Mekanizmat evolutivë veprojnë mbi individin, jo specien.

Shpesh kur flitet për evolucionin dhe seleksionin natyror krijohet shumë konfizion. Konfzioni ka të bëjë me entitetin mbi të cilin apo në funksion të të cilit “punon” evolucioni dhe makanizmi i tij kryesor, pra seleksioni natyror. Ky koncept është “lloji” apo “specia” që mendohet se janë entiteti mbi të cilat veprojnë mekanizmat evoutivë… Speciet janë rezultat i evolucionit, si me thënë janë një artefakt (një pasojë, për të bërë një karakterizim ekstrem), por ato nuk janë entiteti mbi të cilat “vepron” seleksioni natyror. Entiteti themelor apo njëzia bazë është individi, i cili përmban, ruan, dhe eventualisht transmeton ato gjene tek pasardhësit e vet.

Për shembull le të marrim një shembull: le të marrim në konsideratë dy gjene të ndryshme (G1 dhe G2), njëri prej të cilëve ka aftësinë që duke vepruar ndikon dhe rrit aftësinë e organizmit ku gjeni ndodhet që të gjejë një partner dhe të riprodhohet me të (le ta etiketojmë këtë si G1); ndërsa një gjen tjetër, në një tjerër individ, ka aftësinë që me veprimin e vet ta bëjë këtë individ të përkushtuar ndaj species (le ta etiketojmë këtë gjen të dytë si G2).

Tani le të shtrojmë ngjarjet që do të pasojnë…
G1, pra gjeni i parë në shembullin tonë, është një gjen që – për të përdorur një metaforë – “i shërben” vetvetes, pra replikimit të vet, dhe si pasojë edhe organizmit ku ky gjen ndodhet. Kjo sepse për t’u replikar gjeni ka si kusht të nevojshëm që organizmi/individi të replikohet dhe të lëri pasardhës; kështu ky gjen G1 është i mirë edhe për veten por edhe për indivdin ku gjendet. Ky është i ashtuquajturi “gjen egoist” sipas R. Dawkinsit.

Gjeni i dytë (G2), i përkushtuar ndaj species/llojit, nuk e ndihmon individin që e zotëron atë gjen që të gjejë një individ tjetër për t’u çiftëzuar… G2 thjeshtë ndihmon organizmin që të punojë me individët e tjerë të species dhe t’i ndihmojë këta të gjejnë partnerë për t’u çiftëzuar. Ky gjen G2 është i mirë për specien, por jo (edhe aq)për individin ku gjeni ndodhet.

Tani, ceteris paribus, nuk ka aspak dyshim se gjeni që do të ketë më shumë gjasa për të “mbijetuar”, pra, replikuar vetveten, do të jetë gjeni i parë (G1). Ndodh kështu sepse G1 është një kandidat më i mirë për replikim. Ai e ndihmon organizmin/individin që të gjejë një partner seksual dhe si përfundim të riprodhohet. Gjeni i dytë, G2, nga ana tjetër, e inhibon riprodhimin e individit ku ndodhet, por ndihmon riprodhimin e individëve të tjerë të së njëjtës specie (të cilët mund të kenë ose mos të kenë të njëjtin gjen G2; pra mund të kenë edhe gjenin G1). Gjeni i dytë ka më pak gjasa që të arrijë të replikojë vetveten dhe të përhapet në të ardhmen. Në fakt, me shumë probabilitet ky gjen G2 dhe vetia që ai zotëron do të sjellin edhe fundin e vetvetes… sepse individët që zotërojnë këtë gjen G2 do të ndikojnë negativisht në replikimin e vetvetes, por pozitivisht në replikimin e G1. Me kalimin e kohës, kuptohet se G1, pra gjeni që është i mirë për vetveten dhe individin ku gjeni ndodhet, do të shndërrohet në një trakt/karakteristiikë që karakterizon të gjithë individët e asaj specie – meqënëse brez pas brezi, pasardhës pas pasardhësi G1 ka mundur të përhapet në popullatën e mëpasshme.

Pra, gjenet që janë tipike të një specie/lloji, nuk janë gjene që janë “dizenjuar”/formësuar nga procesi evolutiv dhe mekanizmat e tij selektues për të ndihmuar specien. Në të kundërt: gjenet që janë fomësuar për të favorizuar suksesin riprodhues të individit janë gjenet që me kalimin e kohës shndërrohen në gjene që karakterizojnë një specie/lloj të caktuar.

Aptenodytes forsteri -Snow Hill Island, Antarctica -adults and juvenile-8.jpg

Pinguinët perandorakë (Aptenodytes forsteri) – Wikipedia.

Kjo është arsyeja pse pinguinët perandorakë shfaqin një prirje (në sjellje) për të shtytur pingunët e tjerë në ujë në mënyrë që të testojnë nëse aty afër ka predatorë. Logjika këtu është se pinguinët perandorakë nuk rrezikojnë jetën e vet, por hedhin në ujë të tjerë individë të së njëjtës specie për të mos rrezikuar vetveten. Nënkuptohet se kjo prirje në sjellje është formësuar gjatë rrugëtimit evolutiv të species së pinguinëve perandorakë.

 

Reklama

Themele të biologjisë evolutive (1) – Tjetërsimet e materialit gjenetik

Themele të biologjisë evolutive

Në Biologji s’ka kuptim asgjë, nëse nuk shihet nën dritën e evolucionit.

Theodosius Dobzhansky, mars 1973

Progreset e biologjisë molekulare dhe të biokimisë në dhjetëvjeçarët e fundit kanë konfirmuar thënien e Dobzhansky-t. Ngjashmëria e madhe e rrugëve metabolike dhe sekuencave gjenetike mes phyla-ve është në favor të hipotezës se organizmat aktualë janë trashëgimtarë të një paraardhësi të përbashkët, të përftuar nëpërmjet një serie ndryshimesh të vogla (mutacionet), çdonjëra prej të cilave i jep një avantazh selektiv organizmave në ambiente të veçanta.

Ndryshimet (tjetërsimet) në udhëzimet trashëguese qëndrojnë në bazë të evolucionit

Pavarësisht besnikërisë pothuajse perfekte të procesit të replikimit të ADN-së, gjatë tij kryhen edhe gabime (edhe pse jo shumë të shpeshtë) që provokojnë ndryshime të sekuencës nukleotidike të ADN-së, duke gjeneruar mutacione gjenetike dhe modifikime të udhëzimeve për sintezën e përbërjeve qelizore (proteinave).

Një dëmtim i çfarëdoshëm në një nga vargjet e ADN-së, nëse nuk riparohet siç duhet, shpie në të njëjtin efekt. Mutacione të ADN-së të trashëgueshme ndaj pasardhësve, pra mutacione të pranishme në qelizat riprodhuese, që mund të jenë të dëmshme dhe letale (vdekjeprurëse) për organizmin e ri ose për qelizën e re.

Për shembull, mutacionet mund të provokojnë sintetizimin (prodhimn) e një enzime difektoz, që nuk është më në gjendje të katalizojë një reaksion metabolik thelbësor për qelizën apo organizmin.

Por, rastësisht, ndodhin edhe mutacione që përmirësojnë karakteristikat e organizmit apo të qelizës. Enzima e ndryshuar mund të ketë përftuar një specificitet lehtësisht të ndryshëm, që e bën atë të aftë të përdori një përbërje që më parë nuk e përdorte dot (nuk e metabolizonte dot). Nëse një popullatë qelizash ndodhet, për shkaqe të ndryshme, në një ambient ku ajo përbërje është e vetmja apo gjendet më me shumicë  se të tjera, për nevoja ushqyese, qelizat e ndryshuara do të kenë një avantazh selektiv përkundrejt qelizave që nuk e kanë pësuar muacionin (wild type – tipi i egër). Qeliza e ndryshuar dhe pasardhësit e saj do të mbijetonin (më) mirë në ambientin e ri; ndërsa qelizat e tipit të egër nuk do të kishin me çfarë të ushqeheshin ndaj do të vdisnin. Kjo është ajo çka Darvini donte të thoshte me “mbijetesa e më të mirit nën presionin selektiv”: procesi i seleksionit natyror.

Formimi i llojeve të reja nëpërmejt tjetërsimit të materialit gjenetik

Formimi i llojeve të reja nëpërmejt tjetërsimit të materialit gjenetik

Ndonjëherë, në setin (kompletin) gjenetik të një qelize (apo organizmi) futet një kopje (tjetër) gjeni në një kromozom, si rezultat i replikimit difektoz të kromozomit. Kopja e dytë është e tepërt dhe mutacionet që ndodhin mbi të nuk kanë efekte shkatërruese, apo dëmtuese. Por, (kopja e dytë) kthehet në një mjet nëpërmjet të cilit qeliza mund të evoluojë, duke prodhuar përveç gjenit origjinal një gjen me një funksion të ri.

Parë në këtë aspekt, molekulat e ADN-së të organizmave aktualë janë dokumente që sjellin të gdhendur rrugëtimin e gjatë të historisë evolutive, që nga qelizat e para e deri tek organizmat e sotëm. Por, ende, nuk dimë gjithçka mbi ADN-në. Në evoluim e sipër shumë mutacione mund të jenë fshirë ose modifikuar. Gjithsesi, nuk ka dyshime se, ADN-ja mbetet burimi më i mirë që kemi në dispozicion për të shkruar historinë e gjatë të biologjisë.

Frekuenca e gabimeve në dyfishimin e ADN-së përfaqëson një kompromis mes një numri tepër të madh gabimesh që do të prodhonte qeliza bija jo të shëndetshme, dhe një numri tepër të vogël gabimesh që nuk do të mundësonte atë variacion gjenetik që lejon mbijetesën e qelizave të ndryshuara në ambiente të reja.

Miliona vite seleksioni përshtatës i kanë perfeksionuar sistemet qelizore, për të përftuar avantazhin maksimal nga vetitë kimike e fizike të materialit bruto të gjendshëm në ambient për nevoja ushqyese.

Variacionet gjenetike të rastësishme të  individëve të një popullate, së bashku me selsksionin natyror, kanë sjellë gjatë rrugëtimit të evolucionit në shfaqjen e  një  larmishmërie organizmash, çdonjëri i aftë për të jetuar në një ambient të veçantë.

Rinstinkt, Mars 2013

—————————————————————