Jacques Lacan dhe postmodernizmi në përgjithësi (2)

Jacques Lacani dhe postmodernizmi në përgjithësi (2)

[Koment-replikë ndaj Ardian Vehbiut, TO LACAN OR NOT TO LACAN? –nyje]

Në komentin e vet te tema tjetër, Phaino ndërtoi një straw man argument; duke shpjeguar se doktrina e Lacan-it nuk është shkencore; në fakt, unë nuk di që Lacan-i vetë ta ketë paraqitur atë si shkencë. (Ardian Vehbiu, PTF 30.12.2013)

Shumë komode kjo mënyrë të të shprehurit, Ardian. Tipike e atyre që quhen post-modernistë. Që duke qëndruar të vagullt, mund t’i shpëtojnë kritikës duke bërë lojra fjalësh. Në rastin tonë: edhe më akuzon se po shtrembëroj “qëllimin” e veprës së Lacanit, mirëpo edhe thua se “unë nuk di…”. Ata që janë edukuar në perëndim, me gjithë modestinë e mundshme, këtu e ndërpresin leximin, sepse i pandershëm, mistifikator. Sepse nuk mund të më akuzosh mua për tjetërsim të “qëllimit” të Lacanit e njëkohësisht të lësh një steg për t’i shpëtuar kritikës. Kështu meqë ti nuk e di nëse Lacani i ka paraqitur apo jo si shkencore, atëherë pse merr guximin për të më akuzuar mua për shtrembërim? A është vallë prej intelektuali kjo mënyrë të bëri të gjërave?
Kam besimin se lexuesi i njëfarë niveli – pa ofendim për të tjerët sepse është një çështje e të njohurit të disa shtyllave mbi të cilat ngrihet debati, e që lexuesit mesatar mund të mos i dijë – e kupton se kjo mënyra jote është e pandershme, anti0intelektuale. Mbi këtë bazë, edhe të njëfarë egoje të intelektit, refuzoj të të “debunkerizoj”(?) dhe qartësoj se përse kjo pikë është një nga pikat themelore mbi të cilat ngrihet kritika për sharlatanizëm e z. Jacques Lacan (e në përgjithësi e të gjithë shpurës post-moderne).

Me të tjerat nuk merrem, edhe pse ti si gjithnjë citon gjëra dhe kontekste pa ua kuptuar mirë thelpin, e pa ndonjë domethënie. Ty, të mbajnë edhe për erudit, por që nga leximi jam tërësisht i bbindur se nuk është asfare i tillë. Hedh terma teknikë, të gjetura tek tuk nëpër rrjet, për më tepër në këtë kontekst që është tërësisht jo-relevant. Natyrisht qëllimi nënëkuptohet: impresionimi i lexuesit të pamësuar, apo për të trembuer e intimiduar ata që nuk kanë kohë të merren më këto gjëra.

(Disa procedura të “mjekësisë” tradicionale kineze kur kanë dhënë prova dhe fakte mbi efektshmërinë e tyre, janë përqafuar nga shkenca dhe mjekësia kapitaliste, pa thonjëza fare…)

Kështu, pas leximit të shkrimin, dhe rrejshmërisë së akuzën tënde, gjykoj të rrëzuar në fillim të këtij komenti, them se shkrimi është një straw-men përkundrejt domenthënieve të atyre çka unë pohoj.
Them kështu për të të mos krahasuar me ata fondamentalistët që hedhin tonelata me citime false, të rreme, jashtë kontekstit, duke mos i lënë tjetri kohë për t’u përgjithur, edhe pse kjo nuk do të ishte hera e parë.

Nga ana tjetër nuk mund të mos vë në dukje se ti me këtë shkrim, duke dalë hapur me disa (pseudo)argumente, në mbrojtje të Lacnait dhe Lacanianëve i del në shteg komentuesit Pauper (pauperal) i cili tema “Lëreni ta Tregojë” të pyet, nëse kjo “fushata” jote mbi psikanalizën Lacaniane ka apo jo ndonjë qëllim praktik. Ti atje thua jo natyrisht, por këtu tregon krejt të kundërtën.
Mënyrën se si ti i afroheshe “ëndrrës” dhe psikanalizës Lacaniane tek ai shkrim ngjan shumë me atë që quhet “secular mysticism”, meqënëse dikursi përpiqet të prodhojë një efekt mendor të atillë që nuk janë as pastërtisht estetike letrare, por as nuk bëjnë apel për arsye, duke qëndruar në një zonë gri, mistike pra, me qëllime të lloj-llojshme. Ky lloj diskursi, i eksperimentuar prej teje në atë shkrim, është kryekëput i ngjashëm me atë të mashtruesve mistikë post-modernistë, meqë jo vetëm nuk mund të rrëzohet me arsye, çka e bën të pa falsifikueshëm, por edhe i rrezikshëm, meqë mbi teori të ngjashme janë ngritur ideologji si ajo komuniste. Jo më kot një pjesë e mirë të këtyre mumbo-jumbove post-modernistë si Zizeku (i cili dashurohet shumë nga radikëlët komunistë shqiptarë) Deleuze, Lacan etj kanë tiparet e një sekti, shkrimet dhe pohimet e të cilëve janë bërë me kalimin e kohës gjithnjë e më hermetike, më kriptike në interpretim karakteristikë kjo e teksteve të shenjtë. Jo më kot disa grupime marksiste, që kanë mistifikuar jo pak mbi teoritë origjinale të këtij, i drejtoheshin teksteve si disa libra shenjtë për të gjetur përgjigje për gjithçka.

Pas këtyre që po shoh, i shqetësuar tej mase për shëndetin publik shqipëtar, administrimin e tij aktual dhe akoma më shumë atë eventual mistik, shpresoj që në Shqipëri të ketë psikiatër dhe intelektualë të vërtetë që dinë t’i bëjnë ballë këtyre teorive mistifikatore, dhe t’i kufizojnë këto vetëm atje ku kanë vendin, në spekulime letrare… e shumta filozofike.

Kam vëmendjen tënde. Komentet eventuale, të njëfarë natyre dhe “intelekti”, do të tregojë nëse kam apo jo edhe vëmendjen të ndonjë grupimi të caktuar.

 

Jacques Lacan dhe postmodernizmi në përgjithësi

Mbi teoritë psikanalitike të Jacques Lacan dhe postmodernizmin në përgjithësi

[Koment i lënë në një bashkëbisedim me komentuesin Read Me tek blogu PTF: nyje]

Realisht Read Me është pikërisht ashtu, siç thua ti. Por jam pak i habitur të themi, se ku e ke gjetur këtë informacion, disi të detajuar, duke supozuar se jeton në SHBA, meqë aty Lacanin e njohin fare pak. Jo se imperializmi amerikan është i pa-kulturë, përkundrazi ka prodhuar e prodhon me tonelata, por sepse nuk vlen.

Nuk vlen së pari në terma të teorisë shkencore, meqë një teori që të fillojë të konsiderohet shkencore duhet me pasë një bazë shkencore, faktuale. Për shembull, sot dihet se natyra njerëzore nuk është e tillë sikundër ajo që ka postuluar Freudi e të cilën mëpastaj Lacani duke futur ca konjektura prej sharlatani të mirëfilltë (me topologjinë etj) e tjetërsoi edhe më natyrën e veprës origjinale, e cila edhe ajo kishte mangësi të mëdha – tek e fundit duhet kuptuar, ajo ishte koha, Darvini nuk njihej mirë, edhe për shkak të shtrembërimeve letraro-filozifike të konceptit “evolucion”.

Nuk vlen, së dyti, në terma të psikanalizës, apo psikoterapisë, pra terapisë së të sëmurëve (meqë CBT e lë në klasë)*. E kjo, gjykoj, është pjesa më kritike, meqë duket se Ndonjë një gjysmë ide, për aplikime praktike e ka patur, përndryshe nuk do të llapej kaq shumë, në media vizive e më gjerë.
Shqipëria në këtë aspekt është totalisht e pambrojtur, meqënëse metabolizmi i lexuesit nuk arrin të mbijetojë ndaj një mësymjeje të organizuar të pseudoshkencës Lacaniane.
(*Nuk vlen, sepse nuk jep rezultate. E vetjma mënyrë për të futur këtë pseudo-terapi në sistemin shëndetësor është ose nëpërmjet tarafeve ose nëpërmjet keqinformimit të publikut. Që të dyja plotësisht të realizueshme në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë, thjeshtë për një “teori”, ë! të kuptohemi… Flitet për mirëmenaxhim, për të kryer disa zgjidhje racionale, të arsyetuara, për të shërbyer me sa më shumë efektshmëri dhe më pak shpenzime. :) )

Së treti, nuk vlen as në terma të filozofisë, meqënëse të bësh filozofi duhet, edhe këtu, të nisesh nga një bazë reale, nga ku mëpastaj edhe të spekulosh, sipas një mënyre racionale, në gjykimin tim.
Nga kjo pikë do të dilte një diskutim më i gjerë, psh mbi ata që vet-quhen postmodernistë, e të cilin grupim në Shqipëri e keqkuptojnë. Janë të ashpra vërtet kritikat ndaj postmodernistëve, të cilët tentojnë hera herës të bëjnë edhe kritika konstuktive ndaj modernizmit – të cilat nga leximet e mia, kam parë: janë të mirëpritura – por që në pjesën më të madhe të tyre veprat, që nga Lacani, Deleuze e tek më i patëkeqi nga këta Derrida, janë të përcipta, të mbushura me fjalë të mëdha (pordhë thotë populli), lojra fjalësh. Jo më kot, në pjesën më të madhe të vet (përjashto Derridën) janë të pakuptueshëm; sepse nuk thonë asgjë. Ajnshtajni thonë se ka thën(perifrazim), se nëse një gjë e ke kuptuar, atëherë duhet të jesh në gjendje t’ia shpjegosh edhe gjyshes.
Postmodernistët, e kot të them, reagojnë duke thënë se modernizmi, alias shkanca dhe metoda shkencore, është e keqe, dhe injorante, e nuk e kupton post-in, dmth avantgardën (modestia në kulm lol). Pale kur avancojnë disa ide se shkenca qenka edhe kapitaliste (kur në të vërtetë, edhe pse kërkon para, është një konstrukt shoqëror. Tek e fundit si vetë kapitalizmi, çdonjë fenomen tjetër, përfshirë shkencën, është një pasuri e njerëzimit dhe përfaqëson motorin e zhvillimit dhe të avancimit, jo vetëm ekonomik por edhe të dijeve, meqë konkurrencën e ka përvetësuar edhe procesi i evolucionit).

Pastaj, se sa vlen e sa mund të influencojë në terma të letërsisë, nuk më intereson edhe aq shumë, deri në pikën kur thotë se njeriu mund të trajtohet si tekst. (Sepse, dreqi ta marrë, mezi po merremi me racizmin dhe tabula rasën… nuk na duhet një tjetër. :D )

 

Mirëqenia fizike si biovlerë

Disa konsiderata ndaj përfundimeve që nxjerr Ardian Vehbiu (Xha Xhai) në shkrimin e vet të titulluar “Si u shkalit çeliku” – Peizazhe të Fjalës, 25.11.2013

Shto këtu edhe që sporti, me përjashtim të lojërave, e ka lënë mënjanë përbërësen kolektive dhe korale; meqë shumë nga ata që ushtrohen, qoftë në palestër, qoftë në shtëpi, qoftë në mjedise publike ose në parqe, ushtrohenvetëm; desocializim ky që pasqyron, në mënyrën e vet, elementin narcisik të kulluar të të mbajturit në formë, ose të prodhimit të shëndetit të mirë thjesht për konsum vetjak ose (auto)erotik. (“Si u shkalit çeliku” – Ardian Vehbiu, 2013)

Shëndeti fizik si biovlerë

Vëzhgim jo i plotë, ose dashakeq do të gjykonte ndonjë, në varësi të përqasjes që lexuesi zgjedh ndaj leximit në fjalë apo prekoncepteve të veta ndaj “problemit” apo edhe autorit. Unë do të thoja se është një lexim i pjesshëm për të qenë politikisht korrekt; kjo edhe sepse nuk e di se çka në paln të bëjë z. Vehbiu me këto mendime të shtjelluara në mënyrë të këtillë.

Ardian Vehbiu thotë se (perifrazim), e kanë lënë mënjanë përbërësen kolektive – por kjo nuk është aspak e saktë, gjykoj, dhe po përpiqem të jap një ilustrim.

Mendoj se nuk e kam gabim nëse them se futbolli sot luhet siç luhej dje. Biem dakord, shpresoj. Natyrisht edhe ushtrimi në mënyrë të vetmuar nuk është se u shpik sot. Them, e ndonjë që ka kujtime të gjalla nga vitet e diktaturës komunsite mund ta hedh poshtë ose jo, se sporte e aktivitete të kalitjes së fizikut individuale, apo “të ushtruara vetëm” ekzistonin edhe askokohe. Pra përbërësja kolektive, apo ushtrimi kolektiv ekziston, në vet qënësinë e sportit e të aktivitetit fizik; ku ndër të tjera thuhet se e rëndësishme është pjesëmarrja.

Dua të sjell këtu në vëmendje edhe palestrat, të cilitdo specialitet qofshin. Qoftë ato normale, ato të boksit, aerobiket etj. Këto vende nuk janë si disa lloje stallash ku njerëzia shkon dhe futet në disa kutiza nga të cilat del pas një sërë minutazhi ushtrimesh apo aktiviteti, pra, pa qenë në kontakt me të tjerët (si rrezatimi artificial).
Në të kundërt, në të kundërt… Ata që i kanë parë palestrat të paktën një herë, qoftë edhe nga jashtë, meqë shumë nga këto janë me xhama – e kjo mbase është një strategji thithëse për klientë potencialë ziliqarë, të cilët në pamundësi për të folur keq për ata që ushtrohen, mposhten e regjistrohen edhe ata – do të kenë vënë re padyshim se aty edhe bëhet muhabet, flitet pra… Shkëmbehen përshtypje jo vetëm mbi ushtimet që instruktori mund të ketë këshilluar, por edhe të tjera gjëra nga si ato të jetës së përditshme, duke qene një nga vendet ku sot krijohen edhe njohje; vend ku gjenerohen lidhje të reja, shoqëri të reja, ku shoqërizohet.

Kështu, mbi këto premisa, unë këtë de-socializimin që fut në lojë Ardian Vehbiu nuk mund ta kuptoj veçse si një postulat të rrejshëm, apo të influencuar nga prekonceptet apo afrimiteti dhe afiniteti me njërën dhe jo me tjetrën kohë; në mënyrë respektive totalitarizmin diktatorial komunist dhe tranzicionin post-komunist, apo derivate të këtyre kohëve. Këtë mund ta pohojë apo kundërshtojë kategoriksiht edhe Ardian Vehbiu nëse do, pas një vet-analizimi, jo detyrimisht psikoanalitik.

[…] të akumulojë sa më shumë kapital shëndeti duke u ushtruar [Pronger]. Në realitet, megjithatë, sot trupi i individit i përket tregut dhe shëndeti ose gjendja optimale e trupit përftohen në kontekstin e gjerë të këtij tregu, nëpërmjet konsumit të shërbimeve mjekësore e kozmetike (plastike) dhe të veprimtarive fizike. (“Si u shkalit çeliku” – Ardian Vehbiu, 2013)

Progner, që unë nuk e kam lexuar ka pjesërisht të drejtës, sipas gjykimit tim. Përse shprehem kështu? Ndërsa është e vërtetë se tregu – e kur themi treg nuk kemi parasysh vetëm kolosët e mëdhenj kapitalistë për të cilët mes shqiptarëve ekziston njëfarë fike apo fobie, mbase nga komunistofilia e gjerë mbase – krijon njëfarë rrethimi imponues, i kuptuar ky rrethim si një mesatare e sjelljes së gjithë individëve të tjerë pa një individ, nuk të imponon gjithsesi se si të sillesh; njeriu është gjithsesi i lirë. Të paktën mund të themi se tregu ka ndaj individit një qëndrim shumë më liberal,  e kështu shumë më pak imponues nga ai që ekzistonte në Shqipërinë diktatoriale komuniste. Qëndrimi që merr individi, që po marr si etalon për të dhënë mendimin tim, influencohet padyshim nga tregu. e kështu nga sjellja e individëve të tjerë, por është pra jo i imponuar siç ishin e janë shumë sjellje në sisteme totalitariste komuniste, në të cilat komunizmi utopik (pretendonte) që mund të realizohej kërkonte medoemos shtypje të të drejtave apo edhe gjak njeriu.

Në një shoqëri të sunduar nga ekonomia e tregut, pronësia private dhe dëshira për t’u pasuruar, shëndeti nuk i përket më individit, por është produkt i marrëdhënieve midis individit dhe establishment-it mjekësor dhe biopolitik. (“Si u shkalit çeliku” – Ardian Vehbiu, 2013)

Kur hapa blogun tim, modest, një nga postimet e para ishte një lajm i përshtatur në shqip mbi sanksionet që FDA i kishte imponuar një firme të madhe farmaceutike në SHBA. Lajmin në fjalë e postova edhe tek blogu PPU, ku një nga komentet e pakta kishte një ton sarkastik, tallës rreth përfundimit të postimit tim ku thoja, pak a shumë, se qeveria amerikane me instrumentet e saj institucionale bëri atë që duhej. Tallja mbase sonte të thoshte se sanksioni nuk mjaftonte, e kjo firmë duhej çmontuar dhe shpërndarë në mënyrë përpjestimore mes urrejtësve të saj. Individi që kishte lënë komentin do të ketë qenë medoemos, sikundër edhe xh2 besoj, një kritik i kësaj industrie ekonomike, le të themi.

Sipas këtyre kritikëve varësia që ka shoqëria e sotme njerëzore nga këto firma farmaceutike, apo gjithsesi ndaj kolosëve të mëdhenj kapitalistë (tregu) është shtrembëruese, e nuk përfaqëson natyrën apo nevojat e vërteta të njeriut, e se këto shohin vetëm interesin e vet.

Kjo mund të jetë e vërtetë, padyshim; por unë personalsisht kam një qëndrim tjetër, lehtësisht të ndryshëm, jo- radikal.

Neve na duhen fonde për të kryer kërkimin shkencor, për të përmirësuar jetesën tonë, për të testuar një teknologji të re, jo vetëm biomjekësore apo bioteknologjike… e nëse dhënia e këtyre fondeve është pashmangshmërisht e lidhur me nxjerrjen e fitimeve financiare, atëherë është pikërisht investimi që përcakton edhe drejtimin, e kërkimit shkencor dhe të rezultateve. Një shtet/komb pa kërkim shkencor është i paracaktuar të jetë një shtet i prapambetur, këtë e tregon edhe zhvillimi ekomonik i vendeve që investojnë në edukimin shkencor të popullatës krahasuar me ato që këtë lloj edukimi e kanë të mangët.

Për shembull, kërkimi shkencor mbi një ilaç të ri, i nxitur nga zbulimi i një receptori nervor që nuk njihej më parë, kërkon rreth 10 vite punë të pandalshme, e nuk është e thënë se në fund të këtyre 10 viteve do të dalë patjetër një molekulë e re që funksionon më mirë nga ato ekzistentet. (Nuk po i përshkruaj këtu etapat që kalon një mision i tillë). Qeveria e ka pothuajse të pamundur të jap financime të tilla, dhe e vetmja mënyrë që kemi, si qenie që u imponohen të tjerave, është ta bëjmë nëpërmjet tregut. Kompanitë farmaceutike investojnë, kërkojnë e nëse nga kërkimi e zhvillimi rezulton një ilaç i ri, shpërblehen nga tregu për punën e tyre; shpesh duke patur patentën për ekskulzivitetin e tragtimit të ilaçit në 20-30 vitet e para (mëpastaj kthehet në domen publik). Nuk ka mënyrë tjetër.

Kjo është një çështje prodhimi, mirëfilli prodhimi dhe konfigurimi; së pari të vërtetash kimike e mëpastaj me aplikimin e tyre në të vërteta shëndetësore, meqë ilaçet edhe kurojnë, qoftë edhe në mënyrë simptomatike. Pra nuk bëhet fjalë thjesht për marketing falsitetesh, apo gjërash kalimtare, të pavlera. Shëndeti para së gjithash.

Ndërsa në rastin e mirëmbajtjes së trupit, të ushtirimit fizik sot, jo vetëm në palestra, kjo ka të bëjë më shumë me atë që quhet biovlerë. Duke u nisur nga Catherine Waldby – sipas së cilës termi biovlerë përdoret për të ilustruar mënyrat e përdorimit të organeve dhe indeve të derivuara nga të vdekurit për t’i ri-integruar, ri-përdorur, për fuqizimin e shëndetit të të gjallëve – mund të themi e ta përdorim termin biovlerë për të përshkruar shumësinë e mënyrave në të cilat vitaliteti vetë është kthyer në një fuqi vlere të mundshme. Biovlera si vlerë e nxjerrë nga cilësitë e proceseve jetësore. (Waldby 2002). Kjo për të prodhuar një shëndet më të mirë e për të nxiturr rritjen dhe zhvillimin e përballueshëm.

Në këtë aspekt, ushtrimi fizik është tejet i këshilluar edhe nga mjekët të cilët kanë mësuar se në kurimin dhe përmirësimin e shëndetit publik një rol jashtëzakonisht të madh e luan parandalimi.

Sepse Mjekësia klinike sot e koncepton pacientin si një subjekt “aktiv”, një subjekt që ka një rol domethënës, një rol që duhet kryer në lojën e kurës, apo të parandalimit. (Armstrong 1984)

E kështu, për ta mbyllur, këshilloj ata që nuk i njohin e nuk janë në dijeni mbi efektet mirëbërëse dhe parandaluese të aktivitetit të moderuar fizik, të pyesin mjekun e vet, e nëse ky rezulton injorant apo specialist në një tjetër fushë e kështu i painformuar, t’i drejtohen faqes së ndonjë insitucioni shëndetësor zyrtar.

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

————————————————————–

Vaksina NUK i ngjan sëmundjes

Vaksina nuk i ngjan sëmundjes

Po i rikthehem një çështjeje të cilën e njoh disi më mirë se të tjera, edhe për shkak të interesave personale mirëfilli intelektuale. Asaj të vaksinave. Muaj më parë (25 maj 2013) Ardian Vehbiu botonte në blogun e vet (Peizazhe të Fjalës) një shkrim, -ese letrare e quan ai me të drejtë-, në të cilin ndër të tjera pohon(te) edhe se:

Më vonë do të mësoja se, nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë; meqë kur na vaksinojnë na futin në trup baktere ose viruse të dobësuara, ose të ngordhura, ose të neutralizuara; për të zgjuar mekanizmat mbrojtës dhe për të nxitur prodhimin e antitrupave.

Më vonë do të mësoja se, nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë; meqë kur na vaksinojnë na futin në trup baktere ose viruse të dobësuara, ose të ngordhura, ose të neutralizuara; për të zgjuar mekanizmat mbrojtës dhe për të nxitur prodhimin e antitrupave.

Kritika që ngrita asokohe qartësisht nuk u mirëprit, në daç për shkak të faktit se ishte kritikë, në daç për faktin se tërhiqte vëmendjen nga qëllimi origjinal i shkrimit, siç edhe shprehet vetë Vehbiu në koment-replikat e veta. Gjithsesi më duhet për arsye të kësaj përsiatje të shkrurtër shpresoj, të citoj edhe vetveten, pa kërkuar gjithsesi përfshirje të të tjerëve në debate ku nuk kanë qejf të marrin pjesë. Kështu, kritika e ngritur kishte të bënte me këtë shprehje: “nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë;”. Nëse shprehja përdoret nga një individ që është i fushës biomjekësore, do ta konsideroja të pafalshme. Po e pafalshme është edhe përdorimi i kësaj shprehje nga qarqe të caktuara, lobe e individë të lidhur ekonomikisht e pse jo familjarisht me firma që prodhojnë përbërje homeopatike; të cilat unë refuzoj t’i quaj ilaçe.

Një digresion i vogël: prodhuesit e përbërjeve homeopatike, gjiganti Boiron për shembull,  pretendojnë se kurojnë ndër të tjera edhe mbi bazën e “i ngjashmi kuron të ngjashmin”, e këtu u shërben jashtëzakonsiht mistifikimi se vaksina i ngjan sëmundjes. Në kuptimin që, (për ilustrim), meqë kinina shkakton dhimbje koke, kinina e holluar, shumë shumë herë, pra e holluar në mënyrë ekspponenciale po them, shërben si një kurë për dhimbjen e kokës. Rrejshmëria  logjike këtu mund të mos jetë e qartë për shumë vetë ndaj këshilloj leximin e serisë së shkrimeve, të përshtatur nga i nënshkruari, mbi Legjendën Homeopatike. tani, pa u ndalur më gjatë tek homeopatia, po argumentoj se përse të thuash se “vaksina i ngjan sëmundjes vetë” është jo vetëm e gabuar po edhe mistifikim që i shërben mashtrimeve mbi konsumatorin.

Vaksinimi, pa nevojë përkufizimesh, është procesi nëpërmjet të cilit evokohet një përgjigje imunitare specifike kundër një mikroorganizmi . veksinimi realizohet nëpërmjet ekspozimit të sistemit imunitar ndaj një forme apo një përbërësi jo patogjen të vetë mikroorganizmit – vaksina pra. Nuk ka dyshim se vaksina, vaksinimi është një nga arritjet më të mëdha të imunologjisë, dhe më tej dijeve njerëzore teorike. (Çfarë janë dhe si bëhen vaksinat?)

Kalojmë tani tek sëmundja. Me sëmundje zakonisht, në terma të përgjithshëm, kihet parasysh një çrregullim i rendit normal të funksionimit të gjërave në organizmin një gjallese. Kështu sëmundja mund të njohë shkaqe traumatike, gjenetike, infektive e më tej akoma. Nuk mendoj aspak të jetë vendi që të flas mbi sëmundjen/et si abstraksione; do të ishte tepër e ndërlikuar. Shpesh në perceptimin publik, kur thuhet sëmundje sillen ndër mend imazhe apo kujtime sëmundjesh infektive, andaj një nga shkaqet themelore mbi të cilin lind mistifikimi natyrisht i pabazë se “vaksina i ngjan sëmundjes”. Vaksina nuk i ngjan sëmundjes. Vaksina ka të përbashkët me sëmundjen infektive vetëm entitetin infektiv, apo ndonjëherë pjesë të tij. Po natyrisht sëmundjet nuk janë vetëm infektive; e sikur të mos mjaftonte kjo edhe sikur sëmundja të ishte infektive ajo nuk ngjan me vaksinën, apo anasjelltas. Sëmundja ka të bëjë me çrregullimin, me  mekanizmin patologjik, i cili kthehet në patologjik. Agjenti etiologjik, i dobësuar ose jo, është një gjë e sëmundja, në tërësinë e saj, është një gjë tjetër.
Ky është thembi i gjësë.
Më poshtë, po bashkëngjis një pjesë të një prej komenteve të mi, të lënë mbi shkrimin e Ardian Vehbiut të cituar në fillim.

Kam përshtypjen se ti flet për mekanizmin, “filozofinë” e funksionimit apo entitetin, po e quaj kështu, që qëndron, si pas vaksinës po ashtu edhe pas sëmundjes (infektive); që është mikroorganzimi. Ndërsa unë i jap, detyrimisht, një kuptim të caktuar sëmundjes, që është tërësia e çrregullimeve në funksionimin dhe anatominë normale të organizmit, ti me sa kuptoj, këtu ke parasysh me sëmundje thjesht e vetëm pjesën infektive të saj. “dhe kjo ngjashmëri madje nuk kufizohet vetëm në faktin që të dyja infektojnë dhe sëmurin.” Sëmundjen infektive në përbërësin e vet infektiv, eksternalizues të agjentit etiologjik, dhe jo sëmundjen si sëmundje si mekanizën fiziopatologjik, siç shpresoj ta ketë parasysh çdonjëri prej atyre që na lexon. Sepse nuk ka vetëm sëmundje infektive, sado që ti fole kryesisht për ato, meqë tema ishte imunizimi “i detyruar”. Nuk e di nëse nga ana gjuhësore ka ndonjë term që përkufizon një përdorim të tillë të pjesshëm të fjalës, si në rastin e “sëmundjes”, të përdorur për komponentin infektiv të saj.

Rinstinkt, tetor 2013

————————————————————————————————————-