Saramago, ngrehina propagandistike dhe vota me kryq – Grid Rroji

Grid Rroji: Saramago, ngrehina propagandistike dhe vota me kryq 

Siç e kisha parashikuar në një shkrim të mëparshëm në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore kemi hyrë në fazën e tretë të reagimit të palëve të parisë së Tiranës ndaj nismës së votës me kryq. Vetëm në dy tre ditët e fundit ka patur reagime në pothuaj të gjitha mediat nga Piro Misha, Çapajev Gjokutaj, Denar Biba, Edison Ypi, Skënder Demalia, Pëllumb Kulla, etj. pa përmendur faktin që kryebashkiaku “përherë i qeshur” demokrat i Tiranës ka bërë spot televiziv kundër bojkotit. Disa nga argumentat kanë qenë qesharakë, si për shembull “këta janë spiunët e Berishës”. Por, disa të tjerë janë rrekur t’a justifikojnë kundërshtinë e tyre me nismën, edhe pse shprehen dakort me premisat e saj. Nga të gjitha anët ndjehet një lloj frustracioni me suksesin e kësaj nisme, e cila me sa duket e ka goditur shumë më tepër se numerikisht parinë.  Thënë thjesht, vota me kryq përveç të tjerave, rrëzon ngrehinën ideologjike me të cilën paria i ka rrethuar shqiptarët. Duke i vënë kryqin votës,  shqiptarët dalin nga mendësia e burgut në të cilën preferon ti mbajë paria e Tiranës.

Argumentat për të votuar nderin dhe për t’i vënë kryq votës janë shtjelluar gjerë e gjatë në Rrethin e Ferrit dhe nuk dua t’i përsëris rishtaz. Por, duke marrë shkas nga një përsiatje e z. Gjokutaj mbi nobelistin Zhuze De Souza Saramago, në këtë shkrim dëshiroj të ndalem tek aspekti propagandistik i projektit sundues të parisë, për shkak se ai përbën një shtyllë qendrore të tij. Është pikërisht lëkundja e një pike qendrore si modeli ideologjik, i cili mendohej si i pathyeshëm duke marrë parasysh kontrollin e plotë mbi mjetet e shpërndarjes së informacionit,  që e ka shqetësuar parinë.

Në veçanti, argumenti kundër votës me kryq i z. Gjokutaj, një njeri i letrave dhe ish drejtor i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të Xhorxh Sorosit, mbështetej në refuzimin e paralelit të bërë nga Fatos Lubonja midis Esesë mbi Kthjelltësinë e Saramagos dhe realitetit shqiptar.

Ndonëse nuk jam kritik letrar por vetëm dashamirës i letërsisë, e njoh veprën e Saramagos si dhe veprimtarinë e tij politike aq sa për të patur një tablo të qartë të botës së tij alegorike. Së pari, argumenti se realiteti i Saramagos është alegori letrare dhe si e tillë nuk mund të jetë i krahasueshëm me jetën reale është i dobët logjikisht. Është e ditur se shkrimtarët që kanë jetuar në sisteme autoritare e diktatoriale, si Saramago i cili u lind dhe u rrit nën një diktaturë fashiste, janë tejet të prirur t’a gjejnë shkrehjen e tyre shpirtërore tek alegoritë dhe mitologjia e të shkuarës apo bota fantastike e të ardhmes. Nuk besoj se z. Gjokutaj ka dashur të nënkuptojë se tek Kështjella e Kadaresë për shembull nuk gjinden elemente thelbësore të një Shqipërie ku “punohej, jetohej dhe mësohej si në rrethim”. Nga ky pikëvështrim, “Verbëria” dhe “Kthjelltësia” e Saramagos janë prototipe të një shoqërie e cila  sundohet jo vetëm nga forca e autokracisë, por edhe nga fuqia e propagandës shoqëruese. Propaganda ka rol kryesor në krijimin e mendësisë së burgut, e cila më pas garanton pranimin e realitetit si të pandryshueshëm. Këtu lind krahasimi me gjendjen aktuale të shqiptarëve të cilët jetojnë në një botë pa shtet të mirëfilltë, ku sundon krimi, ku i aftë është xhambazi dhe matrapazi dhe ku propaganda e parisë të thotë se ky është realiteti i pandryshueshëm. Pra, realiteti shqiptar thjesht ka shumë ngjashmëri me “alegorinë” e Saramagos.

Së dyti, “Eseja mbi Kthjelltësinë” i përket periudhës së “ekzilit” kur Saramagoja me vullnetin e vet ishte zhvendosur në ishujt Kanarie. Vetëekzili nga 92-shi deri në vdekjen e autorit, ishte një mënyrë proteste ndaj qeverisë për shkak të refuzimit të përfshirjes së veprës së tij “Bibla sipas Jezu Krishtit” në një konkurs letrar. Sipas burimeve mediatike të kohës, pas trysnisë së Vatikanit qeveria portugeze (asokohe e zgjedhur demokratikisht) e kishte hequr librin nga lista e kandidatëve duke e  konsideruar si blasfemi.

Pra, “Kthjelltësia” është e shkruar jo më nga një revolucionar Stalinist siç konsiderohej Saramagoja i viteve 70të, por nga një mendimtar tejet skeptik për kontrollin e hekurt të lirisë njerëzore në demokraci me anë të mjeteve propagandistike. Së bashku me Esenë mbi Verbërinë kjo vepër ngjan më tepër me një pozicionim filozofik që shkon përtej vlerave letrare. Sipas biografit dhe mikut të tij Antonio Zhoze Borges “qëllimi i Saramagos në këto romane është krijimi i një debati mirëfilli intelektual dhe racional mbi disa ideologji të cilat shoqëria i ka pranuar verbërisht” (Jose` Saramago: Da Cegueira a Lucidez, Zefiro 2010). Pra, Saramago nuk mjaftohet me kritikën ndaj diktatorit Salazar, i cili sundonte me dorë të hekurt Portugalinë fashiste, dhe as mjaftohet me kritikën ndaj fashizmit si sistem. Ai shkon edhe më thellë duke kritikuar mekanizmat që mundësojnë autoritarizmin dhe në veçanti rolin kyç të makinës propagandistike. Edhe këtu nuk është e vështirë të identifikohet paralelizmi me parinë e Tiranës, e cila ndjek një vijë të qartë e të përbashkët ideologjike që përshkohet nga urrejtja për shqiptarët dhe mitizimi i materiales deri në absurditet. Ashtu si në absurdin alegorik të Saramagos, paria e Tiranës kontrollon me shumë zell dhe përpikmëri mullirin ideologjik dhe prodhimet që dalin nga ai. Sigurisht që për hir të “pluralizmit të mendimit” herëpashere lejohen edhe opinione jashtë kornizës ideologjike, por këto etiketohen menjëherë si “naive”, “të parealizueshme” dhe “të dëmshme për zhvillimin demokratik”. Ironikisht këto janë pikërisht argumentet që po përdoren kundër votës me kryq. Ndaj edhe mendoj se në tërësi premisat që përcjell z. Gjokutaj nuk vlejnë për të zhvlerësuar votën me kryq.

Nisma e votës me kryq rrjedh nga një analizë shoqërore që identifikon një mur ideologjik shtrëngues të ndërtuar prej parisë. Muri shtrëngues jo vetëm i garanton asaj sundimin, por edhe po jam merr frymën qytetarit shqiptar duke i mohuar lirinë reale të shprehjes. Ky instrument bllokues ka garantuar që zgjidhjet e vetme të ofruara apo të konsideruara si të pranueshme të dalin nga zyrat përpunuese të propagandës së parisë apo hijet që i kontrollojnë ato. Në këtë këndvështrim, kanë ndryshuar ngjyrat e kostumeve të pushtetit por sistemi i kontrollit ka mbetur i njejtë. Ndaj edhe rotacioni i propaganduar me aq forcë nga pala e parisë që është në opozitë sot është thellësisht i pamjaftueshëm. Siç shprehej Shenasi Rama, rolet do të ndryshojnë pas zgjedhjeve dhe pushtetarët e kthyer në opozitarë do të flasin për autokraci, mungesë lirie dhe nevojë për rotacion, ndërsa Rilindësit vjollcë do të zgjohen befas ithtarë të vazhdimësisë së pushtetit.

Me anë të murit bllokues ideologjik, të cilin disa e quajnë “integrimi euro-atlantik” e disa të tjerë “zhvillim me faza i kapitalizmit”, paria i ka mbyllur të gjitha shtigjet e lirisë të cilat favorizojnë qarkullimin e elitave por edhe ndërtimin e një shteti në shërbim të kombit dhe qytetarëve. Shteti i konsoliduar nuk i shërben asnjërës palë sepse do t’i detyronte të modifikonin thellësisht sjelljen. Mirëpo, duke qenë se arsyeja e vetme pse ata kërkojnë pushtet është pasurimi në kurriz të shqiptarëve, me ndërtimin e shtetit atyre nuk u del llogaria. Ndaj edhe premtimet zgjedhore janë tashmë objekt barsaletash dhe kanë humbur çdo besueshmëri.

Për t’a thënë thjesht, sundimi dhjetëra vjeçar i parisë së Tiranës e ka themelin tek ngrehina e mbyllur ideologjike të cilën nuk kanë patur guximin t’a sfidojnë as intelektualët e dalë nga regjimi hoxhian, as media dhe as shoqëria civile. Me anë të këtij burgu ideologjik, paria ja ka dalë derimësot të kontrollojë të gjitha hullitë e shoqërisë duke e drejtuar atë drejt zvetënimit moral, cubërisë politike dhe kriminalizimit të tejskajshëm. Paria ja ka arritur të krijojë mendësinë e burgut nga i cili askush nuk pret që të dalë. Kjo është arsyeja pse krahasimi me botën oruelliane të Saramagos jo vetëm që është i përpiktë por edhe shumë aktual.

Mesazhi i parisë kundër votës me kryq me gjasë do të intensifikohet ndjeshëm në dyzet e tetë orët e ardhshme. Arsyeja është e thjeshtë. Vota me kryq mund të duket në planin e cekët si një nismë utopike dhe e parealizueshme. E vërteta që dëshmojnë reagimet e ethta të kanakarëve të parisë është se ajo rrezikon monopolin e tyre propagandistik, pa të cilin ngrehina e tyre sunduese nuk qëndron dot në këmbë. Ndaj edhe duhet votuar nderi, i duhet vënë kryq votës. Duhet një fillim i ri.

 

[Marrë nga blogu “Rrethi i Ferrit”: GRID RROJI: SARAMAGO, NGREHINA PROPAGANDISTIKE DHE VOTA ME KRYQ]

(nënvizimet e mia, Rinstinkt)

Janë Shqetësuar – Grid Rroji

Nisma “Vëri kryqin votës, voto nderin” është një nismë që e ka zanafillën tek dështimi i përplotë i parisë së Tiranës për të ndërtuar një shtet komb efektiv, i cili të garantojë lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve si dhe të promovojë një shoqëri demokratike të mbështetur tek vlerat kombëtare. Ndonëse thirrje për bojkotimin e sistemit kanë ardhur edhe më herët, këtë herë thirrja është përqafuar gjerësisht. Mirëpo, reagimi i shtresëzuar i parisë, si me anë të injorimit tërësor në fillim ashtu edhe me reagimet e koordinuara këto ditë tregon se jehona që ka gjetur vota e bardhë i ka shqetësuar realisht ata.

Reagimi ndaj votës së bardhë ka patur disa forma. Siç e thashë më sipër, teknika e parë e përdorur gjerësisht nga paria është injorimi. Duke patur nën kontroll pothuaj të plotë mjetet e informimit paria kishte besimin se thirrja për bojkot duke i bënë kryqin votës do të shfryhej si një tullumbace me vrimë. Teknika e injorimit garanton që çdo nismë që nuk përhapet në publik, në fakt nuk ekziston. Mirëpo, besueshmëria e parisë është në nivelin më të ulët të këtyre njëzet e tre vjetëve tranzicion, dhe injorimi nuk mund të funksiononte aq thjesht. Po ashtu, mjetet e reja të komunikimit si për shembull blogu Rrethi i Ferrit dhe fejsbuku, si dhe prania në treg e disa mediumeve të cilat ruajnë profesionalizmin duke u garantuar zërave ndryshe një hapësirë, e bënë këtë teknikë jo efikase në këtë rast.

Shtresa e dytë e reagimit ishte përsëri e tërthortë me anë të atyre që Lubonja i quajti “analistë llogoresh”. Me anë shkrimesh gjysëm teorike apo me cinizmin karakterizues të mendësisë së burgut argumentat që u hodhën kishin të bënin me “naivitetin” e nismave të tilla si dhe me frikën se kjo nuk i shërbente demokracisë. Një tjetër pjesë e këtij reagimi ishin edhe shpërndarja jo vetëm me anë të kanaleve tradicionale të kontrolluara nga paria por edhe nëpërmjet kanaleve të reja te komunikimit duke u munduar t’ua heqin edhe këtë avantazh propozuesve të votës së bardhë.  Blogje si Respublica e te tjere  u bënë mjete të shtypjes së mesazhit të protestës. Pra ky lloj reagimi i parisë kundër votës së zhvlerësuar me kryq filloi të ndihet edhe në blogosferë por edhe në fejsbuk ku u aktivizuan zhurmuesit e parisë.

Argumenti kyç në këtë fazë ishte se “jo të gjitha palët janë njësoj” dhe se “duhet votuar e keqja më e vogël”. Mirëpo në sferën etike lufta midis të keqes së madhe dhe të keqes së vogël është një luftë për të sjellë të keqen. Mungon në këtë dikotomi jo vetëm e mira por edhe mundësia për të arritur të mirën. Paradoksi që propozojnë ithtarët e parisë është se lufta midis dy të këqijave do të sjellë të mirën në afatin e gjatë. Si e tillë, teza e “të keqes më të vogël” është një artikulim i urrejtjes të propozuesve të saj ndaj popullit shqiptar. Jo më kot, shumë prej tyre shprehen se “me këtë popull që kemi, kaq meritojmë”. Mirëpo, me sa duket shqiptarët kanë më shumë respekt për veten se sa u japin “analistët e parisë”.

Një tjetër pjesë e reagimit vinte nga qarqe sektare, fetare apo krahinore, të cilat shohin tek zgjimi i një reagimi popullor ndaj sistemit mundësinë që të mos ruajnë dot pozicionin aktual. Në historinë kombformuese të shqiptarëve ka ekzistuar përherë ky tundim për t’i kundërvënë interesin fetar apo së fundmi edhe frymën kozmopolite diskursit kombëtar. Pra, bojkoti i votës me anë të zhvlerësimit të saj nuk shihet si një mjet që favorizon interesat e veçanta të grupit, e si i tillë bëhet i dëmshëm për këto kategori.

Mirëpo me sa duket as kjo teknikë nuk ka funksionuar. Në shtypin e përditshëm, madje edhe në gazeta afër parisë janë shtuar analizat të cilat edhe pse jo drejtpërdrejt në sintoni me votën e bardhë, përdorin elementët e analizës që të çojnë në atë përfundim. Dhe kjo ndoshta është ende edhe më shqetësuese për parinë sepse tregon se argumenti është përtypur dhe po rishfaqet në treg si i brendësuar nga një numër intelektualësh të rinj.

Paaftësia për t’a ndalur argumentin e votës së zhvlerësuar dhe parashtrimi i një rruge të qartë për një fillim të ri nga nismëtarët e bojkotit duket se i ka shqetësuar edhe më oligarkët e Tiranës. Vala e tretë e reagimeve është më e sofistikuara si dhe më e egra derimëtani. Duke angazhuar të  gjithë  ushtrinë  e “analistëve” qëndrorë dhe periferikë në shërbim të saj, paria ka filluar përpjekjen për paraqitjen e votës së bardhë si vegël e Berishës, si nismë anarkike apo paradoksalisht edhe si mungesë civilizimi. Kjo përpjekje tashmë ka marrë konturet e një reagimi të koordinuar në të gjitha gazetat dhe blogjet e parisë.

Supozimi kyç që e informon valën e re të sulmeve ndaj votës së bardhë është se po i shërbehet Berishës me apo pa dashje. Kjo përshtypje u përforcohet nga fakti që mungojnë reagimet publike nga mbështetësit e Berishës. Thënë thjesht argumenti i mbështetësve të Ramës është se Berisha e merr shumicën e votave në fshat ku kjo nismë nuk ka gjasë të penetrojë, ndërsa votat e njerëzve të informuar janë potencialisht të majta. Mirëpo ky lloj argumenti është I çalë për shkak se është jo logjik dhe tepër meskin.

Siç shprehej Ledjan Prifti para disa ditësh, të majtët e vërtetë sado të zhgënjyer nga pakti i ngjalave, në fund do mbyllim hundën e do e votojnë Ramën për shkak të urrejtjes që kanë ndaj Berishës. Pra, efekti i votës së bardhë ka ardhur tek ato shtresa të cilat nuk i besojnë gjithsesi asnjërës palë dhe kërkojnë ndryshim. Kjo shtresë njerëzish nuk do kishte votuar as Berishën e as Ramën. Këta mund të mos përbëjnë shumicën e votuesve, por në qoftë se arrijnë të krijojnë një masë kritike mundësojnë krijimin e një force të re, pa lidhje me palët e parisë, me ideologji të ndryshme nga paria dhe me njerëz të panjollosur gjatë tranzicionit. Ky objektiv, i cili me sa duket është më i arritshëm se sa kërkon të na bindë shpura e analistëve të parisë, është më shqetësuesi për parinë.

Një tjetër teknikë e përdorur në valën e tretë të sulmit ndaj votës së bardhë është kufizimi i argumentit si një debat midis dy tre kokrrave të njohura si Shenasi Rama apo Fatos Lubonja. Mirëpo e vërteta është krejt ndryshe. Nisma e votës së bardhë dhe argumentat përqark saj ka gati dy muaj që mbështeten dhe arsyetohen me shkrime të përditshme edhe nga Alida Karakushi, Gjergj Erebara, Valbona Karanxha, Ledjan Prifti,  Murat Aliaj, Mimoza Demiri, Ilir Demalia, Xhaferr Rakipllari, Alban Nelaj, Edlira Gushta, Artian Gjataj, Ergys Mërtiri, Silvana Toska, Fadil Lepaja, Marsela Dauti, Dritan Shano dhe i nënshkruari. Shkrimet janë botuar si në blogjet Rrethi i Ferrit, fshad.com dhe Peshku Pa Ujë, ashtu edhe në shtypin e përditshëm si në gazetat Panorama, MAPO, Sot, dhe Telegraf. Grupi i mësipërm dallohet nga disa karakteristika si të qenit relativisht në moshë të re, ekspertë profesionistë të politikës dhe publicistikës,  të pavarur nga paria, dhe të shqetësuar për fatet e vendit. Ata nuk i mbështesin argumentet e tyre në kërkime në gugëll apo vikipidia por flasin me argumente shkencore të mbështetura në literaturën serioze. Gati gjysma e tyre janë doktorantë shkencash. Ndoshta kjo mund të mos plotësojë standartin e “penës së rëndë” të gjithologëve të internetit, por populli e kupton kur ka të bëjë me dije dhe kur ka të bëjë me hije.

Pra, përpjekja është e qartë. Paria kërkon t’a delegjitimojë njëherë e përgjithmonë teknikën e bojkotit sepse e sheh atë të rrezikshme për mbijetesën e sistemit të krijuar prej saj. Një bojkot i përmasave të mëdha sigurisht do t’a delegjitimonte sistemin dhe do t’a bënte krijimin e një force të re jo më të si mundësi por si domosdoshmëri. Në këtë kontekst, nuk ka rëndësi kush i fiton këto zgjedhje. Gjasat janë që do t’i fitojë opozita, dhe kryeministri i ardhshëm do jetë Rama. Kjo jo për ndonjë meritë të tijën në fushatë por sepse sistemit i duhet legjitimim me anë të rotacionit. Ndaj dhe u bë pakti i ngjalave. Për sa kohë ka rotacion, nuk ka rëndësi se si do jenë marrëdhëniet e Ramës në pushtet me Metën e fuqizuar së tepërmi numerikisht.

Ajo që është e sigurtë, është se Berisha del së paku i palagur në opozitë, numerikisht i fortë, dhe pas purgës së fundit të qëndrestarëve, me një parti të bazuar tërësisht në lidhjet familjare. Pra, ndryshe nga sa thonë “ analistët e pavarur” të Ramës, Berisha del i garantuar nga një fitore e Rametës e jo nga masivizimi i votës së bardhë. Berisha ashtu si edhe Rama dhe Meta, kërkon me çdo kusht të ruajë sistemin, jo vetëm sepse është bashkautor i tij, por edhe sepse ky sistem i garanton atij qetësinë afatgjatë.  Pa Berishën ka pari, pa parinë nuk ka Berishë.

Ndaj, mendoj se edhe kjo valë reagimi nga ana e parisë nuk ka gjasë të delegjitimojë votën e zhvlerësuar me kryq për disa arsye. Së pari, argumenteve të parisë u ka dalë boja keqazi. Askush nuk i beson më premtimeve të tyre sado profesionale qofshin spotet televizive. Po ashtu penat e përdorura për këtë sulm janë ose të diskredituara ose me një audiencë minimale. Së dyti, gjendja ekonomike është në kufi të katastrofës dhe shifrat e fundit të remitancave të dhëna nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë trendin negativ. Rotacioni nuk ka shkopin magjik dhe kushdo të vijë në pushtet do të përballet me katastrofën dhe qytetarët e dinë këtë. Së treti, fragmentarizimi shoqëror, i cili sipas Silvana Toskës është i vetmi sukses i politikës gjatë tranzicionit, ka arritur nivele të frikshme. Së katërti, degradimi moral që pasqyrohet në çdo cep të jetës, por më së shumti në mungesën e ndjenjës së shërbimit dhe mbrojtjes së vlerave kombëtare, rrezikon seriozisht të ardhmen e shtetit. Së pesti, mungesa e reagimit të mirëfilltë të shoqërisë civile nuk le vend për reagime qytetare brenda sistemit të cilat do të mundësonin ndryshimin në mënyre endogjene. Përdorimi i blogjeve “ të pavarura” dhe ndohtja e hapësirës së internetit me zhurmues gjithfarësh e tregon më së miri këtë.

Kësisoj, vota me kryq është një mjet tejet i vlefshëm për të hedhur hapin e parë drejt një organizimi të ri shoqëror, ndërtimin e shtetit mbi vlerat kombëtare, vendosjen e kufijve ndaj politikës dhe rimarrjen në dorë të fateve të veta nga shqiptarët. Ky projekt i ndërtimit të shtetit-komb nuk mund të jetë i kushtëzuar nga interesat meskine të palëve që marrin pjesë në këto zgjedhje apo të shërbyesve të tyre mediatikë. Ata e kanë patur shansin e tyre për të ndërtuar shtetin, tanimë shqiptarëve u ka humbur besimi.

As krrakarritjet inatçore dhe në shërbim të protagonizmit vetjak të ndonjërit që pasi e propozoi vetë zhvlerësimin e votës kërkon të hedhë baltë me spondë nuk mund të zenë vend. Ata duhet t’a kuptojnë se vota e bardhë nuk është vetëm votë anti parisë, por edhe votë pro ndryshimit. Shqiptarët duket se po ndërgjegjësohen se duhet një fillim i ri, me ide të reja e me njerëz të rinj.  Vota me kryq është vetëm hapi i parë drejt tij.

[Shkrimi është marrë nga “Rrethi i Ferrit“. Nyje: GRID RROJI: JANË SHQETËSUAR]

Koalicionet, AK, FRD dhe frika e parisë së Tiranës – Grid Rroji

[…] ka ardhur koha që ne shqiptarët t’I tregojmë palëve të parisë se ata nuk mund të luajnë më me vullnetin e popullit. Shqiptarët duhet t’i thonë jo parisë në këto zgjedhje duke përdorur mjete sa më demokratike. Ne duhet të ngrihemi mbi simpatitë personale, mbi të kaluarën familjare dhe përfitimet meskine dhe t’i themi parisë se ne meritojmë shumë më tepër. Ne duhet të bashkohemi në një koalicion qytetar dhe të rebelohemi ndaj llumit të parisë. Në qoftë se AK-ja apo FRD arrijnë të bëhen pishtarmbajtëse drejt një fillimi të ri ato duhen mbështetur.  […] Ka ardhur koha të veprojmë tani për një fillim të ri.

Shkrimi gjendet i plotë tek blogu i prof. Shenasi Ramës, këtu: Koalicionet, AK, FRD dhe frika e parisë së Tiranës

———————————————————————————————————-