimë të largët 2003, nga revista shkencore “Journal of Human Evolution”.

Tre vite përpara se zbulimi të dilte, përfundimisht, në pah, Michael Rogers ishte duke punuar në Etiopi, në një rajon asokohe pak të studiuar, mbi një projekt-kërkim paleoantropologjik. Gjatë kërkimit zbuloi disa mbetje të vogla, e kështu filloi të gërmonte të afërsi të Gona-s. Më pas me shtimin e të dhënave mbetjet rezultuan se ishin instrumente të ndërtuara nga pjesë gurësh të mprehur nga gurë të tjerë më të mëdhenj.

Zbulimi doli se ishte një nga më domethënësit në paleoantropologji: dokumentonte vegla prej guri dhe kocka kafshësh në të njëjtin vend, qartësisht në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Mbetjet tregonin (tregojnë) se hominidët primitivë përdornin instrumente prej guri dhe kocke për të siguruar ushqimin.

Të parët tanë përdornin artifica të krijuara falë intelektit dhe kulturës për të punuar pjesët e kufomave të kafshëve, që gjenin në savanë apo gjuanin vetë. Kjo me shumë mundësi tregon se njerëzit ishin duke zgjeruar dietën e vet dhe nuk ishin më vetëm mbledhës, por, të paktën pjesërisht, edhe mishngrënës.

©  Rinstinkt 2013

————————————————————————————–

Sjellja anormale e ujit

Pjesa më e madhe e substancave fryhet (bymehet) pak a shumë në mënyrë uniforme me rritjen e temperaturës; kjo deri sa nuk ndodh një kalim gjendeje (faze).

Uji, aq i rëndësishëm për jetën në Tokë, nuk e ndjek këtë sjellje të përbashkët të shumë substancave: nëse uji në temperaturën 0oC ngrohet, ai reduktohet në vëllim deri sa mbërrin në tempereturën 4oC. Sipër temperaturës 4oC uji sillet normalisht, sikundër pjesa më e madhe e substancave, dhe zgjeron vëllimin e vet me rritjen e temperaturës. Uji e ka dendësinë më të madhe pra në temperaturën 4oC.

Kjo sjellje anormale (anomale) e ujit ka një rëndësi të madhe për mbijetesën e specieve/llojeve të gjallesave ujore gjatë dimrave shumë të ftohtë, kur temperaturat rrotullohet rreth dhe nën zero (gradë Celsius).

Dendësia e ujit në varësi të temperaturës

Dendësia e ujit në varësi të temperaturës

Kur uji i një liqeni apo lumi gjendet mbi temperaturën e 4oC dhe fillon të ftohet pas kontaktit me ajrin e ftohtë, uji i sipërfaqes fundoset për shkak të dendësisë më të madhe – sepse siç thashë, në temperaturën 4oC uji ka dendësinë e vet më të madhe – dhe zëvendësohet nga uji që më parë gjendej më në thellësii dhe me temperaturë më të lartë (më i ngrohtë). Kjo përzierje e ujit të sipërfaqes me atë të thellësisë vazhdon deri sa temperatura kompleksive ka mbërritur në 4oC. Kur uji i sipërfaqes ftohet edhe më, mbetet në sipërfaqe sepse ka dendësi më të vogël se uji që gjendet nën të në temperaturën 4oC.

Kështu, uji ngurtësoeht më parë në sipërfaqe, dhe akulli qëndron në sipërfaqe sepse është më pak i dendur se uji në gjenden e lëngët.
Uji i thellë qëndron në temperaturën 4oC derisa i gjithë vëllimi ujor ka ngrirë.

Nëse uji do të sillej si pjesa më e madhe e substancave, që dendësohen kur ftohen(!), uji i thellësisë do të ngrinte më parë e liqenet dhe vëllimet ujore do të ngurtësoheshin më shpejtë, duke qenë se konvecioni do të çonte ujë të ngrohtë në sipërfaqe dhe kjo do të ftohej nga masat e ajrit që qarkullojnë sipër ujit.

Ngrirja e plotë e vëllimit të një liqeni do të shkaktonte një dëm të madh për bimët dhe kafshët e ekosistemit ujor.
Falë sjelljes jo të zakonshme të ujit nën 4oC, sipërfaqet apo vëllimet e mëdha ujore rrallë ngrijnë plotësisht. Kjo ndihmohet edhe nga shtresa  e akullit që vepron si izolant për të reduktuar fluksin e ngrohtësisë të ujit drejt ajrit të ftohtë që qëndron sipër. Pa këtë veçanti, jeta në planetin tonë siç e njohim ne mund të mos jetë (ishte) e mundur.

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

—————————————————-