Ilaçet për terapinë e dhimbjes (2) – Analgjezikët opioidë

Ilaçet për terapinë e dhimbjes (2) – Analgjezikët opioidë

Termi ‘opioid’ përdoret për të treguar substanca që kanë një profil farmakodinamik si ai i morfinës.

Peptidet opioide derivojnë nga katër prekursorë/pararendës: nga proopiomelanokortina (POMC), nga proencefalina A, nga proencefalina B, dhe nga prekursorë që u japin origjinë endorfinave të tjera.

Opioidet aktivizojnë receptorë specifikë metabotropë që janë të çiftëzuar me proteina G dhe që shprehen në zona të caktuara trunore.

Receptorët opioidë që janë më shpesh të përfshirë me modulimin e dhimbjes janë ata të tipit N, që janë të pranishëm në zonën gri periakueduktale dhe në substancën xhelatinoze të Rolandit.

Shënim (diferenca në terma):
Opiumi –
Opiatet – derivate gjysmësintetike si Buprenorfina dhe Diacetilmorfina
Opioidet e mirëfillta – janë ilaçe të sintetizuara si Metadoni dhe Petidina (Meperidina).

Opioidët e ‘dobët’ apo të ‘dhimbjes të moderuar’

Në këtë grup futet Kodeina që është një alkaloid natyral që merret me anë të gojës. Kodeina është dhjetë (10) herë më e dobët se Morfina.
Kodeina ka disa metabolitë të ndryshëm, një pjesë e të cilëve janë aktivë. Tek kafshët me defiçit të enzimave demetiluese, sikundër edhe në subjektet me një shprehje të reduktuar të citokromit CYP2D6 Kodeina ka një aktivitet të dobët analgjezik. Ky fakt sugjeron se Kodeina mund të jetë një pro-ilaç i Morfinës dhe që sasia e Kodeinës e biotransformuar në Morfinë mund të luhatet nga 2-10%, edhe në relacion me shkallën individuale të metaboët

Opioidët e ‘fortë’ apo të ‘dhimbjes së fortë’

Në këtë grup futen si opioidë me gjysmëjetë të shkurtës si për shembull morfina, fentanili; por edhe opioidë me gjysmëjetë më të gjatë si metadoni dhe levorfanoli.

Morfina dhe derivatet e saj

Morfina është alkaloidi më aktiv dhe më gjerësisht i gjetur tek opiumi (10%). Është një ilaç klasik me veprim analgjezik qëndror, kortikal dhe nënkortikal, që nëpërmjet stimulimit selektiv të receptorëve të opioidëve të pranishëm në të gjitha nivelet e nevraksit është në gjendje të reduktojë dhimbjen somatike të bashkëlidhur me një përbërëse afektive domethënëse.

Morfina konsiderohet ilaçi analgjezik që zgjidhet i pari për dhimbjet shumë të forta. Ilaçet e tjerë kundër dhimbjes (në rast dhimbje të fortë) përdoren vetëm kur nuk ka disponibilitet të menjëhershëm morfine, apo në raste kur mund të shfaqet intolerancë (hipereksitueshmëri, delirium, konfuzion) në drejtim të Morfinës.

Morfina është një molekulë relativisht pak lipofile. Jepet/merret me rrugë orale. Ka thithje maksimale në 2-3 orë me njëgjysmëjetë prej rreth 3 orësh. Lidhet me proteinat plazmatike në masën 30%. Ka një metabolizim hepatik (në mëlçi), ku glikuronohet nga enzimat hepatike në pozicionet 3 dhe 6. Morfina-3-glicuronid është totalisht pa asnjë aktivitet agonist. Në të kundërt Morfina-6-glicuronid është edhe më aktive se vet Morfina. Morfina ekskretohet kryesisht nëpërmjet veshkave, dhe ndaj duhet treguar kujdes ndaj pacientëve me pamjaftueshmëri veshkore.

Ekzistojnë derivate të ndryshme të morfinës: idromorfoni, oksimorfoni.
Një tjetër derivat i Morfinës është Diacetilmorfina e cila njihet gjerësisht me emrin Heroina. Heroina në vetvete është shumë pak aktive për shkak të pranisë së një acetilimi të dyfishtë, i cili duke qenë një pengesë sterike domethënëse e pengon Heroinën që të lidhet me receptorët opioidë. Gjithsesi, një karakteristikë e tillë kimike bën të mundur që Heroina të ketë një kalim të shpejtë të barrierës hematoencefalike. Pasi mbërrin në sistemin nervor qëndron Heroina deacetilohet nga enzimat përkatëse dhe kthehet në Morfinë dhe kështu mund të aktivizojë receptorët e vet opioidë.

Diacetilmorfina është pra një pro-ilaç i Morfinës që për shkak të veprimit të vet të shpejtë tepër të veçantë nuk gjen një justifikim të mjaftueshëm për t’u përdorur në terapinë e dhimbjes (flitet gjithënjë për trajtime kronike të dhimbjes).

Fentanyli dhe derivatet

Fentanyli është një derivat sintetik i Meperidinës dhe sikundër Morfina është një agonist preferencial i receptorëve μ. Ështëë 100 herë më e fortë se Morfina dhe shfaq një gjysmëjetë prej 20-30 min. Jepet nëpërmjet rrugës sistemike gjatë ndërhyrjeve kirurgjike dhe në ‘anestezinë e kontrolluar nga pacient’, si dhe në rrugën transdermike si leukoplast/plaster në dhimbjen nga kanceri.

Fentanyli sikundër opioidët e tjerë, indukton reaksionet anësore tipike të kësaj klase ilaçesh (shiko më poshtë).

Metadoni

Metadoniështë një opioid me gjysmëjetë të gjatë. Përveçse stimulon receptorët opioidë μ, është edhe antagonist jo kompetitiv i receptorëve NMDA të glutamatit dhe një bllokues i rithithjes së serotoninës. Metadoni është një përzierje racemike; forma L-metadon duket të jetë përgjegjësi për aktivitetin analgjezik.
Metadoni i dhënë nëpërmjet rrugës orale shfaq gjysmën e fuqisë analgjezike në krahasim me metadonine dhënë nëpërmjet rrugës intramuskolare.
Metadoni ka një shpërndarje të gjerë, më pak se 1% mbetet në plazmë. Ajo pjesë që gjendet në plazmë ka një lidhje tepër të lartë me proteinat plazmatike, 60-90%.
Në vijim të administrimeve të përsëritura Metadoni ka një prirje për t’u grumbulluar në inde duke krijuar një rezervë të mirëfilltë të ilaçit – kjo natyrisht krijon probleme prej grumbullimit të ilaçit. Metadoni ka një gjysmëjetë të gjatë, prej 16-20 orësh.

Veprime të tjera të opioidëve dhe reaksionet anësore

Kapsllëku – është problemi më i shpeshtë që shoqërohet me administrimin e opioidëve analgjezikë. Kjo është pasojë e një rritje të përgjithshme tl tonit të sfinkterëve të muskulaturës gastroenterike që shoqërohet me një reduktim të lëvizshmërisë dhe me një reduktim të sekretimit/tahitjes së acidit klorhidrik në stomak.

Qetësimi/sedacioni – paraqitet në mënyrë kalimtare me rritjen e dozazheve dhe shoqërohet me një tolerancë të shpejtë.

Nauzea dhe të vjella

Depresion respirator

Veprim anti-kollë – veprimi kundër kollës zotërohet nga të gjithë opioidët megjithëse ai më i përdoruri në praktikën klinike është Kodeina. Përveç rasteve të kollës patologjike, ajo mund të përdoret edhe gjatë manovrave kirurgjikale, për shembull, vendosja e një tubi endotrakeal, për të rritur kompliancën e pacientit.

 

© Rinstinkt blog

Reklama