HPV – llojet e kancereve të shkaktuar nga Human Papilloma Virus

HPV

Llojet e kancereve të shkaktuar nga Human Papilloma Virus

Papilloma-virusi njerëzor – human papilloma virus, është një term që tregon për një kategori, apo më mirë të them një familje të tërë virusesh, mbi 120 të tillë, të cilët mund të infektojnë sipërfaqen e trupit tonë. Infektojnë kryesisht lëkurën, në raste abrazionesh (çjerrjesh) dhe membranat mukoze.

Pjesa më e madhe e viruseve që bien në kontakt me trupin kalojnë pa u vënë re, sepse sistemi ynë imunitar i shkatërron pa lenë asnjë shenjë të kalimit të tyre. Kështu që prekin dhe manifestohen zakonisht në subjekte me sistem imunitar të dobësuar (për arsye të ndryshme).

lythat e zakonshem

Lythat e zakonshëm, të shkaktuar nga HPV

Në raste të tjera këta viruse shkaktojnë lytha, lytha të sheshët dhe lytha (iriqa) gjenitalë. Çdo pjesë apo sipërfaqe e lëkurës që gërvishtet, sadopak,  mund të infektohet nga HPV.

Por nuk ka mbaruar me kaq. Janë edhe viruset (HPV) që shkaktojnë kancer (neoformacione), pra onkoviruse. Vlerësohet se janë rreth 20 “varietetet” virale që shkaktojnë kancer. Ndër ta HPV-16 dhe HPV-18 janë shkaktarë të rreth 70% të kancereve të qafës së mitrës, tek femra.

Gjithsesi, ekzistojnë edhe viruse të tjerë që mund të shkaktojnë kancer tek njeriu. Ndër ta janë viruset e hepatitit B dhe C që mund të shkaktojnë kancer të mëlçisë, dhe virusi Epstein-Barr që shkakton një sërë formash kanceroze përfshirë limfomën e Hodgkinit.

HPV dhe kanceri i qafës së mitrës

Siç thash më lartë, HPV-16 dhe HPV-18 janë të njohur prej kohësh si shkaktarë të kancerit tek njeriu (të kancerit të qafës së mitrës – tek femra); që prej fillim-viteve 1980.

Pap Testi - Dallohen qelizat jo-normale në qendër dhe dy qeliza normale në të djathtë.

Pap Testi – Dallohen qelizat jo-normale në qendër dhe dy qeliza normale në të djathtë.

Femrat mund të kryejnë rregullisht screening-un me anë të Pap testit (testit të Papanikolaut), në mënyrë që kur ndodhin (nëse!) ndryshime histologjike, anatomike të kapen menjëherë. Kjo është një mënyrë e mirë për të kapur hershëm kancerin e qafës së mitrës. Në 90% të rasteve, ndërhyrja e shpejtë, e menjëhershme pas Pap testit, me heqjen e indit “të çrregullt”, është mjaft e efektshme në parandalimin e zhvillimt të kancerit të qafës së mitrës.

HPV dhe kancri i grykës

Nga viti 2004 kanceri i kokës dhe qafës u lidh me infeksionin e HPV. Pra si qafa e mitrës, në majtë të vaginës ashtu edhe sipërfaqja e bajameve dhe pjesa e pasme e gjuhës janë një ambien t i shkëlqyer për rritjen e papilloma virusit njerëzor.

HPV-16 mendohet se është fajtori (pra përgjegjësi) kryesor për kancerin e grykës (gurmazit). Ndërsa kancerët e buzëve dhe pjesës së përparme të gjuhës përgjithësisht janë pasoja të duhanpirjes, përtypjes së duhanit apo pirjes së alkookit.

Më mirë parandalimi sesa kurimi.

Si gjithnjë, si me të gjithë kanceret është më mirë parandalimi dhe kapja e hershme e tyre sesa tentativat, shpesh të kota, për kurim.

Vaksina HPV mbron nga varietetet HPV-16 dhe HPV-18, si dhe nga dy varietete (tipe) që shkaktojnë lytha gjenitalë.

Që kur ka filluar programi i vaksinimit kundër HPV, mjekët klinikë kanë vënë re një rënie drastike të rasteve me lytha gjenitalë. Nga 9.6% në 2004, në më pak se 2% në 2010-2011.

Duhet kujtuar se HPV transmetohet siç transmetohen edhe agjentë të tjerë etiologjik të sëmundjeve infektive, si klamidia, gonorreja dhe HIVi. Pra me anë të kontaktit oral dhe gjenital. Pra kondomët (prezarvativët) japin njëfarë mbrojtjeje, por gjithsesi të prekurit, puthjet dhe çdo akt tjetër që transmetoh lëngje trupore nga një peron tek tjetri mund të transmetojë infeksionin e HPV.

Bibliografia:

  • Parkin, D. M. (2006), The global health burden of infection-associated cancers in the year 2002. Int. J. Cancer, 118: 3030–3044. doi: 10.1002/ijc.21731
  • Maura L. Gillison – Human papillomavirus-associated head and neck cancer is a distinct epidemiologic, clinical, and molecular entity -http://dx.doi.org/10.1053/j.seminoncol.2004.09.011
  • Tim R H Read, Jane S Hocking, Marcus Y Chen, Basil Donovan, Catriona S Bradshaw, Christopher K Fairley – The near disappearance of genital warts in young women 4 years after commencing a national human papillomavirus (HPV) vaccination programme – Sex Transm Infect 2011;87:544-547 doi:10.1136/sextrans-2011-050234

Rinstinkt 2013

—————————————————————————————-

Klerokineza – një lloj i ri ndarje qelizore

Klerokineza

klerokinezaNë laboratorët e Universitetit të Wisconsin-it është bërë një zbulim i rëndësishëm në fushën e biologjisë. Mark Burkard & kollegë, vëzhguan një lloj ndarjeje qelizore (ose më mirë të them, një stad të ndarjes qelizore) të paparë më përpara; i pahasur më parë.

Zbulimi u bë publik më 17 dhjetor (2012) me rastin e kongresit vjetor të American Society of Cell Biology (Shoqata Amerikane e Biologjisë Qelizore).

Zbulimi u bë nga një grup onkologësh që ishin në kërkim të metodave për luftimin e një tipi kanceri që indukton ndarjen jonormale të qelizave të veta, një gjendje e njohur si poliploidi. Kjo gjëndje haset në rreth 14% të tumoreve (kancereve) të gjoksit dhe në rreth 35% të tumorevepankreasit.

Zbulimi ishte i rastësishëm. Ndodhi në tentativë për të përftuar eksperimentalisht qeliza njerëzore me kromozome të mbinumërt (me më shumë se një komplet kromozomik). Qëllimi ishte ai i riprodhimit të një “kanceri” artificial, mbi të cilin të kryheshin eksperimente të tjera për të kërkuar terapi të reja.

Disa qeliza epiteliale të retinës (rrjetëzës), u detyruan të ndërmerrnin rrugëtimin e ndarjes mitotike (ndarja qelizore më banale, e zakonshme), por duke inhibuar procesin e kariokinezës, që normalisht mundëson ndarjen e dy qelizave bija; pra ndarjen e citoplazmave të tyre.

Kështu qelizat e përftuara përmbanin secila nga dy bërthama, pra me dyfishim të numrit të të gjithë kromozomeve (set të dyfishtë të kromozomeve).

Tani vjen pjesa interesante, sepse Burkard & kolegë mendonin se kishin përftuar qeliza jonormale, me pjesën më të madhe të funksioneve biologjike të korruptuara dhe paaftësi për të vazhduar drejt një ndarjeje normale qelizore: pra njëfarë grupi qelizash tumorale. Pra, sikundër parashikon(te) teoria e Theodor Boveri-së.

Por, papritmas, disa qeliza filluan të sillen ndryshe nga sa pritej, duke i lënë shkencëtarët me gisht në gojë. Një e treta e qelizave filloi të ndahej në qeliza bija, pa nevojën (pa praninë) e proteinave që normalisht janë të nevojshme për ndarjen e membranës plazmatike së qelizës mëmë, gjatë citokinezës.

U desh pak kohë për t’u bindur për atë ç’ka po shihnim, sepse nuk ishte përshkruar në asnjë tekst – deklaroi Burkard – dhe në fund konkluduam se po vëzhgonim një tip të ti ndarjeje qelizore”.

Hipoteza është se, qelizat e përdorin këtë mekanizëm si strategji natyrore “back-up-i” që parandalon formimin e tumoreve në rast të keqfunksionimit mitotik. Kërkuesit i dhanë këtij procesi emrin “klerokinezë” (klerokineza).

Klerokineza është një mekanizëm primitiv ndarjeje qelizore që duket se është ruajtur (konservuar) edhe tek njeriu, duke qenë se të tilla ndarje qelizore ishin vëzhguar, deri më sot, vetëm tek disa organizma primitivë.

Këtu gjendet një video e procesit – SPOONFUL OF MEDICINE.

Shpresa është që zbulimi të mos shërbejë vetëm për rishkrimin e teksteve të biologjisë por të ndihmojë edhe në të kuptuarit se si mund të parandalohen tumoret në të ardhmen.

 

Rinstinkt 2012

———————————————————————————-