Cikli menstrual

Cikli menstrual

Procesi me anë të të cilit një oocit shndërrohet në një vezë të maturuar quhet oogjenezë. Në lindje, dy vezoret përmbajnë miliona oocitëoocitet parësorë që kanë arritur në profazën e ndarjes së parë mejotike.

Zhvillimi i një oociti parësor fillon që nga epiteli burimor (germinativ) i vezores. Grupe qelizash migrojnë drejt stromës. Oogoni qëndror zgjerohet në folikulin primordial dhe kthehet në një oocit primar (parësor). Oociti parësor është i rrethuar nga qeliza folikulare. Këta oocitë parësor (primar) qëndrojnë në profazë derisa femra maturohet seksualisht. Në pubertet dhe nën influencën e hormoneve, ndarja e parë mejotike vazhdon dhe përfundon. Qelizat folikulare shumëfishohen dhe kthehen në grumbullin vezëmbajtës (cumulus oophorus) dhe  në membranën thërrmijore (membrana granulosa), të cilat së bashku me qeliza të këllëfit të brendshëm (theca interna) sekretojnë estrogjen. Estrogjeni rezervohet pjesërisht në  lëngun folikular (liquor folliculi) që gjendet në zgavrën e folikulit Graafian. Formohet një oocit dytësor dhe dy trupa polarë. Rreth ditës së 14-të të një cikli normal 28-të ditor, një folikul Graafian i maturuar shpërthen dhe nxjerr vezën e pjekur. Ky proces nihet si ovulim (ovulimi). Ndërkohë zgavra e folikulit mbushet me gjak dhe formohet trupi i verdhë (corpus luteum). Nëse pllenimi nuk ndodh trupi i verdhë ndalon së prodhuari progesteron dhe tkurret rreth ditës së 28-të të ciklit. Nëse ndodh pllenimi, atëherë trupi i verdhë vazhdon të rritet dhe në të gjithë vëllimin e vezores. Trupi i verdhë është thelbësor për ruajtjen e shtatëzanisë nëpërmjet prodhimit të progesteronit derisa formohet placenta rreth muajit të 4-të të shtatëzanisë.

Më specifikisht, ovulimi është procesi i prodhimit të oocitëve dytësorë, të cilët dalin nga folikuli dhe merren nga tubat e Falopit drejtë mitrës. Oociti udhëton në tubat e Falopit – për rreth tre ditë – falë lëvizjeve peristaltike të mundësuara nga muskujt e lëmuar të oviduktit. Në oocit i papllenuar jeton rreth 24 orë pasi del nga folikuli. Kështu, pllenimi ndodh në tubat e Falopit. Nëse veza pllenohet, ajo i nënshtrohet ndarjes së dytë mejotike dhe më pas pasi shkrihet me qelizën spermë, i nënshtrohet në sërë ndarjesh mitotike. Pastaj, falë lëvizjeve të muskulaturës së ovidukteve dhe lëvizjeve të cilieve (qerpikëve) që i veshin, veza lëviz drejt mitrës (6 apo 7 ditë pasi qeliza vezë është pllenuar). Tashmë embrioni i ri fiksohet në endometër (3 apo 4 ditë pasi mbërrin në mitër).

Nëse qeliza vezë nuk pllenohet. Ajo vdes, dhe shtresa (veshja) endometriale e mitrës largohet me menstruacionet. Pak pas menstruacioneve, fillon dhe rritet një oocit tjetër dhe pas rreth 28 ditësh cikli përsërit veteveten. Ky cikël njihet si cikli menstrual. Cikli i parë menstrual quhet menarke, dhe shenjon ardhjen e pubertetit tek femra. Cikli i fundit menstrual, në të kundërt shenjon ardhjen e menopauzës, e cila përfaqëson fundin e jetës pjellore tek femra.

Cikli menstrual (apo i të përmuajshmëve) përsëritet , rreth çdo 28 ditë duke filluar nga puberteti e deri në menopauzë,  përveç në rastet e shtatëzanisë apo të sëmundjeve të caktuara.

I tërë cikli është nën kontrollin e hipofizës së përparme (gjëndër endokrine). Hipofiza prodhon hormone gonadotrofike si FSH-ja, LH-ja dhe LTH-ja.

FSH-ja prodhohet gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual dhe stimulon folikulin Graafian në rritje e sipër që të prodhojë estrogjen.

LH-ja prodhohet gjatë gjysmës së dytë të ciklit, pas ovulacionit (ovulimit), dhe stimulon formimin e trupit të verdhë (corpus luteum), i cili prodhon progesteron. Në pubertet, estrogjeni (estrogeni) dhe progesteroni (progjesteroni)  janë përgjegjës për zhvillimin e organeve seksuale dytësore dhe karakteristikave seksuale dytësore. Gjatë moshës së rritur, këto hormone janë përgjegjës për ruajtjen e organeve dhe karakteristikave seksuale dytësore.

Nivelet e estrogenit dhe progesteronit në gjak, bien gjatë menopauzës, sepse indi i vezores gradualisht fillon e nuk i përgjigjet më hormoneve gonadotrofikë të prodhuar nga hipofiza e përparme. Kështu cikli i ovarian çrregullohet dhe më në fund ndalon. Vezorja zvogëlohet dhe fibrotizohet (e pasur me ind fibroz) pa prodhuar më qeliza vezë. Të gjitha indet në trup fillojnë të tregojnë ndryshime. Ndodh mëpastaj një regresion i karakteristikave seksuale dytësore. Të gjitha këto ndryshime shenjojnë fundin e periudhës riprodhuese të jetës.

© Rinstinkt

Reklama

Sëmundjet e trashëgueshme

Sëmundjet e trashëgueshme

Sëmundjet e trashëgueshme përbëjnë një grup heterogjen kushtesh patologjike, që janë objekt i studimit të Patologjisë gjenetike.

Të gjitha sëmundjet e trashëgueshme shkaktohen nga një ose më shumë ndryshime të gjenomit të personit, pra ndryshime të ADN-së së një individi.

Molekule ADNje ne dyfshim

Ndryshimet e ADN-së janë të tipeve të ndryshëm, por në terma të përgjithshëm mund të tregohen  si mutacione. Këto shkaktohen nga agjentë mutagjen të jashtëm si radiacione, agjentë kimik dhe sipas disa autorëve nga agjentë mutagjenë endogjenë, si radikalet e lirë.

Quhen mutacione të vetvetishme (spontane) ato për të cilat nuk arrihet të gjendet një shkak; mendohet gjithsesi se ato i detyrohen fondit natyror të radiacioneve.

Në pjesën më të madhe të rasteve ndryshimet që janë përgjegjëse për shfaqjen e sëmundjeve të trashëgueshme janë prezigotike duke qenë se ekzistojnë që përpara formimit të zigotës (qeliza që formohet në momentin e fekondimit nga bashkimi i një spermatozoidi me një qelizë vezë dhe që është qeliza e parë e organizmit të ri që do të formohet). Prej zigotës, pas një sërë procesesh rreptësisht sekuencialë shumëfishimi dhe përdallimi (diferencimi), derivojnë të gjitha qelizat e organizmit të ri. Kjo do të thotë se ndryshimet e pranishme në ADN-në e zigotës do të gjenden edhe në të gjitha qelizat e tjera somatike të organizmit që kanë të njëjtën sasi ADN-je sikundër zigota.

Diferencat morfologjike dhe funksionale që tipizojnë citotipet e ndryshme varen nga fakti se në çdo citotip, kur ka ndodhur diferencimi, 95% e ADN-së së përgjithshme është e heshtur (nuk shprehet) dhe vetëm një kuotë prej 5% shprehet. Në këtë kuotë funksionuese (funksionale) shprehen si gjenet që kodifikojnë për produkte të domosdoshme për mbijetesën dhe shumëfishimin qelizor, si gjene që kodifikojnë për produkte që karakterizojnë specifikisht për çdo citotip dhe që si pasojnë ndryshojnë nga njëri-tjetri.

Për më tepër, duhet patur parasysh se, ndryshimet e ADN-së  trashëgohen tek zigota nga një ose nga të dy prindërit, të cilët nga ana e tyre i kanë marrë me të njëjtën mënyrë. Në këtë rast sëmundja merr karakterin e familjaritetit, duke qenë se mund të prek më shumë (se një) përbërës të të njëjtës bërthamë familjare. Gjithsesi duhet patur parasysh se një mutacion mund të trashëgohet tek pasaardhësit si pasojë e një mutacioni që gjatë jetës së prindit (të ardhshëm) prek linjën germinale (burimore seksuale). Në këtë rast mungon karakteri i familjaritetit të ndryshimit gjentik.

Në thelb, Patologjia gjenetike merret me sëmundjet e trashëgueshme, tek të cilat analizon etiologjinë, patogjenezën, tipet, lokalizimin e ndryshimeve gjenomike, shfaqjet fenotipike, frekuencën dhe shpërndarjen në popullatë, si dhe mundësinë për parandalim dhe terapi.

Sëmundjet e trashëgueshme janë të pranishme në momentin e lindjes si në rastin kur simptomatologjia është e dukshme si në rastin kur simptomatologjia nuk është e dukshme. Për këtë arsye quhen edhe sëmundje të bashkëlindura (të lindura). Por është po ashtu e vërtetë se jo të gjitha sëmundjet e bashkëlindura njohin në aspektin etiologjik ndryshime të trashëgimisë gjenetike: këto sëmundje shkaktohen nga infeksione që prekin (godasin) nënën në shtatëzani e sipër me transmetim të agjentit etiologjik tek fetusi, nëpërmjet placentës (për shembull: sifilisi, toksoplazmoza, infeksioni nga citomegalovirus, SIDA) ose të shkaktuara nga aksioni keqformues i disa ilaçeve, si për shembull thalidomidit (talidomidit) apo agjentë toksikë si për shembull dioksina. Në këtë rast aksioni që kryen ndryshimin në zhvillimin e organizmit të ri tregohet me emrin teratogjenezë.

Nëse një gjen ndryshohet, ndryshimi reflektohet në produktin gjenetik që është gjithnjë një molekulë proteinike, enzimatike apo strukturore, që do të kodifikohet me një gabim në sekuencën aminoacidike që e bën në këtë mënyrë defiçitare në aspektin funksional. Për shembull, në aneminë me qeliza në formë drapëri molekula e hemoglobinës kodifikohet me një gabim që sjell një mungesë funksionale: një vargjet proteinike në pozicionin 6, acidi glutamik zëvendësohet me valinën. Në këtë rast është e thjeshtë të kuptohet se Patologjia gjenetike është shndërruar praktikisht në Patologji molekulare.

© Rinstinkt 2012, mbi tekstin

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————————————-