Ngjyra e lëkurës dhe seleksioni natyror

Ngjyra e lëkurës dhe seleksioni natyror

A ishte kanceri i lëkurës një forcë selektive për pigmentimin e errët të lëkurës tek hominidët e hershëm?

Ky është titulli i një studimi të botuar më 26 Shkurt 2014 në revistën Proceedings of the Royal Society B: Biological Sciences. Studimi është i Mel Greaves, një kërkues shkencor pranë Institutit për Kërkimin mbi Kancerin në Londër.

Studimi në fjalë duket se i jep akoma më shumë peshë tezës sipas të cilës hominidët e parë kanë zhvilluar një ngjyrë të errët të lëkurës për t’u mbrojtur nga rrezet ultravjollcë UV, të cilat siç e dimë mirë, mund të shkaktojnë dimerë të bazave pirimidinike (T-T) duke rezultuar pra në mutacione gjenetike dhe mëpastaj në kancerin e lëkurës.

Një fëmijë i prekur nga albinizmi  (Credit: Wikipedia)

Një fëmijë i prekur nga albinizmi
(Credit: Wikipedia)

Studimi sugjeron se pjesa më e madhe e individëve me albinizëm të cilët kanë lindur në zonat e Afrikës ku duket se kanë evoluar qeniet e para njerëzore, dhe ku nivelet e rrezatimit UV janë tejet të larta, pra këta individë priren të vdesin nga tumori i lëkurës në moshë të re. Rrjedhimi është se nuk lënë pasardhës, dhe me kalimin e kohës, seleksionohen individët që janë më të priirur për të jetuar në ato zona.

Lëkura e errët i detyrohet pigmentit të eumelaninës, i cili është disi i ndryshëm nga feomelanina e cila është karakteristike e lëkurës së bardhë. Hominidët e parë, mendohet se për të favorizuar largimin e nxehtësisë nga trupi i vet, gradualisht po humbisnin qimet që mbulonin trupin. Pikërisht në këtë stad mendohet se ka filluar të veprojë edhe seleksionimi i ngjyrës së errët të lëkurës, e cila ofronte edhe mbrojtjen më të mirë ndaj rrezeve të rrezikshme ultravjollcë.

Studimi i cituar: Proc. R. Soc. B 22 April 2014 vol. 281 no. 1781 20132955

——————————————————————————

Reklama

Gjeni dhe trashëgimia

Gjeni dhe trashëgimia

Çfarë është gjenetika? Do t’i përgjigjem kësaj pyetje në mënyrën time, edhe pse të thjeshtuar, për të mundësuar një qasje popullore dhe të gjithëkuptueshme. Gjenetika është shkenca, e bazuar mbi metodën dhe kriteret shkencore, e cila shkencë studion gjenet dhe, në përjgithësi, trashëgiminë.

Të gjithë njerëzit herët a vonë e vënë re se u ngjajnë prindëve të vet natyrorë; në më të shumtën e rasteve në paraqitje, ndërsa inteligjenca (e dallueshme nga “kultura”) dhe karakteristika të tjera që kanë një komponente të trashëgueshme, vihen më pak re. Prindërit dhe fëmijët priren të kenë një paraqitje të jashtme, pra fenotip të përafërt ngase fëmijët trashëgojnë gjenet nga prinëdrit, sipas një ligjësie të caktuar. Këto gjene influencojnë karakteristika fenotipike morfologjike dhe cilësore si ngjyra e lëkurës, ngjyra apo lloji i flokëve, forma e hundës etj.

Çfarë është një gjen?

Nukleotide, gjene, kromozome, qelizë...

Nukleotide, gjene, kromozome, qelizë…

Një gjen është një segment ADN-je. ADN-ja nga ana e vet është një makromolekulë në të cilën janë kodifikuar, nëpëmjet rrugëtimit të gjatë evolutiv, udhëzimet mbi ndërtimin e një proteine. Proteinat janë përbërësit kryesorë të organizmit tonë, dhe të gjithë organizmave në natyrë. Të paktën këtë mund ta themi për llojet dhe format e jetës me të cilat kemi rënë në kontakt gjatë ekzistencës sonë, fare të shkurtër krahasuar me jetën e planetit apo më tej të sistemit diellor apo universit. Duke qenë se proteinat janë përbërësit kryesorë të organizmit, ato influencojnë edhe karakteristikat kryesore fenotipike. Pra, nga gjenet, e kështu gjenotipi, kalohet në një stad, le ta quajmë të ndërmjetëm proteinik e mëpastaj në tiparet fenotipike, fenotipin individual (i cili nuk është tërësisht nën pushtetin e gjenotipit.) Gjenotipi i referohet kushtetutës gjenetike të individit, ndërsa fenotipi i referohet karakteristikave fizike dhe fiziologjike të vëzhgueshme në terma makroskopikë.

Një shembull ndihmon për të iilustruar konceptin: një gjen i caktuar jep udhëzimet për ndërtimin e një proteine enzimatike, e cila enzimë ndihmon në procesin e bërjes së melaninës. (Melanina është pigmenti që kontribuon në ngjyrosjen e lëkurës dhe të qimeve.) Ekzistojnë versione të ndryshme të gjenit në fjalë, të quajtura alele, që kodifikojnë për versione të ndryshme të proteinës enzimatike… duke rezultuar në ngjrë të ndryshme e të ndryshueshme të flokëve dhe lëkurës.

Trashëgimi i informacionit gjenetik

Gjenet, siç e thamë më lartë, janë segmente të caktuar të acidit nukleik, ADN—së. ADN-ja nga ana e vet gjendet në bërthamë, në struktura më të ndërlikuara të quajtura kromozome. Kur flasim për trashëgimi gjenetike, flasim për kalim gjenesh nga një gjeneratë në tjetrën, në terma qelizorë e mëpastaj të formimit të një organizmi të ri, e kështu të një jete të re.

Formimi i një individi të ri, kalon domosdoshmërisht nga bashkimi i qelizës vezë, me prejardhje nga nëna, me qelizën spermatike (spermatozoidin) nga babai. Shkrirja e materialit gjenetik të spermatozoidit me atë të qelizës vezë quhet pllenim, apo fertilizim. Nga kjo shkrirje dhe nga zhvillimi i mëtejshëm do të formohet zigota e mëpastaj organizmi i ri, që pas rreth nëntë muaj shtatëzani do të jap një individ, femër apo mashkull. Kujtoj se nga shkrirja e dy qelizave seksuale – të formuara nga procesi i mejozës në gonadet mashkullore dhe femërore – organizmi i ri do të ketë një kopje të gjeneve nga nëna dhe një kopje të gjeneve nga babai. Në përfundim do të ketë një komplet kromozomik dhe gjenetik të plotë, pra 2n.

———————————————————————