Shfarojse po, eksperimentim jo – irracionaliteti animalist

Shfarojse po, eksperimentim jo – irracionaliteti animalist

Të gjithë e dimë se çfarë do të thotë shfarosje apo sterilizim. Mbi këtë të dytin dhe mbi qëndrimin që mbajnë ndaj tij disa grupime individësh që pretendojnë të mbrojnë kafshët (nga kushedi cila e ligë) kam folur këtu: Sterilizimi dhe pseudombrojtësit e kafshëve.

Sot do të shkruaj diçka mbi shfarosjen e kafshëve dhe qëndrimin që mbajnë ndaj tij mbrojtësit e kafshëve. Këtë jo për të shprehur qëndrimin tim personal, por për të evidentuar një formë bi-mendimi dhe emotiviteti  të këtyre individëve.

Shfarosja, kur kryhet në masë, nuk është se ngre ndonjë stuhi mediatike, siç ngrenë për shembull, protestat e kafshistëve për heqjen e eksperimentimit me kafshtë nga kërkimi shkencor biomjekësor. Aspak! Por shfarosje kryhen në mos përditë me intervale të rregullta për të kontrolluar bie fjala popullatën e minjve, që siç dihet kanë një ritëm të shpejtë zhvillimi.

Shfarosja kryhet nga autoritete shëndetsore dhe nga individët, të cilët mund të shkojnë e të blejnë ilaçin helmues apo kurthet e çarqet për minjtë, e më pas t’i vendosin në kopshtin apo shtëpinë e vet.

Duke marrë parasysh llojet e ndryshme të helmeve të përdorur, vdekja nga helmimi është padyshim e dhimbshme dhe torturuese: me të gëlltitur karremin vdekja vjen pas rreth dy ditësh agoni.

Duke përjashtuar Drosophila melanogaster-in (mizën e uthullës), që është gjallesa e preferuar për studimet në fushën gjenetike dhe biologjinë molekulare, eksperimentimi me kafshët në kërkimin shkencor biomjekësor praktikohet kryesisht mbi minjtë. Sipas Nuffield Council on Bioethics, minjtë dhe lloje të tjerë brejtësish, përbëjnë në total 87% të kavieve të laboratorit në të gjithë botën. (Pjesa tjetër janë jo-vertebratë, vertebratë të tjerë, mave, qen, primatë etj.)

Kafshistët (animalistët) e përqafojnë çështjen e ashtuquajtur antiviviseksioniste me një rreptësi fetare, ndërsa nuk flasin fare për shfarosjen e kafshëve.
Nuk ma ha mendja të ekzistojnë në botë një Lidhje Anti -hfarosje kafshësh.

Ky fakt, mendoj, është treguesi se lëvizja antiviviseksioniste (e ashtuquajtur) është plotësisht irracionale dhe e udhëhequr ekskluzivisht nga emotiviteti.

Kuptohet nuk po kritikoj vlefshmërinë e shfarosjes. Minjtë janë vektorë sëmundjesh kështu që shfarosja e minjve kryen një rol të rëndësishëm në fushën shëndetësore, dhe në këtë kuptim është e ngjashme me aksperimentimin me kafshët.

Në ditët e sotme jemi kaq “të mësuar” (përshtatur) me mirëqenien saqë e marrim atë si të mirëqenë, si diçka konstitutive të njeriut, duke harruar se nga vjen. Duke harruar se një rol të rëndësishëm ka patur dhe ka edhe eksperimentimi shkencor me kafshët dhe rezultatet e tij.

Për shembull, mjaft të kujtojmë se epidemitë e murtajës në të shkuarën dhe rolin e minjve në përhapjen e bakterit që shkakton murtajën. Për eksperimentimin me kafshët mjaft të hapim një tekst universitar fiziologjie, të mendojmë për ilaçet që përdorim apo për shumë e shumë produkte që përdorim përditë.

Kështu, (pseudo)mbrojtësit e kafshëve janë një shembull i shkëlqyer i bi-mendimit oruellian.
Veganët, për shembull, janë përgjegjës për vdekjen e mijëra e mijëra kafshëve, ndër të cilat edhe minjtë, që duke jetuar në fushat me grurë, përfundojnë në mënyrë të pakthyeshme të grirë nga autokombanja apo të helmuar nga pesticidet.

 

Rinstinkt, Prill 2013

—————————————————————————————————————-

Injorantët e quajnë “viviseksion”

Injorantët e quajnë “viviseksion”.

Do të përpiqem që të qartësoj disa gjëra, sepse konfuzioni i përgjithshëm i prodhuar (gjeneruar) nga “animalistët” (kafshistët) është vërtet shumë i madh. Për të kuptuar shkencën, por edhe për të  kuptuar argumentet që jepen dhe merren, janë thelbësorë përkufizimet (definicionet).

Konsiderohet Eksperimentim tek Kafshët totaliteti i eksperimenteve të kryhen  mbi kafshët. Është një bashkësi e gjerë dhe heterogjene që përfshin edhe eksperimente të thjeshtë (mirëfilli) vëzhgimi etologjik që nuk kanë të bëjnë fare me ndërhyrje mbi organizmin e kavies së studiuar, siç është për shembull seria e eksperimenteve të kryer nëpërmjet kafazit të famshëm të Skinner-it.

Viviseksioni nuk është gjë tjetër veçse një nënbashkësi e Eksperimentimit me Kafshët. Sikundër mund të kuptohet edhe nga emri, viviseksioni përfshin ato eksperimente që kanë të bëjnë me diseksionin (prerjen) për së gjalli të kavies. Në përgjithësi bëhet fjalë për eksperimente të interesit fiziologjik; pjesa më e madhe e njohurive të Fiziologjisë së Kafshëve është përftuar nëpërmjet viviseksioni(mi)t.

Duhet thënë se “viviseksion” (gjallëprerje) nuk është një term i përdorur ndër shkencëtarë dhe kërkues shkencorë dhe nuk shfaqet në publikimet shkencore duke qenë se është një infoormacion jo i saktë: nuk i komunikon shkencëtarit asgjë nga ato që i interesojnë. Në publikimet shkencore, informacioni i parë që duhet të komunikohet është ai mbi modelin eksperimental të përdorur (apo studim in vivo, apo në seksione, apo i sjelljes), dhe në vijim përshkruhet saktësisht procedura e ndjekur. Duke i thënë një shkencëtari “kam bërë një eksperiment viviseksionimi”, atij nuk i komunikohet asgjë.

Testet toksikologjike përbëjnë një tjetër nënbashkësi të Eksperimentimit tek Kafshët; atë të nevojshme për të siguruar jo-toskicitetin e një produkti (farmaceutik apo kozmetik) para se ai të hyjë në treg. Testet toksikologjike përbëjnë interes sidomos në fushën (rrethin) e Farmakologjisë.

Shumë persona, të hutuar dhe të keqinformuar për shkak të mistifikimeve të propagandës “animaliste” (unë meqë nuk gjej, di, një term ekuivalent në shqip këshilloj si ekuivalent termin: kafshistë [apo edhe shtazarakë!] ), janë të bindur se eksperimentimi me kafshët konsiston ekskluzivisht në teste toksikologjike dhe për më tepër e quajnë me termin e pahijshëm “viviseksion”(gjallëprerje). Natyrisht zgjedhja e termit “viviseksion” është një lëvizje strategjike e propagandës antiviviseksioniste, duke qenë se një term i tillë evokon (ngjall) pamje të ashpra, përdoret me qëllim përfoljen, përçmimin, ngojimin e Eksperimentimint me Kafshët, in toto. Kjo hyn plotësisht në kuadrin e teknikave të propagandës së përdorur prej “animalistëve” (kafshistëve), që bazohen ekskluzivisht në përfshirjen emotive (emocionale) dhe në shtrembërimin e fakteve.

Viviseksioni (gjallëprerja)  nuk është veçse një pjesë e vogël e Eksperimentimit me Kafshët, sikundër prostitutat janë një pjesë e vogël e femrave… ta quash eksperimentimin me kafshët “viviseksion”, është një lloj sikur t’u drejtohesh femrave (grave) duke i quajtur “prostituta”. Në të dyja rastet përdoret një term denigrues, që identifikon një pjesë për të shenjuar të tërën; dhe nëse e mendon mirë, është i njëjti qëndrim i racistëve ksenofobë që duke u bazuar në krime të kryer nga disa emigrantë nxjerrin përfundime dhe gjykime mbi një popull të tërë.

Kulmi është se të indoktrinuarit e propagandës “animaliste” (kafshiste) përfundojnë duke akuzuar kërkuesit shkencorë se zgjedhin një term zëvendësues, më të butë, si “eksperimentim me kafshët” për të shmangur termin “viviseksion”.

Mund të kundërshtohet duke thënë se gjuha i nënshtrohet përditësimeve (azhurnimeve) të vazhdueshme që bazohen në vëzhgimin e mënyrës se si populli e përdor një fjalë, prandaj nëse njerëzit përdorin kryesisht termin “viviseksion” për të treguar gjithësinë (bashkësinë) e eksperimenteve të kryer mbi kafshët, atëherë duhet promovuar përkufizimi i ri i termit, edhe pse objektivisht dhe etimoligjikisht  jo e saktë.

Objektivisht Kërpudhat nuk janë Bimë, edhe pse pjesa më e madhe e njerëzve i përkufizojnë si të tilla; Merimangat nuk janë Insekte, edhe pse pjesa më e madhe e njerëzve i përkufizojnë si të tilla e me radhë e me radhë. Do të ishte më korrekte që gjirafat të quheshin kokodrilë duke qenë se këto sy lloje kafshësh ndahen mes tyre nga një distancë filogjenetike shumë më e vogël krahasuar me atë që ekziston mes taxa-ve të renditura më sipër.

Ka nga ata që dëshirojnë modifikimin e gjuhës për ta përshtatur me injorancën e popullit, ne në të kundërt, përkëdhelim idenë e një pasurimi të gjuhës për të mësuar popullin dhe rritur erudicionin e tij.

Njohja e gjuhës ndihmon në dallimin e (njohjen mes) koncepteve.

Oruelli e kishte kuptuar, dhe është për këtë që në distopinë e tij teorizon Neogjuhën, shkatërrimin (modifikimin) e qëllimshëm të gjuhës si instrument fuqie (pushteti) mbi popullin. Ta quash Eksperimentimin me Kafshët “viviseksion” është një shembull i shkëlqyer Neogjuhe.

© In Difesa della Sperimentazione Animale

© Rinstinkt,  për përkthimin në shqip